THE TWITS BY ROALD DAHL- PERKTHEU NGA ANGLISHTJA NAUM PRIFTI DHE RAFAELA PRIFTI/
QOLET/
FYTYRAT LESHATORE/
Sot të zë syri shumë meshkuj me fytyra leshatore. Nuk është e mundur t’ia shohësh sifetin atij që e lë leshin t’i harliset nga çdo pore e fytyrës. Ndoshta kjo është edhe arsyeja e vërtetë e rritjes së leshit. Sido që të jetë është e vështirë të shikosh se kush është pas qimeve.
Lëre pastaj se ç’mund të thuhet për larjen. Larja e një fytyre leshatore nuk është punë e rëndomtë njësoj si shkumosim flokët unë e ti. Prandaj unë dua ta di: Sa herë e lajnë fytyrën këta fytyrëleshatorët? Një herë në javë, atëherë kur bëjmëbanjë ne të tjerët, të dielën në mbrëmje? A përdorin shampo? Po tharëse flokësh? A e fërkojnë pastaj me tonik që të mos u bëhet fytyra qerose? A shkojnë te berberi që ta shkurtojnë a krasitin leshin apo qethen vetë me gërshërën e thonjve përpara pasqyrës së banjës?
Nuk di ç’të them. Por kur t’ju rastisi të shikoni një syresh (gjë që mund të ndodh sapo të dilni në rrugë) ndoshta do ta vëreni pak më së afërmi dhe do t’i bëni vetes të njëjtat pyetje.
ZOTI QOLE
Zoti Qole ishte një prej atyre burrave me fytyrë leshatore. Gjithë fytyra përveç ballit, syve dhe hundës gjëmbonte nga leshi i dendur. Madje ca tufa të egra leshi shpërthenin nga vrimat e hundës dhe të veshëve. Zoti Qole ishte i bindur se leshllëku i jepte pamjen e një njeriu me mend dhe me famë. Megjithëse ai nuk hynte në asnjë nga këto kategori. Zoti Qole ishte leshko. Ishte lindur leshko. Dhe tani në moshën gjashtëdhjetë vjeçare ishte edhe më leshko se ç’kish qenë më parë.
Leshi i fytyrës tek ai nuk rritej me rregullsi dhe i tërhollë si ndodh zakonisht te fytyrat e leshatorëve. Qimet e tij dilnin gjembore dhe të harlisura përpjetë si fijet e furçës së thonjve.
Sa herë e lante fytyrën si furçë për thonjtë zoti Qole? As edhe një herë, madje as ditën e diel! Nuk mbahet mend qëkur e kishte larë surratin.
MJEKRA TE NDYRA
Dihet se një fytyrë paqime si e jotja ose e imja ndyroset pak kur mbetet pa larë, dhe nuk bëhet qameti.
Por është krejt ndryshe për një fytyrë leshatore. Aty stakohen gjëra dhe veçanërisht ushqimi. Salca depërton nëpër qime dhe mbetet aty. Ti dhe unë e fshijmë fytyrën e lëmuar me një pecetë dhe dukemi pak a shumë në rregull, por fytyrëleshatori nuk mundet të kthehet më në gjendjen e mëparshme.
Po të jemi të kujdesshëm, ne mund të hamë pa e shpërndarë ushqimin në fytyrë. Por fytyrë leshatori nuk mundet. Sapo t’ju rastisi të shikoni një leshator duke ngrënë darkë do ta vëreni se edhe po ta hap gojën sa një kamare është e pamundur ta fusë lugën me lëng mishi apo akulloren me shurup çokollate pa lënë diçka tek qimet.
