


Hysen S.Dizdari/
Lidhja Shqiptare e themeluar me 10 Qershor 1878 në qytetin e Prizrenit dhe është një nga ngjarjet më të shënuara në historinë e Rilindjes Kombëtare Shqiptare të luftës së popullit shqiptar për mbrojtjen e tërësisë tokësore të vendit dhe për çlirim kombëtar.
Me formimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit populli shqiptar provoi jo vetëm se ekzistonte tanimë si një komb i formuar dhe i bashkuar, por tregoi edhe dëshirën dhe aftësitë e tij luftarake për të mbrojtur paprekshmërinë e trojeve të veta dhe pjekurin politike për të themeluar shtetin e vetë të pamvarur shqiptarë.
Pas Besëlidhjes së Lezhës, të mbajtur më 2 mars 1444 nga Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, 434 vjet më pas, përbën ngjarjen më madhore në historinë të luftërave për liri e pavarësi dhe për bashkim kombëtar të popullit shqiptarë.
Periudha e veprimtarisë së Lidhjes Prizerenit si organizatë politike e ushtarake gjatë viteve 1878-1881 dhe roli që ajo luajti në ngritjen e vetëdijes kombëtare, me të drejtë mund të quhet Epoka e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në mënyrë të veçantë del në pah lufta heroike e armatosur e popullit shqiptar kundër qarqeve shoviniste sllave, të Serbisë e të Malit të Zi për mbrojtjen e viseve shqiptare të Kosoves veri-lindore , të Plavës, të Gucisë, të Hotit, të Grudës, të Kelmendit dhe të qytetit bregdetar të Ulqinit, ku Fuqitë e Mëdha synonin ta shpërblenin Serbinë e Malin e Zi me toka etnike shqiptare.
LIDHJA E PRIZERENIT DHE TRAKTATI I SHËN STEFANIT
Traktati i Paqes ndërmjet Perandorisë Ruse dhe Perandorisë Osmane, i quajtur Traktati i Shën Stefanit, u nënshkrua në Shën Stefan më 3 mars 1878. Sipas këtij Traktati gati gjysma e trojeve shqiptare u jepej shteteve sllave ballkanike. Trojet shqiptare do të copëtoheshin ndërmjet katër shteteve të huaja: Greqisë, Bullgarisë, Serbisë dhe Malit Zi. Bullgaria do të merrte, përveç të tjerash, edhe krahinat shqiptare të Korçës, të Bilishtit, të Pogradecit, të Strugës, të Dibrës, të Kërçovës, të Gostivarit, të Tetovës, të Shkupit, të Kaçanikut etj. Ky traktat e gjymtonte rëndë tërësinë tokësore të Shqipërisë dhe e vështirësonte jashtëzakonisht shumë luftën e popullit tonë për krijimin e shtetit shqiptar. Ndërkaq, në prill 1878, opinioni publik shqiptar u informua nga shtypi ndërkombëtar për kundërshtimin që kishte hasur Traktati i Shën Stefanit nga fuqitë Europiane dhe nga populli shqiptar.
Për hir të së vërtetës, kundërshtim serioz pati vetëm nga dy shtete: nga Anglia dhe nga Austro-Hungaria, të shqetësuara së tepërmi nga rritja e shpejtë e ndikimit të Rusisë në Gadishullin Ballkanik nëpërmjet krijimit të Bullgarisë së Madhe. Për këtë arsye, me këmbënguljen e Fuqive të Mëdha Europiane u vendos që kushtet e përcaktuara në Traktatin e Shën Stefanit të rishikoheshin nga një kongres i posaçëm i Fuqive të Mëdha, i cili, sipas vendimit që u mor më vonë, do të mblidhej në Berlin më 13 qershor 1878.
LIDHJA E PRIZRENIT DHE KONGRESI I BERLINIT
(13 Qershor – 13 Korrik 1878 )
Më 13 qershor të vitit 1878, tri ditë pas themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, u mbajt në Berlin të Gjermanisë Kongresi i Berlinit, i cili mori emrin e vendit ku u mbajt. Kongresin e Berlinit e udhëhoqi kancelari gjerman, Oto Fon Bismarku dhe në të morën pjesë gjashtë Fuqitë e Mëdha të kohës: Anglia, Gjermania, Franca, Austro-Hungaria, Italia dhe Rusia.
Në Kongresin e Berlinit mori pjesë edhe një delegacion qeveritar i Perandorisë Osmane, por ky delegacion nuk kishte të drejta të barabarta vendimmarrje me përfaqësuesit e gjashtë Fuqive të Mëdha.
Në këtë kongres ishin ftuar edhe delegacione të vendeve ballkanike, por vetëm për të parashtruar kërkesat e tyre politike dhe territoriale. Delegacioni shqiptar i ngarkuar nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit drejtohej nga patrioti, Avdyl Frashëri.
Ky kongres i nëpërkëmbi dhe nuk i mori parasysh të drejtat e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar, paçka se patrioti Abdyl Frashëri u përpoq ta bindte udhëheqësin e Kongresit, Bismarkun, në një takim që pati me të, duke i parashtruar kërkesën që të përfshinte në rendin e ditës edhe çështjen e kombit shqiptar. Por kancelari gjerman nuk e pranoi kërkesën e delegacionit shqiptar . Bismarku duke shkelur hapur të drejtat kombëtare të kombit shqiptarë në këtë kongres u shpreh në mënyrë brutale ku theksoi:
“Nuk ekziston Kombi Shqiptar në Gadishullin Ballkanik!”.
