
Prof. emeritus, Prof. Dr. Aleksandër DHIMA, Senior Researcher
Universiteti Europian i Tiranës, Fakulteti i Shkencave Humane
Abstract
The aim of this paper is to present an effort on designing a biological-cultural basis transmitted during centuries regarding the ethnical Anthropology of Albanians. This study is composed of two parts:
– The first one deals with anthropological structure of todays’ Albanians. Here are discussed also the genetical features and their place in the taxonomic systems of European populations. Later, elements of traditional culture are analyzed, elements that have contributed to the consolidation of local anthropological variants.
– The second part presents anthropological data of around 800 skeletons collected during archaeological expeditions in 60 sites of country, belonging to a wide period of time from the Neolithikum (6 millennium BC) till the beginning of the XX century. The evolution in time of anthropological features in the areas inhabited by before Illyrians (of the Pellasgian era) up to Arbërs of the Middle Ages includes also the processes accompanying the biological-cultural transfer up to the centuries when the Albanian nation was conceived.
Next, we talk about the Dynarization/ Adriatization process, at the basis of which stand the evolutive trends justifying, up to a certain point, the Illyrian /Albanian continuity.
Key words: ethnical Anthropology, social-cultural Anthropology, Illyrian /Albanian continuity.
Hyrje
Procesi i përafrimit të grup-popullatave të vjetra (në rastin tonë i (para)ilirëve dhe më pas i bartësve të kulturës arbërore) me shqiptarët e sotëm nuk duket të ketë qenë thjesht biologjik. Në vazhdën e këtij procesi do të ketë ndodhur- me shumë gjasë- edhe kryqëzimi i (nën)kulturave, që çojnë në një rezultante më të gjerë, përkitazi asaj biologjike. Në këtë këndvështrim, mund të kuptohet lidhja “e jashtme” midis sintezës antropologjike dhe formacionit etnik përkatës, me përbërësit themelorë: gjuhën dhe kulturën.
1. Nga hulumtimet e deritanishme mbi popullsinë e sotme të Shqipërisë është mbledhur një material antropologjik statistilkisht i besueshëm (mbi 5000 subjekte/ 3800 meshkuj, 1260 femra) në grup-popullatat vendase, të ngulura aty prej së paku 5 brezash, që janë banorë të rrethinave tipike të zonave të mëdha etno-gjeografike (fig. 1), çka mund të shërbejë për ndërtimin e një profili përmbledhës mbi tiparet antropologjike të shqiptarëve. Është pikërisht ky profil që mund të shërbejë dora-dorës si mjet për krahasim me materialet skeletore të periudhave (para)historike.
Nga analiza formale e të dy sistemeve të tipareve antropologjike klasike (matjet dhe shenjat përshkruese), gërshetimi i tyre Veri/Jug tregon qartë që afria midis dy pjesëve të “trungut” shqiptar është kaq e dukshme, sa që vizualisht nuk bie në sy asnjë “ndarje” e qartë; vija ndarëse (konvencionale) midis grupeve brenda dy komplekseve të mëdha etno-kulturore vendoset në veri të lumit Shkumbin, gjë që përputhet pak a shumë me kufirin tradicional midis dy grupeve të mëdha dialektore (fig. 2).
Fig. 1
Në epiqendër të këtij afrimi qendron i ashtuquajturi “tipi dinarik” i autorëve klasikë, të cilin unë me kohë e kam quajtur “tipi adriatik”, meqenëse shtrirja e tij nuk kufizohet në Alpet dinarike (Malësia e Malit të Zi dhe në Alpeve shqiptare), por ka një shtrirje të gjerë në Ballkan: prej jugut të Sllovenisë, në Kroaci, Bosnje- Hercegovinë, në Mal të Zi, në gjithë territorin e Shqipërisë së sotme, në pjesën perëndimore të Maqedonisë,
Fig. 2
deri në grup-popullatat malore të veri-perëndimit të Greqisë së sotme, për të kaluar më tej në grup-popullatat e rajoneve juglindore të Italisë që lagen nga deti Adriatik.
