SHPËRNGULJA E ORGANIZUAR E SHQIPTARËVE NGA JUGOSLLAVIA NË TURQI NË VITET TRIDHJETA TË SHEK. XX DHE QËNDRIMI I MBRETËRISË SHQIPTARE/
Nga Halim PURELLKU/
Shpërngulja masive e shqiptarëve nga Jugosllavia në Turqi dhe në Shqipëri vazhdoi edhe gjatë periudhës midis dy luftërave botërore. Në vitet e para të pas Luftës së Parë Botërore shumë shqiptarë dhe “jo sllavë”[i] u shpërngulën në mënyrë stihie nga Jugosllavia dhe u vendosën në Turqi dhe në Shqipëri, por në burimet historike hasen shifra të ndryshme mbi numrin e përgjithshëm të tyre. Dimitar Vllahov (revolucionar dhe veprimtar politik maqedonas) në fjalimin e tij që e mbajti në të quajturin: “Kongresi sovjetik kundër luftës imperialiste”, në Amsterdam, 27-29 tetor të vitit 1933, konstatonte se gjatë viteve 1919-1933 nga ana e pushtetit jugosllav ishin likuiduar 50.000 shqiptarë në Kosovë dhe përgjithësisht në Jugosllavi, si dhe ishin përzënë 100.000 “turq” nga “Maqedonia serbe” dhe 100.000 shqiptar nga Kosova.[ii] Ndërkaq, sipas burimeve serbe/jugosllave, në vitin 1921 në Shqipëri ndodheshin rreth 40.000 veta të shpërngulur nga Jugosllavia, kurse deri në vitet tridhjeta të shek. XX, nga Jugosllavija në Turqi ishin shpërngulur rreth 45.000 veta shqiptarë dhe të tjerë “jo sllavë”.[iii]
Por, pasi që shpërngulja në mënyrë stihie e shqiptarëve nga Jugosllavia në Shqipëri dhe në Turqi, në vitet njëzeta të shekullit XX, nuk rezultoi e suksesshme sipas planeve dhe programeve serbe, si alternativë e vetme mbeti shpërngulja masive e organizuar e me plan e tyre në këto shtete. Prandaj dhe Qeveria jugosllave iu qas analizës dhe studimit të të gjitha faktorëve dhe alternativave të mundshme, mbi mundësitë e variantet e organizimit dhe të jetësimit të shpërnguljes masive të shqiptarëve nga Jugosllavia. Do theksuar se analizat e Qeverisë jugosllave u shtrinë deri atje sa që u shqyrtuan edhe potencialet ushtarake të Shqipërisë dhe mundësitë e intervenimit ushtarak eventual të saj, si dhe niveli i marrëdhënieve zyrtare ndërshtetërore midis Mbretërisë Shqiptare dhe Republikës së Turqisë, por dhe i marrëdhënieve individuale (personale) shqiptaro-turke. Pas analizave, Qeveria jugosllave doli në përfundim se për shpërnguljen e organizuar e me plan të shqiptarëve më efikase do ishin rruga diplomatike dhe ajo e shpërnguljes së dhunshme e ilegale në Turqi ose në Shqipëri.[iv]
Qeveria jugosllave vlerësonte se interes politik e strategjik i Jugosllavisë ishte që shqiptarët e shpërngulur të vendosen në Turqi, madje në vise sa më të largëta, sepse, veç tjerash, kështu rikthimi i tyre në vatrat e veta do të ishte më pak i mundshëm në rrethana të tjera, në krahasim me ato nga Shteti shqiptar rikthimi i të cilëve do të ishte i lehtë. Prandaj dhe ndaj atyre shqiptarëve që këmbëngulnin të shpërngulen në Shqipëri, autoritetet jugosllave zbatonin masa represive si p.sh. nuk iu lëshoheshin pasaporta për të emigruar në atë shtet etj. Por, kurë dhe masat represive nuk i mbrapsnin të shpërngulurit nga qëllimi i tyre për të u vendosur në Mbretërinë Shqiptare, atëherë Jugosllavia i kërkonte Shqipërisë që ata të vendoseshin sa më larg kufirit shtetëror shqiptaro-jugosllav.[v]
Mbretëria e Jugosllavisë shpërnguljen e popullatës “jo sllave” nga e ashtuquajtura “Serbia e Jugut” e trajtonte si çështje nacionale. Qarqet politike e shtetërore serbe/jugosllave zgjidhjen e përhershme të çështjes shqiptare në Jugosllavi, edhe midis dy luftërave botërore, vazhdonin ta shihnin në spastrimin etnik të tyre, prandaj ata ndryshimin mekanik të strukturës etnike të pjesës së Shqipërisë nën sundimin jugosllav e trajtonin, në radhë të parë, si çështje me rëndësi nacionale dhe ushtarake-strategjike.[vi] Gjithashtu edhe Turqia, ndonëse përpiqej që pranimin e të shpërngulurve nga Jugosllavia ta justifikon si interesim i saj për popullatën turke por dhe në përgjithësi myslimane, në fakt interesat e saja ishin të tjera; politike e strategjike.[vii] Turqia nëpërmjet imigracionit masiv nga Ballkani dëshironte të popullzonte treva të Kurdistanit turk për rreth kufirit me Iranin dhe Irakun, por dhe të Azisë së vogël.[viii] Njëherazi, për kolonizimin e imigrantëve nga Ballkani në këto treva, Qeveria turke merrte si kompensim edhe shuma të konsiderueshme mjetesh financiare (të holla) por dhe mallra, nga shtetet e origjinës së të të shpërngulurve.[ix] Ndërkaq, lidhur me këtë çështje, interesat e Shqipërisë ishin krejtësisht të kundërta nga ata jugosllave e turke, ndaj dhe ajo angazhohej për mos shpërnguljen e shqiptarëve nga trojet e tyre. Prandaj dhe si Jugosllavia ashtu edhe Turqia refuzonin përfshirjen e Shqipërisë si palë e tretë në bisedimet jugosllavo-turke mbi shpërnguljen e “jo sllavëve” nga Jugosllavia që do të zhvillohen në vitet tridhjeta të shek. XX, ndonëse shumicën absolute të “jo sllavëve” e përbënin shqiptarët.[x]
