Dr. Hasan Bello/
Para disa ditësh u ribotua për të disatën herë një intervistë, gjithmonë pas vdekjes, e ish-komandantit të kufirit nga ku në vitin 1969 është arratisur shkrimtari Bilal Xhaferri. Ai aludon se gjoja atë mund ta ketë inskenuar ish-Sigurimi i Shtetit. Por nuk sjell asnjë provë konkrete duke thene se “Natën e arratisjes së Bilal Xhaferrit, ish-komisari i Postës Kufitare hoqi qëllimisht njësitin e rojeve, pikërisht në vendin ku pak më vonë kaloi Bilal Xhaferri”.Kaq i duhet intervistuesit, “kapterrit” të ish-Sigurimit në Kinostudio, të tjerat ai i “tjerr” vetë. Ai harron se Bilali është arratisur nga vendlindja e tij, ku vijën kufitare e njihte më mirë se ushtarët që vinin nga rrethet. Në SHBA Bilali do të shkruaj artikujt më kritik ndaj regjimit komunist. Nga dokumentacioni rezulton se Ministria e Jashtme dhe ish-Sigurimi i Shtetit përpiqen maksimalisht për ta penguar emërimin e Bilalit si editor i gazetës “Dielli” të Federatës “Vatra”. Nëse ishte i tyre, pse e penguan “me çdo kusht”? A nuk synonin ata infiltrimin e agjentëve të tyre në radhët e emigracionit në SHBA? Pse ia hoqën fishat aparateve pas operacionit të Bilalit dhe ia përshpejtuan vdekjen? Po sot, pse e ribotojnë në mënyrë ciklike të njëjtën intervistë? Apo në letrat shqipe lufta vazhdon?Në një shkrim të Bilal Xhaferrit me titull “Buzëqeshja e krokodilit” (Enver Hoxhës), ai bën sintezën e tragjedisë shqiptare: “Po t`i hedhim një sy këtyre tridhjetë vjetëve, do të shohim se historia e tyre është historia sesi u thanë kënetat dhe u kthyen në toka pjellore dhe sesi, në të njëjtën kohë, u kthyen shpirtrat e njerëzve në këneta malarike. Kjo është historia sesi ju dha fshatarit toka me dorën e majtë dhe ju muarr me dorën e djathtë”.