Në Shqipëri, konsolidimi i tipit adriatik mbizotërues është ndikuar dukshëm edhe nga veçoritë e kulturës vendase, sidomos në aspektin e lidhjeve martesore, që janë realizuar tradicionalisht në një rreth të ngushtë zonal (fig. 3).
Fig. 3
2. Në pjesën e dytë të kumtesës parashtrohen në mënyrë të përmbledhur të dhënat antropologjike e kulturore që mbështeten në studimin e mbi 800 skeleteve njerëzore, të mbledhura gjatë ekspeditave arkeologjike në 60 site (kodërvarre, vendbanime, varreza të dysta, kështjella, qimitere etj.) që i përkasin një harku të gjerë kohor prej epokës së Neolitit (mijëvjeçari VI p.Kr.) deri në fillim të shek. XX (fig. 4).
Fig. 4
Neoliti i hershëm përfaqësohet në material më së miri nga skeleti i zbuluar në vendbanimin e Podgories/ Korçë (mijëvjeçari VI p.Kr.). Nga të gjitha tiparet matëse dhe përshkruese, ky skelet rreshtohet në taksonin mesdhetar klasik (kokëgjatë, me dolikocefali të moderuar dhe i brishtë), ashtu si skeletet e zbuluara në vendgjetjet ballkanike të njëkohshme. Në gjetjet e periudhave pasardhëse neo-eneolitike nga Cakrani /Fier (mijëvjeçari IV p.Kr.) dhe Maliqi /Korçë (gjysma e parë e mijëvjeçarit III p.Kr.) vazhdojnë të jenë të pranishme variacione të këtij qerthulli klasifikues.
Epoka neo-eneolitike në Shqipëri i takon pa dyshim, sipas pikëpamjes time, të ashtuquajturës “erës pellasgjike”, të karakterizuar nga një homogjenitet i prekshëm kulturor në të gjitha trevat e Ballkanit dhe nga një prirje tipologjike pak a shumë e ngjashme e tipareve antropologjike në këto treva të gjera, e vërtetuar kjo nga analiza diskriminante e të dhënave statistikore.
Etnogjeneza e ilirëve daton në fillimet e epokës së Bronzit. Në vendbanimin e Maliqit (faza Maliq IIIa) shfaqen elemente krejt të reja kulturore, sidomos në qeramikë, në teknologji, në forma dhe në dekorin e saj, të cilat- në treguesit më themelorë- dallohen nga ato të epokës së Eneolitit. Ky fakt nuk ka se si të shpjegohet me lidhje gjenetike apo me evolucion të brendshëm tipologjik, aq më tepër që këto elemente shfaqen në mënyrë të menjëhershme dhe të papritur, çka tregon se kemi të bëjmë me prurje të një elementi të ri tipologjik. Në skeletet e varreve qendrore nga tumat e Çinamakut /Kukës, Pazhokut / Belsh, Dukatit /Vlorë dhe Piskovës /Përmet, të cilët datojnë në fundin e mijëvjeçarit III p.Kr., gjenden variante të taksonit kromanjoid (shumë kokëgjatë, me dolikocefali të shprehur dhe me eshtra të forta), që do të përfshiheshin në të ashtuquajturin “tip protoevropian” i cili do t’i përgjigjej fazës fundore të valëve migruese, të ashtuquajtura kulturalisht “kurgane”.
Prej këtyre të dhënave mund të hamendësojmë se tiparet e vjetra mesdhetare dhe konteksti i mënyrave të varrimit do t’i përqasnin këta skelete me banorët e stepave verilindore, të cilët- gjatë lëvizjes drejt jug- perëndimit në fillimet e Erës së metaleve– mbërritën deri në Danub e në viset fqinje ballkanike.
