Nga Neim Zhuri
Në atë pështjellim të ferrtë ku jetonte poeti, e vetmja mundësi për të komunikuar me botën do të ishte komunikimi përmes poezisë. Por edhe kjo ishte një mundësi përtej së pamundurës. Ai nuk tentoi asnjëherë të botojë, duke e dënuar poezinë e tij, duke ja vetmohuar asaj funksionin komunikativ, i bindur se “vigjilenca publike”, do ishte e gatshme në pritje për ta denoncuar, se lexuesit e partishëm nuk do të gjenin në të poezinë militante dhe se pas denoncimit kritika e zyrave do nxitonte të gjente gabimet ideologjike dhe shkarjet e autorit apo ndikimet nga poezia “dekadente” kishte një mundësi tjetër, të shkonte drejt një qasjeje me poezinë militante, në kërkim të një zëri që i shtohej isos së madhe të poetëve të partishëm, një përpjekje për t’i dhënë vetes shanse afirmative. Edhe mund ta tentonte. Dhe ndoshta llogaritë me regjimin do i dilnin ndryshe, por llogaritë me veten dhe me poezinë, jo!Refleksi drejt vetëdijes për një realitet të ëndërruar poetik, i formësuar pak nga pak nën influencat e baballarëve të poezisë evropiane, Bodler, Rembo, Xhan Morea, Mallarme, Verlen, Teofil, Gotje, Suly Prudhom, Apolinier, Pol Elyar etj. Ishte e pamundur ta çonte drejt asaj poezie të “tepërlumtur” të realiteteve komuniste. Ai e ndjente se jetonte brenda tragjizmit të një burgu të pashpallur kufijsh. Blloshmi shkroi mjaftueshëm sa për të krijuar një profil të vetin poetik.Të bie në sy një numër jo i vogël poezish pa titull që nuk janë veçse copëza kohe dhe copëza nga bota e trazuar e poetit në një realitet të pakuptimtë. Poeti është në kërkim të një vargu dramatik, një dramacitet përmes një “makthi të llahtarshëm”. “Medet sikur njeriu të jetonte përjetësisht”. Kjo është dilema dramatike e Blloshmit, truri i zemëruar i të cilit mund të pranonte vetëm versionin: “Medet sikur njeriu të jetonte përjetësisht” C’tmerr! Indi poetik i ngjizur spontanisht me këto copëza poezish të hedhura shpejt e shpejt nëpër copëza letrash nuk njeh rreptësinë e një rendi logjik të një diskursi lirik të organizuar por një reagim refleksiv për kohën dhe botën. Dhe koha shkon Dhe bota ikën Dhe ne ecim Dhe qeshim kur qan jeta Dhe kur qesh varri…. Vdesim!Më shumë se një kërkim dramatik është një refleks dramatik ndaj asaj që quhet botë por edhe ndaj asaj që quhet jetë.Letërsia diktatoriale në Shqipëri pati njohur raste të burgosurish për shkak të poezisë, poezi të ndaluara dhe poetë të ndaluar, të internuar, të larguar larg syve të lexuesve sikurse pati edhe një të ashtuquajtur “letërsi sirtaresh”, e destinuar për një tjetër kohë për t’u shfaqur paralexuesit, për shkak të censurimit dhe pamundësisë për t’u botuar. Ndërsa poezia e Blloshmit është ndryshe, është poezia e njeriut të ndodhur në zgrip të jetës, është një nevojë ekzistenciale për t’u shprehur, për të komunikuar me veten, për t’ju rrëfyer vetes pa nënkuptuar publik receptues të mundshëm.E shkruar ashtu siç e lexojmë sot poezia e Blloshmit s’kishte gjasë të pritej bujarisht për t’ju bashkangjitur fondit të poezisë së kohës edhe sikur autori të ish pinjoll i një ati të devotshëm në shërbim të regjimit, jo më një pasardhës nga fisi i Blloshmëve, që ishin të etiketuar si “armiq” të betuar të shtetit. Po a mund të shndërrohej poezia në mbrojtësen e tij, në mbrojtësen e njeriut të pambrojtur. Nga kjo posturë e skajshme a mund të jetë poezia shpëtim ekzistencial në atë pik limit ku vdekja është më pranë se kurrë?Poezia në jetë, e sidomos në çaste të caktuara, vjen si një variant çlirimi apo iluzioni për çlirim shpirtëror dhe moral. Ajo në çaste të caktuara vjen si një koncentrim i brendshëm, si një përqendrim superior për të mposhtur kontraditat në mes të thënës dhe të pa thënës, të mundshmes dhe të pamundshmërisë, realitetit dhe ëndërrimit në mes të bërës dhe të pabërës. Pra nëse poezia e Blloshmit nuk mund të ishtë mbrojtësja e tij, e shprehur si ekspresion poetik, më së paku duhej të kishte funksionin e çlirimit shpirtëror, një lloj funksioni katarstik.Sikurse thamë poezia e Blloshmit ishte një krijesë e ndaluar, mikluese por edhe kanosëse, një përpjekje mbinatyrale për të artikuluar të pathëna por edhe një lojë ekzistenciale. Vetmia dhe vdekja rrinë nderur për gjatë gjithë poezisë së Blloshmit. Madje që në poezinë e parë, shkruar më 1968, e ndikuar dukshëm nga poezia franceze, një poezi dedikuese, një lloj meditacioni për ç’ka ndodh me njeriun kur mbush njëzet vjeç. Në të vërtetë çfarë duhet të përjetojë një njeri që sapo ka mbushur 20 vjec? Përpos gezimit të moshës dhe entuziasmit që të ofron ajo edhe