Nga Rafael Floqi/Çfarë doli nga a gjithë ai organizim i samitit të diasporës? A duhet vlerësuar ai se e arriti qëllimin për të cilin u organizua? Në fund të fundit, ai arriti të tubojë 1000 vetë nga 40 vende. dhe konkluzionet do të duhet të bëhen nga koha, Vërtet, pa qenë nihilist, vetë fakti që për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar u mbajt një samit i posaçëm për diasporën, është për t’u vlerësuar. Por a ishte kjo përpjekje e qëlluar apo e dështuar kjo është gjë tjetër.
A ishte Kryeministri Rama ai që kërkoi që ta ngrinte realisht emrin e emigrantëve në diasporë, apo ai kërkoi t’i përdorë ata politikisht, siç janë shprehur kritikët ndaj tij, kjo mbetet për t’u parë. Apo vallë qëndrojnë që të dyja? Por sidoqoftë, pavarësisht qëllimit, idesë dhe se kush e organizoi dhe qysh e organizoi, është e rëndësishme të themi se nisma për mbajtjen e këtij samiti duhet të përshëndetet. Samiti me gjithë mangësitë, ishte një përpjekje serioze e një dëshirë pozitive, por njëkohësisht, ashtu siç edhe dyshoi edhe një pjesë e opinionit, dhe një krehje e sedrës së Ramës, për të qenë një farë lideri mbarëkombëtar.
Kur ndoqa në televizion bashkëbisedimin e tipit Town-Hall të Ramës me diasporën, mendova se Rama duhet të kishte parasysh, madje, se ata që kishte përballë, se nuk ishin njësoj si të pranishmit në takimet e tij në bazë me fshatarët, gju më gju në fushë, ku karriget janë të njëjtat të sjella në çdo vend të njëjtat të sjella aty si butafori televizive, kur kryeministri batutaxhi, u jep ndonjë certifikatë pronësie dhe ata kafshojnë buzën, që të mos japin një hazër xhevap, pasi ç’të bësh ai është i pari vendit. Hëm…
Megjithatë nga ai bashkëbisedim u kuptuan “kumbullat” e tharta e “të vërteta” se për samitin kryeministrin e kishte kujtuar Linda, e shoqja, dhe se kishte frikë se mos “delegatët” nuk do të vinin, por se ishte qetësuar më vonë, nga që në Pallatin e Brigadave nuk kishte se ku të hidhje “mollën”, siç i thonë, por Rama vetë e kur kuptoi seç broçkulla po thoshte, e bëri mollën “kumbull” për të qenë më interesant. Madje edhe ata që kishin ardhur me mall por dhe me shqetësime nga diaspora, u thartuan, se nuk kishin si mos e vinin re përdredhjen e “mjeshtrit të batutave” pasi kumbulla në shqip nuk ka ndonjë farë konotacioni dhe aq pozitiv. Por është për t’u vlerësuar se kësaj here kryeministri u tregua i sinqertë dhe se kishte për gjë të pranonte se kishte ardhur në mësim “i papërgatitur”, dhe i gjithi ky samit ishte një “proces rekonjicioni” do të shtoja unë me një fjalor zbori apo ndryshe, si një farë shkuesie që “sot kishte të pamen ”.
Në fakt kryeministri që ka qenë dhe një farë kohe emigrant, gjë që ai s’ka qejf ta kujtojë, kur ka qenë në opozitë apo në krye të bashkisë, dhe kur ka ardhur për të takuar të vëllain Olsin në Michigan asnjëherë nuk është takuar me komunitetin, por vetëm me miqtë e Olsit. Mjafton të kujtojmë Thoma Gëllçin me gjithë ngërçin e komisionit të medias, vendin ia mbajti hapur për disa vite, gjersa e bëri drejtor të TVSH-së, pa ndonjë kontribut në komunitet, apo znj. Olta Xhaçka që e zgjodhi deputete të PS-së, thonë ca zëra, vetëm për kontributin se ishte komshie me Olsin.
Kuptohet kështu pse nga ai farë bashkëbisedimi në “komedinë të stand up – Rama”, pyetjes së një shqiptareje nga Belgjika, për lehtësira të tilla, aq ta vogla, si mos taksimi doganor i pakove që dërgohen nga diaspora për Vit të Ri, apo Krishtlindje, iu përgjigj me një përgjigje pa lidhje për taksimin e blerjeve on- line, që i la të pezmatuar dhe të menduar disi të pranishmit, me një pyetje të ligjshme. Kur kryeministri nuk është në gjendje të bëjë një lëshim kaq të vogël, qoftë si një premtim për diasporën në përgjithësi, çfarë mund të presin investitorët apo biznesmenët?
