Nga Rudolf Deliana/
Rashë të flinja…… Nuk di se si në gjumë e sipër, m’u shkrep në krye të bëja një bisedë më lëvruesin e gjuhës sonë.E këtë bisedë ta kryeja urgjent, bash në shtëpinë e tij, në lagjen Kala të Elbasanit.
Shpejt e shpejt përcaktova temën e bisedës : “Pyetje rreth Fjalorit e probleme të tjera që mund të dalin”.
– Po mjetet ? – thashë me vete.
– Fjalori i 1904-ës, iu përgjigja vetes.
U ngrita e ashtu në gjumë të thellë, s’di veshur apo zhveshur, hapa dollapin e bibliotekës dhe nxorra Fjalorin.Kishte dekada që flinte aty, edhe ai në gjumë të thellë, përkrah librave të tjerë e askush s’ishte kujtuar ta merrte e ta lexonte.E pastrova nga pluhuri që të mos turpërohesha përpara Gjuhëtarit dhe nisa të mbyll dollapin. Atë cast më zuri syri “Fjalorin e Shqipes së Sotme”, botim i vitit 1984.
– Ta marr edhe këtë, thashë me vete. Kur ta shohi Plaku edhe mund të gëzohet. Shumë i kënaqur nga kjo përgatitje, me 2 fjalorët në sqetull e në gjumë “për shtatë palë qejfe”, u nisa për në lagjen time, në Kala.
Rrugës mendoja : 1904 – 1984 ! Gati një shekull kohë! Njëri fjalor i vogël, tjetri i madh. I pari i hartuar nga një person i vetëm, që kishte një mijë halle të tjera mbi kokë, tjetri nga një grup njerëzish që punët e jetës së përditshme i kishin në rregull. Së fundmi, i pari për një gjuhë që ende s’dihej si ishte, kurse të tjerët për një gjuhë që ishte futur në normalitetin e jetës së saj! Sa vështirë ta ketë patur i mjeri Patriot, sa lehtë të tjerët!
Pa mbaruar mirë mendimin, u gjenda në Kala pranë shtëpive të Papajanëve, fis mjaft i gjërë i lagjes.Vrava mendjen të gjeja pse këmbët më sollën këtu dhe e gjeta.I kishte drejtuar kujtesa ime në të cilën ime gjyshe, Kleopatra, kishte ngulitur faktin që i Ati ishte sëmurë dhe kishte vdekur aty. Pastaj u kujtova se aty pat qenë një pllakë që i vërtetonte të gjitha këto. Hapa sytë, por pllakë s’pashë.Këmbët e mija dolën më të zgjuara. Ato më dërguan në shtëpitë e familjeve të njohura Shuteriqi sepse, sipas tyre , pllaka ndodhej atje, dhe ashtu doli. Pllaka ishte atje, madje jo një, por plot tre! Hapa sytë mirë.Po, po, ishin tre.
– Shumë mirë , thashë me vete, do të jëtë bërë ndonjë zbulim dhe e lashë këtë punë.Ngrita dorën që të hapja derën, por pashë që ajo ishte mbyllur me dry. S’di se si më lindi dëshira të shihja nëse Kristoforidhi e kishte përfshirë fjalën “dry” në fjalorin e tij. E gjeta në faqen 88, ku tregohej se e kishte hasur te Budi e Bogdani. Shumë i kënaqur mbylla fjalorin dhe i thashë vetes:
– U pa puna! U dashka ardhur më vonë!
Nuk di nga u vërdallisa, por kur u ktheva, derën e gjeta pa dry.Zgjata dorën për ta hapur e s’di pse më pushtoi një ndrojtje, sikur do të më dilte përpara dicka e trishtueshme. E shtyva kanatën ngadalë dhe hapja e saj pa zhurmë më dha zemër. Përpara më doli një oborr i gjatë dhe i ngushtë, karakteristik për shtëpitë e lagjes Kala, të cilat kanë patur gjithmonë pak hapësirë për banesë. Anash gjendeshin dy mure “moderne” prej blloqesh cimentoje dhe një oborr me kalldram karakteristik elbasanas. Eca përpara ngadalë dhe i qetë.M’u shfaqën para syve një palë shkallë tipike kalajase.Prapa tyre dukej një hajat, në të cilën gjendeshin objekte që s’arrija t’i kuptoja pse ndodheshin aty. Ndoshta, thashë me mend, do të jenë orendi tëvjetëruara të sjella nga Plaku kur u kthye në Elbasan.
