Erion Muça/
Ditët e fundit në rrjete sociale qarkullon një peticion për ta kufizuar transmetimin e disa formateve të show-t në orare në të cilat nuk ndiqen nga fëmijët. Personalisht jam pro nismës pasi formate të papershtatshme do të duhet të transmetohen në orare të vona por profesionalisht kam disa pyetje dhe pikëpyetje lidhur më tepër me rolin e medias, përmbajtjes së formateve të saj dhe kontributin e tyre në moralin publik.
Nuk mendoj dhe besoj që është media ajo që ka sjellë këtë moment në shoqëri mbi moralin por ajo veçse i ka dhënë zë, figurë dhe identikit asaj që sot shoqëria prodhon duke shërbyer si pasqyrë e realitetit ku jetojmë.
Media përmes programacionit ka provuar të edukojë apo pasurojë audiencën me modele të qëndrueshme dhe serioze në përputhje me moralin me qëllim që audienca ti përqafojë por fatkeqësisht ajo i ka braktisur.
Media duhet të luftojë përballë banalitetit dhe degjenerimit duke dhënë një shembull për të rinjtë por a nuk duhet ta kishte bërë familja, shoqëria, edukimi apo politikat rinore, sociale dhe arsimore këtë proces duke i përgatitur të rinjtë të zgjedhin çfarë u nevojitet duke e shpëtuar kësisoj dhe median nga dilemat, roli në meritokraci dhe dëmi në imazh.
Media duhet të zbatojë ligjin mbi përputhshmërinë e përmbajtjes së formateve të saj por a janë bërë sondazhe/pyetësor dhe studime çfarë dëshiron audienca pasi në dijeninë time formatet të “cilësuara banale” kanë thyer rekorde shikueshmërie.
Media duhet të ketë shumë kujdes mos përziej sponsorizimet dhe PR-in me misionin publik për të informuar në menyrë të drejtë dhe të paanshme me vërtetësi dhe profesionalizëm por mos po i kërkohet të riparojë dështimet duke marrë atributet e familjes, shkollës, shoqërisë, politikave sociale, arsimore, rinore, politike etj.?!
Media duhet të pasurojë veten me formatet këshilluese apo të profilizohet në rubrika të caktuara duke u specializuar për ti zhvilluar informacionin, filtrat dhe inteligjencën të rinjve në aftësitë vendimarrëse dhe mos të mbetet vetëm riprodhuese e modeleve snob të të rinjve apo se çfarë hapash duhen ndjekur drejt “lekut të lehtë”, por ajo s’ka faj fare që studimet tregojnë se në Shqipëri rreth 50% e paraadoleshentëve dhe adoleshentëve janë analfabetë funksionalë .
Media në të vërtetë duhet ti përgjigjet me shumë epërsi rolit publik që ka përmes përmbajtjes dhe mesazhit të tyre por si do të mund të ketë ndryshe fitimet e mjaftueshme pa logjikën e biznesit, i cili duhet të përshtasë doemos shërbimin e vet me shijet e klientit/shikues që të ketë sukses.
Media vërtet ka 2 misione të informojë dhe të fitojë por nëse informimin e bën falas dhe e ka për detyrim të respektojë rigorozisht parimet etike të gazetarisë/medias profesionale tek fitimi do ti përgjigjet sa dhe si duhet dëshirave, kërkesave dhe shijeve të njerëzve për një shikueshmëri të lartë… për këtë gjë si ka asnjë detyrim askujt përveç ligjeve dhe rregullave të funksionimit të saj, pasi në shoqëri demokratike secili zgjedh të shikojë ose bëjë zapping sa herë të dojë..
Media vërtet duhet të operojë rigorozisht me rregulla e parime por nuk mund ta marrë parasysh se nuk e ka në funksionalitet të interpretojë sesi do të pritet nga audienca një format lidhur me impaktin etik, edukativ apo moral pasi fokusi i programacionit të saj është që formati të mirëpritet dhe ndiqet masivisht e për këtë numrat përmes instrumentave matës janë tregues suksesi.
Media duhet të jetë e ndërgjegjshme mbi impaktin që ka në audiencë por nuk është aspak përgjegjëse për nivelin e lartë të papunësisë së të rinjve, kriminalitetin, largimin masiv të tyre, mungesën e strategjive dhe politikave rezultative për punësim dhe karrierë, mungesën e politikave dhe strategjive arsimore e sociale apo planeve të ndërhyrjes adeguate, për të pajisur të rinjtë me modele serioze dhe profesionale apo zhvilluar atyre aftësitë e domosdoshme për të zgjedhur modelin e duhur në jetë e të jenë konkurues me të përballë çdo sfide.
Media duhet të prezantojë sa më shumë modele të qëndrueshme konform të gjitha parimeve dhe standarteve të shoqërisë për audiencën por kultura dhe edukata fillon nga familja dhe shoqëria, forcohet nga shkollimi, përforcohet nga puna dhe del në pah nga suksesi I arritur në karrierë e promovimi përmes saj, proces në të cilin media ose është plotësuese ose jo prezente.
Para se ti kërkojmë medias llogari pse transmeton formate “banale” do të duhet të ngrihemi, kontribuojmë dhe punojmë të gjithë nga pak mbi çfarë është bërë gabim dhe mungon në shoqërinë tonë që banaliteti jo vetëm ndiqet masivisht në media por dhe në plot raste është kthyer në stil jetese sidomos në mungesë të vlerësimit sipas meritës apo zhvlerësimit të rëndësisë së profesionalizmit, si i vetmi etalon referimi për sukses në karrierë.