Një koleg nga Tirana, Roland Qafoku, natyrisht pa faj, për mos njohje të thellë të diasporës, në një koment të tij tek “Panorama” e sheh diasporën me konceptin si një organizim që duhet të vetë-ofrohet, se po nuk ofrua nuk është më diasporë, se po nuk u vetësakrifikua nuk është diasporë, por emigracion, apo mërgatë apo “turist për vënie dhëmbësh”, duke paragjykuar kështu sidomos mërgatën e sotme, apo emigracionin shqiptar.
Jo, diaspora nuk është vetëm “lopë që ka dëshirë të milet”, por një grupim njerëzish herë me formë e herë pa formë, herë i organizuar e herë jo, herë i interesuar dhe herë jo, por me dashuri të madhe për atdheun për arsye që dihen, vital por që ka nevojë për stimuj edhe për lehtësira për të dhënë më shumë, që ka nevojë për ndihmë në organizim të qendrave kulturore apo shkollave, për të mos u shuar.
Diaspora nuk kërkon ndihmë financiare nga qeveritë shqiptare, por kërkon vlerësim dhe mirënjohje. Kur kjo mirënjohje mungon, kur bashkëpunimi me diasporën shihet politikisht, atëherë ndodh që dhe Federata Pan-shqiptare Vatra të ndihet e fyer, e ta shohë këtë aktivitet si partiak apo paradë e kryeministrit, po ashtu edhe drejtuesit e shkollës shqipe Albalife, apo diaspora e Evropës në Belgjikë. Këto shoqata nuk duhej të vetë-përjashtoheshin, sepse ishin të vrarë në sedër, nga koha vetëm pesë minutash në dispozicion, pasi me të drejtë dukej pozicioni i pavlerësuar, se nuk u njihej dhe roli dhe kontributi i kësaj Federate mbi 100-vjecare.
Fakti se qeveria Rama nuk e njeh diasporën, nuk i di madje dhe numrat e saj, nuk e justifikon atë. Nuk mund t’i lihet gjithnjë faji së kaluarës 25- vjeçare dhe qeverive të mëparshme që në fakt nuk kanë bërë asnjë hap të organizuar por gjithnjë e kanë nderuar diasporën. Nuk mund të shihet diaspora gjithnjë me syza partiake. Kjo vlen sa për qeveritë aq dhe për vetë shoqatat e diasporës. Fakti që Presidenti apo opozita nuk ishin të pranishëm në samit e largoi një pjesë të diasporës, sidomos, atë historike, të edukuar me frymën antikomuniste të pasluftës. Por duhet që aq më tepër sot edhe diaspora sidomos ajo më e konsoliduara e Amerikës, nuk duhet të bjerë pre e luftës politike në vendlindje, por edhe as të kërkojë fonde nga Shqipëria për aktivitetet e saj.
Në fakt duke u ndalur në dikotominë emigracion-diasporë, nuk ka dallim në thelb diaspora që është një tërësi e përbërë nga emigrantët. Në fakt fjala diaspora është fjalë që vjen nga greqishtja, shpërhapje nga diaspeirein, shpërndarje në të gjitha drejtimet, prej dia- + speirein “shpërndaj farën”, e që është një grup njerëzish që jetojnë larg vendit të tyre dhe, sipas Fjalorit të Gjuhës shqipe, është e njëjtë me mërgatën, me njerëzit e mërguar në dhe të huaj, mërgimtarët. Por shkaqet e këtij mërgimi mund të jenë të njëjta si vetlargimi ekonomik apo largimi me forcë, dëbimi nënkupto, i ngjashëm me diasporën izraelite. Nga ana tjetër, ndërmarrja e nismës për këtë samit, nuk mund të fshehë mangësitë edhe të kësaj qeverie. Rilindja pat premtuar vetë në opozitë hapjen e një ministrie Diaspore, që dështoi dhe nuk e bëri, kjo për arsye financiare, ndoshta dhe rrudhi konsullatat edhe në qendra të tilla si New Yorku. Nuk e ditka Rama, (apo duhet t’ia kujtojë edhe këtë Linda) që konsujt dhe konsujt e nderit nuk mund të jenë persona të njëjtë. Edhe një pyetje seç që m’u kujtua tani, ku ishin konsujt e nderit në samitin e diasporës?