Bisedimet midis Jugosllavisë dhe Turqisë mbi shpërnguljen e organizuar dhe me planë të shqiptarëve filluan që në vitin 1930. Ishin interesat identike shtetërore e kombëtare serbe/jugosllave dhe atyre turke, që iu dhanë krahë negociatave dypalëshe shtetërore të rezultonin të suksesshme. Në vitin 1931 u arritë marrëveshje parimore midis dy qeverive, mbi shpërnguljen e organizuar dhe me planë të shqiptarëve nga Jugosllavia në Turqi.[xi] Bisedimet turko-jugosllave mbi shpërnguljen vazhduan në Ankara, në prill të vitit 1934, midis Ruzhdi Arasit, ministër turk i Punëve të Jashtme, dhe homologut të tij jugosllav, Bogolub Jevtiq, që rezultuan me arritjen e një marrëveshje parimore mbi favorizimin e shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi.[xii] Ndërkaq, në fund të vitit 1936 kryeministri i Jugosllavisë, Millan Stojadinoviq, zyrtarisht vizitoi Turqinë, me ç’rast u afruan dhe më shumë qëndrimet dypalëshe rreth shpërnguljes. Po në këtë vit (1936) qe lidhur një marrëveshje formale dypalëshe mbi shpërnguljen e 200.000 vetave “jo vetëm turq por dhe popullatë e cila është e ngjashme me mentalitetin turk”, nga Jugosllavia në Turqi. Planifikohej që këto emigrantë të vendosen në Azinë e Vogël dhe në Kurdistan, ku dhe “do të mund lehtë të asimilohen”.[xiii]
Krahas bisedimeve të suksesshme dhe marrëveshjeve të lidhura, si Jugosllavia ashtu edhe Turqia bënin përgatitje për operacione në shkallë të gjerë për zhvendosje me plan të shqiptarëve dhe të “jo sllavëve” nga Jugosllavia. Kushtet dhe mënyra e shpërnguljes së popullatës “jo sllave” nga Jugosllavia në Turqi, nga ana e Jugosllavisë ishin rregulluar në aspektin juridik me nenin 55 të Ligjit mbi Shtetësinë, të shtatorit të vitit 1928.[xiv] Për realizimin e plotë të shpërnguljes, Qeveria jugosllave ndau fonde monetare (të holla) si p.sh. në vitin 1934 ajo siguroi 42.000.000 dinarë për këtë qëllim.[xv] Gjithashtu edhe Qeveria turke në vitin 1934 shpalli Ligjin mbi Kolonizimin, kurse Parlamenti turk në nëntor të vitit 1935 aprovoi plotësime të këtij Ligji.[xvi] Përgatitjet turke vazhdonin. Në vitin 1935, diplomacia turke, në krye me Ruzhdi Aras, po hartonte një Projekt traktat mbi shpërnguljen e “turqve” dhe të atyre të cilët janë “të afërt me ta për nga mentaliteti” nga Jugosllavia në Turqi, ndërkaq Qeveria turke kishte livruar “tre milion lira turke për imigrantët e vet”.[xvii]
Gjithashtu, edhe Mbretëria Shqiptare, ndonëse angazhohej për mos shpërnguljen e shqiptarëve nga trojet e tyre, që në vitin 1931 po bënte përgatitje të nevojshme konkrete për vendosjen e shqiptarëve të shpërngulur nga Jugosllavia në territorin e saj. Kushtet për vendosjen e tyre, me statusin e emigrantit, përcaktoheshin me Dekretligjin e veçantë të vitit 1931, i cili hyri në fuqi në qershor të vitit 1932, kurse për zbatimin e këtij ligji qe ngarkuar Këshilli i Ministrave. Vendosja e emigrantëve shqiptarë nga vendet e origjinës bëhej nën përkujdesjen dhe mbështetjen financiare e materiale të Mbretërisë Shqiptare.[xviii]
Me qëllim të detyrimit të popullatë shqiptare për t’u shpërngulur jashtë Jugosllavisë, edhe në vitet 1930-1941, fushatat jugosllave institucionale e jashtë institucionale ndaj shqiptarëve shoqëroheshin me reprezalje të natyrës: politike; kombëtare; fetare; me zhdukje fizike. Njëherazi, shqiptarët i ishin nënshtruar dhe një presioni të fuqishëm në jetën ekonomike të tyre, nëpërmjet masave të veçanta ekonomike të pushtetit jugosllav: ngritje për disa shkallë të klasifikimit të tokës së shqiptarëve; ndalimi i kultivimit të duhanit në rrethet/nënprefekturat shqiptare; dënimet drakonike për personat që “kishin prerë dru në mal”; zgjerimin e kullukut në trevat shqiptare: zbatimi i rreptë i dekreteve veterinere etj. Veçanërisht, presioni i pushtetit jugosllav ishte më i fuqishëm mbi shqiptarët të cilët banonin në zona ku toka ishte më pjellore, por dhe ndaj atyre të cilët dispononin objekte (dyqane) tregtare dhe zejtare, të cilat prona pas shpërnguljes së shqiptarëve iu shpërndaheshin kolonizatorëve sllav. Do theksuar se procesi i shpërnguljes së shqiptarëve nga Jugosllavia, asokohe intensifikohej nga ana e qeverisë jugosllave për çdo vjet gjatë stinës të pranverës.
