“Ajo që i vodhi zemrën Krishtit” /
SHËN PIU I PIETRELCINËS/
NGA EUGJEN MERLIKA/ Duke shpallur Vitin e Shënjtë të Mëshirës 2015 – 2016, Papa Françesku, “i ardhur nga fundi i botës”, mendoi t’a përqëndrojë këtë Jubile të Faljes e të Bamirësisë në dy figura të veçanta, t’ardhura nga “periferia”, por që janë kthyer në dy ikona të paarritëshme të Krishterimit bashkëkohor : Shën Piu i Pietrelçinës, nga Shën Giovanni Rotondo, në Jugun e Italisë dhe Nënë Tereza e Kalkutës, nobelistja shqiptare, “gruaja më e fuqishme e botës”, simbas ish Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Xavier Perez de Cuellar. Në kuadrin e kësaj strategjie të Vitit të Shënjtë të Mëshirës, në shkurt u sollën në Vatikan eshtrat e Shën Piut, për t’i dhënë mundësi dhjetra mijra vetëve t’i nderonin e të luteshin. N’atë hulli u caktua 4 shtatori, si dita e Shenjtërimit të Nënës Terezë të Kalkutës, në shekull Anjeze Gonxhe Bojaxhiu.
Ajo ishte fëmija e tretë e një familjeje katolike shqiptare të Shkupit. E mbetur jetime në moshën nëntë vjeçe, nga humbja e parakohëshme dhe e papritur e babait Kolë, së bashku me motrën e vëllain më të madh, u rrit nën kujdesin e dashurinë e nënës Drane që, krahas edukatës së një familjeje qytetare shqiptare, i dha edhe atë katolike, duke shkuar në kishë e duke ndjekur mësimet e saj. “Nëna ime ishte një shënjtëreshë”, përsëriste Nënë Tereza, duke u zhytur në kujtimet e fëmijërisë e të rinisë së parë kur “me gjithë vdekjen e babait, jeta në familjen tonë ishte e lumtur”. Nëna “kërkonte të na edukonte me dashurinë për Zotin e për t’afërmin”, shtonte ajo.
Gonxheja e vogël, të cilën Zoti e kishte krijuar për të kryer një mision tepër të lartë, në shekullin e dy luftërave botërore e t’ateizmit zotërues në një pjesë të mirë të shoqërive e regjimeve politike të botës, e kuptoi shpejt paracaktimin e fatit të saj. Në moshën 18 vjeçe, simbas mësimeve t’Ungjijve e fjalëve të Krishtit, u shkëput nga familja e saj e vogël e ndërmori rrugën e gjatë të shërbyeses së doktrinës së tij. Vajza e re mori bekimin e nënës me këto fjalë : “Shko, bija ime. Vêne dorën tânde mbi atê të Jezusit e shko përpara. Kujtohu gjithmonë se n’âsht se po na lên , po e bân për t’vobegtit. Mos u kthe kurrë mbrapa ; gjithmonë përpara!” Ai bekim e shoqëroi shpirtërisht në gjithë jetën e saj, që do të ishte e dyfishtë, e kushtuar tërësisht misionit të saj, por që, në heshtjen e çasteve të pakta të vetmisë, do të sillte para syve të mëndjes fytyrat e dashura të nënës e të motrës, të cilat mbetën në kujtesën e saj, ashtu siç i pa herën e fundit, kur u nda prej tyre në stacionin e Zagrebit. Prej këtej, më 28 tetor 1928, me një valixhe të vogël në dorë, ajo nisi ecjen e saj drejt përjetësisë, në një botë të trazuar me shumë probleme, në të cilën ajo do të bëhej një nga udhëndriçueset e vënies në jetë të parimevet bazë të doktrinës së Krishtit, atyre të dashurisë për Zotin, për njerëzit, të faljes e të pendesës.
