Dr. Afrim Shabani
Është një privilegj të flas sot para jush në këtë simpozium përkujtimor për 100-vjetorin e misionit të Fan S. Nolit në Lidhjen e Kombeve. Ndërsa mblidhemi këtu në Selinë e Kombeve të Bashkuara, jo vetëm që festojmë kontributet diplomatike të Nolit, por gjithashtu thellohemi në trashëgiminë e tij intelektuale të gjerë. Sot, do të fokusohem në procesin muzikologjik të Nolit në kërkimin dhe shkrimin e librit të tij të rëndësishëm, Beethoven dhe Revolucioni Francez.
Hyrje:
Bethoveni dhe Revolucioni Francez është një vepër kapitale e kritikës muzikore që Fan Noli me kulturën e gjërë poliedrike ia sjell artit botëror. Me këtë dua të them se ajo është e një rëndësie të madhe e me vlerë të qëndrueshme. Figura e Beethovenit sa është klasiciste dhe pothuajse e papërsëritshme për nga pesha e krijimtarisë, po aq është edhe kontraverse për nga karakteri i thyeshëm e jostabil. Sidoqoftë, kjo gjendje e këtij kompozitori karizmatik është lehtësisht e shpjegueshme për nga shtjellimi dramatik i biografisë së tij. Në këto dy këndvështrime, kompozitor nga njëra anë dhe njeri i çuditshëm nga ana tjerër, Noli është preciz dhe i pagabueshëm në portretizimin mjeshtëror të figurës së Beethovenit.
Ndonjëherë edhe rrethanat dhe zhvillimet e shpejta që diktojnë ndryshime në çdo frymë të jetës në shek. XVIII-XIX, bëjnë që të lëkundet e tronditet edhe ky personalitet, siç ndryshojnë edhe qëndrimet e tij rreth Revolucionit francez: fillimisht i entuziazmuar tejmase dhe më pas edhe i zhgënjyer skajshmërisht. Mu për këtë parë në këndvështrimin psikologjik, ai pothuajse pëson një tërmet shkatërrues që shemb madhështinë e tij.
Prandaj faqet e këtij libri mbi Bethovenin shkëlqejnë e përndriten në përmbajtje e në stil të të shprehurit. Së këndejmi, Fan Noli, sa është kombëtar, po aq është madhështor në përmasa universale botërore.
Procesi muzikologjik i Fan S. Nolit: Beethoven dhe Revolucioni Francez
Libri i Nolit me titull “Beethoveni dhe Revolucioni Francez”, fillimisht teza e tij e diplomimit magjistraturës e mbrojtur prej Nolit më 1939 në kolegjin e muzikës në Universitetin e Bostonit (Spahiu 2005, fq. 180), e pastaj botuar si libër në vitin 1947 (fq. 180), është një dëshmi e kërkimit të tij të detajuar dhe kuptimit të thellë mbi ndërveprimin midis muzikës dhe historisë. Pyetja qendrore që udhëhoqi procesin muzikologjik të Nolit në këtë veper ishte: “Sa thellë pat rënë Beethoveni nën ndikimin e ideve të reja të përhapura nga revolucioni francez dhe deri ku arrin të pasqyrohet fryma e kohes se tij në veprën e tij muzikore?” (Noli 1947, fq. 13). Noli e trajtoi këtë pyetje muzikologjike me një metodë hetimi shumë të kujdesshëm, të bazuar në analizën kritike të burimeve parësore (fq. 16).
Noli ishte shumë i vetëdijshëm për kontradiktat mes biografëve të Beethovenit, veçanërisht Anton Schindler, biografi i parë i Beethovenit (në botimet e viteve 1841, 1845 & 1927) që thotë se “Beethoveni ishte radikal dhe simpatizues i ideve të reja” (Noli 1947, fq. 14), Vincent d’Indy, kompozitori i shquar francez (në botimin e vitit 1911) që përmend se “Beethoveni nuk ka qenë influencuar kurrë nga idetë e reja të Revolucionit Francez” (fq. 14), dhe Romain Rolland, shkrimtar i dëgjuar, dijetar dhe kritik muzike (në botimin e vitit 1927) thotë se Beethoveni ishte një “Pinjoll autentik i Revolucionit Francez”. (fq. 14). Noli thotë se këto kontradikta përbëjnë një sfidë të rëndësishme për historianët dhe muzikologët, duke kërkuar një qasje të kujdesshme dhe të detajuar për të ndarë faktet nga legjendat ose mitet.