Për këtë arsye e largova mendjen prej tyre dhe hodha sytë përtej hajatit. Në fund të tij dallova një derë.
– Do të jetë një derë quri, thashë më vetë dhe përsëri më lindi kureshtja :
– A ta ketë futur në Fjalor Plaku i urtë fjalën “qur”? E gjeta në faqen 295, madje të shoqëruar me sinonimet “katua”, “patoz” dhe me shprehjen “qur kusarësh”.Hapa të madhin. U cudita : fjalën “qur” s’e përmbante. Të ketë vepruar gabim Plaku?!
– Ti s’je gjuhëtar, i thashë vetes, ndoshta ka arsye që fjalori i 1984 s’e ka futur.Kjo më qetësoi.
E përqëndrova vemendjen te shkallët: dy shkallaret e para ishin prej guri të bardhë të gdhendura bukur, të tjerat prej dë rrase plotësisht shkallë tipike që na vinin ndoshta nga shekulli i largët 18 apo 19.I ngjita ato shkallë i shoqëruar nga një drojë e pashpiegueshme dhe u gjenda në një cardhak të vogël, i vendosur mbi hajat.Kjo më kënaqi, por u brengosa sepse në të nuk pashë qoftë edhe një orendi të vetme shtëpiake.
– Duket se do të jenë grumbulluar brenda në dhomën e vetme, për t’i ruajtur nga shiu dhe dielli, thashë për të qetësuar veten. Tani më mbeti veprimi më i guximshëm dhe i vështirë: të hapja derën e dhomës e të gjendesha ballëpërballë me të Parin e gjuhës shqipe.
Përsëri mblodha veten dhe e shtyva kanatin me kujdes.S’më tradhëtoi me kërcitje.Me guxim ngulita sytë në hapësirën që më doli përpara. Ndoshta ngaqë isha në gjumë, ndoshta ngaqë dhoma ishte e errët e pa dritare, apo ndoshta nga të dyja bashkë, pashë vetëm errësirë e asgjë tjetër! Pastaj dalëngadalë nisa të dalloja një oxhak të bardhë, një vatër të bardhë dhe së fundmi një siluetë të vendosur në vatrën e madhe, sic e quanim ne kur ishim fëmijë. Rrinte e ulur në dysheme dhe mbështetur në mur afër vatrës. E kuptova.Ishte Lëvruesi i gjuhës sonë, i plakur tej mase.Dukej që dremiste.Përfitova nga rrethanat dhe hetova mjedisin.
Pashë : një dysheme vende vende me brima nga të cilat mund të bije në qur. Në të s’kishte as sexhade, as qilim e as hasër. Rreth e qark vatrës asgjë për t’u ulur, sic e kishin në atë kohë të gjitha shtëpitë e Kalasë. Nuk kishte velenxë, shilte, postiqe, karrige apo dicka tjetër.Madje as jastëkë për t’u mbështetur. Më theri në zemër! Ngrita sytë lart dhe i rrotullova rreth katër mureve. Pashë dollapë me kanata dhe pa kanata, me xhama e pa xhama, të gjithë mbushur me pluhur e pëlhurë merimangash. Nëpër rafte disa fotografi, por asgjëkundi nuk dukej ajo e Kristoforidhit, që sot mbush plot e përplot cdo cep e kënd të Atdheut tonë. Kishte letra, shkrime e sende të tjera që s’merrja vesh se c’lidhje kishin me Atë, që strukej pranë vatrës. Më tej pashë dy baule të vendosura njëra mbi tjetrën. Edhe u gëzova, edhe u trishtova.U gëzova se u rrita pranë tyre.Ishin të pajës së mëmës sime, dhënë nga e ëma, që i kishte trashëguar nga e ëma e vet, Eleni, gruaja e Atij që rrinte strukur para meje.U trishtova se ishin “plakur” dhe shpërfytëruar. Gjë tjetër s’pashë në atë shtëpi të Lëvruesit të gjuhës sonë i cili u flijua për të vendosur themelet e gjuhës së vyer shqipe!
– Sa mjerim, më tha një zë nga brenda.
Në këtë cast ndjeva mbi vete sytë e Siluetës. I ktheva une të mitë drejt tyre dhe kuptova që po më shihte mjaft i habitur.Mos vallë isha unë i pari që po e vizitoja?Mos vallë deri tani s’e kishte vizituar njeri? Atëhëre, i frikësuar, i emocionuar, i gëzuar apo s’di si, iu drejtova qetë qetë me shprehjen e zakonshme :
– Mirë se të gjeta!
