Gjon Frani Ivezaj/
Sikurse shkencat e tjera, ashtu edhe shkenca e letërsisë lindi nga interesimi që patën dijetarët, për t’i spjegue, vërtetue e ndriçue problemet që kanë të bâjnë me artin letrar. Sot kjo shkencë ndahet në tri degë të mëdha që njihen me emnin: historia e letërsisë, teoria e letërsisë, dhe kritika letrare. Secila nga këto ka detyra, karakteristika dhe metodologji të veçantë.
Shkenca e letërsisë synon t’u japë ndihmesën e vet lexuesve, në mënyrë që të përfitojnë sa mâ shum prej veprave letrare. Njiherit, kjo shkencë përpiqet t’u ndihmojë edhe shkrimtarëve, tue u dhanë udhëzimet e nevojshme për çashtjet që kanë të bâjnë me artin letrar dhe krijimtarinë letrare në përgjithësi. Në gjiun e saj, shkencëtarët lavroj në lloje të ndryshme hartimesh shkencore, tue përdorë si mjet të shprehuni gjuhën. Nëpërmjet të saj kumtojnë përfundimet e gjur mimeve të bame në këtë lamë të shkencës. Meqenëse secila degë e shkencës së letërsisë ka detyrat, karakteristikat dhe metodologjinë e vet do t’i shqyrtojmë veç e veç.
Historia e letërsisë âsht ajo degë e shkencës së letërsisë që ka si objekt studimi zhvillimin historik të letërsisë dhe përfshin gjithë veprat letrare të nji populli ose të nji grumbulli popujsh. Përpos kësaj, në te flitet për jetën e shkrimtarëve, kushtet jetësore dhe rrethanat shoqnore në të cilat kanë jetue dhe veprue ata, për formimin e tyne artistik dhe marrëdhaniet që kanë pasë me shkrimtarët e tjerë, për ndikimet që kanë pësue prej njani tjetrit në të shkruem (drejtimet dhe metodat letrare) si dhe për vlerën artistike të vepravet të tyne. Kjo âsht nji shkencë fort e re. Zhvillimi i saj ka zanë fill në kohën e romantizmit, në gjysmën e parë të shekullit XVIII. Themeluesit e saj janë Herderi dhe vllaznit Shlegel.
Historia e letërsisë përmbledh letërsinë e nji kombi, bie fjala, letërsinë shqipe, franceze, gjermane, angleze etj. Kjo quhet ndryshe historia e letërsisë kombëtare. Gjatë hartimit të nji historie të tillë historiani i letërsisë duhet të ketë parasysh tanë letërsinë e atij populli, tue fillue prej dokumenteve të para të shkrueme e deri te veprat e shkrimtarëve të kohës së tij. Me këtë rast ai duhet të rreket t’i zbulojë ndikimet reciproke të asaj letërsie nga letërsitë e tjera. Asht e vërtetë se letërsitë e ndryshme kombëtare zhvillohen zakonisht në bazë të traditës së vet. Mirëpo, historia e letërsisë dëshmon se shpesh popujt e ndryshëm krijojnë letërsinë e tyne, tue u ndikue prej ndonji letërsie të huej, e cila i ka zgjidhë qysh moti po ato probleme ose ato të ngjashme, të cilat shtrohen para letërsisë së tyne.
Gjatë hartimit të historisë së letërsisë kombëtare, historiani i letërsisë orvatet të bâjë periodizimin e saj. Gjatë kësaj pune, para tij shtrohen nji varg vështirësish, meqenëse âsht bukur vështir me përcaktue kufitë e sakta midis periodave të ndryshme letrare. Kjo për arsye se nji periodë shkrihet në tjetrën. Me këtë rast disa historianë të letërsisë kryejnë periodizimin e historisë së nji letërsie në bazë të shekujve, dekadave, breznive, dukunive të ndryshme shoqnore e politike ose simbas rrymave të ndryshme letrare.