Tipi protoevropian, që qendron në bazë të ndërtimit antropologjik të këtyre subjekteve, është një element i ri, i huaj për situatën e kahershme antropologjike të Evropës juglindore, ku tiparet mesdhetare, në kuptimin e gjerë të fjalës, ishin mbizotëruese. Por, për shkak të materialeve të pakta, ne s’mund të përcaktojmë ende me siguri lidhjet midis ardhësve të rinj dhe grupeve lokale vendase neo-eneolitike, e sidomos rrethanat kulturore të lidhura me faktin nëse ky element i ri indo-evropian (term ky i huazuar nga gjuhësia) do të ketë asimiluar substratin e vjetër fizik e kulturor, të quajtur konvencionalisht “pellazgjik”. E thënë me fjalë të tjera: a do të ketë qenë ky element përgjegjës për një popullim të ri? Më e udhës do të ishte të pranohej një simbiozë morfologjike-kulturore e ardhësve me elementin e vjetër autokton.
Kohët e fundit, në rrethet shkencore të Shqipërisë është hedhur për diskutim një hipotezë e re, sipas së cilës kultura e periudhës së Bronzit të hershëm në vendgjetjet nga Shqipëria dhe Kosova është formësuar nga bashkëjetesa e komponentit vendas eneolitik dhe atij migracionar anatolik, të ardhur kryesisht nga juglindja…elementet e rrallë “kurganë”, të pranishëm në këtë kulturë, janë thjesht dhe vetëm refleks i infiltrimeve dhe ndikimeve kulturore të transmetuara gjatë shkëmbimeve ekonomiko-tregtare. Kjo hipotezë vlen të vështrohet seriozisht, por ende nuk jemi të sigurt se kush e barti realisht idiomën gjuhësore indoevropiane deri në trojet e Ballkanit, te popujt e dikurshëm neo-eneolitikë të Evropës. Për zgjidhjen e kësaj enigme, është gjuhësia e krahasuar që mund të na japë një vizion më të qartë.
3. Duke nisur nga periudha e Bronzit të vonë vërtetohet një proces i ri, që lidhet me konsolidimin e etnosit ilir. Me këtë periudhë lidhet hallka tjetër e rëndësishme në procesin e formimit të tipareve antropologjike të ilirëve: shfaqja e elementit dinarik /përkatësisht adriatik. Të dhënat tona dhe ato të autorëve të tjerë vërtetojnë se rajonet ilire ishin përfshirë tashmë masivisht nga procesi i brakikranizimit (zgjerimit të kokës). Nga ana tjetër, shenjat e para të adriatizimit (zgjerimit dhe njëkohësisht sheshimit të kokës nga pas) shfaqen në territoret tona rreth fundit të shek. XII p.Kr. Shembull tipik në këtë drejtim ofrojnë skeletet e shtresave të poshtme të tumës së Barçit/ Korçë.
Prirja drejt varianteve dinarike/ adriatike zhvillohet më tej gjatë epokës së Hekurit, kur shfaqen skeletet e para adriatike të mirëfillta. Shembuj tipikë gjenden në skeletet e tumës së Patosit /Fier (shek. XI-VIII p.Kr.), si dhe në kafkat ilire nga Berati e Liqethi /Skrapar (shek. V-II p.Kr.), por neo-mesdhetarët dhe tipa të tjerë të taksoneve alpin e nordik janë ende të pranishëm. Në gjetjet e njëkohshme të zbuluara në trevat veriperëndimore e qendrore të Ballkanit jemi përpara një situate të ngjashme antropologjike, çka tregon se midis grupeve të ndryshme të popullsisë ilire patën ekzistuar lidhje gjenetike, ashtu sikurse- në mjaft raste- edhe lidhje të natyrës kulturore.
Në periudhat pasardhëse, kjo prirje vazhdon pak a shumë në vijë të drejtë sidomos në grupet e prapatokës ilire, si në Ninçë /Kukës, Arapaj /Durrës, Bylis /Fier, Amantie /Vlorë, Symizë /Korçë, Antigone /Gjirokastër etj., ku proceset e adriatizimit zhvillohen më tej, prandaj edhe trajektorja aty shkon në ngjitje.
