Të dashur vëllezërit e motrat e mia në Krishtin, jam i lumtur që më jepet rasti t’ju takoj: prania juaj është bekim për mua. Faleminderit që erdhët këtu, sot. Fjalët nuk arrijnë të shprehin plotësisht dhimbjen time për abuzimet, që keni pësuar. Jeni bij të çmuar të Zotit e do të duhej të prisni gjithnjë mbrojtjen tonë, kujdesin e dashurinë tonë. Më vjen thellësisht keq për faktin se pafajësia juaj është dhunuar nga ata, të cilëve ju u besonit. Në disa raste, besimi është tradhtuar nga anëtarë të vetë familjes suaj, në raste të tjera, nga meshtarë, që kanë përgjegjësinë shenjte të kujdesen për shpirtrat. Në çdo rast, tradhtia është dhunim i tmerrshëm i dinjitetit njerëzor.
Për të gjithë ata, që kanë pësuar abuzime nga ana e një anëtari të klerit, më vjen thellësisht keq për të gjitha herët, që ju apo familjet tuaja keni denoncuar abuzimet e nuk ju kanë dëgjuar, ose nuk ju kanë besuar. Ju lutem ta besoni se Ati i Shenjtë ju dëgjon dhe ju beson. Më vjen thellësisht keq që disa ipeshkvij nuk e kanë kryer detyrën e tyre për të mbrojtur fëmijët. Është shumë shqetësuese të dish se në disa raste, kanë qenë vetë ipeshkvijtë ata, që kanë kryer abuzime. Ju premtoj se do të ndjekim udhën e së vërtetës, kudo të na shpjerë. Kleri dhe ipeshkvijtë do të thirren të japin llogari nëse kanë abuzuar me fëmijët, ose nuk kanë qenë në gjendje t’i mbrojnë.
Jemi mbledhur këtu në Filadelfia, për të kremtuar atë dhuratë të Zotit, që është jeta familjare. Brenda familjes së fesë e në familjet tona njerëzore, mëkati dhe krimi i abuzimeve seksuale ndaj fëmijëve nuk duhet të jenë më sekret e turp. Ndërsa presim Vitin jubilar të Mëshirës, prania juaj – bujare, pavarësisht nga zemërimi dhe vuajtja, që keni provuar – na zbulon zemrën e mëshirshme të Krishtit. Historitë tuaja prej viktimash, secila unike dhe mallëngjyese, janë shenjë e fuqishme e shpresës, që vjen nga premtimi se Zoti do të jetë me ne, përgjithmonë.
Më vjen mirë që keni sjellë me vete anëtarë të familjes e miq në këtë takim, sot. U jam mirënjohës atyre për mbështetjen plot dashuri për ju e lutem që njerëzit e Kishës të dinë t’i përgjigjen nevojës për t’i shoqëruar ata, që kanë pësuar abuzime. Porta e mëshirës qoftë gjithnjë e hapur në dioqezat tona, në famullitë tona, në shtëpitë e në zemrat tona, për të pritur ata, që kanë pësuar abuzime e, për të kërkuar udhën e faljes, me besim në Zotin. Ne premtojmë ta mbështesim shërimin tuaj e të jemi gjithnjë vigjilentë për të mbrojtur fëmijët e sotëm e të nesërm.
Kur dishepujt, që ecnin pranë Jezusit për në Emaus, e njohën se Ai ishte Zoti i Ringjallur, i kërkuan të rrinte me ta. Si ata dishepuj, unë lus me përvuajtëri ju dhe të gjitha viktimat e abuzimeve të rrinë me ne, të rrinë me Kishën, që, së bashku, si shtegtarët në udhëtimin e fesë, të gjëjmë rrugën për të arritur tek Ati Qiellor.