Në analizën e tij, Noli thekson se për të kuptuar plotësisht jetën dhe veprat e Beethovenit, është thelbësore të studiohen burimet origjinale (Noli 1947, fq. 25), si letrat dhe ditarët e kompozitorit Beethoven (fq. 25), të cilat sipas Nolit shpesh here janë përkthyer gabimisht ose me mungesë të nuancave të rëndësishme (fq. 25). Për shembull, letrat e Beethovenit, të përmbledhura nga botues të ndryshëm si A. C. Kalischer (botime në pesë vëllime në Berlin e Laipcing, më 1906-08) (fq. 25 & 105), Ludwig Nohl (botuar ne Shtutgard më 1865) (fq. 24 & 106), Walter Nohl 1923 (fq. 106), etj., ofrojnë një dritare të pashembullt mbi mendimet dhe ndjenjat e Beethovenit, duke nxjerrë në pah ndikimin e Revolucionit Francez në ideologjinë dhe krijimtarinë e tij.
Noli gjithashtu vlerëson Alexander Wheelock Thayer (Noli 1947, fq. 24 & 106) për përpjekjet e tij për të humanizuar Beethovenin dhe për të trajtuar aspekte më të errëta të jetës së tij që shpesh janë injoruar nga biografë të tjerë. Thayer grumbulloj nje koleksion monumental dokumentesh analizuar në mënyrë kritike (fq. 22) dhe u përpoq të krijonte një portret më të plotë të Beethovenit, por Noli argumenton se edhe ai la jashtë disa detaje që mund të zbehnin imazhin e tij (fq. 99).
Shënim:
Puna ime e paraqitur sot është pjesë e një kërkimi të vazhdueshëm, të cilin planifikoj ta publikoj si një artikull shkencor. Shpresoj që kjo paraqitje të ofrojë një kuptim të procesit muzikologjik të Nolit dhe të kontribuojë në studimin e mëtejshëm të veprës së tij të rëndësishme, “Beethoven dhe Revolucioni Francez.”
Faleminderit!
Bibliografia
Beethoven, Ludwig van: Konversationshefte, herausgegeben von Walter Nohl, in 2 volumes München, 1923, Recht Verlag.
Beethoven, Ludwig van: Letters, a critical edition with explanatory notes by Dr. A. C. Kalischer, translated with preface by J. S. Shedlock, in 2 volumes, London, Dent, 1919.
Beethoven, Ludwig van: Letters, with explanatory notes by Dr. A. C. Kalischer, translated with preface by J. S. Shedlock, selected and edited by A. Eaglefield-Hull, London, Dent, 1926, 410 pp.
Beethoven, Ludwig van: Letters from the collection of Dr. Ludwig Nohl, translated by Lady Wallace, in 2 volumes, New York, Hurd & Noughton, 1867.
Indy, Vincent d’: Beethoven, biographie critique, Paris, 1911, Laurens, 148 pp.
Noli, Fan Stilian. Beethoven dhe Revolucioni Francez. New York: International Universities
Press, 1947. Përkthyer nga Nebil Dino dhe Alqi Kristo, Prishtinë, 1968, Rilindja.
Rolland, Romain: Beethoven, der Sohn der Revolution, zum hunderten Todestage des Meisters, in the socialist newspaper Vorwarts of Berlin, No. 144, March 26, 1927.
Schindler, Anton: Biographie von Ludwig van Beethoven, Zweite mit zwei Nachtragen vermeherte Ausgabe, in 2 volums, 1845, Aschendorff.
Schindler, Anton: Ludwig van Beethoven, Funfte Auflage, neu herausgegeben von Fritz Vollbach, Munster, Aschendorff, 1927, in 2 volumes.
Schindler, Anton, and Moscheles, Ingaz: The Life of Beethoven, Including his correspondence with his friends (English Translation of Schindler’s first edition of his Biography), in 2 volumes, London, 1941, Henry Colbourn.
Spahiu, Avni: NOLI Jeta në Amerikë, Prishtinë, PEN Qendra e Kosovës 2005.
Thayer, Alexander Wheelock: The Life of Ludwig van Beethoven, edited, revised and amended from the original English manuscript and the German editions of Hermann Deiters and Hugo Riemann, concluded, and all the documents newly translated by Henry Edward Krehbiel, in 3 volumes, New York, The Beethoven Association, 1921.