Mund të shkruhet edhe historia e letërsisë së disa kombeve, fjala vjen, historia e letërsisë së popujve gjermanë, romanë, sllavë etj. Në historinë e letërsisë kemi edhe raste të atilla kur dijetarët kanë shkrue historinë e letërsisë së mbarë nji kontinenti, për shembull, historinë e letërsisë europiane, amerikane etj. Përpos kësaj, mund të shkruhet madje edhe historia e letërsisë botënore. Kjo përfshin veprat dhe shkrimtarët mâ të randësishëm të të gjitha kohëve dhe popujve. Në raste të tilla historiani i letërsisë vendos se cilët shkrimtarë do të përfshihen në atë vepër e cilët jo. Zakonisht, ai zgjedh poetët mâ në zâ të letërsisë botënore, tue lanë mbas dore ata që janë mâ pak të randësishëm.
Mâ në fund, mund të shkruhet edhe historia krahasuese (komparative) e letërsisë. Kjo metodë në vetvehte âsht mjaft e arsyeshme, sepse mâ në fund as historia e nji populli nuk mund të studjohet si duhet pa e krahasue me historinë e ndonji populli tjetër. Mirëpo, edhe historia krahasuese e letërsisë duhet të ketë nji kriter të arsyeshëm. Nji histori kësodore mund të shkruhet vetëm atëherë poqese ata dy popuj, letërsia e të cilëve studjohet në këtë mënyrë, kanë pasë nji zhvillim të ngjashëm shoqnor, sepse vetëm atëherë mund të kenë përgjasime edhe letërsitë e tyne. Kështu, mund të shkruhet historia krahasuese e letërsisë franceze e gjermane, meqenëse kushtet shoqnore të këtyne dy popujve kanë qenë deridiku të ngjashme. Mirëpo, nuk mund të shkruhet kurrsesi historia krahasuese e letërsisë italiane dhe hindase a japoneze, tueqenëse kushtet kulturore dhe zhvillimi shoqnor i këtyne popujve kanë qenë fort të ndryshëm.
Sido që të jetë puna, historia e letërsisë ka për detyrë të japë pasqyrën besnike të zhvillimit letrar dhe punës së shkrimtarëve të randësishëm. Puna e historianit të letërsisë do të japë fryte të shëndoshta nëqoftëse ai âsht i zoti dhe ka kulturë të gjanë. Historiani i letërsisë duhet të ketë shije të hollë, sy të mpreftë dhe arsye të shëndoshë. Meqenëse letërsia ka karakter të gjithanshëm dhe pasqyron jetën e njeriut dhe ate të shoqnisë, historiani i letërsisë âsht i detyruem t’i trajtojë problemet e jetës kulturore të njeriut gjatë epokave të ndryshme historike. Të gjitha këto veshtirësojnë punën e tij.
Teoria e letërsisë âsht ajo degë e shkencës së letërsisë, e cila përmbledh në gjiun e vet nji varg rregullash e përgjithësimesh që i përkasin krijimtarisë letrare. Teoriku letrar, tue studjue nji mori veprash letrare, zbulon disa ligjshmëni që mund të vërtetohen në nji shumicë veprash letrare. Teoria e letërsisë ka për detyrë të spjegojë se ç’âsht letërsia, cili âsht objekti dhe funkcioni i saj dhe ku ndryshon kjo prej trajtave të tjera të ideologjisë, mandej cili âsht roli shoqno i saj e si duhen çmue veprat letrare. Përpos kësaj, ajo duhet të sqarojë se ç’ligjshmëni mbretnon gjatë procesit të krijimtarisë e zhvillimit të letërsisë në përgjithësi.
Procesi i krijimtarisë letrare ka të bâjë me rrugën që ndjek shkrimtari ç’prej momentit kur frymëzohet dhe zgjedh nji temë të caktueme e deri atëherë kur i jep fund hartimit të veprës së vet, ndërsa procesi i zhvillimit të letërsisë përmbledh në vehte ligjshmëninë e këtij zhvillimi dhe spjegon format e ndryshme që merr letërsia gjatë shekujve dhe mjetet që përdor shkrimtari për t’i shprehë ndjenjat dhe me ndimet e veta në trajtë të bukur.
