Profesori, leksikografi, historiani dhe gjuhëtari i madh, Karl Gurakuqi, lindi më mars 1895, në Shkodër.
Bashkëpunëtor i Koliqit në “Shejzat”, Karl Gurakuqi e kishte përftuar vokacionin e tij të gjuhëtarit dhe leksikografit si sekretar i të famshmes Komisis Letrare Shqipe, themeluar mbi 100 vjet më parë nga një plejadë intelektualësh, si: Luigj Gurakuqi, At Gjergj Fishta, Hilë Mosi, Sotir Peçi, Mati Logoreci, Aleksandër Xhuvani, Hafiz Ali Korça, Vinçenc Prennushi etj., me mbështetjen e albanologëve austriakë Maksimilian Lamberc dhe Rajko Nahtingal.
Sa kohë ishte në Shqipëri, ai drejtoi të përkohshmet: “Agimi” (1920-1922), “Revista Pedagogjike” (1925-1927), “Mësuesi”, (1928), “Shkolla kombëtare” (1938) dhe redaktoi revistat“Atdheu”, e “Illyria” (në periudhën e dytë,1935-1936), ku botoi në 36 numra rresht një fjalorth fjalësh të rralla me shpjegimet përkatëse.
Më 1944 u zhvendos në Itali (Palermo) ku shërbeu si profesor në Universitetin e Palermos. Bashkë me R. Petrotten e G. Valentinin themeloi Qendrën Ndërkombëtare të Studimeve Shqiptare, e cila, me konferencat e botimet e saj e bëri Palermon qendrën më të rëndësishme albanologjike të kohës. Gurakuqi ka qenë ndër bashkëpunëtorët më të zellshëm dhe produktivë të revistës “Shejzat”, e përkohshme kulturore, shoqërore që qarkulloi jashtë atdheut, gjatë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar e, që vazhdoi pa ndërprerje nga viti 1958 deri në vitin 1974. Gurakuqi botoi në këtë organ rreth 100 shkrime dhe drejtoi rubrikat “Hulumtime gjuhësore dhe botimet albanologjike”.
Vdiq në mërgim, në Palermo të Italisë, më 6 dhjetor 1971.
(Qendra e Botimeve për Diasporën)
See insights and ads
All reactions:
55