Irena Dragoti/
Ka disa libra që më trokasin ende në kujtesë si psh “Të mjerët ” e Hugoit i cili ngacmon mendimin tim si dritat e Krishtlindjes. Është personazhi historik i tij Val Zhan , që prej gati dy shekujsh trondit me emrin e tij. Ishte kaq i uritur sa u detyrua të vjedhë në dyqanin e bukës , akt ky që i vuri pas një inspektor tejet kokëfortë policie , për gjithë jetën. Një fenomen ky që ka emra të ndryshëm për fusha të ndryshme të jetës dhe për shtresa të ndryshme social-ekonomike. Në rastin e Val Zhanit quhet vjedhje, në rastin e një zyrtari quhet përvetësim apo korrupsion, ndërsa për shkrimtarin e ka emrin plagjiaturë. Vidhen pushtete, vidhen shtete, frone mbreterore, na vjedhin atdheun duke na përzënë prej tij, vidhet Homeri dhe Shekspiri dhe rishtas bota ecën me ritmin e saj. Thelbi i gjithë veprimeve më sipër është “ Vjedhja” e cila është e njëjtëpërdorshme për këdo që vjedh a vidhet..Shekspirin e akuzojnë se vodhi Frencis Becon, Homerin e “akuzojnë” se nuk është autor i Iliadës dhe Odiseut, por janë shkruar nga grup autorësh. Duket sikur paqja është e pamundur ndër shekuj në çështjet e plagjaturës dhe bota i ngjan nje elipsoidi jo me dy vatra, por me shumë të tilla. Plagjiatura përkufizohet si “Paraqitja e punës ose ideve nga një burim tjetër si tuajat, me ose pa pëlqimin e autorit origjinal, duke e përfshirë në punën tuaj pa njohje të plotë.
Një nga kritikët e mëdhenj Harold Bloom mendon se “të gjithë autorët ishin të mbyllur në betejën Edipale me disa paraardhës të fuqishëm. Letërsia ishte rezultati i rivalitetit dhe pakënaqësisë, pasi poetët e rrethuar nga ajo që Bloom e quajti ‘ankthi i ndikimit’ u përpoqën të triumfojnë mbi ndonjë pararendës ‘të fortë’ duke e rishkruar tekstin e tij ose të saj si të tyren. Të gjitha veprat letrare ishin një lloj plagjiaturë, një keqlexim krijues i përpjekjeve të mëparshme. Kuptimi i një poezie ishte një poezi tjetër.
Ndërsa Tomas S Eliot shkruan -Poetët e papjekur imitojnë; poetët e pjekur vjedhin; Poetët e këqij e prishin atë që marrin, dhe poetët e mirë e bëjnë atë diçka më të mirë, ose të paktën diçka ndryshe.
Solla këta emra të konsoliduar dhe idetë e tyre për të përcjellë faktin se paqja dhe njëmendësia nuk janë afër as midis njerëzve të mëdhenj sa i përket një përkufizimi të saktë mbi plagjaturën. Kjo tregon se problemi është kompleks dhe opinionet janë gjithmonë larg absolutes. Poezitë dhe tregimet, novelat a romanet janë miliona, shkrimtarët po ashtu, fjalët të limituara në varësi kjo dhe të alfabetit të vendit nga vijmë e po kështu dhe alegoritmet letrare me të njëjtët përbërës në numër. Nuk mjafton kjo, por në këtë mjedis idesh hyjnë edhe zhargonet e përditshmërisë tonë mbi të cilët shkruhen poezi në këndvështrime të ndryshme.
Shkak për këtë shkrim u bë një dialog me redaktoren time e cila pasi i dorëzova materialin poetik më njofton se kam dy poezi me të njëjtin titull dhe pse linja e fabulës në to ishte pa njl pikë takimi me nj- tj. Bëhej fjalë për një togfjalësh metaforik” Lindem nga hija” . Qesha me vehte sepse nga poezia e parë e materialit të dorëzuar deri në të 110 ku ishte përsëritur ky titull harresa kish bërë të vetën. Mendo nëse këtë titull mund ta kenë edhe dhjetëra shkrimtarë të tjerë që ndoshta nuk i kam lexuar e nuk më kanë lexuar e njohur kurrë përpara apo pas meje në moshë.
Kur përsërit vehten, ky fakt shpjegohet me një koncept të ngulitur në karakterin tënd poetik por nëse kjo ndodh me dhjetë a njëqind të tjerë lind pyetja: A ndodh të ndajmë të njëjtin ide një a dyfjalëshe me shumë njerëz njëherësh?
Më gjithë dëshirën për të ndërruar Titullin e përsëritur, nuk munda të gjej një sinonim për fjalën “hije”. Pra hijes , hije i thuhet si për mua e për çdo shkrimtar shqiptar. Mos vallë duhet të shpikim fjalë të reja që tmos përsëritim njëri tjetrin e vehten?
Për një çast solla ndërmend sa poezi tregime a romane me titullin “Dashuria” Pranvera” “Vjeshta “ , Gungaçi “ Nëna” janë shkruar në botë!
Sa poezi, romane , novela e tregime me togfjalëshët ” Erdhi pranvera”, “Pranverë e vonuar” Vjeshtë e artë, etj etj janë në botë?
-A është plagjiaturë kjo gjë?
Volteri i cili lundron në linjën e Harold Bloom dhe Tomas S. Eliot shprehet se: “ Origjinaliteti është ndryshim sa tonet e të njëjtës ngjyrë që janë të pafundëm por ne njohim ngjyrën, vetëm me emrin bazë. Poezia është subjekti dhe jo titulli. Titulli është garniturë që shpesh nuk ka lidhje me përmbajtjen! Fjala nuk është pronë e një individi të vetëm.
Sa sinonime do i duheshin botës për titullin” Nëna” apo togfjalëshin “ Mungesa e nënës” në mënyrë që shumë shkrimtarë nisur nga Gorki të mos përsëritnin nj- tj. Në lojën e shahut në lëvizjen e katërt të dy lojtarët kanë 3 milionë teknika të ndryshme loje. Na ndih ky algoritëm për të kuptuar se me titullin që ka si rrënjë fjalën “ vjedh” mund të shkruajmë tre milion poezi me përmbajtje ndryshe.
Teoritë e reja pretendojnë se edhe nëse merr prej vlerësimi a pëlqimi një metaforë si amplifikator a muzë, apo një varg të vetëm dhe arrini të ndërtoni me të një përmbajtje krejt të re nga modeli frymëzues, edhe kjo nuk përbën plagjiaturë.
Ka aq shumë hapësirë por duhen shpirtra të butë, për të gjykuar mbi këto të vërteta shkrimtarësh.
Pozitivizmi është anija në të cilën duhet të imbarkohemi për të gjykuar e dënuar si Justiniani dhe jo si Zhaveri i Hygoit!