Ndërkaq, asokohe një faktor i rëndësishëm që ndikonte në forcimin e bindjes ndër shqiptarët për të u shpërngulur në Turqi, ishte edhe ndjenja e fanatizmit fetare mysliman dhe ndikimi i fuqishëm i kulturës turke mbi një pjesë të madhe të popullit shqiptar.[xix]
Gjithsesi se Mbretëria Shqiptare nuk rrinte duarkryq, edhe pse nuk ishte në gjendje të kundërshtonte nga pozita e forcës programin jugosllav mbi shpërnguljen masive të shqiptarëve nga Jugosllavia. Sa herë që shpërngula e shqiptarëve po merrte dimensione intensive dhe masive, qeveria shqiptare reagonte jo vetëm pranë qeverisë jugosllave dhe asaj turke por dhe pranë qeverive të Fuqive të Mëdha, veçanërisht asaj britanike, duke kërkuar ndërhyrjen e tyre në favor të ndalimit të keqtrajtimit të shqiptarëve në Jugosllavi dhe të fushatave të shpërnguljes së tyre. Në vitin 1934, Qeveria shqiptare reagoi pranë Qeverisë jugosllave kundër detyrimit të shqiptarëve që të shpërngulen edhe në drejtim të Shqipërisë, me arsyetimin se vështirë ia dilte t’i strehoj ata. Gjithashtu, më 27 qershor të vitit 1934, Fico, legati shqiptar, në Beograd, e vizitoi të ngarkuarin me punë të Britanisë dhe në emrin personal të mbretit Zog I e falënderoj për angazhimet e tij në të mirë të shqiptarëve. Diplomati britanik e njoftoj Ficon se ia kishte përmendur mbretit jugosllav Aleksandar dhe se do të ia përmend edhe Jevtiqit dhe Llaziqit, çështjen e përzënies së shqiptarëve në Shqipëri nga ana e autoriteteve jugosllave. Ashtu që në vitin 1934, keqtrajtimi i dëshmuar i popullatës shqiptare në Kosovë “gati se u bë temë e përhershme e korrespondencës gjysmëzyrtare midis legatave britanike në Beograd dhe në Durrës. Si duket, kjo ndikoj që dhuna jugosllave mbi shqiptarët në Kosovë (-në Jugosllavi) pak sa të ishte zbutur, gjatë muajve maj-gusht 1934.[xx]
Megjithatë presionet dhe reprezaljet e pushtetit jugosllav ndaj shqiptarëve në Jugosllavi, për t’i detyruar ata të shpërnguleshin nuk po ndaleshin dhe arrinin përmasat e persekutimit sistematik.[xxi] Në vitin 1935, Dhoma e Reformës Agrare, në Shkup, e intensifikoi konfiskimin e pronave tokësore në zonat shqiptare. Gjatë këtij konfiskimi, sipas standardit shtetëror, “fshatarëve shqiptarë, iu liheshin në pronësi vetëm 0,4 hektar tokë për një anëtarë të familjes”, me qëllim të “dëshpërimit të banorëve shqiptarë”, veçanërisht në “fshatrat shqiptare që janë tepër homogjene”, për të nxitur shpërnguljen e tyre.[xxii] Ndërkaq, më 14 qershor 1935, ministri jugosllav i Ushtrisë dhe Marinës i urdhëroi organet varëse që edhe pa kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak, të rinjtë shqiptarë dhe turq të pajisen me “leje-vendim” (pasaport emigranti) për shpërngulje definitive në Turqi dhe Shqipëri.[xxiii]
Ndërkohë, gjatë vitit 1935 Qeveria shqiptare refuzoi të pranonte emigrimin e një numri të shqiptarëve nga Jugosllavia në Shqipëri, ndonëse më parë ishte pajtuar për këtë, me arsyetimin se i mungonin mjetet financiare. Mirëpo, për Beogradin zyrtar një arsyetim i këtillë ishte i pa pranueshëm, dhe se motivi i vërtetë ishte interesi i Shqipërisë që të mos zvogëlohet numri i shqiptarëve në Jugosllavi.[xxiv] Ndërkohë, vazhdonin edhe reagimet diplomatike të Mbretërisë Shqiptare kundër politikës së shpërnguljes së dhunshme të shqiptarëve nga Jugosllavia. Nëpërmjet legatit të saj në Londër, në gusht të vitit 1935, Tirana iu drejtua për ndihmë Britanisë, për ndërprerjen e shpërnguljes me dhunë të shqiptarëve nga Kosova për në Turqi.[xxv] Kështu, që nga mezi i vitit 1935, çështja e shpërnguljes së shqiptarëve çoi sërish në ftohjen e marrëdhënieve midis Beogradit e Tiranës.[xxvi]
Ndërkaq, në disa konferenca ndërministrore të mbajtura në Ministrinë e PJ të Jugosllavisë, në shtator të vitit 1935, qe arritur në përfundime “se duhet të përdoren të gjitha mjetet për të asgjësuar propagandën shqiptare kundër shpërnguljes”[xxvii]. Në këtë kuadër, në funksion të stimulimit të shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi, do të ndërmerren veprime për “thyerjen e irridentës shqiptare”.[xxviii] Asokohe qe intensifikuar edhe eksproprijimi i pronave të pa luajtshme të shqiptarëve. Ashtu që pas marrëveshjes formale dypalëshe jugosllavo-turke të vitit 1936, mbi shpërnguljen e 200.000 vetave, gjatë viteve 1936-1937 që intensifikuar fushata e shpërnguljes së shqiptarëve nga Jugosllavia në Turqi.[xxix] Por, sipas burimeve historike duket se gjatë vitit 1936, nuk u realizuan qëllimet e fushatës jugosllave rreth shpërnguljes së shqiptarëve nga Jugosllavia në Shqipëri.[xxx] Për këtë kontribuoi mobilizimi i faktorit shqiptar, si asnjëherë më parë, në forcimin të ndërgjegjes kombëtare dhe të idesë së bashkimit me Shqipërinë të shqiptarëve nën sundimin jugosllav, por dhe ndërprerja e vizave emigruese nga ana e organeve të pushtetit turk e shqiptar.[xxxi]