Ajo rrugë filloi me udhëtimin për në Kuvendin e Murgeshave të Loretos në Rathfarnam, pranë Dublinit. Shkoi atje, me idenë dhe synimin që shpejt të nisej për në Hindi, të pjekur këto tre vite më parë, kur meshtari Jambrenkoviç, i kishës së Zemrës së Shenjtë, i kishte folur për zotimet dhe punën e jezuitëve në krahinën hindiane të Bengalit. Së bashku me shoqen e saj sllovene Betilka Kainec, hipën në një anije me pikëmbrritje Kalkutën, ku arritën më 6 janar, ditën e Epifanisë, mbasi kishin kaluar Krishtlindjen në ujrat e Oqeanit Hindian. Ai udhëtim shënoi ndarjen nga mituria e hyrjen në moshën e pjekurisë së parakohëshme, që do të ketë një tjetër vënd ushtrimi dhe prove, Darjeeling, buzë Himalajës, në Shtëpinë e Murgeshave të Loretos. Mbas më shumë se dy vitesh u kthye në Kalkutë, ku bëri betimin për njetet e virgjërisë, të varfërisë e të bindjes, duke hyrë kështu në bashkësinë e murgeshave të Loretos, me emrin, që këtu e tutje do t’a shoqëronte, atë të Terezës.
Ai emër, ndoshta ishte zgjedhur prej saj heret, kur ende e vogël lexonte historinë e Shënjtëve e të Shënjtëreshave. Ai emër kishte dy para ardhëse të mëdha, dy Shënjtëresha të njohura të Kishës Katolike, të dyja t’urdhërit karmelitan : Tereza e Avilës (1515 – 1582), mistike spanjole, doktoreshë e Kishës, me një veprimtari të rëndësishme në kohën e kundër reformës dhe Tereza e Lisieux (1873 – 1897), e quajtur Tereza e Fëmijës Jezus, shenjtëresha franceze që, në jetën e saj të shkurtër, predikoi “rrugën e vogël”, atë të hapave të përditshëm në kërkimin e shënjtërisë në çdo gjest e në çdo veprim, duke pasqyruar gjithshka në veprën e saj autobiografike “Historia e një shpirti” Me gjasë, ishte kjo e fundit që ka ndikuar më shumë në vendimin e misionares shqiptare, për të marrë atë emër. Tani, në historinë e Kishës Katolike dhe n’enciklopeditë e botës, janë tri shënjtëreshat me emrin Tereza : një spanjole, një franceze dhe një shqiptare, që është e lidhur me Hindinë.
Jeta e Shënjtëreshës shqiptare mund të ndahet në katër periudha : e para është fëminia e rinia e parë e saj, me dëshirën e shprehur për t’u bërë murgeshë në moshën 12 vjeçe, mbas një vizite Zojës së Cernagorës, në Shënjtëroren e Lesnicës ; e dyta është periudha e largimit nga familja, e formimit si murgeshë, e rritjes si e tillë e si mësuese e drejtoreshë shkolle, e vlerësuar në të gjithë Kalkutën, një kohë e qetë e me arritje në fushën e mësimdhënies, por e pamjaftueshme për shpirtin e madh të murgeshës imcake, të cilin e ngacmonte mjedisi tronditës i qytetit të mesit të viteve dyzet. Në këta çaste merr formë ideja qëndrore e gjithë jetës së murgeshës Terezë, ajo e kërkimit të përditshëm të Krishtit, nëpërmjet mësimit falas për fëmijët e vobekët e të ndihmës së njerëzve, të varfër, të sëmurë, të braktisur, të pambrojtur, të përbuzur ; e treta është ajo e sendërtimit të kësaj ideje, nëpërmjet një vullneti të çeliktë që ndjen gjithënjë pranë ndihmën hyjnore, që fiton mbi luhatjet e burokracisë kishtare, mbi mosbesimin e kolegeve dhe t’eprorëve, mbi mungesën e mjeteve lëndore për të çuar përpara projektin e që përbën pjesën më të vështirë të veprës madhore të Nënë Terezës ; e katërta ishte ajo e ikonës botërore të bamirësisë, të respektuar e nderuar në të gjitha skajet e botës jo komuniste, që shëtiste në të gjithë globin për të themeluar institucionet e Misionareve të Mëshirës.
