Prof.Dr. Liman Varoshi “R.I.P.”
PhD candidate. Mustafa Kadzadej
Departamenti i historisë
Universiteti “Aleksandër Xhuvani” i Elbasanit
Koncepti filozofik për qytetërimin në tërësinë e tij parakupton të gjitha arritjet materiale, teknike, shoqërore dhe kulturore, që ka realizuar njeriu dhe me të cilat dallohet një shoqëri nga të tjerat. Ai përfshin në vetvete të gjithë ata tregues që dëshmojnë një nivel të caktuar përparimi dhe ngritjeje të një populli, të disa popujve apo të një epoke historike. Studiues të ndryshëm e shohin nga këndvështrime të ndryshme përmbajtjen e konceptit të qytetërimit. Konkretisht njëri prej tyre mendon se qytetërimi në përmbajtjen e tij përbëhet pikërisht nga lufta kundër pengesave të ngritura prej natyrës për të sprovuar gjeninë njerëzore (Aurel Plasari, Fenomeni Voskopojë, Tiranë: 2000, f. 14). Ndërsa një tjetër studiues i njohur në fushën e qytetërimit e koncepton atë si hapësirë territoriale, si shoqëri, ekonomi dhe mendësi kolektive. Pothuajse të njëjtën përmbajtje përfshin edhe koncepti i kulturës. Studiues të ndryshëm mendojnë se ndërmjet qytetërimit dhe kulturës nuk ka ndonjë dallim të madh. Në këtë kontekst, janë jo të pakët ata studiues që shquajnë një lidhje të ngushtë mes dy koncepteve të mësipërme. Madje ata pohojnë se marrëdhënia ndërmjet tyre karakterizohet nga kushtëzimi reciprok. Mendojmë se një realitet i tillë është produkt i frekuencës së njëjtë të treguesve që rezultojnë në përmbajtjen si të qytetërimit ashtu edhe të kulturës. Kështu, qytetërimi si tërësi e mjeteve dhe aftësive teknike i mundëson shoqërisë shfrytëzimin sa me efikas të natyrës, një organizim funksional të rendit ekonomiko-social, duke çuar në këtë mënyrë në përftimin e komoditetit dhe bollëkut të kërkuar (Ekrem Myrtezai, Fjalor i Filozofisë, Tiranë: 2007, f. 64). Kurse kultura, si shkallë e caktuar e zhvillimit historik të shoqërisë parakupton një fushë veprimi që ofron mundësi, por njëkohësisht vendos edhe kushtet për kryerjen e veprimeve. Si një fushë veprimi kultura jo vetëm përmbledh orienton e kontrollon veprimet, por gjithashtu ajo transformohet në vijimësi nga ato (Boesh, Ernst, Symbolic Action Theory and Cultural Psychology. Berlin-Heidelberg-New York:1991. f. 31). Përmes ballafaqimit të këtyre koncepteve, vërejmë se ngjashmëria në përmbajtje rezulton më se evidente.
Transplantimi i përkufizimeve të mësipërme në hapësirën shqiptare të shekullit XVIII dëshmon rezonancë të plotë me mjedisin e emancipuar të Voskopojës. Me atë çka krijoi dhe me atë çka arriti, Voskopoja e këtij shekulli përbën treguesin më autentik të konfirmimit të bashkëmarrëdhënies reciproke ndërmjet dy koncepteve të trajtuara më sipër. Përgjatë këtij punimi, në trajtë të argumentuar, do të përpiqemi që të evidentojmë të gjithë ata faktorë që kushtëzuan krijimin dhe përvijimin e një rendi të tillë ekonomiko-shoqëror, i cili i dha profilin e një qyteti europian Voskopojës së shekullit XVIII. Qytetërimi dhe kultura që ajo krijoi në këtë kohë e shndërruan atë në faktor ekonomik dhe politik jo vetëm në hapësirën shqiptare dhe ballkanike, por dhe më gjerë. Përmes një procesi hulumtues të kujdesshëm në dokumentacionin e kohës dhe në studimet e kryera enkas për Voskopojën e shekullit XVIII, informohemi se historia e saj rezulton e lidhur ngushtë me ekzistencën dhe funksionimin e një institucioni komunitar me ngjyrim të dukshëm karakteristik për këtë qytet, sikurse ishin korporatat. Në këtë kontekst, një studiues i njohur i qytetërimit dhe kulturës voskopojare, sjell në studimin e tij një përcaktim tepër domethënës të Victor Papacostea-s, se historia e Voskopojës është, në një masë të madhe, historia e korporatave të saj. Më tej, në të njëjtin studim, po i njëjti autor, afirmon përcaktimin tejet interesant të një çifti tjetër studiuesish të huaj se voskopojarët ishin grupuar në katërmbëdhjetë korporata, që përfaqësonin kategoritë e mëdha industriale, se ekziston në Turqi një qytet i pajisur me gjithë sa është pajisur një qytet europian (A. Plasari, vepër e cituar, f. 41).
