* Reagim ndaj gazetës “Dan” të Podgoricës/
*Vllaznit Mehaj, biznesmenë në Amerikë, kanë investuar mbi një milionë dollarë USD në pesë vite në motelin “Santea” në vendlindjen e vet në Guci dhe kanë pengesa të mëdha e të shumta nga struktura të shtetit malazez në vazhdimësinë e aktivitetit të tyre-/
Shkruan: SADRI MEHAJ-GUCI/
Ju, e përditshmja “Dan”(Dita) online e letër e Podgoricës, e dyta gazetë për nga tirazhi i botimit në Malin e Zi euro-atlantik, nuk duhet të jeni peng apo këmbanë e asnjë strategjie të errët, të hershme apo të sotme, të fshehtë apo të hapur, të shenjestruar keq kundër investimeve të drejtpërdrejta e institucionale të shqiptarëve të diasporës në vendlindjen e vet. Një rast ekstrem kundërshqiptar është sulmi i porositur, sa politik e shoven, me plot të pavërteta, edhe tendecioz e kërcenues, me anë të artikullit tuaj të botuar më 13 gusht 2014 në gjuhën boshnjake “Grupa gusinjana ljuta zbog adaptacije objektiva u komsiluku” drejtuar ndaj vllaznëve Mehaj, ndaj Sadri e Shaban Mehaj, që prej tre dekadash jemi shtetas shqiptaro-amerikanë në Nju Jork dhe prej pesë vitesh kemi investuar në motelin “Santea” në qendër të qytetit të Gucisë.
Ne, pa vullnetin tonë të lirë po të detyruar nga vet regjimi i asaj kohe, pas daljes time nga burgu politik i Jugosllavisë së Dytë (1983-1986), si familje 12-antarëshe (prindërit, 4 vllazën e 6 motra) ikëm emigrantë prej nga trolli ynë etnik i lashtë, nga Hoti i Plavës për në Nju Jork të Amerikës dhe, pas 24 viteve, (verë, 2009) u rikthyem të investojmë në komunën e Plavës (sot–Guci) një pjesë nga kapitalet tona të fituara bashkarisht e gradualisht, ndershmërisht e me sakrifica tejet të mëdha. Së parit, për familjen tonë me brezni e dhjetra antarë e ngritëm nga themelet një shtëpi të madhe në bashkësinë lokale të Gucisë. Së dyti, blemë sipas rregullave shtetërore të Malit të Zi një pronë të re (me tokë e godinë, etj.) në qendër të qytetit historik të Gucisë: motelin e vjetër “Santea”.
Ne, Vllaznia Mehaj, kryehere ishim të vetëdijshëm se në Gucinë e varfër nuk mund të bëheshim të pasur, se investimi i kapitaleve tona në Guci ishte i pakthim. Në SHBA-në e fuqishme progresi financiar i investimeve është i shpejtë, i lartë, ripërtëritës. Sikurse ndodh edhe në firmën tonë në Nju Jork. Mbi të gjitha, kryesore, në investimin tonë shumëvjeçar në motelin “Santea” ishte dashuria genetike për vendlindjen, për të kontribuar në rimëkëmbjen e zhvillimet e saj ekonomike, kulturore, turistike.
Vetëm për ta blerë këtë pronë shtetërore nga kooperativa shtetërore “Ali Hoti” në Guci dhe për ta privatizuar si pronë tonën motelin “Santea” me 420 m2sipërfaqe, për ta kthye këtë objekt pothuaj i rrënuar në një lokal (bar-kafe e hoteleri) me mjedise bashkëkohore sa më të kulturuara, u deshën mbi një gjysëm milionë dollarë amerikanë. Pas tre viteve nga marrja në pronësi e tij (2010-2013) kur unë, Sadri Mehaj, i kërkova leje-ndertimi Sekretariatit për Urbanizim më lypën si kusht autorizim nga pronari i tokës për të krye rikonstruksion e rinovime të motelit, etj.
Në përgaditjen sipas legjislacionit në fuqi të dokumentacionit të plotë e të sakt të motelit tonë “Santea” në qytetin e Gucisë si: a) kthimi tërësor i tokës së duhur e të mundshme të motelit në pronësi të vllaznisë Mehaj; b) për projektin e rinovimit të motelit me anekse të tij; etj. mua, Sadri Mehajt, m’u desht’ mbi një vit humbje kohe, nga maji i vitit 2013 e deri më sot (gusht 2014), duke pasë paragjykime, pengesa, ecejake, kërkesa vargavijë, etj. në gjithato zyra të shtetit nga Plava në Bijello Polje e deri në Podgoricë. Pothuaj gjithkund. E pabesueshme dhe e jashtëzakonshme. Në Amerikë kaq punë zyrtare do ta përfundoja në disa ditë apo më e shumta për një muaj. Nëse do të punoja për mbi një vit (2013-2014) në angazhimet e mia të përditshme në firmën tonë në Amerikë do të siguroja fitime të mëdha monetare dhe nuk do të kisha si në këtë rast të qëndrimit në Plavë-Guci një fitim të madh të munguar në qindra mijë dollarë amerikanë. Pasuria më e madhe që ka njeriu në administrimin e tij të drejtpërdrejt është koha, të cilën këtu në Malin e Zi ta humbin pa asnjë kriter, ta rrëmbejnë me burokraci, dhe nuk të thonë as ”Më fal!”.
