Aleksandër Çipa/
Në fëmininë time të lënë pas, në Himarë, mbaj mend disa gjëra të pashlyeshme në kujtesë… Janë së pari disa elemente dhe fenomene të peizazhit,…disa punë të burrave dhe shumë punë të nënave shamizeza:
Nga peisazhi mbart, … si për shembull, dallgët e detit, sidomos shkumën e tyre në rërë dhe stërkalat në shkëmbinjtë e Spilesë. Plantacionet me ullinj dhe bahçet me portokalle e limona e pak mandarina, përrenjtë që buçisnin dhe i jepnin imazh homerik krejt tablosë së natyrës mbi dhe përreth lagjes Stefanel e cila vendosej mbi Shpellën e Spilesë të cilën herë e quanin të Osisesë, herë të Sfaios, herë të bollotës etj. etj…
( Ky përcaktimi i fundit kishte të bënte me një lojë letrash të sjellë nga emigrantët e Bregut ndoshta nga Aleksandria ose Franca, ku kishin krijuar traditën e tyre mërguese, para viteve 1900….)
Por imazhin që e mbart si një pikturë magjike, epike dhe unike njëherësh, është ai i grupit të himarioteve, ullinj-mbledhëse.
Përgjithësisht ishin shamizeza, ose shamibardha veshur në të zeza. Fytyrëzeshkëta të gjitha… Niseshin diku nga ora 6.30-7.00 e mëngjesit, drejt parcelave me ullinj në muajt e fundvitit… Në ditë me shi siguronin disa katrorë me plastmasë për të mos u lagur dhe për t’i shtruar nën ullinj. Në fëmininë time edhe plastmasi ishte gjë e rrallë. Ullimbledhëset lidhnin në mes disa futa të qepura enkas, të cilat mund të mbanin nga 5 deri në 7 e herë-herë edhe 10 kilogramë ullinj. Mbi lidhësen e futës së bardhë e cila shpesh ndotej për shkak të baltës së duarve që lëviznin si mekanizëm preçiz, lidhnin së pari një thes në të cilin do të hidhnin futat me ullinj të mbledhur. Ishte një mundim raskapitës që krijonte përditë një garë të çuditshme ekzistenciale mes atyre shamizezave dhe shamibardhave të Bregut. Ato dëshmonin një aftësi sa prej skllavesh, aq edhe prej spartanesh. Nuk e njihnin lodhjen edhe kur raskapiteshin. I shtonin futat me ullinj pasi çukisnin me shpejtësinë më magjepsëse të çdo sqepi, ullinjtë e rënë nga pemët shtatmëdha apo të shkundura prej tyre. Duart e tyre ishin të ashpra edhe pse duar nënash ose bijash!
Ato e kryenin këtë punë pa e ndërprerë nga ora 7 e mëngjesit deri në orën 5 të çdo pasditeje. Pushonin ndoshta vetëm një gjysëm ore që hanin diçka nga bohçet e tyre për drekë.
Në orën e pasdites së vonë, pasi fshihnin futat ose thasët në trungjet, kryesisht zgavrat e ullinjve, për t’i gjetur të nesërmen, niseshin drejt shtëpive… Ky ritual vazhdonte deri sa mbaronte vjelja ose mbledhja e ullinjve. Sipas tyre ulliri ishte një vit në ksodhi dhe një vit jo. Ato të gjitha shfaqeshin dhe dëshmoheshin nëpër parcelat e ullinjve, më këmbëngulëse se dallgët mbi shkëmbinj, duke e përsëritur rëndomë si maksimë të jetës së tyre, shprehjen bregase: Përpiqemi si vala për shkëmbi!,- aq e preferuar veçanërisht prej nënës sime, një kampione e përhershme në mbledhjen e ullinjve…!
Himarë, Gusht 2024