Një shtet si Shqipëria, që politikisht e ekonomikisht shtrëngohet për fyti nga banda e oligarkë sidhe ekonomia kapitaliste mbi të cilën bazohet ekzistenca e tij, mund të shpëtohet nga sa po i ndodh vetëm me një mrekulli të tillë- “shkatërrimi kreativ”/
Nga Lindita KOMANI/
Disa muaj më parë një gazetare e re në moshë foli dhe pa i bërë syri tërr u përball me kryeministrin me probleme të theksuara personaliteti. Të gjithë e duartrokitën për guximin.
U mendua se ishte ajo dhe kaq.
Me protestën e studentëve po kuptohet që nuk bëhet fjalë për dukuri individuale të një gazetareje guximtare por për një brez të tërë, brezi i të rinjve që nuk i bën syri tërr.
Të rritur në liri e pa imponimin “mos bëj këtë!” e “mos bëj atë!” e mbi të gjitha të mësuar që në moshë të njomë me të drejtën e tyre që të mbrojnë të drejtat e tyre, ata vijnë në këtë çast X dhe në mënyrë të natyrshme bëjnë një shkundje si kjo që po ndodh.
Më e bukura është që ata funksionojnë të pavarur, nuk e lënë veten të përdoren, janë kreativë, në ajër e kapin dhe kuptojnë fjalën e njëri-tjetrit, duke shfaqur në këtë mënyrë një inteligjencë emocionale që të rriturit vetëm se mund t’ua kenë zili.
Në mënyrë organike po zbulohen, filtrohen dhe po shmangin të injektuarit nga jashtë natyrshmërisë së tyre, prurjet nga partitë e organizatat pranë politike që synojnë pushtet politik e duan të përvetësojnë frymën e revoltës.
Ashtu si duhet të ndodhë me lëvizjet e vërteta transformuese, dialog nuk ka, ka “shkatërrim kreativ”.
“Shkatërrimi kreativ” në sistem, apo më mirë meqë është ende në fillesë, krisja thelbësore që studentët po mundësojnë me revoltën e tyre, me këmbënguljen për të drejtën që u takon për arsim e dije dhe që ka potencialin që të çojë në “shkatërrimin kreativ” të sistemit, është një dëshmi që liria është një vlerë e jashtëzakonshme për një shoqëri.
Në kapitalizëm, sikurse është sjellë qartë e thjesht nga studiuesi austriako-amerikan Joseph Schumpeter, “shkatërrimi kreativ” dëshmon të jetë forca e vërtetë shpëtuese e sistemit nga monopoli e të ngjashmit e tij.
Një shtet si Shqipëria, që politikisht e ekonomikisht shtrëngohet për fyti nga banda e oligarkë sidhe ekonomia kapitaliste mbi të cilën bazohet ekzistenca e tij, mund të shpëtohet nga sa po i ndodh vetëm me një mrekulli të tillë.