Për të kuptuar më drejtpërdrejt peshën dhe rolin që ka luajtur ky institucion në zhvillimin dhe lulëzimin social-ekonomik dhe kulturor të Voskopojës së shekullit XVIII, do të ishte me interes trajtimi i shumanshëm i procesit të funksionimit të korporatave që ekzistonin dhe vepronin përgjatë kësaj hapësire kohore. Për këtë do të ndalemi kryesisht në trajtimin e atyre korporatave, të cilat rezultojnë më përfaqësuese dhe më vepruese në jetën ekonomike, sociale dhe kulturore të qytetit të Voskopojës.
Si formë e organizimit të kategorive të ndryshme ekonomike dhe prodhuese, institucioni i esnafit (siç njihej ndryshe korporata) është i pranishëm pothuajse në krejt Perandorinë Osmane. Mirëpo në Voskopojë ky institucion reflektoi edhe ndikime të dukshme nga sistemi i vëllazërive me frymëzim përgjithësisht venecian(Pëllumb Xhufi, Shekulli i Voskopojës, Tiranë: 2010, f. 153). Duke iu referuar burimeve të kohës, mendohet se në qytetin e Voskopojës kanë ekzistuar dhe funksionuar rreth katërmbëdhjetë esnafe. Midis tyre përmendim ata qe rezultojnë më me ndikim në jetën ekonomike e sociale të qytetit sikurse ishin esnafët e arpunuesve, argjendarëve, bakërxhinjve, rrobaqepësve, ndërtuesve, bojaxhinjve, bakejve, qeleshepunuesve, këpucarëve dhe të kondakçinjve. Theksojmë se për mënyrën e funksionimit të tyre do t’i referohemi gjerësisht rregullores së rufetit të bakejve të Voskopojës, e cila është ruajtur deri sot. Një referencë e tillë buron edhe nga fakti se në gjysmën e dytë të shekullit XVII, Voskopoja njohu një stad të ri të zhvillimit të saj. Më së shumti kjo ngritje i detyrohet zhvillimit të veprimtarisë zejtare e veçanërisht të asaj tregtare. Madje, në qendër të këtij zhvillimi ishte pa dyshim tregtia, e cila ishte shndërruar në degën kryesore të veprimtarisë ekonomike të banorëve të Voskopojës. Si rrjedhojë, ajo arriti statusin e një faktori influent në tregtinë që zhvillohej aso kohe në Rumeli, Adriatik dhe Europën Qendrore. Duke qenë se objekti kryesor i veprimtarisë së esnafit të bakejve ishte tregtia, natyrshëm që rregullorja e tij do të shërbente si model reference edhe për esnafët e tjerë që ekzistonin dhe vepronin në Voskopojën e shekullit XVIII.
Njohja jonë për këtë rregullore bazohet tek të dhënat përmbajtjesore që ofron studiuesi korçar Ilo Mitkë Qafëzezi në një studim të tijin të botuar në dy numra të revistës Leka, përkatësisht në nr. 12, dhjetor 1934 dhe nr. 1 janar 1935. Kjo rregullore është hartuar në 2 janar të vitit 1779, pas djegieve, plaçkitjeve dhe rrënimeve që pësoi Voskopoja në vitet 1768 dhe 1772. Fill pas këtyre viteve Voskopoja hyri sërish në një proces normaliteti, gjë që konfirmohet edhe nga gjallërimi ekonomik që sapo kishte nisur. Një realitet i tillë evidentohet edhe në parathënien e kësaj rregulloreje, në të cilën tekstualisht shkruhej: Tani që kishin pushuar rrëmujat e prishërisë dhe gjoja mbretëronte liria dhe qetësia e plotë po caktohen një tok kushte të cilët e doj puna ti mbante pik për pikë për hatër të drejtësisë (Ilo Mitkë Qafëzezi, Revista Leka, vjeti VI, num. XII, dhjetor 1934, f. 422).