Periudha e parë mbetet ajo më intimja, jeta në familje e në tokën që e lindi, më e dhimbëshmja për ndarjen përjetë nga objektet e dashurisë familjare, nga babai kur ishte fëmijë, nga nëna motra e vëllai, që përbënin mjedisin e ngrohtë, në të cilin ajo u rrit e u formua si kanakarja, m’e vogla, m’e përkëdhelura, më gazmorja me zërin e saj të bukur, me këngët, vallet, shakatë. Sa më lart ngjitej kurba e jetës së saj shoqërore, sa më shumë vlerësohej, në nivel planetar, puna e saj, aq më shumë ajo vuante nga mungesa e takimeve me të shkuarën, me familjen. Ajo gjëndje shpirtërore përbënte një tjetër pamje të personalitetit të saj, e cila mbeti gjithmonë në hije, në heshtje, pa zë, por që mori një goditje fatale kur, me gjithë përpjekjet e stërmëdha të diplomacisë botërore për të bërë të mundur takimin me nënën dhe motrën, u detyrua të vajtojë në heshtje humbjen e tyre e të ngushullohet me një rrjesht të shkruar prej nënës, me po të njëjtin mall e ngrohtësi, me të cilin ishin ndarë më shumë se dyzet vjet më parë : “Gonxhe, po të çoj nji të puthun. Nana”.
Periudha e dytë është më e qeta e jetës së trazuar të Gonxhe Bojaxhiut. Ajo fillon me largimin nga shtëpia dhe mbaron me një vendim “revolucionar” të sajin për t’u larguar nga Instituti i murgeshave të Loretos, nga detyra e drejtoreshës së St. Mary High School, ku kishte patur aq shumë kënaqësi sa t’i shkruante kështu një herë nënës së saj : “Shumë e dashur nënë, më vjen keq që nuk jam aty së bashku me ty, por ji e lumtur, sepse Gonxhja jote e vogël është shumë e lumtur”. Ishte koha kur murgesha e re e quante arsimimin e hindianëve një formë të lartë shërbimi fetar e shoqëror. Krahas punës në St. Mary drejtoresha Terezë jepte mësim edhe në një shkollë për fëmijët jetimë e të varfër që mbarështohej nga të tjera murgesha e që quhej “Shën Tereza”. “Kur u takuam për herë të parë “ kujton më vonë murgesha mësuese “rrezatonin gëzim nga i gjithë trupi. Këndonin e vinin rrotull meje e nuk qetësoheshin deri sa un mos t’i përshëndesja një nga një. Un vinja dorën mbi kryet e tyre leshtorë e të ndotur. Ata m’a shpërblenin me buzëqeshje dhe më thërrisnin “Ma”, nënë : edhe kështu, mbi të gjitha kështu, lindi Nënë Tereza” Ishte, ndoshta, fillimi i proçesit të Shënjtërimit të murgeshës shqiptare, për një bashkëndodhje të çuditëshme në një shkollë që mbante emrin e saj t’ardhëshëm, Shën Tereza.