Ndërkohë në kuadër të Qeverisë shqiptare qe ngritur një Komision, për mbrojtjen e shqiptarëve në Jugosllavi. Kryetar i komisioni ishte Eqrem Libohova, ministër i PJ dhe anëtarë ishin Rauf Fico, Ekrem Vlora dhe Hamdi Karazi. Më 6, 7 dhe 11 janar të vitit 1937, Komisioni shqyrtoi disa aspekte lidhur me mbrojtjen e “çështjes kosovare”. Për të sfiduar politikën shkombëtarizuese jugosllave ndaj shqiptarëve dhe shpërnguljen e tyre nga Jugosllavia, Komisioni hartoi një Program pune i përbërë nga katër pika (nyje). Në pikën e parë (I) dhe të dytë (II) definoheshin format dhe dimensionet e aktiviteteve dhe të masave politike e diplomatike që do të ndërmerren në mbrojtje të shqiptarëve në Jugosllavi, “tue kundërtshtue emigrimin e tyre kudo qoftë”. Për arritjen e këtij qëllimi do të veprohej në planin politik, kulturor dhe në atë diplomatik. Në planin politik, duhej arritur organizimi i elementit nacionalist shqiptar dhe i rinisë intelektuale. Në planin informativ, duhej botuar një fletushkë apo revistë kulturore letrare në vend, si dhe i një gazete në Gjenevë (qendër e Lidhjes së Kombeve) e cila do të ishte në shërbim të fushatës për të ndaluar shpërnguljen e shqiptarëve nga ana e Jugosllavisë. Ndërkaq në planin diplomatik, do të ndërmerren aksione diplomatike pranë Lidhjes së Kombeve, në Beograd dhe pranë Legatës jugosllave në Tiranë, që me mjete diplomatike të arrihet deri te ndërprerja e shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi. Tirana synonte që në këtë aksion të saj diplomatik, të siguronte dhe mbështetjen e Italisë.[xxxii]
Në janar të vitit 1938, Shtabit të Përgjithshëm jugosllav vlerësonte se “në përgjithësi shpirtrat ishin trazuar”, duket se kjo kishte të bënte më shumë me atë që shqiptarët vazhdonin të kundërshtonin eksproprijimin/konfiskimin e pronave tokësore të tyre nga ana organeve agrare jugosllave.[xxxiii] Po sipas burimeve jugosllave, deri në muajin maj 1938 nuk qe hetuar asnjëfarë aktiviteti serioz i “propagandës shqiptare” e as ndonjë aksion të “propagandës irredentiste shqiptare” në Jugosllavi.[xxxiv] Gjithashtu, gjatë vitit 1938 nuk kishte as dhe ndryshime të mëdha në marrëdhëniet midis Jugosllavisë e Shqipërisë, vlerësohet në burimet diplomatike britanike.[xxxv]
Në Beograd vlerësohej se kushtet ekonomike në Shqipëri mundësonin shpërnguljen e vetëm rreth një qind mijë emigrantësh shqiptar, kurse Turqia ofronte mundësi të pa kufizuara për shpërnguljen e tyre.[xxxvi] Ndaj dhe Qeveria jugosllave insistonte për arritjen dhe nënshkrimin e marrëveshjes me Turqinë, sipas së cilës shpërngulja e “elementit jo sllav” nuk do të ishte akt i njëanshëm.[xxxvii] Negociatat midis Jugosllavisë dhe Turqisë për një marrëveshje dypalëshe mbi shpërnguljen filluan më 9 qershor dhe përfunduan më 13 korrik të vitit 1938, prapa dyerve të mbyllura në Stamboll,[xxxviii] me firmosjen e Konventës,[xxxix] të titulluar: Konventa mbi rregullat e emigrimit të popullatës turke nga rajoni i Serbisë së Jugut në Jugosllavi, dhe e cila përbëhej nga 21 nene, me të cilët rregullohej mënyra dhe kushtet e shpërnguljes së 40.000 familjeve, nga 38 rrethe në Jugosllavi, jashtë Bosnjës dhe Sanxhakut. Konventa përcaktonte që popullata që do të shpërngulet të ishte ekskluzivisht fshatare, kurse të shpërngulurit nga qytetet do të gëzonin statutin e “emigrantëve të lirë”. Shpërngulja duhej të realizohej në harkun kohor brenda 6 viteve (1939-1944).[xl] Në fakt ideja e fshehtë e Konventës ishte shpërngulja e detyrueshme e shqiptarëve nga rrethet/nënprefektura të caktuara, pa marrë parasysh vullnetin e personave të prekur.[xli]
Që në momentin kurë po zhvilloheshin negociatat turko-jugosllave, qershor-korrik 1938, reagoi Qeveria shqiptare. Asokohe do të arrinte për vizitë në Stamboll kryeministri shqiptar, vizita e të cilit mund të ishte e motivuar edhe nga negociuat turko-jugosllave. Si Jugosllavia ashtu edhe Turqia refuzonin përfshirjen e Shqipërisë si palë e tretë në bisedimet jugosllavo-turke mbi shpërnguljen, sa që ministri turk Ruzhdi Aras nxitonte që negociatat turko-jugosllave, në Stamboll, të përfundojnë përpara se të arrinte në Stamboll kryeministri shqiptar, për ti vënë kështu shqiptarët para aktit të kryer.[xlii] Mirëpo, lajmet mbi arritjen e një marrëveshje definitive jugosllavo-turke (1938) për shpërnguljen e “myslimanëve”, përkatësisht shqiptarëve nga Jugosllavia, ngjalli reagim të madh thuajse në shkallë kushtrimi në Shqipëri. Mbreti, Parlamenti dhe Qeveria shqiptare, për të penguar realizimin e këtij projekti jugosllavo-turk, ndërmori një fushatë të gjerë politike e diplomatike brenda e jashtë vendit. Nga mezi i shtatorit të vitit 1938 Mbreti Zog I e dërgoi Mehmed Konicën, emisarin-të besuarin e tij, në Athinë dhe në Ankara, me detyrë që të ndikonte ndër rrethet kompetente turke që të mos pranojnë shpërnguljen e shqiptarëve nga Jugosllavia.[xliii] Mehmet Konicës gjatë vizitës së tij në Turqi iu tha se Konventa në esencë nuk kishte për qëllim shpërnguljen e shqiptarëve por të turqve, dhe nëse nuk zbatohet me përpikëri mund dhe të pezullohet [xliv] Njëkohësisht, mbreti në cilësinë e të besuarit të tij e autorizoi Nikollë Ivanajn , për të biseduar me të ngarkuarin me punë të Francës dhe të Britanisë në Shqipëri, që ata të ndikojnë te qeveritë e tyre për të ndërhyrë në favor të ndërprerjes së shpërnguljes së shqiptarëve.[xlv]
Në gjysmën e dytë të vitit 1938, Qeveria shqiptare kishte filluar bisedimet me qeverinë e Beogradit për arritjen e një marrëveshje eventuale, në funksion të ndërprerjes së shpërnguljes së organizuar të shqiptarëve në Turqi. Qeveria shqiptare në këto bisedime ia shtroi disa kërkesa Qeverisë jugosllave. Nga kërkesat kryesore ishin: Në Komisionin e Përzierë turko-jugosllav të përfshihet edhe një shqiptar, qoftë ai nga Turqia apo nga Jugosllavia, për të i dalluar shqiptarët nga turqit; Të ndërpritet konfiskimi i tokave të shqiptarëve; Të iu njihet shqiptarëve e drejta e mësimit dhe e kultivimit të gjuhës amtare. Ndërkaq, një nga kërkesat e Jugosllavisë ishte që Shqipëria të mos toleronte në territorin e saj asnjëfarë veprimtarie kundër Jugosllavisë.