Vendimet kryesore të Kongresit kishin qenë të parapërgatitura përmes bisedimeve të fshehta qysh më herët para se të fillonte punimet Kongresi i Berlinit, paçka se zyrtarisht ky kongres u thirr për të rishikuar Traktatin e Shën Stefanit i cili u nënshkrue me 3 mars 1878, ku Perandoria Ruse i kishte shkëputur Perandorisë Osmane, 80 % të rajonit të Ballkanit për përfitimet e saj dhe të aleatëve ballkanikë.
Në Traktatin i Shën-Stefanit trojet shqiptare do të copëtoheshin ndërmjet katër shteteve të huaja. Perandoria Ruse e gjymtonte kështu rëndë tërësinë tokësore të Shqipërisë dhe e vështirësonte në kulm luftën e popullit shqiptar për krijimin e shtetit kombëtar.
Kongresi i Berlinit mori vendime të padrejta ndaj popullit shqiptar, duke i copëtuar trojet shqiptare në mënyre të padrejtë, duke i përdorur ato si plaçkë tregu për të realizuar interesat e tyre në Gadishullin Ballkanik.
Ky Kongres nuk mori parasysh kërkesat e drejta të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të përfaqësuar nga patrioti Avdyl Frashëri, për realizimin e autonomisë dhe më vonë për shpalljen e pavarësisë nga Perandoria Osmane. Këto vendime të padrejta cenonin rëndë të drejtat dhe interesat kombëtare të popullit shqiptar dhe integritet e tij tokësor. Prandaj Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte e vendosur të mbronte trojet etnike shqiptare dhe të mos i respektonte vendimet e marra në Kongresin e Berlinit.
Ja çfarë shkruan intelektuali dhe patrioti Kostë Çekrezi në veprën e tij “Histori e Shqipërisë” botuar në Boston, 1921, në faqen 190, ai thekson:
“Vetëm kur dëgjuan se Kongresi i Berlinit kishte vendosur të zgjeronte kufijtë e sllavëve e të grekëve me toka shqiptare…. shqiptaret u zgjuan nga gjumi i thellë në të cilin po flinin dhe i ranë mendjes të mbronin të drejtat e tyre”.
LIDHJA E PRIZRENIT DHE VENDIMET HISTORIKE TË SAJ
Lidhja shqiptare e Prizerenit u themelue me 10 Qershor 1878 në qytetin e Prizerenit , i cili ishte deri një vit para qendra e Vilajetit të Kosoves.
Në Prizren u mblodhën 110 delegatë nga të gjitha krahinat e vendit. Ndër figurat më të shquara që merrnin pjesë ishin Abdyl Frashëri, Ali bej Gucia, Iljaz pashë Dibra, Hasan pashë Tetova, Abdulla pashë Dreni, Ymer Prizreni, Ahmet Koronica, Shaban bej Prizreni, Jashar bej Shkupi etj. Në Kuvendin e Përgjithshëm në Prizren kishin ardhur gjithashtu si delegatë nga viset e Bosnjës dhe Hercegovinës.
Mbledhjen e hapi patrioti dhe atdhetari Avdyl Frashëri, i cili midis të tjerave, tha:
“Qëllimi i Kuvendit është t’ua presim hovin armiqve të pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që të mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë.”
Disa nga vendimet më të rëndësishme të Lidhje së Prizrenit janë:
1. Të gjitha krahinat shqiptare të bashkohen në një vilajet, me një seli në një qytet, i cili do të jetë i afërt dhe i përshtatshëm për të gjitha viset e tij.
2. Të gjithë nëpunësit që shërbejnë në krahinat shqiptare të Arnautllëkut duhet të dinë edhe gjuhën shqipe.
3. Të përhapet arsimi dhe nëpër shkolla të mësohet gjuha shqipe.
4. Të zbatohen të gjitha vendimet që hyjnë në fuqi lidhur me përmirësimin dhe me interesin e shtetit dhe të kombit të cilat merren nga Kuvendi i Këshillit Qendror, i cili do të mbahet në qendrën e vilajetit, duke e vazhduar punën e vet katërmujore në vit.
5. Të caktohet një sasi e mjaftueshme nga të ardhurat e përgjithshme të vilajetit, e cila të përdoret për zhvillimin e arsimit dhe ndërtimin publik.
———————————————————————————————–
Me rastin e 147-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, përshendeti vëllezërve shqiptarë kudo nëpër botë poezinë e poetit shkodran të Rilindjes Kombëtare Shqiptare,Filip Shiroka.
———————————————————————————————–
KOMBIT TONË
Vimë nga pellazgët, njerëz të lavduem
Ç’në kohët e vjetra të njerzisë
Jemi t’permendur e të nderuem
Ç’në kohë të moçme të histories
Komb kreshnik jemi, jemi ushtarë
Kemi luftue trimnisht gjithmonë
Nga shqypja kemi emrin Shqyptar
Me shqype kemi flamurin tonë.
Çoni prej gjumit, birt e Kastriotit,
Se robnia është turp për trimin
Çoniu bre burra, për emën t’Zotit,
Nër male e n’fusha qitni kushtrimin!
Çoniu sokola, çouni nji herë,
Ҫohu, njeshi armët burri i Shqypnisë,
Përpara botës s’ka robi nderë
Turp asht për trimin zgjedha e robnisë!
FILIP SHIROKA