Teoria e letërsisë âsht nji shkencë e lashtë. Qysh në shkrimet e Demokritit dhe të Platonit trajtohen problemet e ndryshme të artit letrar, ndërkaq Aristoteli i ka kushtue kësaj nji vepër të tanë, të cilën e ka quejtë Peri poiētikēs (Mbi artin letrar). Mâ vonë, Aristoteli ka hartue nji traktat të veçantë kushtue teorisë së letërsisë, titullue Poetika. Mjerisht, kjo vepër e tij âsht ruejtë vetëm pjesërisht. Në pjesën e ruejtun të Poetikës së vet, Aristoteli flet kryesisht për tragjedinë dhe epin, për këte të fundit vetëm pjesërisht. Me këtë vepër, ai ka vu bazat e kësaj shkence. Aristoteli ka nxjerrë disa përfundime të sakta, të cilat vlejnë edhe sot në teorinë e letërsisë. Kjo vlen sidomos për tragjedinë. Simbas mendimit të tij, çdo tragjedi duhet të ketë patjetër gjashtë pjesë: fabulën, karakteret, trajtën e mendimit (kuptimin), insqenimin, shprehjen letrare dhe kompozimin muzikor. Për pikëpamjet teorike të tij do të flasim mâ vonë./
Ndër Romakët me studimin e poezisë âsht marrë Horaci. Vepra e tij mban titullin Mbi artin poetik. Tue qenë edhe vetë poet, ai ka depërtue thellë në problemet teorike të artit letrar, i ka trajtue këto me mjeshtri, kështuqë kjo vepër e tij ka shërbye për nji kohë të gjatë si teori bazë e letërsisë.
Përpos studimeve, kushtue poetikës, në kohën antike dijetarët i kanë studjue dhe përkufizue edhe mjetet themelore stilistike të gjuhës dhe të poezisë. Kështu, gramatikanët dhe retoristët përpiluen regjistrin e këtyne mjeteve, kurse studimin përfundimtar në lidhje me këte e bani Kuintiliani në librin VIII dhe IX të veprës së vet Shkenca mbi oratorinë (De institutione oratoria).
Edhe filozofët e Mesjetës janë marrë me studimin e çashtjeve që i përkasin teorisë së letërsisë. Teoritë e tyne, shkrue në pergament, dësh- mojnë për interesimin dhe pikëpamjet që kishin në lidhje me artin letrar.
Në periodën e humanizmit, dijetarët e ndryshëm janë marrë gjithashtu me studimin e problemeve të ndryshme të teorisë së letërsisë. Gjatë kësaj kohe kanë dalë në dritë disa teori. Midis tyne shquhet vepra Shtatë libra të poetikës e Jul Cezar Skaligerit, humanistit të njohtun francez.
Në kohën e Renesansës, në Spanjë janë marrë me shtjellimin e teorisë së tragjedisë Servantesi dhe Lope de Vega, shkrimtarë në zâ të asaj kohe.
Në shekullin XVII në Francë shquhen si teorikë në zâ Nikolla Boalo dhe Dy Beli. Vepra e Boalos mban titullin Arti poetik (L’art poè- tique). Nëpërmjet të saj ai ka vu bazat e teorisë së klasicizmit francez. Kjo vepër e tij âsht shkrue në poezi. Ndahet në katër kangë. Në kangën e parë flitet për parimet e përgjithshme të poezisë, në të dytën jipen
rregullat për hartimin e llojeve të ndryshme letrare, në të tretën shtjellohen rregullat e poezisë dramatike (tragjedisë e komedisë) dhe ato të epopesë, kurse në të katërtën Boaloja i këshillon poetët të mos i frigohen kritikës dhe të mos u varin fort veshin lajkatarëve. Pikëpamjet e tij mbështeten kryesisht në teorinë klasike të letërsisë. Ajo që e dallon veprën e tij prej teorisë klasike âsht në rend të parë fryma moderne dhe përvoja mâ e pasun letrare, e përftueme në bazë të traditës mâ të gjatë letrare. Arti poetik i Boalos âsht nji teori dogmatike. Ajo i ka skllavnue poetët e asaj kohe, tue kufizue fort lirinë e tyne në krijimta- rinë letrare.