Ndërkohë, profili i përzier i grup-popullatave në vendbanimet koloniale të periudhës helenistike (shek. IV-II p.Kr.) deri në pushtimin romak (shek. I-IV e. s.), si në Apoloni /Fier, Dyrrah /Durrës, Butrint /Sarandë (fig. 5), duhet të lidhet me përbërës etnikë me prejardhje të ndryshme, ndonëse edhe aty nuk mungojnë subjekte me tipare dinarike/adriatike. Ka të ngjarë që prurja ilire në këto vendbanime koloniale, sidomos në shekujt e fundit të ekzistencës së tyre, t’i mvishet ndryshimit demografik, për shkak të humbjes së rëndësisë kulturore dhe, për pasojë, nevojës për mbijetesë ekonomike të tyre.
4. Ilirët përmenden për herë të fundit në burimet e shkruara të shek. VI e.s. Edhe më parë, gjatë periudhës së dyndjes së popujve (shek. IV-VI e.s.) filluan të humbasin gjurmët e këtij grupi etnik të dallueshëm. Seritë eshtrore të studiuara nga kjo periudhë vërtetojnë se s’ka pasur ndonjë imigrim të rëndësishëm apo masiv në trevat shqiptare, përveç të ashtuquajturave “dyndje barbare”, të cilat do të kenë lënë gjurmë kryesisht në kulturën lokale. Kështu p.sh., disa elemente avare në gjetjet nga Komani dhe Ndroqi (Shqipëria veriore e qendrore) si dhe tiparet veriore e kromanjoide te disa skelete të zbuluara në varrezat e zonës bregdetare (Lezhë, Durrës) duket se mund të lidhen me praninë e sllavëve të hershëm. Edhe në disa seri eshtrore më të vona, kryesisht nga Shqipëria juglindore (rreth shek. X-XII të e.s)., shfaqen gjurmë të tipareve verilindore, si në Gostomickë /Skrapar, Shtikë /Kolonjë, Rapckë /Përmet, të cilat mund të lidhen historikisht me kohën e pushtimit bullgar të vendit.
5. Në pikëpamje të antropologjisë historike, ngjarja më e rëndësishme gjatë Mesjetës së hershme (shek. VII-XI e.s.) ka qenë ecuria me një intensitet të ri e procesit të adriatizimit, i trashëguar nga epokat/ periudhat e mëparshme. Studimi i vargjeve eshtrore të shumta nga kjo periudhë tregon se struktura antropologjike e grup-popullatave përkatëse do të ketë pasur një “taban” të përbashkët gjenetik, çka mund të vërtetohet nëpërmjet ecurisë kronologjike të tipareve antropologjike në varrezat e Buklit dhe të Krujës në veri të vendit dhe- në një farë mase- në ato nga jugu i vendit, si p.sh. në kompleksin tumular të luginës së mesme të lumit Vjosa. Ky deduksion mund të provohet më së miri nga krahasimi dykohësor i tipareve antropologjike në gjetjet eshtrore nga varrezat e Komanit /Pukë dhe Prosekut /Mirditë, të cilat i përkasin tipologjikisht kulturës së Komanit, ndërkohë që në jug të vendit gjetjet arkeologjike dëshmojnë një inventar relativisht të varfër, që është interpretuar si ndikim i drejtpërdrejtë i “hapjes” së kësaj zone drejt qytetërimit bizantin.
Nga fundi i Mesjetës së hershme e këtej dëshmohet një rritje e pandërprerë e vlerës së treguesit horizontal të kafkës në drejtim të brakikranisë, përkatësisht adriatizimit. Meqenëse ilirët nuk ekzistojnë ’më si një grup i dalluar etnik, procesi në fjalë duhet t’i atribuohet tashmë popullsisë arbërore.
Gjatë Mesjetës së vonë (shek. XII-XVIII e. s.) dëshmohet përsëri një ngritje e kurbës, që arrin kulmin në dy shekujt e fundit (fig. 6), çka shërben edhe si pasqyrë retrospektive për situatën antropologjike të popullsisë
Fig. 5
Fig. 6
së sotme të vendit. Me sa duket, në këtë proces do të kenë ndikuar- midis të tjerash- format e ndryshme të endogamisë (martesat brenda një territori të ngushtë etno-kulturor), sidomos në zona të izoluara për kohën.
