
Dr. Nikollë Loka/
Figurat kryesore të Rilindjes Shqiptare në dekadat e fundit të shekullit XIX shprehën në shkrimet e tyre besimin në domosdoshmërinë e emancipimit të femrës shqiptare përmes arsimit. Në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, një numër i vogël grash që kishin marrë arsim jashtë vendit, si në Lindje ashtu edhe në Perëndim, filluan procesin e shndërrimit të këtyre aspiratave në realitet. Pavarësia u pa nga femrat e shkolluara, si motrat Qiriazi etj., si një mundësi për gratë e arsimuara që të kontribuonin në çështjen e arsimit (Musaj, Nicholson, 2011: 181). Shkollimi i femrës shqiptare pas vitit 1912 nisi në kushte shumë të vështira, si pasojë e prapambetjes arsimore të trashëguar nga sundimi osman. Në atë periudhë, në vend funksiononin rreth 250 shkolla të huaja, ku femrat ishin thuajse të privuara nga arsimi. Qeveria e Vlorës, pavarësisht nga rrethanat e vështira, synoi krijimin e një sistemi arsimor kombëtar, laik dhe demokratik. Një ndër prioritetet kryesore ishte përfshirja e vajzave në shkollim. Për këtë qëllim, u parashikua hapja e shkollave shtetërore për femra dhe hartimi i programeve mësimore të përshtatura për to. Këto përpjekje shënuan fillimin e emancipimit të femrës shqiptare përmes arsimit.
Një arritje tjetër e madhe për qeverinë ishte hapja e shkollave për vajza. Në përgjithësi, shumica e femrave ishin analfabete. Në fakt, edhe meshkujt ndodheshin në të njëjtën situatë, por ata kishin privilegjin të përfshiheshin më shumë në jetën shoqërore, gjë që nuk vlente për gratë. Hapja e shkollës për vajza vetëm në Korçë nuk mjaftonte për të arsimuar gratë në mbarë vendin. Ashtu si në të gjitha vendet me shumicë myslimane, edhe në Shqipëri gratë jo vetëm që nuk përfshiheshin në aktivitetet shoqërore, por për to ishte pothuajse e pamundur të merrnin arsim. Hapja e shkollave për vajza, ndonëse më e pranueshme për pjesëtarët e dy besimeve të tjera (katolikë dhe ortodoksë), hasi në disa kushte edhe prej tyre. Klerikët katolikë pranuan të arsimonin gratë, por ishin kundër shkollave të përziera (vajza dhe djem së bashku) (Mehmeti, 2023: 71).
Sipas të dhënave arkivore, shkolla e parë fillore femërore shtetërore në Shqipëri u hap në vitin shkollor 1913–1914 në qytetin e Lushnjës, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt përfshirjes së vajzave në procesin arsimor. Kjo shkollë filloi me një kapacitet prej 30 nxënëse dhe përfaqësonte një përpjekje konkrete të qeverisë së kohës për të zbatuar politikën arsimore në kushte të vështira politike, ekonomike dhe shoqërore. Në të njëjtin vit, në qytetin e Korçës u riçel shkolla e njohur e vashave “Qiriazi”, e themeluar më parë nga motrat Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi. Kjo shkollë, me orientim kombëtar dhe kulturor perëndimor, kishte si qëllim edukimin e vajzave shqiptare në frymën e patriotizmit, dijes dhe qytetarisë. Megjithatë, ajo u përball menjëherë me presione të forta nga qarqet shoviniste greke, të cilat kundërshtonin si shkollimin e femrës shqiptare, ashtu edhe përdorimin e gjuhës shqipe në arsim.
Gjatë Luftës së Parë Botërore, autoritetet austro-hungareze shpallën arsimin fillor të detyrueshëm për fëmijët e moshës 7–12 vjeç në fshatra dhe 7–15 vjeç në qytete (Dabërdaku, 2012: 199) dhe shkollat e qyteteve frekuentoheshin nga të dy sekset, por me paralele të ndara: veçmas për djem dhe veçmas për vajza. Në shkollat e fshatrave mbizotëronin nxënësit meshkuj, por kishte edhe vajza. Negativisht kishte ndikuar mungesa e elementit femër si mësuese (Historia e Arsimit, 2002: 359). Një kontribut të veçantë dhanë mësueset, të cilat inkurajuan shkollimin e vajzave. Gjatë kësaj periudhe, Vjena ofroi bursa studimi në Austri, duke mbështetur arsimin e mesëm dhe të lartë për djem dhe vajza. Në vitin 1916, vazhdonin studimet në Vjenë Justina Ljarja, Gargjiola Maza, Angjelina Leka dhe Ilda Çurçija, si përpjekje për krijimin e modelit të femrave të emancipuara shqiptare.