Në motelin “Santea” në Guci në këto pesë vite në pronësi tonë (Vllaznëve Mehaj), nga blerja e rikonstruksioni i tij i pjesshëm i fillimit deri tek rinovimi i tij i plotë i sivjetëm, kemi investuar mbi një milionë dollarë amerikanë (mbi 1.000.000 USD).
Në se do t’i kishim investuar këto në Amerikë fitimi ynë do të ishte i madh, ndërsa këtu në Guci jo vetëm është i mangët, por dhe të ardhurat e këtij investimi milioner në USD në kushte ideale pune duhen të paktën tri dekada të na rikthehet kjo shumë e investuar prej nesh. Ndoshta, vetëm pas kësaj kohe tepër të gjatë mund të mendohet e punohet për fitime sado të pakta nga moteli ynë. Në realitetin praktik në Guci ndodh ndryshe: Në pesë vite moteli “Santea” ka mbet’ i mbyllur në ma shumë se dy vite, si në fillim të blerjes nga rikonstruksioni jo i plotë dhe tani nga ndjekja e proçedurave dhe rinovimi tërësor i tij.
Ky artikulli kundërshqiptar i “Dan”-it (13 gusht 2014) në mes fjalëve e rreshtave të tij i dëshmon qartë qëndrimet e veprimet politike e shovene kundër shqiptarëve etnik në Malin e Zi, kundër investimeve të tyre në vendlindjen e vet, etj. Kjo duket edhe ndaj nesh, vllaznëve Mehaj, investitor në qytetin e Gucisë. Sikur të mos mjaftonin ndërhyrjet proceduriale gjyqësore, kontrollet e shpeshta të inspektorëve të ndryshëm, të punonjësve të policisë e sigurimit të shtetit, etj. tek moteli ynë “Santea” në Guci po hidhet në ofensivë sulmesh edhe kjo gazeta juaj “Dan” e Podgoricës(!) Kjo duket qartë tek fjalathëniet krejt habi e plot mllef antishqiptar ndaj nesh: “Ata ecin me krenari…”(!) “…Ata ende vazhdojnë punën”(!) Etj.(!) Edhe inspektorët e lartë të Shtetit Malazez gjuajnë me kalkulimet e tyre kohë tejet të qëllimshme e krejt të veçantë për kontrolle rutinë tek moteli ynë “Santea”. Ata, fjala vjen, mund t’i kryenin të tilla kontrolle në çdo ditë e stinë të vitit 2014, por jo të na thërrasin pikërisht në kryefestën shqiptare ma të madhe të krahinës së Plavë-Gucisë, në orën e Manifestimit tradicional “Alpet Shqiptare. Vuthaj – 1 gusht 2014”(!) teksa ndiqnim koncertin tematik sëbashku me pjestarë të familjes tonë të madhe, me miq të ardhur nga diaspora si Amerika, etj. apo nga Shqipëria e Kosova, në mes tyre edhe politikanë, diplomatë, veprimtarë të shoqërisë civile. Në rastin që më thirrën në telefon isha me drejtorin e Qëndres Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike në Tiranë.
Në këtë artikull, të përkthyer prej nesh nga gjuha boshnjake edhe në gjuhën tonë shqipe, shohim disa fokusime e spektrime të sulmeve kundërshqiptare ndaj neve – pronarëve të motelit “Santea”, si kur flitet për deklarata e apelime të komuniteteve të tjera etno-kulturore në Plavë-Guci për “proçese gjyqësore”, ”jemi ankuar në polici dhe tek inspektorët”, t’iu ndalet puna me motelin, etj. Apo, fakti tjetër: “ka ardhur grupi i inspektorëve nga Bijelo Polje” (komunë larg Plavë-Gucisë, krejt në veri të Malit të Zi), etj. Sulmet e të shpeshta e të mëdha po vijnë direkt edhe nga institucione të ndryshme shtetërore të Podgoricës, kryeqyteti zyrtar i Malit të Zi.
