Fjala e Nik Gjeloshaj, Kryetar i Komunës Tuz:
Të nderuar zonja dhe zotërinj
Të nderuar pasardhës të tribunit tone të madh popullor, Baca Kurt Gjokajt,
Ndjej mburrje e krenari të jashtëzakonshme, e njëkohësisht edhe privilegj që të përkulem sot këtu para përmendores së njërit nga veprimtarët më të mëdhenj të çështjes kombëtare, jo vetëm të Malësisë, por edhe të mbarë kombit shqiptar, përmendores së Baca Kurt Gjokajt.
Baca Kurti ishte njëri nga ata burra që, duke mos pyetur fare për fatin e vet dhe të familjes, por duke e parë momentin kur kombi shqiptar po zgjohej nga letargjia shekullore e robërimit otoman pas gati pesë shekujsh, për ta marrë fatin në duar të veta, u bashkëngjit bijve më të zgjedhur të kombit në Lidhjen historike të Prizrenit, më 1878.
Ishte koha kur me paqen e San Stefanit dhe me Kongresin e Berlinit po tentohej që përsëri trojet shqiptare të bëhen pre e fqinjëve gllabërues.
Ishte koha kur edhe fuqitë e mëdha bënin pazare për të na e zëvendësuar një okupator me tjetrin, se gjoja shqiptarë dhe Shqipëri nuk ka, se ata të përçarë në tri konfesione të ndryshme nuk do të jenë të aftë të krijojnë, e lërë më ta mbajnë shtetin e vet.
Koha kur edhe për vet Bizmarkun, Shqipëria ishte vetëm term gjeografik e asgjë më shumë.
Një malësor i devotshëm, e luftëtar për trojet shqiptare, Baca Kurti, mori rrugën për në Prizrenin, atëbotë të largët, për t’i dëgjuar dhe kthyer në realitet idetë e vëllezërve Frashëri për krijimin e një shteti shqiptar plot 410 vjet pas vdekjes së kryetrimit tonë, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, që mbrojti fatin tonë dhe të mbarë Evropës.
Kërkesat e Lidhjes së Prizrenit të dërguara Kongresit të Berlinit ishin një kushtrim për mbarë kombin. Ishin dritë në fund të tunelit, që jepte shpresë për një të ardhme më të mirë të shqiptarëve. Baca Kurti pas kthimit nga Prizreni iu përvesh organizimit të degës së Lidhjes në Shkodër dhe Malësi, për t’i mbrojtur trevat. Ai nuk u thye, as para kërcënimeve me jetë, e as para joshjes me para që të luftojë kundër bindjeve të veta dhe besës së dhënë në Prizren. Se ishte i papërkulur tregoi edhe vdekja e tij, kur e helmuan në kafen e Tuzit më 1881, por as ashtu i vdekur nuk u thye fryma e tij. Familja e Gjokajve brez pas brezi dha njerëz që luftuan me pushkë, me penë, por edhe me brushë për Malësinë dhe kombin shqiptar.
Ngritja e kësaj përmendoreje le të jetë përkujtim për të gjithë ne, gjeneratat e sotme se si duhet të angazhohemi dhe të punojmë për të mirën e vendit.
Qoftë i pavdekshëm kujtimi në Bacin dhe të gjithë malësorët tanë që luftuan për mbrojtjen e trevave tona.