Prof. Milazim Krasniqi/
Në fakt, politika e Serbisë në drejtim të Kosovës pas vitit 1999, kur u vendos këtu KFOR-i, ka trasuar me tri rrugë alternative: e para, destabilizimi i vazhdueshëm në pjesën veriore të Kosovës. Destabilizimi është shkaktuar me anën e nxitjeve dhe ndërhyrjeve të fshehta të shtetit serb e të realizuara nga popullsia vendase. Që nga formimi i grupit paramilitar “Rojat e Urës, dhuna e marsit 2004, djegia e doganave në vitin 2008, nisja e “trenit rus” drejt Mitrovicës, ngritja e murit në qytetin e Mitrovicës, shndërrimi i Urës së Ibrit në lulishte, ngritja e herë pas hershme e barrikadave nëpër rrugë, marrja peng e policëve të Kosovës, largimi nga institucionet e deri te sulmi terrorist në Banjskë më 24 shtator 2023, ka pasur një strategji të përpunuar. Pjesëmarja në këto provokime e popullsisë vendase, ka pamundësuar stabilizimin e plotë të Kosovës dhe ka penguar pranimin i saj në organizata ndërkombëtare.
Në fazën e tashme ka një tërheqje të qëllimshme nga aksionet, për ta luajtur qytetarët serbë të veriut rolin e viktimës, në raport me veprimet policore të qeverisë së Kosovës në veri. Synimi është që të nxitet sa më shumë presioni ndërkombëtar mbi qeverinë e Kosovës, për ta formuar bashkësinë e Komunave me Shumicë Serbe. Pra është një kalkulim politik e jo ndonjë tërheqje e Serbisë dhe e serbëve lokalë nga synimet destabilizuese në drejtim të Kosovës. Qeveria e re e Serbisë e udhëhequr nga Millosh Vuçeviqi në fakt është edhe më shumë luftënxitëse se sa qeveria e ish kryemnistres Ana Bërnabiqit. Bile edhe lidhjet e saj me Moskën janë edhe më të dukshme se sa më parë. Prandaj duhet të mbahet në vëmendje rreziku i eskalimit në momentin që Serbia konsideron se është më i favorshëm për synimet e saj. Meqë aktualisht pretendimet e Serbisë janë koncentruar në Bosnje, veçmas pas miratimit të rezolutës së AP të OKB-së për gjenocidin në Srebrenicë, mund të llogaritet se planet destabilizuese në drejtim të Kosovës janë lënë për më vonë. Meqë më 11 korrik 2024 pritet që për herë të parë të shënohet dita e përkujtimit të gjenocidit në Srebrenicë, Serbia dhe “bota serbe” janë në ankth dhe në defansivë diplomatike. Mbajtja e Kuvendit gjithserb në Beograd më 8 qershor 2024 më shumë është shenjë e atij ankthi dhe e asaj defansive se sa një projekt ofensiv. Sidoqoftë, veriu i Kosovës mbetet fushëveprimi i Serbisë për destabilizimin e Kosovës 24/7. Ndaj atij pretendimi nuk ka një përgjigje adekuate vetëm me mjete policore. Pa një projekt politik atraktiv e të pranueshëm për serbët në komunat e veriut, nuk mund të largohet influenca dhe diktati i Serbisë në atë rajon.
Ruga e dytë ka qenë dhe ka mbetur integrimi i serbëve që jetojnë në brendësi të Kosovës, për të mos u shpërngulur. Atyre u janë dhënë udhëzime të marrin pushtetin lokal e ta shfrytëzojnë në maksimum, pra të integrohen në një shkallë të caktuar brenda shteti e shoqërisë së Kosovës. Rruga e tretë ka qenë dhe është edhe më tutje roli panserb i Kishës Ortodokse Serbe, si faktor i unifikimit të të gjithë serbëve, meqë Serbia si shtet nuk ka mundësi të ndërhyrjes direkte, për shkak të Marrëveshjes Ushtarake-Teknike përkatësisht mandatit të KFOR-it. Pra këto janë rrugët që ndjek aktualisht politika serbe për ta mbajtur Kosovën në jostalilitet permanent, për ta izoluar nga bota, si një vatër krize dhe për të pritur një kohë të përshtatshme për agresion ushtarak.