Dr. Erion Dasho/
Shqipëria tashmë është shndërruar në një diktaturë të Rilindjes. Akaparimi i të gjithë pushteteve, loja me të ashtuquajturën “drejtësi”, sistemi gëbelsian i propagandës dhe vendosja nën tutelë e çdo zëri kritik nuk mund të quhen përveç se me emrin që i karakterizon, DIKTATURË!
Sikur të mos mjaftojë pushteti i dukshëm, rilindja ka farkëtuar tre aleanca të nëndheshme, të cilat çimentojnë edhe më tej regjimin e saj diktatorial. Këto janë aleancat tashmë të konsoliduara me oligarkinë, me narkotrafikun e krimin e organizuar, dhe me pjesën e blerë të opozitës së telekomanduar.
Nga ana tjetër, si çdo diktaturë, rilindja ka krijuar tashmë masën kritike të ndjekësve duke ndjekur parimin e kulaçit dhe kërbaçit.
Votuesi trushplar jep ende votën për “ideal” të gjyshit e stërgjyshit partizan, komunist apo spiun. Votuesi pragmatik e jep votën në këmbim të vendit të punës, ai torollak në këmbim të thesit të miellit, kurse votuesi “kokëfortë” pas kërcënimit dhe dhunës.
Pamja bëhet e plotë, nëse makiavelizmit elektoral i shton mekanizmin djallëzor të shpopullimit selektiv, i cili ka vepruar në mënyrë përzgjedhëse duke dëbuar atë pjesë të popullatës që persekutohej, ose në rastin më të mirë, nuk favorizohej nga rilindja.
***
Rezultati është që sot kemi një Borat të shndërruar në Enver të dytë. Vullneti i tij është ligj, pushteti i tij politik, juridik dhe mediatik është absolut.
Të vetmet pushtete që Borati është i detyruar të ndajë janë pushteti ekonomik që ndahet me oligarkinë dhe pushteti okult i cili, siç tregojnë përgjimet e encrochat, ndahet me narkotrafikun dhe krimin e organizuar.
Opozita politike është vendosur në qoshen e ringut, me drejtuesin të burgosur, dhe me përfaqësuesit e tjerë politikë të dhunuar, shtypur dhe nëpërkëmbur.
Pyetjet që bën sot çdo shqiptar janë:
》Si do të përmbyset diktatura e rilindjes?
》Cili është plani i opozitës së vërtetë, Partisë Demokratike dhe Liderit të saj Berisha, për të sfiduar këtë regjim të përbindshëm?
》A ka shpresë për shqiptarët, apo janë ata të destinuar të jetojnë një diktaturë të dytë, të njëjtë me atë që përmbysën para 34 vjetësh?
***
Historia qindra vjeçare e përballjes së qytetarëve me diktaturat jep mësime me vlerë se si mund të përmbysen ato.
Së pari, koalicioni me qytetarin. Çdo shtresë e shoqërisë shqiptare duhet të mobilizohet, të përfshihet dhe të ndjehet e përfaqësuar në përballjen me diktaturën rilindëse.
Së dyti, organizim në struktura kapilare. Nuk mund të ketë rezistencë të organizuar, pa një komunikim të pandërprerë të opozitës me qytetarët deri në skajet më të largët të vendit. Tashmë, me garantimin e votës së diasporës, është detyrim edhe komunikimi me shqiptarët e mërgatës.
Së treti, rezistencë paqësore, por e vendosur. Rreth Tiranës sot jetojnë me shumë se dy të tretat e shqiptarëve të mbetur. Është e pafalshme që, të paktën një herë në javë, të mos ketë një protestë të disa mijëra shqiptarëve para kryeministrisë së Boratit. Mesazhi që japin mijëra njerëz në shesh çdo javë, është mesazh revolte, shprese dhe ndryshimi. Ai ndihmon të forcohet me ritëm të përshpejtuar si aleanca me qytetarin, ashtu edhe struktura e qëndresës.
