Frano Kulli/
Librat e Fishtës nuk janë “libra shtëpie”, as punët hulumtuese përreth tyre e vetë atij. Edhe në qofshin modeste ata janë shërbesë iluminimi, për figuren e terratisur gjatë prej së shkuarës mëkatare…Aspak për të kënaqur dashjet a mosdashjet e atij, që rrethanat ia kanë besuar të gjykojë.
Përposë ribotimit të veprës, të përpjesëshëm e të plotë dhe këndelljes së rileximit të saj e përparimit të kënaqshëm, për Gjergj Fishtën, Poetin Kombëtar, nuk bëhet ndonjë gjë më e mirë dhe më e bukur se veprimtaritë e përvitëshme in memoriam, në Lezhë, në përvjetorët e ditëlindjes së tij. Një e Klubit të letrave “Ndoc Gjetja” prej më se një dekade dhe, prej tre vjetësh e këndej, Konkursi mbarëkombëtar me emrin e Tij. Një nismë që zë fill me me propozimin e Preç Zogajt, shkrimtarit e publicistit të njohur si dhe autorit të këtyre pak radhëve. Po me bekimin e të parit të qytetit, kryebashkiakut, zotni Pjerin Ndreu. E meritueshme dhe për tu përgëzuar dashamirsia dhe gjithë angazhimi i tij i rrallë e i pakrahasueshëm me të tjerë…E njëherësh një barrë e rëndë, për gjithsecilin që i bjen të merret me këtë gjest e punë serioze, përreth Fishtës, sidomos atyre që janë ngarkuar të bëjnë vlerësimin e të japin verdiktin për veprat e paraqitura. Po një papërgjegjësi fort e qortueshme për ndonjërin që e çmon të lehtë barrën e sipërmarrë. Ndërsa e trishtueshme është kur rastis të bëhen qoka me emrin e madh. Gjykatucë, (ngrehalucë, kishte me thanë Fishta për raste e gjindje kësisoji), kryetarë jurishë, që hidhen në degë të tjera, që s’kanë lidhje me Fishtën, në zulmën e ambicjeve të veta premature, kaluar mbi kurrizin e rastit që u është dhënë për të bërë ndere sikur të ishin në mallin e babës…Librat e Fishtës nuk janë “libra shtëpie”, as punët hulumtuese përreth tyre e vetë atij. Edhe në qofshin modeste ata janë shërbesë iluminimi, për figuren e terratisur gjatë prej së shkuarës mëkatare…Aspak për të kënaqur dashjet a mosdashjet e atij, që rrethanat ia kanë besuar të gjykojë. Dhe ka jo pak prej tyre dhe serioze shumë. “Lahuta…ngjizja mitologjike”e Tonin Çobanit ase “Fishta satirik” i Stefan Çapalikut. Studimet e Aurel Plasarit e Blerina Sutës, të Lili Sulës, Persida Asllanit, a Daniel Gazullit, të Sabri Hamitit, Kujtim Shalës e Bajram Kosumit ,”Libri i Fishtës” i Ernest Markut, ”Letërshkëmbimi” përgatitur nga Vinçens Marku e tani së voni “Fishta, rileximi në kohën e lirisë”i F.Kullit, i paraqitur në konkurs. Edhe organizatorët, kështu e kishin paraparë formatin e konkursit; më së pari për Fishtën e përreth Fishtës. Në pikën 3 të shpalljes së konkursit shkruhej:”Vepra më e mirë studimore për letërsinë, me prioritet për veprat studimore kushtuar veprës a figurës së At Gjergj Fishtës”…Por krej ndryshe e ka lexuar kryetari i jurisë, duke përzjerë, si me thënë dardha me thana e pastaj duke zgjedhur sipas nuhatjes e shijes së vet.