Gjatë pushtimeve austro-hungareze, franceze dhe italiane, u hapën në vend disa shkolla femërore. Në vitin shkollor 1917-1918 u riçel shkolla e vashave në Korçë dhe u hap një shkollë femërore në Pogradec. Po atë vit, shkolla fillore për vajza u hap edhe në Tiranë, Durrës dhe Përmet. Në vitin 1919-1920 u hap shkolla femërore në Gjirokastër, ndërsa në Shkodër u hap shkolla fillore femërore në lagjen “Serreq”. Të dhënat tregojnë se një shkollë fillore femërore ishte hapur edhe në qytetin e Krujës. Këto arritje të viteve 1912–1920 shërbyen si bazë e rëndësishme për zhvillimin më të gjerë të arsimit femëror në Shqipëri.
Arsimi femëror mori vëmendje edhe në Parlamentin shqiptar të viteve 1921-1924, ku u kërkua hapja e shkollave fillore dhe e një shkolle normale femërore në shkallë vendi. Si rezultat, në vitin 1922 u hap instituti femëror privat “Qiriazi” në Kamëz të Tiranës nga motrat Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi, dy prej figurave më të shquara të lëvizjes arsimore dhe kombëtare shqiptare.
Ky institut ishte një vazhdimësi e përpjekjeve të tyre që kishin nisur që në fundin e shekullit XIX për të përhapur arsimin në gjuhën shqipe për vajzat. Instituti u ngrit në Tiranë dhe shpejt u kthye në një vatër moderne arsimimi, ku përveç mësimdhënies bazë, i jepej rëndësi edhe edukimit moral, kulturor dhe atdhetar të vajzave. Mësimi zhvillohej në gjuhën shqipe dhe me programe që synonin përgatitjen e grave si mësuese, edukatore dhe qytetare aktive. Përkundër paragjykimeve të kohës, Instituti “Qiriazi” arriti të fitojë respekt dhe mirënjohje të gjerë brenda dhe jashtë vendit (Kume, 2024: 36).
Dega femërore në Shkollën Shqiptaro-Amerikane të Kavajës u hap më 20 shtator 1926. Dega për vajza përgatiste mësuese, si dhe amvisa të shkolluara që do të përshtateshin me një shoqëri në modernizim e sipër. Deri në vitin 1933, dega femërore funksionoi si institucion i specializuar pedagogjik pesëvjeçar, me programe amerikane të miratuara nga Ministria e Arsimit, kurse prej vitit 1934 deri në vitin 1937 zbriti në shkollë dyvjeçare, që përgatiste punonjëse për ekonomi shtëpiake dhe ekonomi bujqësore. Megjithatë, edhe ato nxënëse që mbaruan programin dyvjeçar, falë formimit të shëndoshë që morën në shkollë, dolën mësuese të afta (Historia e arsimit dhe mendimit pedagogjik shqiptar, 2003: 490).
Gjatë viteve 1921-1927 u shënua një rritje e ndjeshme e përfshirjes së vajzave në arsimin fillor dhe të mesëm në Shqipëri. Fillimisht, përqindja e nxënëseve ishte ende e ulët, por me kalimin e viteve numri i tyre u rrit në mënyrë të qëndrueshme. Në mesin e viteve 1920 funksiononin dhjetëra shkolla fillore për vajza dhe ishin hapur edhe institucionet e para të arsimit të mesëm dhe profesional për to. Në Tiranë u hap shkolla e infermierëve, ndërsa në Kavajë u hap dega femërore e Shkollës Bujqësore Amerikane. Ky zhvillim tregoi një ndryshim pozitiv në qëndrimin shoqëror ndaj shkollimit të femrës.
