Sikundër edhe pritej, grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka vendosur të bojkotojë për 10 ditë Kuvendin, pas vendimit të një dite më parë të Byrosë, që përjashtoi ish-kryeministrin Berisha po me 10 ditë.
Deputetët e PD-së nuk do të marrin pjesë as në mbledhjet e komisioneve parlamentare e as në seancën e ditës së enjte. Vendimi u njoftua nga kreu i grupit Edi Paloka, përmes një komunikimi me mediat.
“Kjo mazhorancë ka vendosur t’i mbyllë gojën opozitës, e ka gabim. Ne gojën s’do na e mbyllë kurrë. Edhe sikur të dalim fare nga ai Parlament, e kemi filluar Parlamentin me qytetarët e vërtetë”, tha Paloka.
I pyetur nga gazetarët nëse ky bojkot nënkupton edhe një anulim të takimit Rama-Basha për reformën në drejtësi, Paloka tha se vendimi për këtë çështje i takon kreut të PD-së.
PD bojkotoi Kuvendin edhe disa javë më parë kur Byroja përjashtoi Berishën po me 10 ditë, pasi bëri thirrje për armatosje të popullsisë.
Njësoj si në vendimin e kaluar, edhe dje kreu i Kuvendit Ilir Meta ka abstenuar në votimin e Byrosë për të përjashtuar Berishën.
Vendimi është miratuar vetëm me votat e deputetëve të PS-së, Taulant Balla, Anastas Angjeli, Musa Ulqini, Fatmir Toçi dhe Mimoza Hafizi. Kundër ka votuar nënkryetari i PD-së, Edmond Spaho, ndërsa mungonte Shpëtim Idrizi, Sherefedin Shehu dhe Valentina Leskaj.
Më herët gjatë ditës së sotme në një reagim në Facebook, kreu i PD-së Lulzim Basha la të kuptohej se edhe takimi me kryeministrin Rama mund të anulohet pas vendimit për përjashtimin e Berishës nga Kuvendi.
Një ditë më parë Rama e ftoi Bashën për një takim sot në Kryeministri, për të diskutuar mbi reformën në drejtësi, por Basha i është përgjigjur se është i disponueshëm për takim vetëm pas datës 1 qershor, për shkak të agjendës së zënë në takime jashtë vendit.