Agustin Mirakaj/
Ndërgjegja është ajo që i bën njerëzit e përgjegjshëm të ngrihen kundër shtypëse, kundër tiranëve dhe diktatorve. Sot jetojmë në një botë “të lirë” të kapur nga të kapurit e djeshëm. Liria është vegim. Kapja është fakt. Nënshtrimi është përditshmëri. E theme këtë sepse jam i bindur sepse të kapurit e djeshëm janë në krye të kësaj çorbe të prishur që sërviret përditë për konsumim masiv. Prandaj, ne duhet të kuptojmë se anti-drejtësia na ka prekur të gjithëve si juve atje në Shqipëri dhe neve këtej në mërgim. Drejtësi e munguar, drejtësi e mohuar. Juve atje nga politikanët mizantropë dhe ne këtej në mërgim nga shërbëtorët e politikanëve që marrin udhëzime e metoda sesi të udhëheqin diasporën me të njëjtën praktikë kapjeje, mashtrimi e nënshtrimi. Këtej në diasporë, mekanizmi servilist është i njësuar me ata të partisë n’atdhe. Ky mekanizëm i bën servilët të mbyllen në izolimin e vetvetes dhe të jenë servilë edhe pse janë në tokën e lirë Amerikane. Ata nuk e besojnë lirinë e tyre. Ky fakt më zgjon çdo mëngjes që të shprehem dhe të luftoj akoma më shumë dhe me të gjitha forcat për më të mirën e mundshme, dhe mos të jem peng si disa të tjerë që mendojnë se janë të lirë pa qenë të tillë. Një pakicë e vogël e burrave blihen dhe shiten kollaj. Tregti dinjiteti si tregti flamujsh do thoshte i madhi Ernest Koliqi. Ndergjegja e kësaj specie s’ka ndjeshmëri, ekzistenca s’ka të ardhme, morali është i rënë përtokë. Unë mendoj se lumturia nuk varet nga gjendja e jetës në të cilën na ka vendosur rastësia, por si rezultat i një ndërgjegjeje të pastër, mishërimit të vlerave, e besimit te liria dhe Zoti. Kur ndërgjegjja është e pastër, njeriu është i lirë, vjen momenti që qënia duhet të marrë një pozicion, pozicionin që ndjen se është i drejtë.
Vetëdija, ndërgjegja, vullneti i pavarur dhe imagjinatat krijuese na japin mundësinë për të kuptuar atë që quhet liri dhe dinjitet.
Fuqinë për të zgjedhur, për t’u përgjigjur dhe për të ndryshuar e ka ndërgjegja e njeriut të pastër e të lirë.
Midis heshtjes dhe përgjigjes ka një hapësirë ku në atë hapësirë është fuqia për të menduar, analizuar, kërkuar, për të parë dritën, për të gjetur rrugën, për të marrë guximin drejtë lirisë. Unë jam i vendosur dhe asgjë, askush nuk mund të më izolojë mes mureve të ndonjë “burgu” fjale apo as një kasolle kashte e sistemit monist. Pa drejtësi nuk nga ndryshim.