Nëse përpjekjet e Qeverisë shqiptare në Beograd e në Stamboll si dhe pranë Fuqive të Mëdha dhe mike të Shqipërisë do të dështonin, atëherë do të pasonin hapat të tjerë politik e diplomatik për të ndërprerë shpërnguljen e shqiptarëve nga Jugosllavia.[xlvi] Në tetor të vitit 1938, disa deputetë në Parlamentin shqiptar, nga të cilët shquhej Jashar Erebara, angazhoheshin për ngritjen e një Komisioni të veçantë parlamentar për këtë çështje, por për momentin i ishte lënë në dorë Qeverisë shqiptare të pengonte jetësimin e Konventës jugosllavo-turke.[xlvii] Po në tetor të vitit 1938 një grup deputetësh, gazetarësh, studentësh e të rinjsh, po përgatisnin mitingje protestuese në qytetet kryesore, si në Tiranë, Korçë, Shkodër, Vlorë etj., kundër Konventës turko-jugosllave të cilësuar nga ato “si perfide”.[xlviii] Mirëpo, Qeveria shqiptare përpiqej të pengon organizimin e këtyre mitingjeve, sepse vlerësonte se ato më shumë do të ishin të dëmshme se sa të dobishme për kauzën.[xlix] Megjithatë, nga fundi i vitit 1938 emigracioni kosovar në Shqipëri organizoi mitingje, në të cilat kërkohej që qeveria shqiptare dhe qeveritë e Fuqive të Mëdha evropiane të ndërhyjnë në Beograd, me qëllim që shqiptarëve në Jugosllavi t’iu njihen të “drejtat e pakicës”. Gjithashtu, në vjeshtë të vitit 1938, edhe ndër shqiptarët brenda në Jugosllavi qe ndërmarrë një aksion politik për të parandaluar shpërnguljen e tyre për në Turqi, të bindur “se ekziston zgjidhje për çështjen e tyre!”.[l]
Gjithsesi se Qeveria shqiptare e akuzonte edhe Qeverinë turke për lidhjen e Konventës turko-jugosllave mbi shpërnguljen e 250.000 “myslimanëve” në Turqi, shumica absolute e të cilëve do të ishin shqiptar. Por, qarqet diplomatike turke pohonin se Turqia nuk dëshiron që me këtë Konventë t’i shkaktoj dëm elementit shqiptar në Jugosllavi. Qeveria në Ankara ishte e pa kënaqur nga alarmi në Tiranë, por dhe nga akuzat e personave gjysmëzyrtarë shqiptar ndaj Ankarasë, si që ishte rasti me Memoarin në Kongresin Kishtar, mbajtur në Osllo.[li] Për të zbutur shqetësimin e opinionit dhe të autoriteteve shqiptare, përfaqësuesi diplomatik turk në Tiranë, para kolegëve të tij, sigurisht edhe para autoriteteve qendrore shqiptare, jepte shpjegime se pasi që Turqia me këtë Konventë nuk synon të dëmtoj elementin shqiptar në Jugosllavi, ajo do të merr masa të nevojshme që në procesin e shpërnguljes të përfshihet vetëm elementi turk.[lii]
Ndërkaq, shqiptarët, të bindur nga Shqipëria, e pranonin me qetësi dhe pa manifestime publike konfiskimin edhe të asaj toke e cila u qe lënë nga 0.40 hektarë për anëtar të familjes. Shqiptarët porositeshin nga Shqipëria se: “Mund tua marrin juve gjithçka por shtëpinë nuk munden. Qëndroni aty ku jeni”. Autoritetet jugosllave konstatonin se më se tri vite shqiptarët nuk i shesin pronat e tyre tokësore.[liii] Ndërkaq, Shtabi i Përgjithshëm Kryesor vlerësonte, në tetor të vitit 1938, se për rrjedhojë të aksionit të Ferat Dragës dhe zhvillimeve ndërkombëtare fantazia/imagjinata shqiptare në “Serbinë Jugore” për liri kurë nuk ka qenë me e lartë se sa sot. Andaj kjo dukuri duhet shtypur edhe me anë të ushtrisë.[liv]
Angazhimet e Mbretit dhe i Qeverisë Shqiptare në parandalimin e shpërnguljes së shqiptarëve vazhduan edhe në vitin 1939. Në mars të vitit 1939, Qeverisë shqiptare u përpoq të përfitojë nga dobësimi i qeverisë së Cvetkoviqit dhe nga “fuqia e pakufishme e Mehmet Spahos”, për të i dhënë fund me anë të një ligji marrjes së tokave dhe shpërnguljes së shqiptarëve nga Jugosllavia në Turqi duke anuluar Konventën e Stambollit. Nëse nuk arrihej kjo, atëherë të paktën të arrihet ajo që në projekt Konventën në fjalë të saktësohet numri i turqve që banojnë në Jugosllavi dhe vendbanimet e tyre. Mbretit Zogu I, udhëzonte të krijohej një Komitet shqiptar, në krye me Ferhat Dragën, veprimtaria e të cilit do të drejtohet nga Legata shqiptare në Beograd, i cili Komitet do të zhvillonte veprimtari propagandistike e kulturore ndër shqiptarët në Jugosllavi.[lv] Ndërkaq, në fillim të vitit 1939 diplomacia shqiptare vazhdonte aktivitetin e saj në Turqi, kundër Konventës. Në mars të vitit 1939, i deleguari shqiptar në Ankara me urdhër të Qeverisë shqiptare kishte ndërmarr hapin e duhur, që ta pengoj zbatimin e Konventës krijuesit kryesor të së cilës ishin Qemal Ataturku dhe Dr. Stojadinoviqi. Poashtu, Qeveria Shqiptare ia kishte dërguar udhëzimet e nevojshme edhe konsullit shqiptar në Shkup, që në mënyrë të përshtatshme ta njoftoj popullsinë “myslimane” në “Serbinë e Jugut”, se plani rreth shpërnguljes së popullit shqiptar ka dështuar.[lvi]
Ndërkohë, rreth zbatimit praktik dhe me sukses të neneve të Konventës ishin shtruar një varg dilemash nga individë e qarqe diplomatike. Neni 21 i Konventës jugosllavo-turke përcaktonte, që ajo do të hynte në fuqi në ditën e ratifikimit të saj nga ana e Qeverisë turke dhe asaj jugosllave.[lvii] Ndonëse Konventa parashihej të nënshkruhej në korrik të vitit 1939,[lviii] ajo nuk qe nënshkruar as në gusht të vitit 1939, sepse Qeveria turke e kushtëzonte nënshkrimin dhe ratifikimin e Konventës së firmosur me kushtëzime të reja.[lix] Ankara nuk mund të pranonte në afatet e caktuara më shumë se 12-15 mijë emigrantë nga Jugosllavia, kurse interesi i Beogradit ishte që ky numër të sillej 50-60 mijë veta. Mundësitë materiale e teknike, si: numri i vogël i konsujve/konsullatave e organeve turke për të verifikuar përkatësinë etnike turke apo shqiptare të emigrantëve potencial etj. ishte dhe një arsye tjetër që ngadalësonte zbatimin e Konventës jugosllavo-turke,[lx] sepse arritja deri te numri i përgjithshëm i saktë faktik i turqve në Jugosllavi mbetej në vazhdimësi një çështje diskutabile midis palëve.