Përpara se të ndalemi gjerësisht në trajtimin e përmbajtjes së kësaj rregulloreje, theksojmë se Qafëzezi korporatën voskopojare nuk e quan esnaf, sikurse njihej në krejt perandorinë, por rufet. Sipas tij, një emërtim i tillë rezulton më i përshtatshëm, pasi kemi të bëjmë me një korporatë më të vogël tregtarësh apo zanatçinjsh. Ndaj këtë rregullore do ta ndeshim me emërtimin rregullorja e rufetit të bakejve të Voskopojës. Jemi të mendimit se hartimi dhe përvijimi i kësaj rregulloreje nuk është bërë në një mjedis vakum, por është mbështetur në elemente të ndonjë projekti të mëparshëm. Këtë e konfirmon edhe një nga studiuesit më të njohur të esnafit shqiptar, kur pohon se ndryshe nga shexherexheja e tabakëve të Elbasanit, rregullorja e rufetit të bakenjve të Voskopojës, si më e re, është e çveshur pothuajse krejtësisht nga elementi fetar (Zija Shkodra, Esnafet shqiptare, Tiranë 1973, f. 199). Parë nga kjo optikë, theksojmë se kjo rregullore reflekton risi, gjë që kushtëzoi jo vetëm funksionalitetin, por edhe shndërrimin në një model përfaqësues dhe reference për kohën kur veproi. Në këtë kontekst, do të ishte me interes trajtimi i argumentuar i treguesve themelorë që rezultojnë në përmbajtje të saj. Një vëzhgim i hollësishëm i kësaj përmbajtjeje, na njeh me dispozita nga më të ndryshmet sikurse janë ato të harmonisë që duhet të ekzistojë mes anëtarëve të esnafit, të pozitës dhe funksionit të ustabashit, të transparencës që duhet shfaqur gjatë blerjes dhe shitjes së mallit, të marrjes me qira të dyqaneve deri tek respekti, solidariteti dhe ndihma reciproke që duhet të karakterizojë anëtarët e esnafit. Për më tepër kjo rregullore u kërkonte anëtarëve të esnafit respektimin korrekt të dispozitave që përmbante.
Do të ndalemi në ato dispozita që, në gjykimin tonë, rezultojnë parësore në funksionimin normal të kësaj rregulloreje. Në fillim sanksionohet parimi themelor mbi të cilin do të bazohej ekzistenca dhe funksionimi i kësaj rregulloreje. Ndaj për këtë shtrohej me forcë dashuria për njëri-tjetrin e anëtarëve të esnafit dhe për ata që nuk manifestonin një ndjenjë të tillë, si masë ndëshkimore parashikohej përjashtimi nga radhët e tij. Në lidhje me këtë fakt dispozita përkatëse e rregullores theksonte se themeli po ngrehimë dashurinë mbi njëri-jatrin … t’i shfarosim të gjithë kundërshtarët.
Më tej në dispozitë sanksionohej autoriteti i ustabashit. Në rastet kur reflektohej mungesë respekti ndaj këtij të fundit, sërish ndëshkimi konsistonte në nxjerrjen jashtë rufetit të manifestuesit. Në funksion të ruajtjes së këtij autoriteti rregullorja parashikonte: edhe në daltë ndonjë i pabindur ndë porosi të ustabashëve, vet e pastë gjynahun, do të nxirret jashtë rufetit (Revista “Leka”, f. 424).