Zoti Qole as që lodhej fare ta hapte gojën mirë kur hante. Si rrjedhojë, (edhe nga që nuk lahej) drudhërat nga vaktet e mëngjesese, drekave dhe darkave të ngrëna me parë vareshin nëpër qimet e fytyrës. Nuk ishin drudhe të mëdha sepse ato i fshinte duke kaluar kurrizin e dorës ose me mëngën e xhaketës ndërsa mbaçitej në tavolinë. Por nëse do t’i afrosheshe pak (jo nga qejfi) (ndonëse këtë nuk do ta dëshironte askush) do dalloje ngjitur te qimet thërrmija të thara nga vezë të skuqura, spinaq, salcë domate, peshk të thate, mëlçi pule të grirë dhe lloje të tjera ushqimesh të pështirshme të cilat i pëlqenin zotit Qole. Dhe nëse do t’i afroheshe edhe më shumë (duke i mbajtur mbyllur vrimat e hundës) nëse do vëzhgoje më në thellësi të qimeve të mustaqeve që gjëmbonin mbi buzën e sipërme, do shikoni copa më të mëdha që i kishin shpëtuar fshirjes me dorë, dhe ishin stakuar atje me muaj të tërë, si për shembul një fletëz djathi i krimbosur ose kornfleks i mykur apo edhe bishtëz i lyrosur i sardeleve të kanoçeve.
Për këtë shkak zoti Qole nuk mbetej kurrë barkthatë. Nxirrte gjuhën dhe duke e lëvizur rretheqark cepave të buzës eksploronte xhunglën e leshit, ku arrinte të gjente një dromcë të shijshme aty këtu për tu mbllaçitur. Me këto dua të them se zoti Qole ishte i zgjyrosur dhe i kutërbosur. Ai ishte edhe njeri i pështirosur siç do ta shihni edhe vetë në vijim.
ZONJA QOLE
Zonja Qole nuk dallohej shumë nga zoti Qole. Vetëm se nuk kishte fytyrë leshatore. Dhe kjo ishte për të ardhur keq, se leshi i fytyrës të paktën do t’ia mbulonte disi shëmtinë e frikshme.
Hidhi një sy vetë. Ke parë ndonjëherë grua me fytyrë më shëmtaraqe se kjo? Nuk ma merr mendja.
Por për habi, zonja Qole nuk ishte lindur e shëmtuar. Ajo kishte qenë shumë simpatike në vajzëri. Shëmtia rritej vit pas viti bashkë me kalimin e viteve. Pse ndodh kjo? Jua them unë.
Sepse njeriut i shihen mendimet e shëmtuara në fytyrë. Dhe kur njeriu ka mendime të ndyra për çdo ditë, çdo javë dhe çdo vit, fytyra i shëmtohet e shëmtërohet derisa nuk të bëhet ta shohësh me sy.
Njeriu me mendime të mira nuk është asnjëherë i shëmtuar. Mund ta kesh hundën e stërgjatë apo gojën e shtrembër, qafën me pala ose dhëmbët të stërdalë, por kur ke mendime pozitive ato tipare shpërndahen si rreze dielli dhe kurdoherë dukesh për mrekulli.
Asgjë e mirë nuk rrezatohej prej fytyrës së zonjës Qole.
Në dorën e djathtë mbante një bastun. Njerëzve iu thoshte se kishte xhongla në tabanin e këmbës së majtë dhe të ecurit i shkaktote dhembje të mëdha. Por arsyeja e vërtetë qe se bastunin e përdorte për tua vërvitur qenve dhe maceve si dhe fëmijve të mitur.
Pastaj ç’mund të thuash për syrin e xhamit. Zonja Qole kishte një sy xhami që ishte drejtuar në anën e kundërt.
SYRI PREJ XHAMI
Me një sy xhami bëhen rengje të llojllojshme sepse atë e nxjerr nga foleja dhe e fut prapë sa herë të teket. Mund të vësh bast ç’të duash se zonja Qole i dinte të gjitha hiletë.
Një mëngjes ajo e hoqi syrin e xhamit dhe e hodhi në krikllën e birrës së zotit Qole kur ai nuk e kishte mendjen. Zoti Qole rrinte ulur duke pirë birrën ngadalë. Shkuma formonte një unazë të bardhë të qimet rreth gojës. Ai e fshiu shkumën e bardhë me mëngë dhe pastaj mëngën e fshiu te pantallonat.