Gazeta juaj “Dan” në këtë artikull me plot ngjyrime, tone e frymë antishqiptare shkel edhe etikën e gazetarisë botërore: atë si e sheh me dyshim vetë mos ua jep të tjerëve për të vërtetë. Pra, iu shmangeni saktësimeve dhe publikoni të pavërteta, kundërthënie fjalësh, etj. Aty thuhet se “komuna ka lëshuar një liçensë…” sipas “kushteve urbane-teknike”, etj. Pra, deklarohet, gjithnjë sipas komunës së Plavës se Vllaznit Mehaj për motelin e tyre “janë të liçensuar dhe kanë të drejtë për të punuar”, etj., ndërsa nga ana tjetër gazeta juaj del me kundërthëniet se “puna duhej të ishte pezulluar”, se “duhet të kryhen proçedura ligjore”, etj. Në krye të artikullit shpiket e pavërteta tjetër se “ata kanë korruptuar dikë për të marrë atë leje”, ndërsa teposhtë, në rrjedhë të rradhëve të shkrimit, argumentohet fakti se “bazuar në kushtet urbane-teknike”, kjo, “komuna lëshoi një leje ndërtimi për të cilën një ndërtues apo kontraktor është i obliguar të veprojë”, etj.
Ne, vllaznit Mehaj, kemi investuar mbi një milionë USD në qytetin e Gucisë, kemi kontribuar me dhjetra mijëra dollarë amerikanë për lirinë e Kosovës, kemi financuar për historinë e kulturën shqiptare në Amerikë e në Shqipëri, kemi ndihmuar me 23.000 USD për hapjen e rrugës së Hotit (gusht-shtator 2010), etj. Edhe unë, ma i madhi në moshë ndër vllaznit Mehaj, Sadri Mehaj, ish i burgosur politik (1983-1986) i prangosur qyshse në moshë mbi 16-vjeçare në birucat e policisë në Bijello Polje e në burgun e Valevës në ish RSFJ për pjesmarrje në grupin “Besa” në shkollën e qytetit Guci, për Flamurin Kombëtar Shqiptar, etj., ndihem krenar për pjesmarrjen në luftën për çlirimin e Kosovës si luftëtar i Batalionit “Atlantiku” të Amerikës, ndihem i angazhuar në veprimtaritë kombëtare, kulturore e humanitare si antar i Bordit të Fonadacionit Plavë-Guci në Nju Jork, ndihem i lumtur tek marrë pjesë në lobingjet për rrugët Plavë-Deçan e drejt Prishtinës e Shkupit, Guci-Vermosh-Han i Hotit e drejt Shkodrës e Podgoricës, Plavë-Çerem-Bregut Drinit drejt portit të Shëngjinit. I permenda edhe përtej modestie disa nga veprimtaritë tona kombëtare, kulturore, humanitare, etj. për të treguar faqe botës euro-atlantike, se përveçse qënies tonë genetike si shqiptar etnik në shtetin e sotëm të Malit të Zi dhe investimeve si biznesmenë shqiptaro-amerikanë në Guci, edhe këto kanë ndikuar fuqishëm për të na vendos pengesa të gjithfarshme, të pandalshme, pothuaj të pakapërcyeshme nga strukturat shtetërore jo vetëm të urbanistikës, etj. po edhe të inspektoriateve të ndryshme, të policisë e sigurimit të shtetit, të gjyqësorit malazez, të disa individëve e përfaqësuesve me ekstremitete politike e shovene kundërshqiptare të komuniteteve etno-kulturore në Plavë-Guci, etj. dhe së fundit edhe gazeta juaj e përditshme “Dan” e Podgoricës.
Çështja shtrohet hapur, ballas kohës e botës: Mali i Zi teksa ecë në udhën e tij drejt integrimit në strukturat euro-atlantike në BE e NATO duhet të heqin dorë nga praktika të tilla tipike të udbashëve të vjetër antishqiptarë të Jugosllavisë së Parë e të Dytë, që nuk të çojnë në Europën e Bashkuar po në Mesjetë. Shpresojmë se ka ardhë koha që shqiptarët veprimtarë apo biznesmenë, si në rastin tonë të Vllaznëve Mehaj, të mos përndiqen me shantazhe e presione nga ma të ndryshmet, të mos diferencohen, pengohen e sulmohen në investimet e tyre në vendlindjen e vet për shkak të nacionalitetit të tyre shqiptar. Ky rasti ndaj ne, vllaznëve Mehaj, tregon se ende shtetit të Malit të Zi i duhet punë e madhe që të jetë faqebardhë si një vend euro-atlantik, që të jetë shtet i gjithë shtetasve të vet, edhe i shqiptarëve etnik.
Shumëkush na thotë të heqim dorë nga investimi ynë mbi një milonë dollarë amerikanë, ta shesim motelin tonë që të mos kemi probleme të tilla në Guci, të merremi me bizneset tona në Amerikë. Po ne iu themi: Jo dhe vetëm Jo. Nuk kemi ardhur për të ikur nga vendi ynë, pasi vendlindja ka nevojë edhe për investimet tona dhe ne kemi lidhje genetike gjaku shqiptar në breza jete me vendlindjen, me historinë e kulturën, me varret, djepet e kullat e tij shqiptare, me gjuhën shqipe e gjithçka tjetër që frymon shqip, mendon e vepron shqiptarisht në vendlindjen tonë të bekuar, që së shpejti dëshirojmë të jetë e integruar edhe në Europën e Bashkuar.
Guci, gusht 2014