Periudha e tretë fillon natën e 10 shtatorit 1946, kur Tereza 36 vjeçare e sheh veten në gjunjë , në këmbët e Virgjëreshës Marie, e rrethuar nga duar të shtrira në drejtim të saj. Zoja e Bekuar i buzëqesh e i thotë : “Kujdesu për ta, çoji tek Jezusi!”. Ndërsa Krishti vetë i kërkon murgeshës së re të bëhet dora e tij ndërmjet të mjerëve. “Vogëlushja ime, eja, më ço në kasollet e të varfërvet. Ji drita ime ndërmjet tyre. Mos u tremb, un do të jem me ty.” Përfytyresa hyjnore e asaj nate e bindën pa mëdyshje të merrte një vendim të papritur e të pazakontë : të ndryshonte jetën e saj, të dilte nga Kuvendi ku qëndronte prej 15 vitesh e të shkonte jashtë, nëpër rrugët e sheshet e Kalkutës, për të çuar atje ndihmën e saj konkrete, për të gjithë nevojtarët e shumtë që vuanin urinë, sëmundjet, moskokëçarjen e një shoqërie që nuk mendonte për ta, që i shihte si peshë, si bezdi, si trup të huaj. Ata fëmijë, burra, gra, pleq e plaka, n’emër të Jezu Krishtit ajo duhej t’i kuronte, t’i pastronte, t’i përkëdhelte, t’u dhuronte ushqim e buzëqeshje, t’i bënte të ndiheshin njerëz të mirëkuptuar, të kujdesuar, të mbrojtur, të dashuruar.
Sipërmarrja ishte nga ato që bënin të dridheshin shtete me te gjithë fuqitë e tyre ekonomike e njerëzore, një absurditet edhe për t’u menduar për mundësitë e një njeriu të vetëm, për më tepër të një murgeshe të re, pa asnjë mjet jetese veç forcës së vullnetit të saj. Projekti, i denjë për titanët e lashtësisë, zë fill mbas dy vjetësh, kur janë kryer të gjitha formalitetet e nevojshme në institucionet fetare. Së fundi Nënë Tereza është e lirë të fillojë zbatimin e projektit të saj për të themeluar Shoqatën e Misionareve të Mëshirës. Dihen mirë vështirësitë që hasi murgesha shqiptare në rrugën e saj të re, që nuk ishte aspak e lehtë, që ishte një autostradë e bamirësisë dhe e predikimit të dashurisë hyjnore e njerëzore. Në synimin e Nënë Terezës ishte ndërtimi i një shoqërie, që i kundërvihej dhunës shtetërore, shoqërore e vetiake, që vinte në qendër të gjithshkaje njeriun, si krijesë të Perëndisë, jo si objekt për t’u përdorur deri sa të japë rendiment lëndor e, më pas, të braktiset në skamje, në pamundësi fizike, në indiferentizëm.
Viti 1948, kur filloi veprimtaria vetiake e Nënës Terezë, përkoi me vrasjen e udhëheqësit politik e shpirtëror të hindianëve, apostullit të mos dhunës, Mahatma Gandhi. Ai mesazh moral historik që, deri atëherë, i a kishte përcjellë Vendit të tij e botës “shpirti i madh”, ideatori i pavarësisë së Hindisë, tani mbeti detyrë e misionares shqiptare për t’a çuar më përpara. Ajo e shpalosi çdo ditë atë mesazh, duke e vënë në jetë në lagjet e varfëra të qytetit adoptiv, duke mbajtur një veshje të grave hindiane, sarin, të stolisur me vijat blu, simbole të pastërtisë e të hirit të Virgjëreshës Marie.
Më 7 tetor 1950, projekti i Nënë Terezës mori zyrtarisht formën e plotë, me miratimin e autoriteteve kishtare të Hindisë për themelimin e Kuvendit të Misionareve të Mëshirës. Në kodin e kësaj Shoqate, betimit të zakonshëm për njetet e virgjërisë, të varfërisë e të bindjes, me ngulmimin e Nënë Terezës, i u shtua edhe një i katërt : me i shërbye gjatë gjithë jetës më të varfërvet, pa pranuar asnjë shpërblim lëndor. U bë një ligj ky për të gjitha shoqatat që u krijuan në Hindi e jashtë saj. Fuqia bindëse e Nënë Terezës dhe e mesazhit të saj bënë që në rrugën e saj t’aviteshin mijëra njerëz, jo vetëm nga ata, të cilëve u shpëtonte jetën, duke i shtruar nëpër spitalet, por edhe nxënëset e saj të shkollës, klerikë e bamirës të ndryshëm. Me kohë sprova e Nënë Terezës dha përfundimet e saj e mesazhi i tyre arriti deri në sferat e larta të Vatikanit e të botës. Ndërkaq veprimtaria e atyre shoqatave rritej në mënyrë të shpejtë, duke marrë edhe forma të tjera institucionesh të ndryshme si shkolla, spitale, azile për të moshuarit, qëndra kurimi për lebrozët, për të sëmurët me Sida, menca për të varfërit etj.