një barrë endrrash të hareshme, një realitet të ëndërruar që medoemos duhet ta prekë. Nuk ka kurrfarë entuziasmi që në poezinë e parë të Blloshmit, as ëndrra, as ekzaltimin që mbart me vete mosha.Ai druan “Se koha një ditë karvanin do shkarkojë/Anash gjëra që do lejë dhe ne do na harrojë/Në vendin…s’di se ku/ Po për një kohë aty një sop dheu do qëndroje/ Kur të kalojë udhëtari fytyrën do shtrëmbërojë/ C’ka qënë ky këtu ?Që në të parën poezi të Blloshmit projektohet “Sopi i dheut” që u gjend në një vend të paditur. Një pandehmë rrënqethëse që jeton në zonat imagjinative të trurit të poetit, përkim i çuditshëm me atë ç’ka do ndodhte më pas më 17 korrik 1977, një sop dheu në në një vend të paditur, 9 vjet pasi e shkroi poezinë e parë do të mbulonte trupin e masakruar të poetit. Poetit që të 29 vitet e jetës i jetoi në “një makth të llahtarshëm” siç do të shkruante ai. Sikur t’i ktheja pas vitet e mia Por jo për të rënë sërishmi në djep Por në arkivol.Arkivoli dhe vdekja, hipostazat e një makthi të vazhdueshëm që nuk mungojnë gjatë gjithë tjerrjes poetike.Një vizion ekzistencial i dhënë përmes gjetjesh shokante, kur thanatosi përsëri ritet tragjikisht, pa ndërprerë. Ngjyrat e vdekjes ruhen të paprekura, i paprekur ruhet “dhe shpirti i të vdekurve në dorë më një pish(tar), që vrapon, del i dalldisur nga humbja e ndjen v…(arr) (Pa titull)”Blloshmi e prek skëterrën që në gjallje, e ndjen trysninë shkatërruese të saj. Drama e vërtetë e tij nuk është vdekja, por të qenurit anonim, të qenurit askush, humbja në humbëtirën pa shenja identiteti. Imazhi poetik i autorit arrin ta kapë fillin e absurdit, shkatërrimi dhe dehumanizimi i shoqërisë njerëzore. … edhe pse thithim të njëjtin ajër Dhe pimë të njëjtin ujë Njerëzit nuk mund të hanë me të njëjtën lugë Në pjatën e arsyes.Dhe doemos absurdi shkon drejt trajtash paradoksale Të mbjellim arën me lesh e të bëjmë çorape, Ose të qethim iriqin Sa keq që të gjithë dykëmbëshat Mbajnë emrin njeri. (Pa titull, shkruar më 1972)Ai është në kërkim të “njeriut me shpirt të vërtetë”, në vorbullën e një atmosfere njerëzore shkatërruese ku “Njeriun/ Sa pak e gjen tek njeriu”- do të shprehej në një varg të vetin, i ngjashmi për nga vuajtjet, poeti Visar Zhiti.Blloshmi ishte pjesë e një realiteti tragjik që shkroi një letërsi në errësirën ku komunizmi rrekej t’i mbyllte intelektualët; duke luajtur një lojë të rrezikshme por njëherazi dhe ekzistenciale. “Si të jesh duke qënë zjarr, me fqinj barutin”-do të shkruante në ditarin e tij. Qenia është hipostaza e parë në poezinë e Blloshmit, privacioni i lirisë që përthyhet në dy vargëshin sentencial: Më mirë një jet e zezë Me faqe të bardhë Sesa një jet e bardhë Me faqe të zezë… Të shkruash e të mos botosh. Komunikimi letrar nënkupton, shkrimin, botimin e receptimin. Të shkruash e të mos guxosh të botosh që nën kthetrat e një censure totale. Të mos botosh për t’u mbyllur si shpëtim nga censura “është diç më shumë se fascinuese, është një shenjtëri”. Le ta konsiderojmë si një Monolog në Unë, e shkruar në vetmi dhe që afrohet nga vetja, dhe sa më shumë afrohet nga vetja, aq më shumë shtyhet drejt lexuesit. Në studimin që përcjell poezinë e Blloshmit është shumë bindës konstatimi i Sadik Bejkos se Blloshmi është poet i personales…vjershat e tij përherë kanë një shkak, një ndodhi të jashtme a të brendshme, si shtysë për të dalë jashtë tij… ato janë ditari poetik i çasteve më tragjike, i rrënqethjeve dhe i torturës shpirtërore më të skajshme të njeriut në qorrsokak. Sikur të mbështeteshin e shiheshin Rrugët nga vjen kujtimi, mendimi Brenga, shpresa, vegimet Të dukej krejt i jetës zig-zaku i gjatë Që nga ardhja në këtë botë e gjer Te varri, pikëz e llahtartëNë këto vargje të një tjetër poezie pa titull, sërish rishfaqet trishtim, brenga, regjime, sërish “varri”- pikëz e llahtartë, vdekja por këtë radhë pa eufemizëm si në rastin “sop dheu”. Kjo është pjesa e dukshme e leksikut frekuentativ të poezisë së Blloshmit .Edhe pse në ditët e sotme synohet që letërsia të studjohet duke u vetmjaftuar në tekstin, në letërsitë e lindura, në totalitarizëm është e pamjaftueshme nësë nuk mer parasysh raportin e shkrimtarit me pushtetin, me politikën. Poezia e Blloshmit bën pjesë në poezitë e padeklamaruara për shkak të heshtjes së sajuar me dhunë nga diktatura, kjo është pjesa më e dhimbshme dhe më e turpshme e shoqërisë. Tash që kjo poezi ka dalë në dritë me gjithë dimensionin e saj, përmes një radiografie që shoqeria shqiptare i bën vetes, fillon të rikuperojë dhe ndërgjegjen e vrarë kombëtare.