Artan Nati/
Në mitologjinë greke, Kronos është një titan që përmbysi babanë e tij, Uranin, dhe u bë sunduesi i kozmosit. Megjithatë, nga frika e një profecie se ai do të rrëzohej nga një prej fëmijëve të tij, Kronosi gëlltiti secilin prej pasardhësve të tij kur ata lindën, duke i penguar në mënyrë efektive ata të uzurponin pushtetin e tij. Ky mit tragjik mund të shërbejë si një metaforë e fuqishme për politikën e përditëshme në Shqipëri, veçanërisht në këto kohët e fundit. Shikojmë që qeveria aktuale ose më saktë lideri i saj po gllabëron “bijtë e partisë”, duke i përdorur ata si koka turku. Shkaku kryesor është frika nga humbja e pushtetit: Frika e humbjes së pushtetit është rruga drejt anës së errët. Frika të çon në zemërim, zemërimi të çon në urrejtje, urrejtja të çon në veprime irracionale. Ashtu si Kronos, shumë liderë politikë gjatë historisë janë shtyrë nga një frikë e fortë e humbjes së pushtetit të tyre. Kjo frikë po e detyron edhe lidershipin në PS të marrin masa drastike për të mbajtur kontrollin, edhe nëse kjo do të thotë të të hedhë në rrjetën e drejtësisë disa nga bashkëpunëtorët më të ngushtë,ku rasti më flagrant është ish zv.kryeministri Ahmetaj, por edhe ai i ditëve të fundit i Damian Gjiknurit e ministra e funksionarë të lartë të tjerë. “Qeveritë, nëse qëndrojnë për një kohë të gjatë në pushtet, priren gjithnjë e më shumë drejt formave aristokratike. Asnjë qeveri në histori nuk është njohur që t’i shmanget këtij modeli. Dhe ndërsa aristokracia zhvillohet, qeveria tenton gjithnjë e më shumë të veprojë ekskluzivisht në interes të klasës sunduese – qoftë ajo klasë mbretërore trashëgimore, oligarkë të perandorive financiare apo burokraci e rrënjosur.” shkruan Frank Herbert (1920-1986) . Ky fenomen është i vërtetë jo vetëm për qeveritë,por edhe për partitë politike etj.A nuk po ndodh i njëjti skenar në PD?
“Njerëzit në pushtet nuk do të heqin dorë pa luftë, sepse pushteti është afrodiziaku i fundit.” thotë Henri Kisinger, duke dashur të thojë se pushteti është e vetmja mënyrë ose iluzioni i vetëm rreth të cilit jeta e tyre rrotullohet ose si Bonoparti e thotë në mëyrë figurative:“Pushteti është zonja ime. Unë kam punuar shumë në pushtimin e saj për të lejuar dikë që ta largojë atë nga unë.” Kur udhëheqësit janë të shtyrë nga kjo frikë e fortë e humbjes së pushtetit, qoftë në politikë apo në vendin e punës, disa faktorë motivues fillojnë të veprojnë,faktorë që shërbejnë si ilaçi i vetëm,faktorë që bëjnë të zgjohet faktori shtazarak dhe të humbasin arësyen. Duket se kjo po ndodh në politikën tonë, në qeverinë tonë. Ashtu si në Romën e lashtë ngritja e Cezarit në diktaturë tregoi rreziqet e mundshme të përqendrimit të pushtetit në duart e një individi. Nga frika e humbjes së pushtetit Cezari i dha fund republikës duke u shndërruar në diktator dhe përfundoi në vrasjen e tij nga bashkëpunëtorëe tij. Ai shërben si një shembull paralajmërues për rreziqet e autoritetit të pakontrolluar në çdo sistem politik. Aktualisht Shqipëria duket si një xhungël ku i vetmi synim në jetë i çdo politikani është pushteti pa e kuptuar se sa më shumë pushtet akumulojnë aq më shumë shkëputen nga realiteti dhe aq më afër janë drejt fundit të tyre.
Liderët në vendin tonë që nxiten nga frika e humbjes së pushtetit shpesh nuk arrijnë të kuptojnë se udhëheqja e vërtetë ka të bëjë me fuqizimin e të tjerëve.Udhëheqja e vërtetë nuk ka të bëjë me dominimin ose kontrollin e të tjerëve, por për t’i ngritur lart dhe për t’i ndihmuar ata të arrijnë potencialin e tyre të plotë. Duke fuqizuar të tjerët, udhëheqësit krijojnë një mjedis pozitiv dhe bashkëpunues që mund të arrijë rezultate të jashtëzakonshme. Stili i udhëheqjes së liderit gjerman,pas luftës së dytë botëore, Adenauer përfshinte delegimin, besimin dhe përfshirjen. Ai e kuptoi se duke u dhënë përgjegjësi individëve të aftë dhe duke i lejuar ata të ushtrojnë talentet e tyre, vendi mund të bëjë përparim të jashtëzakonshëm. Kjo qasje inkurajoi bashkëpunimin, inovacionin dhe ndjenjën e pronësisë mes njerëzve që punonin nën të.Qeveria jonë dhe lidershipi i PS si pasojë e frikës së humbjes së pushtetit është më e interesuar të përçajë opozitën se të mendojë për bashkëpunim. Vetë opozita është më e interesuar të shkatërrojë grupet kundështare të të njëjtës parti duke u shndërruar patericë për sistemin e korruptuar në dëm të vendit.
Ndërsa politika ndonjëherë mund të ngjajë me një xhungël interesash konfliktuale, është përmes bashkëpunimit që ne ndërtojmë një shoqëri të civilizuar dhe të drejtë. “Konkurrenca është ligji i xhunglës, por bashkëpunimi është ligji i qytetërimit.” thotë Peter Kropotkin. Politika vetë është art i kompromisit. Partitë politike duhet të kenë të qartë se ato nuk janë thjesht rivale, por partnerë në ndjekjen e një qëllimi të përbashkët që të jenë në shërbim të vendit për një shoqëri të begatë dhe harmonike. Vendi nuk ka nevojë për kompromise fallco në shërbim të kryetarëve si ajo e 2008 apo marrëveshje për të votuar SPAK-un nën presionin amerikan, por në realitet nën rrogoz e minonin atë. Politikanët tanë duhet të kuptojnë se themeli i qeverisjes demokratike është kompromisi duke përfshirë këtu edhe dorëheqjen e tyre si kompromis për të hapur rrugën ideve të reja drejt qëllimit final të përparimit të vendit.