I hapi sytë mirë, por s’m’u përgjigj. U frikësova! Mos vallë nuk i shpreha si duhet fjalët?Rrufeshëm hapa Fjalorin e Plakut dhe në faqen 214 e gjeta shprehjen saktësisht të tillë. Mora frymë lirshëm dhe u përqëndrova të dëgjoja të më fliste Kristoforidhi me shqipen e kohës së tij, atë të fund shekullit 19. Dhe vërtet foli sic e prisja. Shqiptoi ngadalë e qartë:
– Mirë se të pru Zoti ynë!
M’u bë zemra mal! Dëgjova “zërin” e stërgjyshërve.Kisha fatin e lumtur të bisedoja me ta.Kjo ma rriti guximin, por edhe kureshtjen. Hapa Fjalorin e vogël për të parë nëse Rilindasi i madh e kishte futur atë shprehje aq të bukur në fjalor. E gjeta në faqen 213 ashtu sic e dëgjova. Po fluturoja nga gëzimi! Vazhdova:
– Si je me shëndet, a mbahesh mirë?
Ngriti sytë ngadalë e m’u përgjigj :
– Mbahem gjallë e gjëllinjë!
Pak a shumë e kuptova përgjigjen, por folja “gjëllinjë”, fjalë e padëgjuar nga unë, më turbulloi.Fjalori më sqaroi cdo gjë. Në faqen 127 të tij mësova se kjo fjalë e hasur përsëri të Budi e Bogdani kishte kuptimin : “Shkoj këtu e atje, kërkoj për të ngrënë që të rronj”.
Qe një shuplakë e fortë! M’u duk sikur Kristoforidhi e kishte futur në Fjalor nergut për mua, që të kuptoja se kush ishte gjendja e tij sot. Thashë me vete :
– O Zot, sa turp! Të rropatet ende edhe sot për bukën e gojës, ashtu sic u rropat kur për disa dhjetëvjecarë me thonj e dhëmbë vuri themelet e gjuhës sonë! Turp për të gjithë ne shqiptarët. Vazhdova:
– Si po gjëllin këtu në qytetin tënd?
– Jam shumë i kënaqur si nga Elbasani, ashtu edhe nga të gjithë shqiptarët, m’u përgjigj Shqipërinë e lashë ende të palindur. Lexoj me shumë kënaqësi atje te Sheshi i Tabakeve ku ma keni vendosur trupin. Edhe te Kisha e Kalasë ku prehem prej gati një shekulli kënaqem kur shoh shkollën ku u mësoja shqiptarëve gjuhën shqipe. Më bëhet qejfi shumë kur rreth meje lozin fëmijët që mësojnë në atë shkollë! Për këto të gjitha “paci uratë!”.
Përsëri një shprehje e bukur shqipe! Pa të shoh, thashë me vete, a e përdornin shqiptarët para një shekulli? Hapa Fjalorin dhe e gjeta në faqen 370. Për ta qartësuar kuptimin, vazhdova:
– Po buka e gjella a të mungojnë?
– Jo, i kam me shumicë, por më mungon………shtëpia………..,shtëpia, që të pres miqtë. Të pres ata që gjatë jetës sime më pritën e më përcollën me nderim në cdo skutë shqiptare.
Pasi heshti, më nguli sytë e më pyeti:
– Po ty, si të duket kjo shtëpi?
Toni i pyetjes nuk ishte as qortues e as ironik.Kjo më shqëtësoi mjaft. Me gjithë atë c’t’i thoja, c’përgjigje t’i jepja? Ta gënjeja? S’mund ta quaja as të mirë e as të keqe, pra u gjenda keq. Për të shpëtuar nga situata ju drejtova me pyetjen:
– Po Fjalorin a e ke këtu? Kaloi një cast dhe mallkova veten për pyetjen që i drejtova.
Pata frikë se mos mërzitej, nga që fjalori nuk ishte i pranishëm në dhomë. Por jo. Ai vazhdoi qetë:
– Fjalorin? Nuk e di , atë s’e shoh gjëkundi. Ndoshta nuk është më nevoja për të.Ja , ti e paske një fjalor tjetër. Qenka shumë më i madh se i imi, prandaj duhet të jetë më i saktë dhe më i plotë nga ana gjuhësore.