Më 1965 Papa Pali VI miratoi në nivel botëror krijimin e Kongregacionit të Misionareve të Mëshirës, që përfshinte gjithë ata institucione, e që do të varej drejt për së drejti nga Selia e Shënjtë. Kjo i hapi mundësi edhe më të mëdha përhapjes e fuqizimit të tyre në të gjithë botën jo komuniste. E para Shoqatë e Misionareve, jashtë Hindisë, u themelua në Venezuelë në korrik 1965. Këtu mbyllet edhe periudha e tretë e jetës së Nënë Terezës.
Periudha e katërt dhe e fundit është ajo m’e gjata e jetës, lumturisht të gjatë, të Shënjtëreshës shqiptare të Kalkutës. I kalon të tridhjetë vitet dhe është një ec e jakë e përherëshme dhe e pafund në të pesë kontinentet, ku Nënë Tereza e bashkëpuntoret e bashkëpuntorët e saj vazhdonin të ngrinin institucionet e të themelonin shoqatat në realitetet e ndryshme të secilit Vend. Tashmë anglishtja u bë gjuha e Kongregacionit. Bota i priti krahëhapur këta misione edhe se ideatorja i quante, me të drejtë, të pamjaftueshme : “Jemi një pikë uji n’oqeanin e mjerimit, por pa këtë pikë mjerimi dhe vuajtja do t’ishin edhe më të mëdha.” Kur Nënë Tereza u nda nga jeta tokësore, më 5 shtator 1997, murgeshat e Misioneve të Bamirësisë ishin 3914, më 2007 ishin 4923 dhe vinin nga 90 kombësi të ndryshme. Në mes të qershorit 2016, fetaret ishin 5000, të shpërndara në 765 institucione, të pranishme në 139 Vende të botës. Atyre i shtohen edhe 40 institucionet mashkullore me rreth 400 misionarë.
Forca shtytëse e projektit dhe e mesazhit të Shën Terezës së Kalkutës nuk shterron, sepse ajo i përket një qëllimi hyjnor që e nxit dhe e ndihmon. Motoja e Kongregacionit është kjo : “All for Jesus through Mary” (“Gjithshka për Jezusin nëpërmjet Marias”). “Sekreti ynë është t’i drejtohemi asaj me besim si fëmijë në të gjithë gëzimet e mundimet e tyre.”, shprehej Nënë Tereza, për të shpjeguar suksesin e veprimtarisë së shoqatave të saj. Në sajë t’asaj ndihme hyjnpre, që krijoi idenë dhe ndihmoi sendërtimin e projektit, Nënë Tereza i kaloi të gjitha pengesat e vështirësitë jo të pakta të rrugës së saj, duke arritur suksesin e vazhdueshëm e duke u ngritur n’atë përsosmëri shpirtërore e fetare, që e bëri atë krijesë të vogël në shtat (1.52 m. e lartë), një vigane të jetës morale e shoqërore të shekullit të shkuar.
Atë lartësi e njohën dhe e respektuan Krerët e Krishterimit, Papët Pali VI, Gjon Pali II dhe Françesku që, në këta më pak se 20 vjet nga vdekja, shpallën, më parë lumturimin e sot Shënjtërimin e saj, duke e quajtur atë, së bashku me Shën Piun e Pietrelçinës, si simbolin më të ndritshëm të Krishterimit të kohës sonë. Veç vlerësimeve të Selisë së Shënjtë, që qenë të plota e tepër inkurajuese, Shën Tereza bashkëkohore u prit, u nderua dhe u vlerësua me çmimet më të larta të kombevet në shumë kryeqytete të botës, sidomos asaj Perëndimore. Ndërmjet shumë vlerësimeve që ajo mori në të gjallë të saj, po përmend vetëm disa Ҫmime: Kennedy, SHBA (1971), Gjoni i XXIII për Paqen, Vatikan (1971), Bharat Ratna Hindi (1972), Templeton, Mbretëria e Bashkuar (1973), FAO, Romë (1974), Albert Schweitzer, SHBA (1974), Nobel për Paqen, Suedi (1979), Balzan, Itali (1979), Urdhëri i Meritës, Britani e Madhe (1983), Medalja Presidenciale e Lirisë, SHBA (1985)etj.
