Bledi Filipi/
Gjuhëtar, profesor, Mësues i Popullit. Lindi në Shkodër, më 4 dhjetor 1938 dhe u shua në Tiranë më , 24 maj 2018. Në Shkodër kreu dhe shkollën e mesme dhe ndoqi studimet e larta në ILP të Shkodrës dhe i përfundoi në degën e gjuhës shqipe e të letërsisë në UT (1964). Ka punuar si mësues në rrethet Kukës, Lezhë, Gramsh e Krujë. Sekretar i përgjithshëm i Presidentit të Republikës (1992-1997), punonjës shkencor Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë (1997-2006), këshilltar në ambasadën e Shqipërisë në Romë (2006-2007). Gjatë viteve të shërbimit në arsim u mor me studime gjuhësore dhe përgatiti dy disertacione (1986, 1991). Ka trajtuar kryesisht probleme të fonetikës historike të shqipes. (FESh III, 2008)
Ka punuar rreth 45 vjet në fushën e historisë së gjuhës shqipe .
Që nga fillimet e viteve ’70 e deri në vitet e fundit të jetës nuk rreshti së shkruari për çështje të historisë së gjuhës shqipe dhe shqipes së sotme.
Titullar i lëndës, fonetikës historike në Universitetit e Tiranës. I numërohen më shumë se 180 tituj : monografi, kumtesa etj. Ndër veprat e tij më të rëndësishme përmendim:
“Theksi në gjuhën shqipe” (1995); “ Për historinë e hundorësisë së zanoreve shqipe“ (1996);
“ Zhvillimi historik i diftongjeve të shqipes” (1998); “ Bazat e fonetikës të gjuhës shqipe” (2005); “Fonetika historike e gjuhës shqipe” (2007); “ Gramatikë historike e gjuhës shqipe” (2011); “ Fjalor etimologjik i gjuhës shqipe” (2017) etj.
Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe është një vepër madhore për etimologjinë shqipe. Autori si pikë referimi ka pasur studimet e Çabejt, që i kanë shërbyer njëherazi edhe si pikëmbërritje dhe si pikënisje; si pikëmbërritje, meqenëse në hulumtimet e tij janë përmbledhur të gjitha studimet e mëparshme bashkë me kritika përkatëse; si pikënisje, meqenëse plotësimet, shtesat e zgjidhjet e reja i ka bërë nga ky dijetar, ashtu sikurse ai vetë në kohën e tij mori si pikë referimi studimet etimologjike të Gustav Mayerit. (FEGjSh, 2017-7, K.T)
Për këtë Fjalor autori ka pohuar se punën kërkimore e kishte nisur qysh në vitet ’70 të shekullit të kaluar dhe u kurorëzua në vitin 2017.
Fjalorët etimologjikë janë një pasqyrë e historisë së gjuhës dhe në një kuptim më të gjerë janë pasqyrë e historisë së vet popullit që e flet atë.
Me anë të tyre shkohet në thellësi deri te rrënjët e gjuhës, aty ku kanë gurët e themelit, e ruajtur në shekuj e mijëvjeçarë dhe e zhvilluar dhe e përpunuar në rrjedhat e kohës. ( FEGjSh,2017, K.T)
Fjalori u shërben të gjithëve. U shërben albanologëve, indoevropianistëve, ballkanologëve, helenistëve, romanistëve, sllavistëve etj.
Autori në Fajlor shtjellon nga ana etimologjike një pjesë të madhe të pasurisë leksikore të gjuhës shqipe, të cilën e ka vjelë nga fjalorë të botuar, materiale folklorike a dialektore dhe shkrimet e autorëve të vjetër dhe të rinj. Ai përmban fjalë të fondit të tashëguar indoevropian, krijime të brendshme të shqipes, huazime antike e mesjetare, ndërkombëtarizma etj.
Struktura e fjalorit është e tillë që mundëson, krahas analizës etimologjike, edhe analizën e të dhënave me karakter semantik, fonetik, gramatikor e fjalëformues, që janë të domosdoshme për të arritur te burimi i fjalës.
Por që nga dalja në dritë e veprës e deri më sot, janë shfaqur një sërë “gjuhëtarësh” që e sulmojnë duke thënë që duhet ndaluar. Ata që hedhin baltë mbi veprën e Topallit duhet të dinë një herë e mirë që etimologjia shkencore do fakte dhe jo fjalë.
Në mbyllje do të citoj prof. dr.Valter Memisha me kumtesën e mbajtur në Shkodër në paraqitjen e veprës në Universitetin “Luigj Gurakuqi”:
Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe, i hartuar nga K. Topalli, i cili plotëson zbrazëtinë e së shkuarës, është i domosdoshëm për të tashmen dhe do të jetë po kaq i domosdoshëm dhe pikë referimi për të ardhmen. Një vepër e tillë, për vështirësitë e mëdha që ka kjo fushë dhe për mangësitë e tjera që paraqet studimi i shqipes, nuk mund të quhet asnjëherë e përfunduar, aq më pak e përkryer. Ajo përbën vetëm një piketë të re në udhën e gjatë të studimeve etimologjike për gjuhën shqipe.
( V. Memisha, 2018)