– Po, iu përgjigja shpejt e shpejt, ai ashtu është, por i yti ka vlera më të mëdha. Po të mos kishte qenë ai, sot do të kishim shumë më pak fjalorë nga c’kemi.
Sikur u habit dhe foli ngadalë:
– Po atëhërë, pse s’është këtu?
– Ja tek e kam, i thashë dhe nuk bëra sqarime të mëtejme.
U kënaq, po më duket sikur nuk u tregova shumë i sinqertë.Ai Fjalor rrallë shihet sot në mjedisin gjuhësor të vendit. Megjithatë, për t’i dhënë kënaqësi, e pyeta:
– A të lodhi shumë fjalori?
– Eh, m’u përgjigj, më lodhi e më mundoi gjithë jetën. Më mbeti brengë që s’e pashë të botohej!
Për t’ia lehtësuar këtë brengë e për ta kënaqur vazhdova:
– Ai u botua më vonë. Dorëshkrimin ta ruajti me shumë kujdes Kleopatra bashkë me fotografinë e vetme që na le para se të ndaheshe përgjithmonë nga ne.
M’u duk sikur u habit, sikur s’po kuptonte, sepse më pyeti:
– Mos po flet për time bijë?
– Po, vazhdova, i ruajti bashkë me të shoqin, Mimë Bibanë.
– Po pastaj si i shkoi filli Fjalorit?
– Fjalori kaloi një periudhë të vështirë, shumë të vështirë, gati rrezikoi të humbte. Kjo e keqe e madhe nuk ndodhi se më në fund u botua më 1904 dhe të gjithë shqiptarët të falendëruan me gjithë zemër kur e panë me sy.
Dukej se nuk i pëlqente ta lavdëroja, prandaj ndryshoi temën e bisedës dhe m’u drejtua me pyetjen:
– Më dukesh mjaft i ri, si i ditke këto gjëra?
– I di nga vajza jote, Kleopatra, që është gjyshja ime, i thashë me kënaqësi duke u përpjekur të mos paraqisja mburrje. Atij sikur iu cel fytyra, madje iu ngjall kureshtja, sepse më pyeti:
– Po Kleopatra ka lënë shumë trashëgimtarë?
– Po, iu përgjigja, plot nipër e stërnipër, në Itali, Greqi, Francë , Angli, madje me emrin e saj e ka një mbesë që sot jeton në Amerikë.
– Po këtu në Elbasan ka?
– Po ka, njëri nga nipat e saj mban emrin tënd, quhet Kostandin.
– Sa më kënaqe, tha me fytyrë të celur Plaku i strukur pranë vatrës pa zjarr e pranë murit pa jastëk.
Lëvizi pak , drejtoi ca trupin, ktheu sytë nga unë dhe më pyeti me mjaft kureshtje:
– Po Elbasani a ka ndryshuar?
– Aq shumë, sa s’do ta njohësh po të dalësh që këtej. Mund ta shohësh edhe nga Sheshi i Tabakëve, ku kemi vendosur statujën tënde. Kur ke mundësi, cohu në këmbë e do të kënaqesh duke soditur qytetin tënd të lindjes që gjallëron gjithëandej!
– Ke të drejtë, më tha, por s’i shkëpus dot sytë nga leximi.
– Është mirë ta heqësh këtë huq, e këshillova.
U habita kur më pyeti:
– C’kuptim ka fjala “huq”? Unë s’e kam vënë në Fjalor.
– Po të lë këtë Fjalorin tim që ta kuptosh atë dhe mjaft fjalë e shprehje të tjera me të cilat gjuha jonë, pra edhe e ytja, është pasuruar shumë nga mjaft studiues shqiptarë që ndoqën udhën tëndë.
– Falemi ndersë, më tha.
– U kënaqa pa masë kur dëgjova trajtën e vjetër të shprehjes së sotme falenderuese shqiptare. Atë e gjeta edhe në fjalor në faqen 98. Për ta kënaqur, vazhdova për Elbasanin:
– Është rritur mjaft, ka arritur Krastën, Shkumbinin, Zaranikën dhe Ullishtën. Aty pranë teje shtrihet një bulevard i bukur.Djathtas ke Kalanë me kullat e Portën e saj karakteristike.Po aty ke Sahatin e qytetit.Pranë Rrapit të Bezistanit ke Aqif Pashën, Lef Nosin, Usta Isuf Myzyri dhe Monumentin e Arsimit Shqiptar që i kaloi 100 vjetët.Kudo ka sheshe e ndërtesa të bukura.