“E di shumë mirë, e dashur Nënë, që ju jeni njeriu i fundit në botë që do të kërkonte nderime, por e di mirë se jeni e para që i meritoni.”, i drejtohej më 1973 Princi Filipi i Edimburgut, në prani të Mbretëreshës Elizabeta, murgeshës shqiptare. “Nënë Tereza ka kaluar humnerën që është mes të pasurvet e të varfërvet”, shkruhej në motivimin e Akademisë së Shkencave të Suedisë, me rastin e dhënies së Ҫmimit Nobel të Paqes më 1979. Në po të njëjtin vit Presidenti italian Sandro Pertini, do t’a motivonte kështu Ҫmimin Balzan, dhënë murgeshës së Kalkutës : “Për vetmohimin e jashtzakonshëm, me të cilin i ka kushtuar gjithë jetën e saj, në Hindi e në botë, viktimave të urisë, të mjerimit e të sëmundjeve”.
Po t’i shtojmë këtyre çmimeve laureat “Honoris Causa” të universiteteve të Washingtonit (1971), katolik Francesco Saverio, Kanada (1974), të Santiniketanit, Hindi (1976), Cambridge, Angli (1977), Harward, SHBA (1982), do të kemi më të plotë profilin e jashtzakonshëm edhe intelektual të Shënjtores së të varfërvet. Në këtë profil duhet shtuar edhe krijimtaria e saj e jashtzakonëshme poetike.
Marrëdhëniet e saj me të fuqishmit e botës ishin të bazuara mbi respektin e ndërsjelltë, por Murgesha e Kalkutës nuk përtonte t’i qortonte hapur ata kur veprimet e tyre nuk përputheshin me kodin etik e fetar të bindjeve të saj. Miqësitë e saj me presidentët e Amerikës që nga Kennedy dhe i vëllai Roberti, deri tek Clintoni duke kaluar nëpër Reganin e Bushin janë të njohura në kronikat e kohës së tyre. Madje në një rast Clintoni, në lidhje me ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, më 1999, i rrëfeu dikujt se “ I kishte premtuar Nënë Terezës se do t’i ndihmonte bashkëkombasit e saj.”
E mirëpritur dhe e respektuar nga kryetarë shtetesh e qeverish, ajo mbeti gjithmonë e thjeshtë, e dashur dhe e përvuajtur, pa u shkëputur kurrë nga të varfërit, të sëmurët, jetimët e fëmijët nevojtarë, të cilët e pagëzuan me emrin e Nënës, e të cilëvet u kushtoi gjithë fuqitë dhe energjitë e shpirtit të saj të madh, por edhe të trupit të saj të vogël.
Sot ajo shënjtërohet në vatikan nga Papa Françesku, në prani të njëqind mijë vetave, në prani edhe të mjaft drejtuesve të shteteve, ndërmjet të cilëve edhe atyre të Vendit të saj të lindjes, Shqipërisë.
Emri i saj i shtohet atyre të Shën Laurit, të Shën Florit e të Shën Hieronimit, paraardhësve të lashtë të saj në historinë e krishterimit shqiptar, në rrjedhë të shekujve. Le t’i lutemi këtyre Shënjtëve , të dalë nga toka jonë që të kthejnë sytë mbi Vendin që i lindi e i cili ka aq shumë nevojë për urimin e ndihmën e tyre.
Shtator 2016