Rezultate më të mira u arritën në Shqipërinë e Jugut, ndërsa më pak në Shqipërinë e Mesme, për shkak të fanatizmit dhe prapambetjes sociale, ku zakonet si mbyllja e vajzave në shtëpi në moshë të re pengonin vazhdimësinë e shkollimit. Kurse në Shqipërinë e Veriut mungesa e shkollave femërore ishte e theksuar, përveç qytetit të Shkodrës. Për herë të parë, e drejta për arsim u përfshi si e drejtë themelore në Statutin Themeltar të Mbretërisë Shqiptare në vitin 1928. Ligji organik i arsimit i vitit 1928 synoi të krijonte një sistem ku shkolla fillore të ishte masive, e detyrueshme dhe falas. Ky ligj parashikoi për herë të parë arsimin si të drejtë-detyrë për qytetarët shqiptarë, si meshkuj ashtu edhe femra (Miço, 2019: 10-13).
Në opinionin shoqëror të viteve njëzet ishte e vështirë që vajzat të dërgoheshin në shkolla së bashku me djemtë, ndaj arsimi i ndarë për meshkuj dhe femra ishte shumë i përhapur (Nathanaili, 2016: 60). Shkollimi i përzier djem–vajza nuk kishte traditë në Shqipëri dhe për herë të parë filloi me reformën Ivanaj të vitit 1933 në arsimin fillor (Koliqi, 2002: 366). Sipas nenit 68 të Dekret-ligjit Organik të Arsimit: “Shkollat fillore janë të veçanta për djem e të veçanta për vajza. Por, ku do të kërkohet nevoja, mund të jenë edhe të përziera. Drejtimi i shkollave të përziera dhe i shkollave mashkullore i ngarkohet një mësuesi; ai i shkollave femërore, mundësisht një mësuese” (Dekretligji Organik i Arsimit, 1937: 29). Ky organizim pasqyronte traditat dhe vështirësitë shoqërore të kohës në lidhje me arsimimin e femrave.
Ligji i detyrimit shkollor vepronte njësoj për nxënësit meshkuj dhe femra (Dekretligji Organik i Arsimit, 1937: 16), por shkollat fillore për vajza hapeshin vetëm po të sigurohej mësuese femër (Beqja, 1963: 88). Në vitin shkollor 1933–1934, në prefekturën e Dibrës, në shkollat e përziera vazhdonin shkollën 106 nxënëse. Në Krujë, në vitin shkollor 1932–1933, vazhduan mësimet 108 vajza (AQSH, F.435, viti 1938, D.232, f.240). Në prefekturën e Shkodrës, shkollat e përziera u zhvilluan jo vetëm në nënprefekturën e Qendrës, por edhe në nënprefekturat Malësi e Madhe, Lezhë dhe Pukë, ndërsa në Dukagjin dhe Mirditë nuk pati asnjë shkollë të tillë. Në nënprefekturën e Lezhës, në vitin 1927 kishte dy shkolla të përziera: e Nënshtatit që e mbanin motrat Stigmatine, ku në klasën e parë vazhdonin mësimet 32 djem dhe 30 vajza, dhe në klasën e dytë 8 djem dhe 8 vajza. Jepte mësim motra Amalia me dy murgesha të tjera. Shkolla e përzier e Lezhës kishte në klasën e parë 16 djem dhe 3 vajza, dhe në klasën e dytë 6 djem dhe 1 vajzë. Rendi i tretë kishte vetëm 5 djem. Shkolla e përzier e Kallmetit kishte 45 djem dhe vajza bashkë: 18 në klasën e parë, 7 në klasën e dytë, 10 në klasën e tretë, përveç 21 djemve dhe vajzave që ndiqnin azilin. Në shkollën e Pukës, në vitin shkollor 1931–1932 ishin regjistruar 54 nxënës meshkuj dhe 4 femra, dhe vazhdonin rregullisht mësimet 53 nxënës meshkuj dhe 3 femra (AQSH, F.295, viti 1931, D.29, f.127).