Në themel të kësaj dukurie qendrojnë proceset evolutive, të cilat përligjin- deri në njëfarë mase- vazhdimësinë iliro-shqiptare. Deri tani janë studiuar disa faktorë ndikues në këto procese. Por jemi ende “në gjysmë të rrugës”, sepse për vërtetimin e kësaj hipoteze nevojiten studime më të thelluara.
Bibliografi
Alcobe, D.S. (1942). Estudios antropologicos en tres altos valles de los Pirineos. Barcelona: Annales
Universidad Barcelona: 239-306.
Aliu, Skënder (1996). Tuma e Shtikës. Tiranë: “Iliria” vëll. XXVI, nr. 1-2.
Anamali, Skënder (1974). Nga ilirët tek arbërit. In: “Kuvendi i Irë i Studimeve Ilire (Tiranë, 15-20 shtator
1972). Tiranë: Akademia e Shkencave e Shqipërisë/ Instituti i Historisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i
Letërsisë, Instituti i Monumenteve të Kulturës, vëll. II: 153-172.
Id. (1985). Procese shndërrimi në trevën jugore ilire në shek. I-IV. Tiranë: Akademia e Shkencave e
Shqipërisë, Qendra e Kërkimeve Arkeologjike.
Id. (1979-1980). Antikiteti i vonë dhe Mesjeta e hershme në kërkimet shqiptare. “Iliria” vëll. IX-X: 5-12.
Id. (1988). Problemi i formimit të popullit shqiptar në dritën e të dhënave arkeologjike. In: “Konferenca
Kombëtare për formimin e popullit shqiptar, të gjuhës dhe kulturës së tij” (Tiranë, 2-5 korrik 1982).
Tiranë: Akademia e Shkencave e Shqipërisë: 337-355.
Andrea, Zhaneta (1985). Kultura ilire e tumave në pellgun e Korçës. Tiranë: Akademia e Shkencave e
RPSSH, 1985.
Billy, Ginnette (1962). La Savoie; Anthropologique physique. In: “Bulletins et Mémoires de la Société d’
Anthropologie de Paris” (Paris).
Bodinaku, Namik (1981). Kërkime arkeologjike në rrethin e Përmetit. “Iliria” vëll. XI, nr. 2: 243-254.
Id. (1982). Varreza tumulare e Pazhokut. “Iliria” vëll. XII, nr. 1: 49-88.
Id. (1983). Kultura e varrezës së hershme mesjetare shqiptare në luginën e sipërme të Vjosës të rrethit të
Përmetit. “Iliria” vëll. XIII, nr. 1: 241-247.
Id. (1985). Migrimet e periudhës së bronzit të hershëm dhe roli i tyre në formimin e etnosit ilir. “Iliria”
vëll. XV, nr. 2: 181-189.
Id. (2001-2002). Varreza tumulare e Dukatit në rrethin e Vlorës. “Iliria” vëll. XXI-XXII, nr. 1-2: 9-76.
Bunguri, Adem (2022). Rivlerësimi i hipotezës së migracionit “kurgan” sipas evidencës arkeologjike nga
Shqipëria dhe Kosova. In: “Aktet e Kuvendit Mbarëkombëtar të Studimeve Albanologjike” Tiranë:
Akademia e Shkencave e Shqipërisë, vëll. II.
Ceka, Neritan (1975). Un tumulus à Dukat. “Iliria” vëll. III: 139-154.
Coon, Carlton Steven (1950/1970. The Mountains of the Giants; A racial and cultural study of the North
Albanian Mountain Ghegs. Cambridge-MA: Harvard University/ Papers of the Peabody Museum of
American Archaeology and Ethnology, Vol. XXIII, No. 3, 1950; New York: Kraus Reprint Co., 1970.