Sa i përkiste kuotës së përcaktuar të të shpërngulurve nga “Serbia e Jugut” në Turqi, Qeveria jugosllave do të merr për bazë numrin e “popullatës turke”, sipas të dhënave në dispozicion të qeverive jugosllave dhe asaj turke. Sipas të dhënave statistikore jugosllave, në Jugosllavi jetonin 150.000 “turq”, kurse Turqia pohonte se numri i turqve arrinte në 250.000.[lxi] Kundërthënie rreth numrit të saktë të turqve në Jugosllavi u dukën edhe midis Qeverisë shqiptare dhe asaj turke. Sipas Turqisë, në Jugosllavi jetonin minimum 150.000 turq, kurse sipas “faktorëve meritor shqiptarë” ai numër ishte maksimum 50.000 turq.[lxii]
Pra, sipas vlersimeve zyrtare jugosllave, ndonëse u angazhua thuajse e gjithë qeveria jugosllave për shpërnguljen e shqiptarëve, shpëpërngulja nuk zhvillohej me intezitet dhe masivitet të dëshiruar, për shkakun se, si që thuhej, Turiqia nuk ishte në gjendje të siguronte mjetet e nevojshme financiare, kjo dhe ishte arsyeja kryesore për mos realizimin e programit të shpërnguljes së shqiptarëve.[lxiii]
Mirëpo, gjatë gjithë viteve të tridhjeta të shekullit XX, vazhdonte procesi i shpërnguljes së shqiptarëve, krahas bisedimeve dhe negociatave turko-jugosllave për shpërnguljen e tyre. Por, aktualisht historiografia nuk ka arritur të vërteton numrin e saktë të të shpërngulurve shqiptarë dhe përgjithësisht të “jo sllavëve”. Procesi i shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi zhvillohej në dy mënyra, dhe atë: në mënyrë ilegale dhe në mënyrë legale e të organizuar, prandaj dhe është e vështirë të arrihet deri te numri i përgjithshëm i saktë i personave të shpërngulur. Sipas burimeve diplomatike italiane, vetëm gjatë viteve 1932-1935 nga “Kosova” ishin shpërngulur më se 30.000 shqiptarë, shumica nga të cilët u shpërngulën në Turqi dhe një pakicë fare e vogël në Shtetin shqiptar.[lxiv]
[i] .) Me termin “Jo sllav”, autoritetet jugosllave e emëronin popullatën e konfesionit mysliman në vend e cila nuk i përkiste etnisë sllave.
[ii].) Државен архив на Република Македонија (në vazhdim: ДАРМ), Скопје, Фонд (në vazhdim: Ф.) ВИИ, Микрофилм (në vazhdim: М.) 346, Kongresi sovjetik kundër luftës imperialiste, në Amsterdam, 27-29 tetor 1933, fjala e D. Vllahov, fq. 6-7.
[iii] .) Димитрије Богдановић , Књига о Косову, Београд, 1986, fq. 370.
[iv] .) Dr Hakif Bajrami, Dëbimi dhe shpërngulja e shqiptarëve në Turqi, (Dokumente), Prishtinë 1996, fq. 309; Димитрије Богдановић , Књига о Косову…, fq. 369 dhe 371; Dr. Izber Hoti, Qëndrimi i diplomacisë italiane ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve (1930-1941), Prishtinë, 1997, fq. 107.
[v] .) Dr. Izber Hoti, Qëndrimi i diplomacisë italiane…, fq. 111-112; Dr Hakif Bajrami, Dëbimi dhe shpërngulja e shqiptarëve në Turqi…, fq. 130.
[vi] .) Dr Hakif Bajrami, Dëbimi dhe shpërngulja e shqiptarëve në Turqi…, fq. 332; Dr. Izber Hoti, Qëndrimi i diplomacisë italiane…, fq. 107-108; Иво Андић, Дипломатски списи, Приредио, предговор и коментаре написао Миладин Милошевић, Просвета, Београд, dok. nr. 106, f. 193-194.
[vii] .) Dr. Izber Hoti, Qëndrimi i diplomacisë italiane…,fq. 108.
[viii] .) Vladan Jovanović, Interministerijalna konferencija Kraljevine Jugoslavije o iseljenju “neslovenskog elementa” u Tursku (1935), Prilozi-Contributions, 35, Institut za istoriju u Sarajevu, Sarajevo, 2006, fq. 109; Dr Hakif Bajrami, Dëbimi dhe shpërngulja e shqiptarëve në Turqi…, fq. 349.
[ix] .) Dr. Izber Hoti, Qëndrimi i diplomacisë italiane…, fq. 109.