Rregullorja krijonte një komision, i cili do të kishte të gjitha atributet për zgjidhjen e çështjeve që kishin të bënin me ndarjen e mallit mes anëtarëve të rufetit. Në përbërje të tij do të ishin: Kostë Bushi, Thimjo Xhumitiko, Thanas Mosko, Dina Naço, Nasto Rrabojani dhe Ndoni Gjika. Në lidhje me këtë atribut, rregullorja theksonte: Kur vjen pak mall dhe bënet shtrëngatë … për të mos t’u bërë dëm asnjëjt … këta bëjnë pazarin dhe kështu ndajnë vllazërisht mallin që ndodhet. Gjithashtu kjo rregullore përmbante edhe rregullat që mundësonin transparencën në procesin e realizimit të tregtisë së ndershme, si dhe për kundravajtësit parashikonte masa ndëshkimore. Në dy dispozita të kësaj rregulloreje shprehimisht thuhej: Dyqanet e shokëvet … të bënen pazar përpara rufetit … po të dalë i pabindur qeraxhiu tek i zoti dyqanit, apo ndë i bëftë ndonjë rrëmuj ka për të dalë me gjynahun e vet. Ndërsa dispozita tjetër nënvizonte se ay që jep eksiq mallin do t’ia paguaj vetë ay kadiut të Korçës pagesën (Revista “Leka”, f. 425).
Në rregulloren e rufetit të bakejve të Voskopojës ndalohej ortakëria me një bakall i cili për nga përkatësia fetare rezultonte mysliman. Një ndalesë e tillë nuk konceptohej thjesht si një paragjykim fetar, por shihej si masë parandaluese për krijimin e rrethanave të pabarazisë në kuadrin e esnafit. Kjo sepse kur një anëtar i tij bëhej ortak me ekuivalentin e tij mysliman, i krijonte vetes pozitë favorizuese në raport me anëtarë të tjerë të esnafit. Ndaj për këtë pabarazi që krijohej rregullorja parashikonte: Ndë u gjendë ndonjë i cili të bëjnë ortakëri me turk qoft për peshq të krypurë, qoftë për fasule, qoftë për tjatër gjë, do të jetë i nxjerrë jasht rufetit (Revista “Leka”, f. 426).
Kjo rregullore përmes sanksionimit të parimit të hierarkisë në drejtimin, organizimin dhe funksionimin e rufetit, si dhe të respektimit të detyruar të harmonisë, solidaritetit dhe bashkëpunimit, kontribuoi ndjeshëm në krijimin e premisave të përshtatshme për zhvillimin në vijimësi të veprimtarisë ekonomiko-tregtare të qytetit të Voskopojës. Do të reflektonim mangësi nëse në punimin tonë kontributin e esnafëve të Voskopojës do ta reduktonim vetëm në rrafshin ekonomik. Kjo sepse kontributi i tyre rezulton i dukshëm edhe në rrafshin social e kulturor. Në këtë kontekst, një studiues i afirmuar i qytetërimit dhe kulturës voskopojare, në një studim të tijin evidenton qartësisht edhe kontributin e korporatave në rrafshet e sipërpërmendura. Kështu ai na bën me dije se këto korporata vepronin si sponsori më i fuqishëm në qytet, në drejtim të investimeve në vepra me natyrë social-kulturore dhe në objektet e kultit. Ato ndihmonin në mbajtjen e shkollave, të institucioneve publike etj. Për më tepër ato kanë meritë në mbledhjen e fondeve për ndërtimin e shtypshkronjës dhe të akademisë. Po kështu, ishin këto korporata që themeluan jetimore, që garantonin funksionimin e spitalit, të asistencës sociale në qytet etj. (A.Plasari, vepër e cituar, f. 42-43). I rëndësishëm konsiston kontributi i tyre në dërgimin e bursistëve për shkollim jo vetëm në hapësirën ballkanike, por edhe në atë europiane. Një ndër këta bursistë që u shkollua me fondet e korporatave ishte dhe mendjendrituri Protopapë Theodor Kavallioti. Për këtë studiuesi nga Korça Ilo Mitkë Qafëzezi na informon se korporatat e Voskopojës nuk kanë kontribuar vetëm për zhvillimin e qytetit nga pikëpamja industriale dhe tregtare, por edhe në lulëzimin e diturisë. Sipas tij çdo rufet i Voskopojës ka patur si detyrë kryesore që vit pas vit të dërgonte si bursistë në shkollat e qytetit apo jashtë tij një nxënës. Një nga këta djem, që është shkolluar më bursë të Rufetit të Bakërxhinjve në qytetin e Janinës, ka qenë pikërisht Th.Kavallioti. Si mirënjohje për këtë shkollim, Kavallioti nuk ka ngurruar që të shprehë urimin e përzemërt kur thotë: i përjetshëm qoftë kujtimi i tyre. Duke vijuar në të njëjtën linjë theksojmë se esnafët e Voskopojës investuan edhe në ndërtimin e veprave me interes publik. Kështu një studiues serioz na informon se kemi prova të shumta për esnafët dhe anëtarët e veçantë të tyre, brenda Voskopojës dhe në emigracion, se merrnin përsipër ndërtimin e veprave publike për përmbushjen e interesave të komunitetit. Në këtë kuadër, ai na bën me dije se në vitet 1730 esnafi i bakejve të Voskopojës ndërtoi çezmën e madhe të qytetit të mbuluar me kube, që i kushtoi 20 mijë aspra (P.Xhufi, vepër e cituar, f. 159).