Po i ndriste fytyra dhe me ndërpreu:
– A keni mjaft shkolla për fëmijë? , më pyeti me një kureshtje mjaft të madhe.
– Aq shumë sa s’numërohen, si për fëmijët ashtu edhe për të rriturit. Kthehu pak mbrapa. Atje rrëzë ullishtës do të shohësh një Universitet madhështor.
– Sa po më bëhet qejfi, mor bir, më tha gati me lot gëzimi në sy!
– Po muzeume a keni ngritur?
– Po, kemi disa të tillë.
Mbas një pause që zgjati pak caste, m’u drejtua me një pyetje, një bombë, që s’kuptoja nga vinte, sepse më tha troc:
– Po për Kristoforidhin keni muze?
– O Zot, thashë me vete, s’po marr vesh se kush po më pyet. Pyet Kristoforidhi për Kristoforidhin, apo …………..?
Përgjigjen e saktë ma dha një zë nga brenda meje. Ai më pëshpëriti :
– Pyet Shqipja për të Atin dhe Shqipëria për të Birin!
S’di pse nga goja në vend të përgjigjes doli pyetja më shumë me ton habitës se sa pyetës:
– Si?!
– Jo, jo, s’ka gjë, u ngut të përgjigjej dhe buzëqeshi lehtë. U vura në siklet.
Qeshja s’m’u duk ironike, megjithatë e mblodha veten dhe iu përgjigja :
– Ja këtë shtëpi e kemi muze për Ty.
Duket se edhe Ai, s’deshi të bisedonte për muzeun, prandaj e ndërroi bisedën duke më thënë :
– Më kënaqe me këto fjalë more nip. Do të doja të më vinin mjaft shqipëtare kështu si ti. Kam dëshirë që në këtë shtëpi me mua të jenë edhe parardhës të mi, si Budi, Bogdani etj., por kjo shtëpi kështu e zhveshur, me gjerba e pa orendi, me turpëron. Plaku u përlot, unë u turpërova.
Atë cast m’u kujtua shtëpia e të dhëndrit, Mimës. Mendova se mund t’i pëlqente si shtëpi muze, prandaj iu afrova ngadalë. Dicka kuptoi dhe hapi sytë. Atëherë i them :
– A do të pëlqente si shtëpi ajo e dhëndrit, Mimes?
Iu cel fytyra. U drejtua ca dhe më foli gjatë :
– Atë shtëpi e mbaj mend mirë se banonim në të njëjtën rrugë. Unë rrija te shtëpia e Vasil Popës që ishte pranë cesmes së Doncit. Përballë kisha shtëpinë e Lazer Papajanit, kurse ajo e Bibajsave ishte më poshtë, përballë shtëpisë së priftit të Kalasë, Papa Veneminit. Këta të dy ishin baxhanakë e gratë e tyre ishin motra të Haxhi Tupes, që e kishte shtëpinë po në atë rrugë. Mima më kujtohet pak. Ishte i ri në atë kohë. Në shtëpinë e tij do ta ndjej veten si në shtëpinë timë e do të jem shumë i kënaqur kur të më vijnë vizitorët.
Këto qenë fjalët e tija të fundit.Pastaj u afrua pranë murit të vatrës, mbylli sytë dhe e zuri gjumi.Ai fjeti, ndërsa unë u gjenda njëkohësisht në mjaft pika karakteristike të Elbasanit.U gjenda majë Krastës e Ullishtës; te Ura e Shkumbinit dhe e Zaranikës; te Pusi që lahet vetë e te Pusi I Plehut; te Rrapi i Bezistanit e Rrapi iBobolles; te Varrezat e Mëdha e ato të Shën Thanasit; te Kisha e Kalasë, Xhamia Mbret e Teqja e Madhe; te Shkolla e Debojës, e Gocave dhe Normalja; te Sheshi I Tabakëve e ai i Bezistanit; te Sahati e Porta e Kalasë. Te të gjitha këto ndjeva një zë që thërriste me të fortë:
– Trupin e Kristoforidhit e kemi te sheshi I Tabakëve.”Mendjen” e Tij e duam te “Qendra Muzeale Kristoforidhi”……….. dhe u zgjova!
*Rudolf Deliana
Mësues i Merituar