
Pas “Madame Butterfly”
Ai, ishte një virtuoz i çmendur, violine,
Në një shesh, luante ca shkallëve lart,
Jehonin notat, si në koncert me harqe;
Aty ish’ Beethoven, Puccini e Mozart!
Ai, bëhej stuhi sa her’ kërcisnin shkallët,
Nga këpucët e një zonje me taka t’larta,
Ndoshta ajo, më të ish dashuruar, ndaj,
Ia griste akordet me këpucët e kaltra!
Ajo, seç kishte diçka, si krizantemë…
Syt’ e ëndërrt blu dhe ecte mbi taka,
Ai xhindosej, kur dëgjonte trokun e tyre,
Gati i priste telat, n’kohën dy të katërta’!..
Dhe ëndrrave i dilte, si sirenë, fluide,
Befas kërcente, sikur shembte një bot’!
Ai si i marrë, ngrihej t’i shkulte shkallët,
E kthehej jo i penduar, po s’i shkulte dot!
Kaluan ditë dhe takat s’dukeshin kund,
Violina u ça dhe perde t’kuqe, sikur ranë,
I flakën parukët e ikën Mozarti e Puccini,
Harqe e partitura, shkallëve ranë!
Se mos rendte më, pas “Madame Butterfly”?…
Atij, pas zonjës me taka këmbët i ranë!
Po ndoshta, ajo, kish’ dal nga një libret,
Dhe heshtur, u strehua në një roman!
Atdheu
Dashuri e parrëfyer më je Atdhe,
Ndër vise, në gjith’ dheun mbarë!
Metropoleve, parzmore ti më veshe,
Askund më ngroh ky diell i marrë!
Në ty lind një ditë e re me shpresë,
Agimi të kuq’n e mollës ka marrë,
Perëndimi trëndafiltë në ato vise,
Bardhësi e borës larë në ar.
Atje dimri i përngjan beharë,
Edhe dielli lind i buzëqeshur,
Edhe hëna sodit e përkorë,
Edhe qielli me të bruztë veshur…
Djepi i lindjes ku u nanurisa,
Ku mësova gjuhën e nënës,
Arave thurra ëndrra ndër plisa…
Ku zbrazen florinjtë e hënës!
Të kam dhembje, gaz e brengë,
Në strehën time bie paqe qetë,
Mokrrat vozitin magji kënge,
Përroi në koritë, luan klarinetë!
Atdheu, ku luhen fatet e popullit tim,
Ku janë tretur eshtrat e të parëve…
Gati jam, ta jap shpirtin si shpërblim,
Të mbështillem, me flamur dykrenore!
Rrëfimi
Kushtuar Personalitetit të Shquar,
At’ Gjergj Fishta
Ndrojtur, i afrohem faltores,
Në një cep, fshehtas në errësirë,
At-i, heshtur në pritje më thotë:
-Më dëfto, rr’fehu bijë, mos u mshef ,
Ma në fund, zbraze njat shpirt,
Dhe afroju do pak t’lutna,
Të të ndigjoj ma mirë!
-At jam dashuruar – i them
-Nuk asht turp dashnia! – më thotë-
Veç mos ke mëkatu,
M’kati, asht gja e keqe bija ime,
Sidoqoftë, na krejt m’katojmë,
Po Zoti, bijë, asht i madh e na,
Pastron nga paudhësinat si gjithmonë.
Mirësia e Zotit çliron këdo,
Largoji njato brenga dhe shqetësime,
E shoh qi je pendu, n’mërzi mos u myt ,
Zoti, di t’fal m’katet, Ai asht m’shirus, mos u frigo!
-At, mëkati im është i padiskutueshëm,
Kam rënë në dashuri me një Prift – Profit…
-Hëëmmm, ah bijë, të shoh ç’mund të bëj.
Nëpër kishë, humbi zëri i At-it që lutej…
-Më fal At! – e ndërpres unë;
At, unë kam rënë në dashuri me ty,
Me “Lahutën e Malcisë”…- i them sakaq…
At-i, befas, kapsalliti sytë i hutuar dhe tha:
-Don nji bekim?!
-Po! Po kënaqem me aq!
Ra zilja… gjumi u zhduk, agu u shfaq!