Kontributi i esnafëve të qytetit të Voskopojës kishte çuar në krijimin dhe përvijimin e një rendi ekonomiko-shoqëror i cili shquhej për standardet që ofronte. Ishte pikërisht ky rend ekonomiko-shoqëror që kushtëzoi krijimin e një realiteti kulturor krejtësisht të prekshëm si dhe çoi në gjallërimin e jetës intelektuale të qytetit. Kështu pas ndërtimit të objekteve të kultit, të veprave me karakter social dhe interes publik, u kalua në ndërtimin e atij korpusi gjigant që e veçoi Voskopojën si një individualitet jo vetëm në mjedisin shqiptar, por edhe në atë ballkanik. Ky korpus përbënte investimin më të rëndësishëm intelektual për kohën dhe që konfirmohej në ekzistencën dhe funksionimin e trinomit shtypshkronje-bibliotekë-akademi. Tregues tjetër autentik i investimit të kryer në rrafshin intelektual ishte dhe dalja në skenë e një vargu figurash dhe personalitetesh, të cilët ndikuan fuqishëm në jetën intelektuale të qytetit dhe më gjerë. Bazuar në këta tregues, mendimi ynë shkon në favor të përcaktimit se Voskopoja e shekullit XVIII kishte marrë profilin e një qyteti europian. Sikurse e kemi përmendur në rreshtat e mësipërm, këto arritje më së shumti i detyrohen nivelit të lartë që njohu rendi ekonomiko-shoqëror i Voskopojës së atëhershme. Në këtë kontekst, krejt natyrshëm lind pyetja: cilët ishin ata faktorë që me veprimin e tyre ndikuan në përftimin e një rendi ekonomiko-shoqëror të profilit europian?
Mbi bazën e vlerësimit të krejt studimeve të kryera për Voskopojën e asaj kohe, identifikojmë një kompleks faktorësh, por ne do të veçojmë pikërisht ato që me veprimin e tyre rezultojnë të rendit parësor. Si të tillë do të përmendnim:
Së pari: Administrimi i Voskopojës nga mjeshtrit zejtarë dhe tregtarët e pasur. Të gjashta lagjet e qytetit kishin kujdestarë të zgjedhur nga komuniteti, nga rrethi i të cilëve, në këshillim me sulltanin, caktohej kujdestari i krishterë i qytetit (naziri), që kishte nën komandë edhe një garnizon prej 300 ushtarësh. Ndërsa një nga qytetarët, që përfaqësonte pushtetin qendror kishte funksionin e mbledhjes së taksave dhe mbante lidhjet me sanxhakbeun e Manastirit. Një vetadministrim i tillë i qytetit rezultonte në interes të komunitetit, sepse mundësonte miradministrimin e të ardhurave në interes të zhvillimit. Krejt ndryshe ndodhte me qytetet e tjera, ku sundimi i ajanëve çonte në një shfrytëzim të dukshëm të popullsisë së tyre.