Gjendja në krahinat e Lumës mbeti shumë e vështirë, me mungesë shkollash dhe mësuese, që pengonte arsimin femëror për mbi 200 vajza. Autoritetet lokale kërkuan Ministrisë së Arsimit hapjen e shkollave fillore femërore në Bicaj, Topojan dhe Krumë për të rritur përfshirjen e vajzave në arsim. Megjithatë, deri në vitin 1939 në ato zona nuk u hap asnjë shkollë femërore. Duke parë gjendjen, Ministria e Arsimit dha 20 bursa për vajzat e Lumës për të studiuar për mësuese në Institutin Femëror të Tiranës. Këto të dhëna reflektojnë sfidat e vazhdueshme sociale dhe organizative për arsimimin e femrave në zonat më pak të zhvilluara.
Arsimi femëror në nënprefekturën e Lumës u zhvillua në disa fshatra në shkollat e përziera. Edhe internati “Kosova” u kthye në shkollë të përzier me vajza dhe djem. Në Mat, internati “Mati” kishte 174 nxënës, prej të cilëve 18 ishin vajza, dhe shkollimin e tyre e mbështeste mësuesja Kristina Zaka. Në të katër shkollat femërore të prefekturës së Dibrës, në Peshkopi, Homesh, Trebisht dhe Zerqan vazhdonin mësimet 169 vajza (Musaj, 2001: 54-55).
Në zbatim të reformës arsimore të vitit 1932–1933, u shënua një rritje e ndjeshme e pjesëmarrjes së vajzave në arsimin fillor dhe të mesëm në Shqipëri. Në qytetet kryesore, si Tirana dhe Elbasani, u hapën shkolla fillore femërore, si dhe u shtuan edhe 40 shkolla të përziera në të gjithë vendin. Në vitin shkollor 1934–1935, numri i vajzave në shkollat fillore arriti në 14.944, një rritje e madhe krahasuar me vetëm 5.082 vajza në vitin 1926-1927. Në vitin 1933, me ligjin për reformën arsimore dhe shtetëzimin e shkollave, u mbyllën disa institucione private femërore, si institutet “Qiriazi”, “Stigmatine” dhe “Naim Frashëri”, si dhe normaleja shtetërore në Korçë. Nxënëset e shkollave të mbyllura vazhduan studimet në shkolla qytetëse dhe në degën femërore pranë gjimnazit të Shkodrës. Në të njëjtin vit, u hap në Tiranë Instituti Femëror “Nana Mbretneshë”, me programe normale dhe gjimnaziale tetëvjeçare, ku u përqendruan forcat më të kualifikuara dhe u emëruan mësuese edhe nga vende perëndimore. Ky institucion pati një ndikim të rëndësishëm në përmirësimin e cilësisë së arsimit femëror, por gjithashtu kufizoi numrin e vajzave që mund të vazhdonin studimet, për shkak të mundësive ekonomike të kufizuara dhe distancës gjeografike.
Përveç këtij instituti, rol të rëndësishëm në arsimin e mesëm të vajzave luajtën edhe licetë dhe gjimnazet e përziera. Në qytete të ndryshme, si Korça, Gjirokastra, Shkodra dhe Elbasani, u vu re një rritje e ndjeshme e numrit të vajzave në shkollat e mesme gjatë viteve 1933-1934, rritje e cila vijoi në vitet pasuese (Kume, 2024: 36). Shteti i kushtoi vëmendje të veçantë shkollimit të femrave jashtë vendit. Në vitin 1923, në Vjenë, vazhdonin arsimin e mesëm katër vajza nga Shqipëria. Në konviktin e Barit, ku trajtoheshin 60 studente të huaja me bursë të plotë dhe 72 të tjera me gjysmë bursë, kishin përfituar edhe 48 shqiptare, krahas 2 malazezeve, 2 turkeve, 1 egjiptianje etj. Investimi në arsimin e femrave jashtë vendit synonte ngritjen e nivelit të edukimit dhe aftësive të tyre për t’u kthyer dhe kontribuar në zhvillimin e vendit.
Edhe brenda vendit, numri i bursisteve femra u rrit gradualisht nga viti në vit. Kjo tregon një përpjekje për të balancuar mundësitë arsimore mes gjinive dhe për të përgatitur më shumë profesioniste femra, duke reflektuar një ndryshim pozitiv në trajtimin e arsimit të femrës në periudhën e parë të shekullit XX në Shqipëri. Në përgjithësi, arsimi i femrës në këtë periudhë mbeti më shumë përjashtim sesa rregull, por ai hodhi themelet për emancipimin e mëvonshëm të gruas shqiptare.