Čović, Borivoj (1986). Die Ethnogenese der Illyrer aus der Sicht der Vor-und Frühgeschichte. In:
Wolfram Bernhardt & Annelise Kandler-Pálsson (Hrsg.) “Ethnogenese europäischer Völker aus der
Sicht der Anthropologie der Vor-und Frühgeschichte” Stuttgart-New York: Gustav Fischer: 55-74.
Dhima, Aleksandër (1981). Materiale skeletike mesjetare nga tuma e Piskovës, Përmet. “Iliria” vëll. XI,
nr. 1: 155-189.
Id. (1982). Një kafkë ilire nga Liqethi, Skrapar. “Iliria” vëll. XII, nr. 2: 233-237.
Id. (1984). Ecuria kohore e tipareve antropologjike në trevën e Kolonjës. Tiranë: “Etnografia Shqiptare”
vëll. 14: 295-322.
Id. (1985). Materiale skeletike nga nekropoli i Dyrrahut. “Iliria” vëll. XV, nr. 1: 247-272.
Id. (1986a). Kafka të periudhës antike të vonë nga Bylisi. “Iliria” vëll. XVI, nr. 2: 171-185.
Id. (1986b). Studim antropologjik i kafkave të faltores së Vithkuqit. Tiranë: “Revista Mjekësore” nr. 4:
75-82.
Id. (1987a). Survey of anthropological features of the Illyrians. Stuttgart: “Anthropologischer Anzeiger”,
Bd. 45, Hf. 2: 131-144.
Id. (1987b). Studim antropologjik i gjetjeve eshtrore nga varreza e Rapckës. “Iliria” vëll. XVII, nr. 2: 123-154.
Id. (1988a). Kafka ilire nga rrethi i Beratit. “Iliria” vëll. XVIII, nr. 1: 199-201.
Id. (1988b). Hulumtim antropologjik i gjetjeve të reja eshtrore nga varreza e Komanit. “Iliria” vëll. VIII,
nr. 2: 177-211.
Id. (1988c). Studim antropologjik i materialit eshtror nga Butrinti dhe rrethinat. Tiranë: “Butroti-
Përmbledhje studimesh” Akademia e Shkencave e Shqipërisë/ Qendra e Kërkimeve Arkeologjike:
261-284.
Id. (1989). Lënda eshtrore e varrezës së Prosekut. “Iliria” vëll. XIX, nr. 1: 177-212.
Id. (1993). Evolutionary Trends in Albanian Anthropological Material. Firenze: “International Journal of
Anthropology” Vol. VIII, No. 4: 221-231.
Id. (1994). Ethnical Anthropology of Albania. Stuttgart-Jena-New York: “Homo”, Bd. 45, Hf. 2: 127-158.
Id. (2016). Hyrje në Antropologji. Tiranë: Ideart.
Id. (2017). Antropologjia etnike e shqiptarëve. Tiranë: UET Press.
Id. (2022). Etnogjeneza e shqiptarëve në optikën e antropologjisë. In: “Aktet e Kuvendit Mbarëkombëtar
të Studimeve Albanologjike” Akademia e Shkencave e Shqipërisë, vëll. II.
Id. (2023). Der Übergang von der Spätantike zum Frühmittelalter im albanischen Lebensraum aus dem
Gesichtspunkt der historischen Anthropologie. In: Proceedings of the 7th German-Albanian Cultural
Studies Conference “The Albanian Language Area and Its Surroundings During Antiquity to the High
Middle Ages” (Hubmersberg/Nürnberg, 21st -22nd April 2023).
Dhima, Aleksandër & Dhimitër Tole (1979-1980). Të dhëna të reja mbi tipin antropologjik të shqiptarëve
gjatë Mesjetës. “Iliria” vëll. IX- X: 301-351.
Gimbutas, Maria (1986). Remarks on the Ethnogenesis of Indo-Europeans in Europe. In: Wolfram
Bernhardt & Annelise Kandler-Pálsson (Hrsg.) “Ethnogenese europäischer Völker aus der Sicht der
Anthropologie der Vor-und Frühgeschichte”. Stuttgart-New York: Gustav Fischer: 5-20.