Qeveritë shqiptare në Shqipëri e Kosovë duhet të kuptojnë një gjë, që pavarësisht nga vend-origjina, pavarësisht nga koha e emigrimit diaspora me gjithë grupimet hatërmbetjet është një. Është në gjë e mirë pozitive hapat që janë hedhur, meqë e lejon edhe legjislacioni ndërkombëtar, që Shqipëria dhe Kosova mund të kenë ambasada dhe konsullata të përbashkëta, por kjo duhet çuar dhe më tej. Qeveritë e Republikës së Shqipërisë dhe të Kosovës nuk i pengon asgjë, që në kuadër të kësaj pune atdhetare, të krijojnë një ministri të përbashkët të Diasporës. për të organizuar më mirë punët, për të integruar më mirë një të tretën e popullsisë të larguar pas viteve 90-të, dhe për këtë qeveria e Tiranës le të mësojnë nga pala kosovare që e ka mërgatën më të konsoliduar në vite, pasi diaspora pavarësisht, se nga cili vend vjen, nga: Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Lugina, Çamëria është një, dhe s’ka nevojë për integrim në BE, se është e integruar.
Nga ana tjetër nuk mjafton vetëm një aplikacion si ai “Popullsi”, dhe qëllimi i mirë për të regjistruar të gjithë mërgimtarët mbi baza vetdeklarimi, pa u sqaruar më parë, pyetjet që ziejnë në Diasporë: A ka rrezik për një taksim të dyfishtë të personave të regjistruar? Nga ana tjetër, në vend të kërcënimit të ministrit Tahiri, se ata që regjistrohen nuk do marrin shërbime konsullore, duhet më shpirt praktik edhe ndonjë incentiv i vogël, si ai së paku, që pakot e dërguara prej personave të regjistruar nuk do të taksohen në Shqipëri, apo personat e regjistruar, nuk do të taksohen në aeroporte, që do ta bënte më tërheqëse për diasporën të regjistrohet, italianët s’thonë më kot se kapen më shumë miza me mjaltë. Kosova në dy vjet ka pasur një përvojë të bukur, për regjistrimin familjeve që hyjnë gjatë verës në vend, qysh kur hyjnë në dogana kur vijnë për pushime që ka rezultuar e suksesshme, me 400 mijë të regjistruar në dy vjet, përvojë kjo, që lypset të merret dhe të zgjerohet. Natyrisht mund të merret informacion edhe nga ambasadat e huaja në Shqipëri ,por se kanë vrarë mendjen.
Si është menduar drejt për këto aplikacione si E-konsullata pse të mos bëhet një gjë e tillë edhe për mësimin e gjuhës shqipe, librat janë njëra anë, shkolla po ashtu, por një investim një aplikacion apo investimi dhe lidhja me kompani si Duolingo që kanë programe mësimi në gjuhët e mëdha që të shtonin krahas një investimi shtetëror apo të diasporës me specialistë dhe fonde dhe gjuhën shqipe do të ishte një rrugë më pak shpenzime. Po ashtu librat e botuar për shkollat e diasporës do të kursenin shumë më tepër jo vetëm me transportin por dhe në kosto. nëse do të ishin shndërruar në e-books. Nëse mund të ndihmoj drejt për drejt unë mund ta bëj këtë, por duhet copyright, dhe grekët pasta na marrin të keqen.