Së dyti: Përfshirja dhe orientimi i tregtarëve voskopojarë me tregtinë eksportuese dhe transite. Në këtë drejtim ata ushtronin një veprimtari tregtare të shkallës së parë, që reflektohej me zhvillimin e saj jo vetëm brenda kufijve të ngushtë të vendit, por më gjerë. Aty nga fundi i shekullit XVII dhe fillimi i shekullit XVIII, voskopojarët zhvillonin tregti me një varg qytetesh të Thesalisë. Por jo vetëm kaq, aktiviteti tregtar i tyre përmes Beogradit kalonte në Hungari dhe prej saj në Europën Qendrore. Këtu manifakturat në zhvillim e sipër kërkonin si lëndë të parë sasi të mëdha leshi. Profesor Buda na informon se në vitin 1774 voskopojarët çuan rreth 50 mijë okë lesh në Lajpcig. Efikasitetin e veprimtarisë tregtare në këtë kohë e fuqizoi shumë dhe krijimi gjithandej i një vargu agjencish tregtare dhe dyqane voskopojarësh, para së gjithash në Hungari. Këto koloni voskopojarësh u bënë bartësit më autentikë dhe njëherësh rrezatuesit e kulturës perëndimore në qytetin e tyre. Ndaj në Voskopojë janë të pranishme jo vetëm pasuritë materiale, por edhe idetë e reja (Aleks Buda, Studime historike, Prishtinë 2006, f. 411-412).
Së treti: Marrëdhënia e ngushtë tregtare me Republikën e Venedikut. Sikurse dihet pas betejës së Lepantos, Mbretëresha e Lagunave u detyrua që të braktiste pjesërisht bregdetin dalmat dhe ta fokusonte më në jug aktivitetin e saj tregtar. Një zhvendosje e tillë përkonte me brigjet shqiptare dhe ato epirote e përmes tyre, Republika e San Markos depërtonte në brendësi të hapësirës ballkanike. Një studiues na bën të ditur se metropoli më i rëndësishëm tregtar në Ballkan, që i siguronte Venedikut përmbushjen e interesave të veta, ishte Voskopoja. Në këtë kuadër, ofrohen të dhëna të shumta mbi zhvillimin e rrjetit tregtar të voskopojarëve me Republikën. Pavarësisht se Voskopoja gjeografikisht ndodhej 120 kilometra larg Durrësit dhe 95 kilometra larg Vlorës, zhvillimin e veprimtarisë tregtare përmes Adriatikut ajo e kishte jetësore. Pikërisht këtë fakt konfirmon edhe një studiues kur pohonte se Adriatiku qenkësh mushkëria ekonomike e Voskopojës. Aq jetike rezultonte lidhja tregtare e Voskopojës më Republikën, saqë rënia e Venedikut krijoi të gjitha premisat për rënien në vijimësi dhe të Voskopojës(A. Plasari, vepër e cituar, f. 20-21).
Së katërti: Homogjeniteti fetar i popullsisë që banonte Voskopojën e atëhershme kushtëzoi edhe njësimin e saj nga pikëpamja ideologjike-kulturore. Për më tepër ky homogjenitet ndikoi dukshëm edhe për arritjen e kohezionit të brendshëm social të qytetit. Pavarësisht se konfiguracioni etnik ofronte një përbërje të tillë ku, krahas shqiptarëve të krishterë, kishte edhe vlleh, në asnjë rast studiuesit nuk shquajnë mosmarrëveshje, e aq më pak përplasje mbi baza etnike. Madje kodiku i Shën Prodhromit pohon një studiues, nuk ofron edhe simptomën më të vogël për probleme eventuale ndëretnike ndërmjet dy elementeve përbërëse të komunitetit qytetar voskopojar (P.Xhufi, vepër e cituar, f. 147). Natyrisht që një kohezion i tillë pa kurrfarë tensioni do të krijonte një premisë tejet të përshtatshme për zhvillimin social-ekonomik dhe kulturor të Voskopojës.
Bashkëveprimi i harmonizuar i faktorëve të mësipërm kushtëzoi vendosjen në qytetin e Voskopojës të një rendi ekonomiko-shoqëror të standardeve të larta për kohën. Ishte pikërisht ky rend ai që e ngjiti Voskopojën në apogjeun e zhvillimit të saj. Sikurse e kemi përmendur përgjatë këtij punimi, veçanërisht në hapësirën kohore të viteve 1720-1770, Voskopoja shfaq imazhin e një qyteti europian, në formë dhe në përmbajtje. Për më tepër qytetërimi që ajo përvijoi në këtë kohë interferon me përmbajtjen e atij perëndimor. Në këtë kontekst, theksojmë se qytetërimi perëndimor afirmon prirjen progresive të afrimit mes njerëzve, të bashkëpunimit dhe të bashkëjetesës. Në të kundërt, ai primitiv afirmon prirjen për izolim dhe theksim deri në ekstrem të interesit vetjak. Përmes një vështrimi krahasues vërejmë se Voskopoja ngjason dukshëm me qytetërimin perëndimor.