Islami, Selim; Skënder Anamali; Muzafer Korkuti; Frano Prendi (1965). Ilirët dhe Iliria te autorët antikë;
Burime të zgjedhura për historinë e Shqipërisë. Tiranë: Universiteti Shtetëror i Tiranës/ Instituti i
Historisë dhe Gjuhësisë, vëll. I.
Jubani, Bep (2012). Tumat e dardanëve alpinë të Çinamakut. Tiranë: Akademia e Shkencave të
Shqipërisë.
Korkuti, Muzafer (1981). Tuma e Patosit. “Iliria” vëll. XI, nr. 1: 8-34.
Late, Fatmir & Aleksandër Dhima (1989). Gjetje eshtrore nga bazilika e Amanties. “Iliria” vëll. XIX,
nr. 1: 271-275.
Marcsik, Antonia (1976). The anthropological material of the pit-grave Kurgans in eastern Hungary. In:
I. Ecsédy (ed.) “The People of the Pit-Grave Kurgans in Eastern Hungary”. Budapest: Akadémiai
Kiadó.
Martin, Rudolph (1928). Lehrbuch der Anthropologie in systematischer Darstellung. Jena: Gustav
Fischer (2. Aufl.) Bd. II.
Mikić, Živko (1986). Die Ethnogenese der Illyrer in Jugoslawien aus der Sicht der Anthropologie. In: Wolfram Bernhardt
& Annelise Kandler-Pálsson (Hrsg.) In: “Ethnogenese europäischer Völker aus der Sicht der Anthropologie der Vor-
und Frühgeschichte” (Stuttgart-New York: Gustav Fischer: 75-89.
Necrasov, Olga & Maria Cristescu (1962). Contribution à l’étude anthropologique des squelettes des tombes à
ocre, trouvés sur le territoire de la R.P. de Roumanie. In: ”VIe Congrès International des Sciences
Anthropologiques et Ethnologiques” Paris/ Musee de l’Home: 663-667.
Nemeskéri, Jànos & Aleksandër Dhima (1988). Sprovë për rindërtimin paleobiologjik të popullsisë
apoloniate të shek. I-III të e.s. “Iliria” vëll. XVIII, nr. 1: 119-155.
Nemeskèri, Jànos & L. Lengyel (1976). Neolithic skeletal finds. In: Maria Gimbutas (ed.) “Neolithic
Macedonia, as reflected by excavation at Anza, Southeast Yugoslavia”. Los Angeles-CA: University
of California/The Institute of Archaeology: 376-410.
Popović, Vladislav (1975). Les témoins archéologiques des invasions avaro-slaves dans l’Illyricum
Bizantin. Rome: “Mélanges de l’École française de Rome/Moyen Âge”, vol. 87, nr. 1: 445-504.
Prendi, Frano (1966). La civilisation préhistorique de Maliq. Tirana: “Studia Albanica” Vol. 3, No. 1:
255-272.
Id. (1982). Die Bronzezeit und der Beginn der Eisenzeit in Albanien. Berlin: “Prähistorische Archäologie
in Südosteuropa zwischen 1600 und 1000 v.Chr.” Bd. I.
Id. (1990). Le Néolithique ancien en Albanie. Frankfurt am Main: “Germania” Bd. LIVIII, Hf. 2: 410-418.
Winkler, Eike-Meinrad (1983). Volk, Kultur, Ethnos, Population, Typus; Zur Methodik der ‘ethnischen
Deutung’. Wien: “Mitteilungen der Anthropologischen Gesellschaft in Wien” Bd. CXIII: 5-14.
Ylli, Asim (1975). Disa të dhëna kraniometrike. Tiranë: Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Mjekësisë.
Ylli, Asim; Sazan Gabrani; Artur Hafizi (1985). Përcaktimi i tre indekseve kryesorë në një seri kafkash nga
Berati. “Revista Mjekësore”nr. 5: 73-75.
Zojzi, Rrok (1962). Ndamja krahinore e popullit shqiptar. Tiranë: “Etnografia Shqiptare” vëll. I: 16-62.