Së katërti, lëvizja kundër diktaturës ka nevojë për një vizion dhe parime udhëheqëse të qarta që të frymëzojnë dhe bashkojnë shqiptarët.
Rilindja dhe Borati kanë përqafuar prej dekadash ideologjinë e liberalëve të majtë, e cila është sot po aq shkatërruese për shoqërinë sa edhe ideologjia komuniste para 100 vjetësh.
》E mishëruar në parimet “woke”, të minimit të vlerave të familjes, komunitetit, kombit dhe fesë…
》E frymëzuar nga agjenda të kërcënimeve futuriste si ngrohja globale, për të larguar vëmendjen nga katastrofat e së sotmes…
》E zbatuar nga një sistem që propagandon “barazi” ekonomike dhe “drejtësi” sociale, por që ofron polarizim të tejskajshëm dhe varfëri deri në uri për shtresat më të cënueshme…
…e majta liberale “woke” që përfaqëson sot rilindja po e çon Shqipërinë drejt greminës, sikundër bënë baballarët kriminelë me ideologjinë po aq shkatërrimtare të komunizmit proletar.
***
Shqiptarët nuk janë dhe nuk do të jenë kurrë “woke”!!!
Shqiptarët dinë të jenë tolerantë dhe mirëkuptues ndaj personave LGBTQI, por nuk mund të pranojnë agjendën e minimit dhe shkatërrimit të familjes.
Shqiptarët vuajtën 45 vjet ekonominë e planifikuar të Partisë së Punës që i varfëroi deri në palcë dhe i ktheu në afrikanë në mes të Europës. Ata nuk mund të dorëzojnë tregun e lirë për të përqendruar ekonominë në dy-tre duar oligarkësh. Shqiptarët nuk duan që ekonomia e tyre t’i bëhet dhuratë narkotrafikut ndërkombëtar për të larë paret e kokainës, heroinës dhe hashashit.
Shqiptarët dëgjuan 45 vjet propagandë të pështirë dhe të dhunshme të etërve gjakësorë. Ata nuk mund të dorëzojnë lirinë e fjalës të fituar me gjak, për t’ja bërë atë dhuratë patronazhistëve dhe aktivistëve të Boratit.
Shqiptarët u dënuan me burg edhe për një fjalë goje nga “drejtësia” puniste dhe u pushkatuan për një libër me poezi. Ata nuk mund të pranojnë që fantazma e Aranit Çelës t’u fanepset sot në trajtën e Altin Dumanit.
Këto shqiptarët duhet t’i dëgjojnë përditë, deri sa zemërimi i tyre kundër rilindjes të kthehet në uragan ndëshkues për shkatërruesit e familjes, komunitetit, shoqërisë, kombit, ekonomisë, drejtësisë dhe lirisë së shqiptarëve.
***
Dekada në pushtet e rilindjes dhe Boratit ka qenë e dhimbshme për shqiptarët. Çka është më e keqja, kjo dekadë prodhoi një përbindësh që nuk është aspak e lehtë të mundet.
Partia Demokratike ka sot një përgjegjësi historike.
》Nuk bëhet fjalë thjesht për një lider të burgosur!
》Nuk bëhet fjalë thjesht për të fituar një palë zgjedhje!
》Nuk bëhet fjalë thjesht për luftë për pushtet!
Bëhet fjalë për të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve!
Nëse kjo përgjegjësi kuptohet siç duhet nga demokratët dhe shqiptarët, fundi i rilindjes dhe i Boratit është i pashmangshëm, i shpejtë dhe i turpshëm.
Në këto vitet e fundit, asnjë diktator në botë nuk ka vdekur në shtrat dhe i qetë. Burgu, syrgjynosja dhe turpi kanë qënë ndëshkimet më lë lehta për ta.
Boratit dhe rilindjes historia u ka rezervuar të njëjtin fat…