Njeriu/
Nga Astrit Lulushi/
Njerëzimi ka një prejardhje, si degët që lindin nga trungu i përbashkët i një peme, janë kombet. Një brez nuk është vazhdimësi. Ai vetëm zhvillohet ndryshe nga paraardhësi, si pemë që shtohet a rritet nga dega në degë. Njeriu nuk mund të ekzistojë pa degën mëmë, as më i zgjuar nuk mund të bëhet, por vetëm zhvillohet, duke lëshuar hije, fryta e degë që ndjekin udhën e diellit lindje perëndim, majtas e djathtas, a lart. Pema rritet e harbuar, zgjat rrënjë e lëshon degë, ashtu si nga një komb lindin, herët e vonë, kombe me emra të tjerë, ndërsa toka vazhdon të popullohet.
Njeriu vjen në këtë botë i vetëm, i paveshur dhe nuk mund të ekzistojë pa ndihmën e jashtme. Eshtë mbulimi i lakuriqësisë që e bën atë të dallueshëm. Prej saj (paraqitjes së jashtme) lind rivaliteti dhe të gjitha zakonet e tjera. Kafsha lufton për ushqim, ndërsa njeriu për t’u dukur. Një pjesë të përfitimit që i sjell fitorja, ai e përdor për të fshehur arsyet e fillimit të luftës. Kështu lind propaganda e hipokrizia, dhe nevoja e veshjes me rroba, fasadē a perde, për mbulimin e paturpësisë së trupit lakuriq.