Çdo qeveri që vjen, ka punë me sheshin që vetëm emrin ka si i Skëndërbeut. Se në fakt është sheshi i mllefit. I vënies përtokë. Por me inat ama. Me dhunë. Me të shara me qejf. Aq sa edhe keta skrepërit me ato kova si feçka elefentësh, bilbizojnë kur shkulin gurët. Bjeri, vënçe. Shkuli më të lumtë tështima. Çoje Skëndërbeun këtu. Ngjyrose si të duash. Le të plasin ata legenat. Ta dinë që ne fituam. Ta dimë që jemi ne.
Dhe shqiptarët që gdhihen me atë kalorësin e Krujës, herë atje, në qoshe nga xhamia. Atë Skënderin e Kastriotëve. Herë andej nga treni. Herë në gropë. Herë mes dizajnit te nje paçavure bari. Dhe herë duke u matur me Enverin. Vëllain e madh të inatçorëve. Herë duke parë delet se si i kullosin tek këmbët. Herë popullin që kujtohet e djeg. Proteston. Një herë në gjysmë shekulli. Pastaj fle.
Po kur protestojnë, protestojnë ama. Madje me kamiona repoltabël, saurrela liaz etj. Me qenër policie. Diagaçe,autoblinda. Me zis-in në krye, këtë heroin e punës socialiste. Mjafton që protestojnë. Dhe të plasi ai legeni. Nuk ka rëndësi se sa para u marrim shqiptarëve.
Pastaj gjumë. Mjafton që e mbajtën fjalën me zisin e radhës. Pastaj gjumë ariu. Një e përditshme ku qeshin dhe hanë fara luledielli.
Të vej ku të vejë.
1) Sheshi i Skënderit zë fill atëhere kur shqiptarët ndanë mëndjen të kenë një kryeqytet të tipit perëndimor. Pasi vilajetet e Dovletit i kishin lënë me pesë të tillë. Dhe u përfshi në të ashtuqujturin plani sistemues i Tiranës. Me grupin e ministrive, bulevardin. Ndërtesa qeveritare dhe korpusin qëndror. Ose të ashtu nëmurin, si sopata e liktorit. E Duçes. Vëllait të madh nga koha e mbretërisë. Pra rreth viteve 1927-1929. Një lloj përngjasje apo harmonizimi me sheshin e shenjtorëve dhe sheshin Venecias në Romë. Apo Vatikan, ku pak ditë më parë ishim aty shqisërisht e me hori revolucionare në shenjtërimin e Gonxhes tonë. Më pas, me kalimin e viteve. U bë si deshi, dyshja abetares Enver-Tito. Si deshi, Stalini. Si deshi Mao Ce Duni. Si deshi vetmia jonë brenda Kampit të mbyllur socialist. Më shtatlartin, me kapërdinë atje nga krahu i gjelltores më këmbë. Ku ndahet rrugët e Durrësit me të Kavajës. Enverin nga Donovati… Dhe sot siç do vëllai i madh Erdogan. Ibrikzimi i Tiranës etj.
2) Një sehirxhi i radhës, me tregonte se si i mbeti nofka e përdalë. Ose femër me njëqind burra filankës. Ne tha, na hipi për kokë. O ta zinim dashnore, o hiç. Dhe bëheshim nja qind çuna. I silleshim poshtë shtëpisë. Fjaloseshin dy e nga dy. Kishte rivalitet mes nesh. Ndeshje me grushta. Kështu kjo punë, u bë sedër djelmoshash. Poshtë atij pallati të mjerë silleshim si zagarët në kohën e ndërzimit.
E kthyem atë rrethinë në bash, qendrën e qytetit. Shëtisnim darkave edhe të fashur. Edhe armiq të përbetuar. Hasëm të njëri-tjetrit….
Kështu, e, dhjetë vjet.
-Mirë, po vajzën kush e zuri? – pyeta unë kureshtari.
-Askush, ma ktheu ai. -Ca thoshin se aty lart, nuk kishte pasë vajzë fare. Të tjerë thoshin se, na i bëri glasën në kokë dhe shkoi e u martua diku tjetër. Kuptohet me atë që deshi. Po ne e nxorrëm inatin tonë. Kurvë e thërrasin edhe sot. Dhe asaj lagjeje, sheshit poshtë pallatit de…, ashtu i ka ngelur. Sheshi i kurvës.
———–
Kur në fakt duhej t’i ngelej sheshi i legenave.? I zagarëve
3) Tashmë ne shqiptarëve na ka hyrë dërrma e inatit. Dërrma e pedonaleve. Megjithëse shumë sheshe të kryeqyteve në botë, janë mishirim i ndryshimeve historike. Jo i tekave politike. Si të thuash një lloj muzeumi natyror i zhvilleve në vend. Me të mirat dhe këqijat e saja. Dhe koha jonë, i ka ato pak histori të sajat. Që fare mirë mund të formëzonin identitetin tonë.
Le t’i referohemi idesë përngjasuese. Sheshit të shenjtorëve. Apo Sheshit Venecia po në Romë. Një shesh me histori të madhe. I kurorëzuar nga Musolini. Aty përmblidhen shumë e shumë. Që nga memoria e unifikimit të Italisë me Viktor Emanuelin. Me altarin e atdheut, ushtarin e panjohur etj. Projekt të cilin e kurorëzoi Duçja. Fashisti që e bëri për turp Italinë. Megjithatë edhe sot e kësaj asnjë grimë pluhuri nuk ishtë luajtur Sheshit Venecia. Kurse ne, nuk ngelëm veç duke e përçudnuar çdo qeversisje. Herë me qejf rusokinez. Dhe herë me qejfinatin e erdoganizmit.
Dhe, jo vetëm italianët krenohen dhe e admirojnë atë. Por edhe ne.
Megjithatë ca pyetje, godasin me ashpërsi. Po parate e harxhura?
Sa shtëpi banimi mund t’i ofronim të pastrehëve? Sa shërbime të tjera urbane periferive? Sa institucione për të moshuarit e braktisur mund të hapnim. Sa rimbursime të drejtash studimi? Po ata gurë që po hiqen, pse hidhen kot?
Po me sa duket ne, vetëm të pyesim nuk dimë.