“Seç po komploton,” i tha zonja Qole, me shpinën e kthyer nga i shoqi që të mos e shihte që e kishte hequr syrin. “Sa herëqë rri kështu si i bukosur, je duke sajuar ndonjë plan a komplot.”
Zonja Qole kishte të drejtë. Zoti Qole ishte zhytur në një skemë komploti. Po vriste mendjen për një ndonjë rreng tëpaparë për t’ia punuar bashkëshortes atë ditë.
“Hapi sytë mirë,” tha zonja Qole, “se kur e shoh se je duke stisur komplote, unë nuk t’i shqit sytë njëlloj si shqarrthi.”
“Oh qepe gojën, plakë e keqe,” tha zoti Qole. Ai vazhdoi të pinte birrën dhe mendja e tij djallëzore vazhdonte të thurrte plane për një reng të ri që do ta lemeriste plakën.
Teksa zoti Qole po gëlltiste pikën e fundit të birrës, befas i vajti shikimi te syri i xhamit që e po zhbirilonte nga fundi i krikëllës. U hodh përpjetë.
“Të thashë se ta kam ngulur syrin!” krakarriti zonja Qole. “Unë kam sy kudo, prandaj ruaju!”
BRETKOSA
Për ta shpaguar për rrengun me syrin e xhamit, zoti Qole vendosi të vinte një bretkosë në shtratin e zonjës Qole. Zuri njëgoxha zhabë tek gjoli dhe e solli fshehurazi në një kuti.
Atë natë, kur zonja Qole shkoi në banjo, përpara se të futej në shtrat, zoti Qole e vuri brektosën midis faqeve të çarçafëve. Pastaj vajti dhe u fut në shtratin e tij dhe priti të niste gajasja.
Zonja Qole hyri në dhomën e gjumit dhe u fut në shtrat e shuajti dritën. Ndenji shtrirë në errësirë duke kruajtur barkun. Asaj ashtu i hante barku. Të gjitha plakarruqeve si ajo ju bëhet barku si miza-miza.
Papritmas ndjeu diçka të ftohtë dhe jargavitëse t’i lëvizte nëpër këmbë. Dhe ulëriti.
“Ç‘dreqin ke?” pyeti zoti Qole.
“Ndihmë!” piskati zonja Qole, duke u hedhur përpjetë. “Më është futur një gjë në shtrat.”
“Me siguri do jetë ajo Vrundulla që ma zunë sytë në dysheme,” tha zoti Qole.
“Çfarë?” ulëriti zonja Qole.
‘E godita por nuk e zura dot,” tha zoti Qole. I ka dhëmbët si dara!”
“Ndihmë!” gërthiti zonja Qole. “Më shpëto! Po më sillet nëpër këmbë!”
“Do të t’i haj gishtërinjtë!” tha zoti Qole.
Zonja Qole u mehit.
Zoti Qole u ngrit nga shtrati dhe gjeti një bidon me ujë të ftohtë. Ia hodhi në fytyrë zonjës Qole që të vinte në vete. Bretkosa kërceu nga çarçafët që t’i afrohej ujit. Dhe hidhej lart e poshtë në jastëk. Bretkosat e duan shumë ujin. Dhe kjo po bënte goxha qejf.
Kur erdhi në vete zonja Qole, bretkosa i kërceu në fytyrë. Askush nuk do të donte ta përjetonte këtë veçanërisht kur je shtrirë në shtrat në orët e natës. Ajo ulëriu përsëri.
“Për një mend, qenka Vrundulla. Do të ta kafshoj hundën.”
Zonja Qole u ngrit vërtik dhe iu zbriti shkallëve fluturimthi dhe gjithë atë natë ndenji në minder. Ndërsa bretkosën e zuri gjumi në jastëkun e saj.