
Nga Astrit Lulushi/
Më mirë do të bëhet, thonë disa, kur shohin se gjërat nuk janë aspak mirë. Ky është optimizëm. Gottfried Wilhelm Leibniz, filozof gjerman dhe albanolog (shek. XVII), mendonte se njeriu jeton në më të mirën e botëve të mundshme. Sipas tij, Zoti nuk kishte fuqi të krijonte një botë të përsosur, dhe mes të mundëshmve, krijoi më të mirën. Me këtë, ai i kundërvihej idesë së Blaise Pascalit se njeriu qëndronte me frikë dhe dëshpërim përballë të pafundësisë. Është pikërisht kjo e paskajshme që duhet festuar, përgjigjej Leibnizi. Ndërsa Pascal mbronte pikëpamjen se aspiratat e njeriut duhet të jenë më të përmbajtura. Por Leibnizi ishte optimist në lidhje me aftësinë e arsyes njerëzore për të shpresuar më shumë. Kjo ide e Leibnizit u vu në lojë nga Volteri, duke e quajtur si optimizëm të pabazë të llojit të ilustruar në një prej personazheve, Dr.Pangloss në romanin e tij satirik, Candide. Panglossianismi u bë një emër për optimizëm të tepruar, madje edhe trullosës. Sipas shprehjes “pesimizëm panglossian”, nëse kjo botë është më e mira e mundshme, atëherë është e pamundur që çdo gjë të bëhet më mirë. Por në të kundërt, pesimizmi mund të shoqërohet me optimizmin afatgjatë, sepse nënkupton që asnjë ndryshim për më keq, gjithashtu, nuk është i mundur.