Duke iu referuar arritjeve të saj si në planin ekonomik, social, kulturor, arsimor dhe intelektual, natyrshëm shtrohet pyetja: ç’përfaqëson në vetvete qytetërimi dhe kultura voskopojare e shekullit XVIII? Mendimi ynë për këtë përgjigje shkon në rezonancë të plotë me atë të profesor A. Budës, se kemi të bëjmë me një iluminizëm të hershëm dhe me fillimet e përgatitjes së Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Një ndër tiparet dalluese të lëvizjes iluministe europiane ishte shtrirja në kohë dhe në hapësira të ndryshme territoriale. Për më tepër shfaqja e kësaj lëvizjeje përcaktohej nga natyra e regjimit absolutist, nga vrazhdësia e tij, si dhe nga problematika e njëjtë social-politike. Pavarësisht se ndodhej në stadin fillestar të zhvillimit, mendojmë se iluminizmi i Voskopojës i reflekton treguesit e mësipërm. Sidoqoftë, në kontekstin e hapësirës shqiptare, Voskopoja me atë çka krijoi, përvijoi dhe rrezatoi, përfaqëson një individualitet. Këndvështrimi filozofik i konceptimit të individualiteteve, qartëson faktin se ato nuk shfaqen në të njëjtin vend dhe në të njëjtin stad zhvillimi.
Por ato rezultojnë të lidhur reciprokisht me njëri-tjetrin, pasi tentojnë që përmes unifikimit të mendimit teorik dhe veprimit praktik, të kontribuojnë së bashku për arritjen e progresit. Mjedisi shqiptar e konfirmon një dukuri të tillë, sepse është pikërisht bashkëpunimi i individualiteteve të krijuara historikisht, ato që çuan në përgatitjen e një prej lëvizjeve më emancipuese, atë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
Parashtrimi ynë evidenton qartësisht organizimin dhe zhvillimin funksional të rendit ekonomiko-shoqëror, që ishte vendosur në Voskopojën e shekullit XVIII. Në ecurinë normale të tij, roli i institucionit të korporatave ishte më se evident. Theksojmë se në të tilla kushte organizimi dhe në një nivel të tillë të zhvillimit ekonomik, lulëzimi kulturor i Voskopojës ishte më se i pritshëm. Ky nivel zhvillimi solli në një qendër të tillë, sikurse ishte Voskopoja e këtij shekulli, formimin e një sërë figurave, të cilët me kontributin e tyre do të ndikonin fuqishëm në jetën intelektuale të këtij qyteti.
Ndërkaq, në fillim të këtij punimi u përpoqëm që të evidentonim disa pikëpamje të studiuesve të ndryshëm në lidhje me përmbajtjen e konceptit të qytetërimit. Por, në funksion të paraqitjes së një koncepti më tërësor të tij, do të ishte me interes edhe pasqyrimi i përkufizimit që ofron në këtë drejtim një studiues tjetër i njohur i kësaj dukurie. Në këtë kontekst, studiuesi Kenneth Clark, në përpjekjen e tij për të ofruar një përkufizim më konkret për qytetërimin, citon Ruskin-in kur thotë se kombet e mëdha i shkruajnë autobiografitë e tyre në tri dorëshkrime, në librin e veprave të tyre, në librin e fjalëve të tyre dhe në librin e artit të tyre. Asnjërin prej këtyre librave nuk mund ta kuptojmë po të mos lexojmë dy të tjerët (Kenneth Clark, Qytetërimi, Shtëpia e Librit, Tiranë, f. 24). Duke çmuar vlerat e vërteta, si dhe duke mënjanuar euforinë, mendojmë se Voskopoja e shekullit XVIII e ka lënë gjurmën e saj në të tre këta libra. Ndaj respekti për trashëgimin e saj në thelb përbën një hap të sigurt jo vetëm për ruajtjen e qytetërimit, por edhe për pasurimin dhe konsolidimin e tij në vijimësi. Përmbushja e një misioni të tillë, nuk mundëson rendjen pas antivlerave dhe idhujve të rremë, por e orienton shoqërinë të shohë përpara, për të mos u kthyer më në terrin e barbarisë.