
Nikollë Loka/
Përpjekjet diplomatike të shtetit shqiptar për mbrojtjen e shqiptarëve në ish-Jugosllavi gjatë viteve 1920-1939 u zhvilluan në një klimë të vështirë ndërkombëtare dhe përballë politikave të ashpra të Beogradit, që synonin ndryshimin e strukturës etnike përmes kolonizimit dhe shpërnguljes së detyruar. Sinjalet për gjendjen alarmante në Kosovë u përcollën herët nga Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, i cili i kërkoi ndërhyrje institucioneve shqiptare dhe sensibilizim ndërkombëtar. Qeveria shqiptare, veçanërisht gjatë drejtimit të Iljaz Vrionit, ndërmori hapa konkretë duke protestuar në Lidhjen e Kombeve dhe duke informuar, përmes përfaqësuesve të saj, mbi dhunën ndaj shqiptarëve. Këto përpjekje u shoqëruan edhe me thirrje të drejtpërdrejta drejtuar fuqive të mëdha për ndërhyrje humanitare dhe politike. Megjithatë, brenda elitës politike shqiptare ekzistonin dy qasje: njëra që mbështeste rezistencën e armatosur dhe tjetra që favorizonte zgjidhje diplomatike, në varësi të rrethanave ndërkombëtare.
Krerë të shquar si Hasan Prishtina, Bajram Curri dhe përfaqësues të tjerë të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” etj., kundërshtonin pranimin e përfshirjes së saj të pakthyeshme në Jugosllavi dhe, duke shpresuar në mbështetje ndërkombëtare, veçanërisht atë italiane, ruanin idenë e irredentizmit shqiptar.
Në këtë periudhë, qëndrimi i Ahmet Zogut ishte në kundërshtim me këtë linjë, pasi ai synonte normalizimin e marrëdhënieve me Beogradin për stabilitet shtetëror. Qeveria e tij ndiqte një politikë pragmatike, duke e konsideruar çështjen e Kosovës si faktor që nuk duhej të përkeqësonte marrëdhëniet me Jugosllavinë. Megjithatë, Zogu u përpoq të manovronte midis presionit jugosllav dhe interesave të brendshme shqiptare, duke ruajtur një ekuilibër të brishtë diplomatik. Pavarësisht nga moderacioni i Zogut, qeveria jugosllave përdorte retorikë dhe presion diplomatik, duke pretenduar se shqiptarët e Kosovës përfaqësoheshin në institucionet shqiptare. Kjo situatë krijoi një tension të vazhdueshëm politik dhe marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave mbetën të kushtëzuara nga çështja e Kosovës dhe qëndrimet e kundërta të palëve.
Ahmet Zogu i kishte siguruar qeverisë jugosllave se elementi kosovar në Shqipëri nuk do të lejohej të kishte ndikim politik, duke premtuar kontroll mbi grupet e ardhura nga Jugosllavia. Në fund të dhjetorit 1922, forcat shqiptare dhe jugosllave ndërmorën veprime të përbashkëta që çuan në pushtimin e Zonës Neutrale dhe shtypjen e kryengritjes në Junik. Pavarësisht qëndresës, lëvizja kryengritëse u godit rëndë dhe çetat u ndoqën nga të dyja palët, duke dobësuar rezistencën në terren. Në muajt shkurt–mars 1924, autoritetet jugosllave ndërmorën një fushatë të ashpër dhune në Kosovë, me qëllim shuarjen e lëvizjes kaçake. Qeveria shqiptare reagoi duke protestuar në arenën ndërkombëtare, përfshirë Lidhjen e Kombeve dhe shtetet evropiane, gjë që përkeqësoi marrëdhëniet me Beogradin. Në planin e brendshëm, qëndrimi i Zogut ndaj irredentizmit dhe kundërshtimi i tij nga opozita dhe nacionalistët krijuan një krizë politike që, përfundimisht, kontribuoi në largimin e tij nga pushteti.
Revolucioni i Qershorit nuk u mirëprit nga autoritetet serbe, pasi ai riktheu në skenën politike figura si Hasan Prishtina dhe Bajram Curri, të cilët përfaqësonin irredentizmin shqiptar. Nën presionin e Beogradit, Fan Noli nuk i dha rol qeveritar Hasan Prishtinës, por as nuk ndërpreu plotësisht kontaktet me të. Tirana zyrtare kërkoi njohjen e qeverisë së re nga Beogradi, por këto përpjekje u injoruan nga pala jugosllave. Në këtë periudhë, përplasjet e armatosura në Kosovë u denoncuan në mënyrë jozyrtare në arenën ndërkombëtare, përmes përfaqësuesve shqiptarë në Lidhjen e Kombeve. Ndërkohë, pavarësisht kundërshtive ndaj tij, Beogradi e shihte Ahmet Zogun si figurë më të përshtatshme për stabilitet, për shkak të qëndrimit të tij më të distancuar nga nacionalizmi kosovar.
Në vitet 1925–1927, Ahmet Zogu u orientua drejt aleancës me Italinë, duke larguar gradualisht ndikimin jugosllav dhe duke forcuar pozitat e tij përmes marrëveshjeve me Italinë fashiste. Traktatet e Tiranës e shndërruan Shqipërinë de facto në një protektorat italian, duke rritur tensionet me Jugosllavinë dhe duke ndryshuar ekuilibrat rajonalë. Kjo situatë e re nxiti një fazë të intensifikuar të diplomacisë shqiptare, e cila kërkoi mbështetje ndërkombëtare në Lidhjen e Kombeve kundër politikave shtypëse në trojet etnike shqiptare në Jugosllavi. Në mars 1929, qeveria shqiptare paraqiti një ankesë në Lidhjen e Kombeve kundër mizorive dhe keqtrajtimit të shqiptarëve nga qarqet dhe regjimi jugosllav. Veprimtaria diplomatike e krerëve shqiptarë në territorin e Kosovës shënon një etapë të re, pa dyshim, me peticionin e priftërinjve katolikë, të arratisur pas vrasjes së Shtjefën Gjeçovit në Zym të Hasit: Don Gjon Bisaku, Don Shtjefën Kurti dhe Don Luigj Gashi, misionarë të “Propaganda Fides”. Pasi memorandumi i tyre u paraqit në Lidhjen e Kombeve, pati një aktivizim të diplomacisë shqiptare dhe disa takime me diplomatë të Fuqive të Mëdha. Përfaqësues shqiptarë dhe figura të diasporës dërguan memorandume dhe zhvilluan takime me diplomatë ndërkombëtarë për të denoncuar asimilimin, shpërnguljet dhe mohimin e të drejtave kombëtare. Paralelisht, u krijuan organizata dhe rrjete studentore si “Besa”, që mobilizuan elitën e re shqiptare në mbrojtje të çështjes kombëtare dhe forcimin e lidhjeve politike. Në këtë kuadër, figura si Ferhat Draga bashkëpunuan me Tiranën për të kundërshtuar politikat e kolonizimit dhe për të kërkuar të drejta politike e kulturore për shqiptarët në Jugosllavi. Në tërësi, periudha 1920–1939 karakterizohet nga një diplomaci aktive shqiptare, e cila, pavarësisht kufizimeve, synoi të ndërkombëtarizojë çështjen shqiptare dhe të mbrojë popullsinë shqiptare në trojet e saj etnike.