Nga teorikët letrarë të Italisë, vlen të përmendet në rend të parë Torkuato Taso. Atij i përket merita kryesore për shtjellimin e teorisë së epit. Mbas tij, në shkencën e letërsisë italiane të kohëve të vona zen vendin kryesor Benedeto Kroçe, me studime të shumta estetike.
Në letërsinë gjermane të shekullit XVIII, veprojnë nji varg poetësh dhe teorikësh. Midis tyne shquhet veçanërisht Lesingu. Ai ka hartue dy vepra të randësishme teorike: Dramaturgjinë e Hamburgut dhe Laokontin. Në këto vepra gjejmë pikëpamjet e tij mbi të bukurin dhe kushtet në të cilat lind ky. Përpos tij, me trajtimin e problemeve estetike janë marrë edhe Baumgarteni, themelues i estetikës si disiplinë të pamvarun filozofike, mandej Kanti dhe Hegeli, filozofë idealistë, Geteja dhe Shileri, Parbasi dhe Akoni,, e në kohët e vona dhe Franc Meringu , për të parënhere u publikue në historinë e njerëzimit, shqyrtuen zhvillimin e njimendët dialektiko-materialistik të estetikës. Mendimet e tyne për artin janë sot për sot të mbërrimet mâ të nalta në zhvillimin e mendimit botënor estetik.
–
Edhe letërsia ruse ka pasë nji varg teorikësh të letërsisë. Midis tyne dallohen: Tredjakovski, Lomonosovi, mandej revólucionarët demokratë Bjelinski, Çernishevski dhe Dobrolubovi, e në kohët e vona Plehanovi dhe Gorki. Studimet dhe artikujt e tyne kanë ushtrue ndikim të madh mbi zhvillimin e letërsisë ruse.
Në teorinë e letërsisë ka luejtë rol të madh romantizmi europian. Kjo metodë e re këputi lidhjen e fuqishme me poetikën e përparshme. Teoria e letërsisë romantike nuk dha ndonji vepër të randësishme, sikundër ishin teoritë klasike ose Arti poetik i Boalos. Mirëpo, ajo krijoi nji bazë të shëndoshë për studimin e letërsisë në mbështetje të nji botëkuptimi të ri.
Mâ në fund, edhe pikëpamjet teorike të romantizmit u vjetruen. Si reakcion kundër tyne lindi teoria e realizmit. Realizmi solli në teorinë e letërsisë si mbështetje kryesore idenë e së vërtetës.
Teoria bashkëkohore e letërsisë mbështetet mbi mësimet e shkencës artit poetik Boalos .Ajo i përvishet studimit të veprës letrare në kuadrin e kushteve shoqnore-politike të krijimit të saj. Gjatë kësaj pune, teoria Boalos e letërsisë shqyrton përmbajtjen dhe formën e veprës letrare, ligjshmënitë që kanë të bâjnë me krijimin e zhvillimin e letërsisë, flet për problemet ideore, botëkuptimin e shkrimtarit, idetë e tij dhe idenë e veprës, tue pasë parasysh kurdoherë kushtet shoqnore dhe zhvillimin historik të shoqnisë njerëzore. Teorikët mâ të njohtun të ditëvet tona janë: Volfgang Kajzeri, Emil Shtajgeri, Leo Shpiceri, Sharl Bali, Anri Lefevëri, Georg Lukaçi, e nji varg shkencëtarësh të tjerë.