
Më 17 tetor, në sheshin Nathan Phillips Square të Torontos, shqiptarë nga treva të ndryshme u mblodhën për të shprehur shqetësimin për zhvillimet në Shqipëri dhe solidaritetin me studentët protestues.
Ishin të paktë në numër, por mbartnin një dhimbje që shumë emigrantë e njohin: të jetosh larg atdheut dhe të mos pajtohesh me vuajtjen e tij.
Nga ky shesh, pjesëmarrësit shprehën mbështetjen për të rinjtë që kërkojnë një të ardhme në vendin e tyre. Një Shqipëri ku puna të ketë dinjitet, qytetari të dëgjohet dhe largimi të mos mbetet rruga e vetme e shpresës.
Mes të pranishmëve kishte edhe prindër në moshë, që e shihnin pjesëmarrjen si një përgjegjësi ndaj brezit të ri dhe si reflektim për atë që brezi i tyre mund të kishte bërë më shumë.
Sot, sytë e këtyre bashkatdhetarëve ishin nga studentët. Tek guximi dhe këmbëngulja e tyre shohin shpresën për një Shqipëri ku mund të kthehen edhe vetë një ditë.
Sepse, pas gjithë viteve të emigrimit, mbetet një dëshirë e thellë: të rikthehen në tokën amë, të jetojnë me dinjitet dhe ta mbyllin jetën mes njerëzve të tyre.
Që Shqipëria të jetë sërish vendi ku ndërtohet jeta, ku rriten fëmijët dhe ku kthimi bëhet i mundur.
ALB TV CANADA — TORONTO.