Me Gjergj Fishtën, ka ndodhë diçka prej feniksi; një ringjallje prej hirit të vet. Rikthimi ka ndodhë vetvetishëm, si një duf i mbrendshëm, i ndrymë, që shpërthen e përhapet në ajrí sapo të bjerë në kontaktin e parë me lirinë. Kjo ndodhi atëherë, kur agoi sërish liria mbas territ të gjatë të dhunës, në kapërcyellin e vitit ’90 të shekullit që shkoi. Fotografia e tij nuk u shfaq menjëherë. Solucionet e lirisë e shfaqen figurën e tij me ngadalë dhe në paqe, tamam sikur stampohet një pelikul e vjetër filmi në dhomën e errët.
Jashtë dhomës së erret, te korridoret e lirisë kishte nisë një garë e rrëmujëshme e e furishme, me turravrap se kush të merrte më shumë kredite emërpërmendjeje. Në sintoni me gjithëçka tjetër euforike që ndodhte asokohe. Për do vite të mira flitej e përmendej, me rend e pa rend, i mvisheshin atij edhe lávde që s’kishin qenë të tijat e s’kishin pasë lidhje me té, e s’ishte nevoja për to, kurse ajo çka vetë Fishta ishte, vetë shkaku i përmendjes, ajo që e kishte pasë kthyer emrin e tij në një mit qysh në gjalljen e vet, pra vepra e tij letrare e të gjitha gjinive që ai kishte lëvruar dhe veprimi i tij publik në dobi të Shqipërisë e Shqiptarëve, vijonte të ishte prap e strukun në harresë e nuk e kishte kapërcye ende pragun e dritës. Tek tuk filluan të dalin prej skutliqeve të shtëpive qytetëse e të periferive, kopje të “Lahutës…”, ndonjena edhe me autografin e vetë autorit, më së tepërmi për të dëshmuar rezistencën e heshtur ndaj dhunës e rregjimit që e administronte até, sikurse do persona të tjerë, në të njëjtën sintoni, mund të recitonin pa u ndalë njëmijë e më shumë vargje prej saj. U rikthye botimi i “Hyllit të Dritës”, filluan të ribotohen disa prej veprave (“Lahuta…e para), Kurse nga Roma, në shtatorin e 1992-shit do të na kthehej retrospektiva e parë e shkruar: “Gjergj Fishta-Jeta dhe veprat” me autor Pal Duka Gjinin (Daniel Gjeçaj), ish nxënësi ivetë Fishtës në Liceun “Ilyricum”- shkollën françeskane në Shkodër. E para përmbledhje jetëshkruese e Poetit mbas asaj që më 1941, kishte përgatitë At Benedikt Dema, e tjetrës së po të njëjtit vit, që e kishte nxjerrë revista “Shkëndija” në Tiranë, nën përkujdesjen e Ernest Koliqit, një vit mbasi Fishta ishte nisë në botën e qiellit… Kurse sipërmarrja e parë për një “Opera omnia”, e cila pati mbetë një projekt i paplotësuar i Institutit të Studimeve Shqiptare nga viti 1942, filloi në vitin 2001 dhe mbaroi ne vitin 2012. Që është edhe botimi i parë, i plotë i veprës së Fishtës (Enti botues “Gjergj Fishta”). Duke qenë në krye të këtij projekti editorial, në bashkëpunim me një redaksi të zgjedhur studiuesish, njohësit më të thellë të shkrimtarit dhe veprës e kam ndjekë në të gjitha dimensionet krejt atë që mund të thirrej “rikthimi i Fishtës”. Me linjën e drejtë e me zigzaget që ajo ka përshkruar përgjatë dekadave te kohës së lirisë; me pohimin dhe me heshtimin si një mënyrë mohimi, me moskuptime dhe me keqkuptime, me paragjykime jashtëletrare prej nostalgjikësh të së shkuarës e me shpërfillje prej podiumeve të epërme “moderniste” të parisë letrare. Që, prap rikthimin e bëjnë të ngadaltë e të vështirë.
Siç e bëjnë të ngadaltë e të vështirë këta, që luajnë për vehtjen e vet të vocrruar, me emrin e madhnueshëm të Fishtës…