[x] ,) Dr Hakif Bajrami, Dëbimi dhe shpërngulja e shqiptarëve në Turqi, (Dokumente)…, fq. 292.
[xi] .) Димитрије Богдановић , Књига о Косову…, fq. 370
[xii] .) Hakif Bajrami, Konventa jugosllavo-turke e vitit 1938 për shpërnguljen e shqiptarëve, “Gjurmime albanologjike”, Seria e shkencave historike, XII-1982, Prishtinë 1983, fq. 245, 246-referenca nr. 6 dhe fq. 260; Dr Hakif Bajrami, Dëbimi dhe shpërngulja e shqiptarëve në Turqi, (Dokumente)…, fq. 334; Vladan Jovanović, Interministerijalna konferencija…, f. 120.
[xiii] .) Иво Андрић, Дипломатски списи…, dok. nr. 65, f. 134-135; Hakif Bajrami, Konventa jugosllavo-turke e vitit 1938…, fq. 246-247; Димитрије Богдановић , Књига о Косову…, fq. 370; Vladan Jovanović, Interministerijalna konferencija…, f. 119;
[xiv] .) ДАРМ, Скопје, ВИИ, М. 345, По. 2914, 31 јула 1935, Битољ, Komanda e Qarkut ushtarak të Manastirit, komandantit të Zonës (Rajonit) të Divizionit të Vardarit, mbi shpërnguljen e rekrutëve me kombësi turke e shqiptare; Vladan Jovanović, Interministerijalna konferencija …, f. 112.
[xv] .) Po aty, Vladan Jovanović, Interministerijalna konferencija Kraljevine Jugoslavije…, fq. 111.
[xvi] .) Vladan Jovanović, Interministerijalna konferencija…, fq. 109.
[xvii] .) Dr Hakif Bajrami, Dëbimi dhe shpërngulja e shqiptarëve në Turqi, (Dokumente)…, fq.
[xviii] .) Prof. Dr. Marenglen Verli, Shqipëria dhe Kosova historia e një aspirate, (Studime historike, kumtesa, dokumente dhe ilustrime), Vëllimi I, Tiranë, 2007, f. 358-364.
[xix] .) Vladan Jovanović, Interministerijalna konferencija…, fq. 108, 110 dhe 113, refer. nr. 40.
[xx] .) Dr Hakif Bajrami, Dëbimi dhe shpërngulja e shqiptarëve në Turqi, (Dokumente)…, fq. 128-131 .
[xxi] .) Dr Hakif Bajrami, Dëbimi dhe shpërngulja e shqiptarëve në Turqi, (Dokumente)…, fq. 415-416.
[xxii] .) ДАРМ, Скопје, Ф. МНРЈ, Д. Прилике у Јужној Србије, 1938 године.
[xxiii] .) ДАРМ, Скопје, ВИИ, М. 345, Пов. 2914, 31 јула 1935, Битољ, Komanda e Qarkut ushtarak të Manastirit, komandantit të Zonës (Rajonit) të Divizionit të Vardarit, mbi shpërnguljen e rekrutëve me kombësi turke e shqiptare; Po aty, М. 345, Пов.С. Бр. 14202, 23 октобра 1935 год., Београд, Ministria e Ushtrisë dhe e Marinës, Kryeshefit të Sektorit të Shtabit të Përgjithshme; Po aty, М. 345, Пов.Ђ.О.Бр.3907-35, 24, март 1936, у Београду, Propozim dhe sqarim mbi shpërnguljen e jo sllavëve nga Serbia e Jugut. .
[xxiv] .) Dr Hakif Bajrami, Dëbimi dhe shpërngulja e shqiptarëve në Turqi, (Dokumente)…, fq. 304.
[xxv] .) Živko Avramovski, Britanci o Kraljevini Jugoslaviji, (Godišnji izveštaji Britanskog poslansva u Beogradu 1921-1938), knjiga druga (1931-1938), Zagreb, 1986, fq. 314/315; Dr Hakif Bajrami, Dëbimi dhe shpërngulja e shqiptarëve në Turqi, (Dokumente)…, fq. 130-131.
[xxvi] .) Živko Avramovski, Britanci o Kraljevini Jugoslavij…i, fq. 314.
[xxvii] .) Dr Hakif Bajrami, Dëbimi dhe shpërngulja e shqiptarëve në Turqi, (Dokumente)…, fq. 332.
[xxviii] .) Vladan Jovanović, Interministerijalna konferencija…, f. 118.
[xxix] .) АИНИ, Скопје, Ф. Трета армисјска област (më tej: TAO), К. XXXV/6, Ред, бр. 697, Инв. бр. 1786, Пов.Ђ.Об.Бр. 1786, Скопље, 27.о8.1936, Shtabi i Armatës III, kryeshefit të Shtabit të Përgjithshëm Kryesor; Dr Hakif Bajrami, Dëbimi dhe shpërngulja e shqiptarëve në Turqi, (Dokumente)…, fq. 294; Prof. Dr. Marenglen Verli, Shqipëria dhe Kosova…, fq. 369-370.
[xxx] .) Živko Avramovski, Britanci o Kraljevini Jugoslaviji…, fq. 540.
[xxxi] .) Dr Hakif Bajrami, Dëbimi dhe shpërngulja e shqiptarëve në Turqi, (Dokumente)…, fq. 332; Prof. Dr. Marenglen Verli, Shqipëria dhe Kosova…, fq.365.
[xxxii] .) Prof. Dr. Marenglen Verli, Shqipëria dhe Kosova…, fq. 374-376.
[xxxiii] ) ДАРМ, Скопје, ВИИ, М. 346, Поверенички извештај (Raport rezervat) Бр.. 27/41, За досије: Прилике ѕа Јуж. Србији, Главен ђенералштаб, „М“, Пов.Ђ.Об. 438, 15.о1.1938 год.
[xxxiv] .) AИНИ, Скопје, Ф. Стојадиновћ, К. XXXIX/25, Ред, бр. 48, Tepër rezervat, Buletin, Sektori për Mbrojtjen e Shtetit i Ministrisë së PB për muajin maj 1938, fq. 15.
[xxxv] .) Živko Avramovski, Britanci o Kraljevini Jugoslaviji…, fq. 648.