Është fakt pozitiv, deklarata e presidentit të Kosovës, Thaçi për t’i lënë vende të lira diasporës, në parlament. Por megjithatë dukurisë së rrjedhjes së trurit i dihet shkaku dhe kahu, rikthimi i tij nuk mund të bëhet me apele. Në fillim viteve ’20-të, diaspora kishte deri deputetët e saj në Parlamentin shqiptar, autoriteti i diasporës në raport me shtetin shqiptar ka ardhur në rënie. “A ka sot krahasim ajo që ka bërë për Shqipërinë shoqata “Vatra” për dekada me radhë me korifenjtë e saj, Fan Noli, Faik Konica, Kristo Dako, Mihal Grameno, Parashqevi Qiriazi, Kristo Kirka, Kostaq Kotta e të tjerë dhe që i dhanë Shqipërisë pjesën më të mirë të bijve të vet dhe që e deshën Shqipërinë atëherë kur nuk kishte fare Shqipëri, duke sjellë pavarësinë, formimin dhe ndërtimin e shtetit shqiptar? A mund të krahasohet diaspora aktuale me atë që kanë bërë shqiptarët e Amerikës e të tjerë për pavarësinë e Kosovës, pyeste miku im, Roland Qafoku tek Panorama. Ai ka deri diku të drejtë, por bën dhe një gabim të vockël, se sot nuk jemi në atë realitet imperativ, dhe se luftën e Kosovës, është po kjo diasporë e njëjta diasporë që e ka mbështetur, me para, me armë, madje, dhe me vullnetarë. Por sot nuk ka një situatë a casus të njëjtë. Nuk është faj i kësaj “diaspore të përgjumur që duhet të zgjohet dhe të rinisë punën për një kauzë të re: Atë të ndihmës ekonomike, duke investuar në atdheun mëmë që prej 25 vjetësh vazhdon të jetë shteti më i varfër në Evropë”, pasi është po kjo diasporë që është zhgënjyer, jo për mungesë fryme idealizmi nga ana e saj, por për një përplasje të pashembullt dhe dekurajuese me murin e korrupsionit si në Shqipëri dhe në Kosovë. Atdhedashuria është atdhedashuri, por biznesi është biznes. Mund të mos fitosh shumë në vendin tënd por askush nuk do të humbasë, pasi patriotizmi nuk hahet.
Po diaspora e ka një ideal bashkimin kombëtar, por kjo aspiratë shekullore vështirë se ngrohet me zgjidhjet gjysmake, me parullat e bashkimit brenda në BE, kur vendet të fuqishme si Britania po dalin. Të qenit evropian nuk mund të barazohet me të qenit shqiptar. Qeveritë shqiptare dhe çdo shqiptar së pari kërkon integrimin brenda gjakut. Kombi është sa bashkim gjuhësor kulturor aq dhe bashkim ekonomik.
Nëse qeveria vinte në mësim e papërgatitur diaspora i kishte bërë detyrat, mjafton të zbatosh platformën e paraqitur nga z . Mark Gjonaj për biznesin dhe organizimin e diasporës dhe e kupton se shqiptarët e Amerikës e kanë të tyren thënien e pres. Kenedi, “Mos pyet se çka ka bërë Atdheu për ty, por se çfarë mund të bësh ti për Atdheun”.
Por ata të kthejnë krahët, kur pushtetarët apo paria e Tiranës a Prishtinës, nuk ka mirënjohjen, as vetëm për të vlerësuar kontributin, kur nuk ka as incentivën më të vogël, çka ka bërë që edhe kapitali shqiptar të investohet jashtë vendit. Kur bizneset e diasporës shohin biznesmenët e huaj linçohen me shkopinj bejsbolli, dhe këtu nuk ka vend më për idealizëm të diasporës, por për më shumë se faj të qeverive shqiptare.
Qeveritë duhet ta kuptojnë se diaspora është aktive kur ajo është e pranishme. Gjatë samitit në Tiranë dikush i parashtroi Kryebashkiakut Erion Veliaj pyetjen në lidhje me votën e emigrantëve.
Duke shprehur gatishmërinë për të pranuar votimin e emigrantëve, kryebashkiaku Veliaj deklaroi se e majta ka bërë disa propozime në lidhje me këtë çështje për t’u garantuar emigrantëve shqiptarë një të drejtë. “Ne kemi bërë disa propozime. Propozimi i parë është që procesin e votimit ta bëjmë në ambasadë. E kemi bërë këtë propozim edhe në opozitë, edhe në qeveri, pra pavarësisht ku kemi qenë ne politikisht, është rrëzuar. Propozimi i dytë, që të bëhet me postë. Kjo do të thotë që ti vet identifikohesh me premtimet, me verifikimet. Vjen me një zarf fleta e votimit ku brenda ke edhe një zarf të parapaguar që ta kthesh mbrapsht, por sërish është refuzuar. Kemi bërë dhe një ofertë të tretë për votimin elektronik”, tha ai.
Nuk duhet se i takonte Veliajt kjo përgjigje, pasi është po Rilindja sot, që nuk e ka miratuar votimin elektronik që mund të bënte të mundur këtë më lehtë, dhe tani pavarësisht fjalëve kjo dëshirë e diasporës është shtyrë për në kalandrat greke. Kjo më kujtoi të njëjtën pyetje që ia bërë ish Kryeministrit Berisha kur qe në Michigan ai më pohoi asokohe se ata ishin dakord për këtë. Por kjo nuk mjafton, siç duket partitë shqiptare kur janë në opozitë janë pro votimit të diasporës e kur janë në qeveri e shohin atë me dyshim.