[xxxvi] .) Vasa Čubrilović, Iseljavanja Arnauta, 7 marta 1937 god., në: Izvori velikosrpske agresije, Rasprave dokumenti, kartografski prikazi, priredio Bože Čović, Zagreb, pa v.b., f. 111.
[xxxvii] .) Иво Андpић, Дипломатски списи…, dok. nr. 106, f. 193-194; Vladan Jovanović, Interministerijalna konferencija…, f. 119.
[xxxviii] .) Balkanski ugovorni odnosi 1876-1996, II tom (1919-1945), Priredio Momir Stojković, dok. rr. 301, f. 416-417; Hakif Bajrami, Konventa jugosllavo-turke e vitit 1938…, fq. 249-250 dhe 268; Dr Hakif Bajrami, Dëbimi dhe shpërngulja e shqiptarëve në Turqi, (Dokumente)…, fq. 311, 334; Vladan Jovanović, Interministerijalna konferencija…, f. 119.
[xxxix] .) Dr Hakif Bajrami, Dëbimi dhe shpërngulja e shqiptarëve në Turqi, (Dokumente)…, fq…, fq. 323, 334 dhe 250.
[xl] .)Hakif Bajrami, Konventa jugosllavo-turke e vitit 1938…, fq. 258-265; Dr Hakif Bajrami, Dëbimi dhe shpërngulja e shqiptarëve në Turqi, (Dokumente)…, fq. 334; Vladan Jovanović, Interministerijalna konferencija…, f. 120.
[xli] .) Vladan Jovanović, Interministerijalna konferencija…, f. 121.
[xlii] ,) Dr Hakif Bajrami, Dëbimi dhe shpërngulja e shqiptarëve në Turqi, (Dokumente)…, fq. 292.
[xliii] .) Živko Avramovski, Prilog pitanju italiansko-albanske iredentističke propagande na Kosovu i Metohiji u vreme Minhenske krize i okupacije Albanije, Историјски гласник, 2-3, Београд, 1964, fq. 128; ДАРМ, Скопје, 1178.1.28/57-58, Rport i Peevit, ambasadori bullgar, Qoseivanovit, ministri bullgarë i PJ, Tiranë, 14.10.1938.
[xliv] .) ДАРM, Скопје, 1.1178.1.54/108.
[xlv] .) Dr. Hakif Bajrami, Dëbimi dhe shpërngulja e shqiptarëve në Turqi (Dokumente)…., fq. 294-295, Legata britanike, Durrës, MPJ, Londër, 27.o6 dhe 2.o7.1938.
[xlvi] .) Prof. Dr. Marenglen Verli, Shqipëria dhe Kosova…, fq. 376-379.
[xlvii] .) ДАРM, Скопје, Фонд бр. 1.1178, Кутија бр, 1, арх. единица 28, лист 57-58 (në vazhdim sipas këtij shembulli: ДАРM, Скопје, 1.1178. 1. 28/57-58).
[xlviii] .) ДАРM, Скопје, 1.1178.1.57/112-113.
[xlix] .) ДАРM, Скопје, 1.1178.1.54/108.
[l] .) Živko Avramovski, Britanci o Kraljevini Jugoslaviji…, fq. 648-referenca 33; Živko Avramovski, Prilog pitanju italiansko-albanske iredentističke propagande na Kosovu i Metohiji…, fq. 128.
[li] .) ДАРM, Скопје, 1.1178.1.28/57-58.
[lii] .) ДАРМ, Скопје, 1.1178.1.28/57-58, T.A.Nr. 338, Тирана, 14 Октовмврий 1938 г., Raport i Peevit, i ngarkuari me punë i Bullgarisë në Shqipëri, Qoseivanovit, ministrit bullgarë të PJ; Po aty, 1178.1.57/112-113, T.A.Nr. 353, Тирана, 21 Октовмврий 1938 г., Raport i Peevit, Qoseivanovit; Po aty, 1178.1.55/109-110, T.A.Nr. 358, Тирана, 23 Октовмврий 1938 г., Raport i Peevit, Qoseivanovit; Po aty, 1178.1.54/108, T.A.Nr. 363, Тирана, 25 Октовмврий 1938 г., Raport i Peevit, Qoseivanovit; Živko Avramovski, Britanci o Kraljevini Jugoslaviji…, fq. 648-referenca 33; Živko Avramovski, Prilog pitanju italiansko-albanske iredentističke propagande…, fq. 128.
[liii] .) ДАРМ, Скопје, ВИИ, М. 346, МУП, Кратак преглед на политичко-национални и политичко-партиски живот Јужне Србије, Досије: Прилике у Јужној Србији, 1938; ДАРМ, Скопје, Скопје, Ф. МНРЈ, Д. Прилике у Јужној Србије, 1938 године.
[liv] .) ДАРМ, Скопје, ВИИ, М. 346, III Армијска Област, Пов.Ђ.Бр. 3530/38 год., Уз досије : Колонизација, Br. 30/3, red. 6 dhe 7, K. 26.
[lv] .) Prof. Dr. Marenglen Verli, Shqipëria dhe Kosova…, fq. 379-380.
[lvi] .) ДАРМ. Ф. ВИИ.М.347.Пов.Ј.Б.бр.291, 28 марта 1939 год., у Скопле.
[lvii] .) Hakif Bajrami, Konventa jugosllavo-turke e vitit 1938…, fq. 265.
[lviii] .) Dr Hakif Bajrami, Dëbimi dhe shpërngulja e shqiptarëve në Turqi, (Dokumente)…, fq. 334.
[lix] .) Vladan Jovanović, Interministerijalna konferencija…, f. 120-121.
[lx] .) ДАРM, Скопје, 1.1178.1.57/112-113.
[lxi] .) Иво Андић, Дипломатски списи…, dok. nr. 106, f. 193-194.
[lxii] .) ДАРM, Скопје, 1.1178.1.28/57-58.
[lxiii] .) Димитрије Богдановић , Књига о Косову…, fq. 371.
SAMI says
I NDERUARI DR HALIM KENI BA NJIPUN SHUM TRANSPARENTE DHE E QELLUME SE DERI SOD NUK JAN SQARUE KTO DUKURI SHKATRUSE NDAJ KOMBIT TON ATHER JUPËRGËZOJ BRAVO.