Por si mundet Maqedonia apo Mali i zi të zhvillojnë zgjedhje edhe në SHBA dhe Shqipëria jo. Ka një përvojë nga Maqedonia, personi që kërkon të votojë kërkon përfshirjen në regjistrin e votimeve dhe mund te votojë në qendrat ku ka përqendrime emigrantësh, në praninë e një komisioni të personave të zgjedhur me miratim të partive politike. Por ka edhe një përvojë të Parlamentit Italian, që siç ma pohonte kohë më parë prof. Palombo, një ish deputet prej vitesh në Montecitorio në Itali, ka një Komitet të diasporës dhe kulturës italiane në botë, me vende të përcaktuara, që nuk janë pjesë të partive politike italiane. Mundësitë janë të hapura kur është dëshira e mirë dhe ku nuk i lihet vetën në dorë voluntarizmit, pas së cilit mund të fshihen edhe deliret e liderëve që nuk do të na bënim të shijonim edhe “kumbullat e tharta” të Ramës. E kam këtë impresion pasi më duket tallje e hapur thënia e Veliajt “Na ndihmoni siç loboni në Amerikë, duke ju shkruar kongresmenëve, një letër t’ua shkruani edhe deputetëve shqiptarë, atyre që nuk janë prononcuar. Më rezulton që kryeministri është prononcuar disa herë. Thashë që jemi gati që nesër”. Me fal, thashë me vete Erion, me nder kujt t’i shkruajmë :Armando Prengës, Tom Doshit apo Mëhill Fufit?
Sa për lobimin, shqiptarët e diasporës së Amerikës e kanë përdorur këtë mjet të demokracisë amerikane qysh me Nolin dhe Vatrën në kohen e presidentit Wilson, e kanë përdorur edhe me Ligën Qytetare Shqiptaro Amerikane në kohën e Luftës së Kosovës, aq sa dhe vetë Millosheviçi e pohoi këtë në Hagë. Shqiptarët kanë ditur ta përdorin këtë instrument të politikës amerikane, më mirë se diasporat e tjera edhe më të konsoliduara, dhe pa bërë incidente si ai i fotos të z. Rama me Obamën. Qeveri shqiptare nëse do, vërtet, të ketë lidhje me diasporën, duhet të ngrihet edhe në lartësinë e mbretit Zog, që diti të vendoste, edhe pse një kundërshtar të tij një përfaqësues të diasporës, Faik Konicën si ambasador në SHBA, ndërsa ishte po kjo qeveri që largoi një ambasador aq të kulturuar, aq aktiv dhe aq diplomat, si zoti Mal Berisha, thjesht për mbiemrin e tij. Madje siç u pa dhe në samit, Rama duket se e ka paranojë, mbiemrin Berisha pasi ia preu shkurt një përfaqësuesi të diasporës nga Kanadaja vetëm pse kishte këtë mbiemër.
Por le t’ia marrin borxh gojën Ramës për këtë samit. Për kryeministrin “Samiti është i thjeshtë, sepse është i drejtpërdrejtë. Ne nuk kemi një recetë të parashkruar, nuk kemi as një projekt të bërë gati dhe nuk duam që samiti të jetë një teatër ku ne të bëjmë sikur u mblodhëm, sikur folën, sikur vendosëm dhe në fund fare, ju largoheni pa lënë pas gjurmën e eksperiencës suaj. Jo, ne duam që të ulemi, të flasim hapur, ta shikojmë njëri-tjetrin në sy, për të kuptuar më mirë se çfarë mund të bëjmë më shumë së bashku dhe natyrisht, për të planifikuar më mirë së bashku, atë që mund të investojmë në dije dhe në para për Shqipërinë e gjeneratës tjetër.” Qoftë ashtu, por “Mos përgatitja nuk tregon demokraci, por mendjemadhësi dhe padija (injoranca) nuk është argument.
Megjithatë kryeministri njoftoi në fund të këtij samiti se brenda vitit 2017 do të krijohet Këshilli Kombëtar i Diasporës Shqiptare, ai tha gjithashtu se do të krijohet një bazë të dhënash që do të shërbejë edhe si bazë për votimin në distancë të shqiptarëve. Të shpresojmë, që Rama të mos duhet ta pyesë prapë Lindën, e që kumbullat e Pallatit të Brigadave të mos jenë të tharta. Ne presim, sepse siç thotë edhe Shekspiri, “që e sotmja të jetë vetëm preludi i ë nesërmes”, po fëmijët tanë nuk presin.