
Profesor Rudolf Marku/
Poezitë janë të bukura, shkruar me ndjeshmëri dhe përkushtim poetik. Duket se autorja e merr seriozisht poezinë, jo thjesht si një hobi. Nga të katër poezitë, më shumë me pëlqyen “E ëmbla, e hidhur dashuri” dhe “Kam një mijë arsye!”. Mendoj se këto janë më të bukurat, sepse janë dhe më intimet, më afër shpirtit të autores, më të ndjerat. Ndërsa dy të tjerat, dhe sidomos ajo e fundit më jep përshtypjen e një poezie që thjesht shkruhet. Më pëlqen, te “Kam njëmijë arsye”, vargu”…më la duke pritur mbi varg” ( pranvera). Varg i papritur dhe i ndjerë.
Ndërsa tek “E ëmbla dashuri”:
E ëmbla e hidhur dashuri,
Me gjysma hëne,
Me diell e shi,
Herë me zë bilbilash,
Herë me simfoni,
Sa herë më zu bora,
E dot nuk u shkri.
Apo:
KAM NJËMIJË ARSYE
Kam njëmijë arsye që të vij tek ty,
Ylberët harkojnë e ndalin shumë larg,
Pranvera po krihet e lan ata sy,
Dhe mua më la duke pritur mbi varg.
Ndërsa poezitë “Djalit tim i duken përralla” dhe “O flamur je …:, më duken poezi më racionale dhe më me pak ndjeshmëri poetike!
Se çkish ajo verë një tjetër magji,
Pa më pyet ku shkoi gjithçka,
U zhveshën kalendarët një e nga një,
Ajo botë me sy, më s’u pa.
O flamur të kam në gjak,
Je betimi që marr hak,
Për Atdhe turrem në flakë,
Poezitë e kritikës nga profesor Marku:
E ËMBLA E HIDHUR DASHURI
E ëmbla e hidhur dashuri,
Me gjysma hëne,
Me diell e shi,
Herë me zë bilbilash,
Herë me sinfoni,
Sa herë më zu bora,
E dot nuk u shkri.
E ëmbla e hidhur dashuri,
Shpesh ngrita fole,
Pa derë e çati,
Herë më ngije lart sikur me magji,
Dhe më ke treguar,
Se ku Zoti rri,
Dhe prap humbisja rrugën,
Kur vija tek ti.
E ëmbla e hidhur dashuri,
Sa herë më pikon lot,
E ndez një qiri,
Sa herë më çel buza,
Besoj tek ti,
Sa herë dua të iki,
Aq herë dua të rri.
E ëmbla e hidhur dashuri,
Me yje të ftohtë,
Me diell në gji,
Me krahë pëllumbash,
Të vrarë në stuhi,
Me shpresën e bardhë,
Tek shkojnë,
Në liri.
E ëmbla e hidhur dashuri!
Neë Jersey, March 2022
KAM NJËMIJË ARSYE
Kam njëmijë arsye që të vij tek ty,
Ylberët harkojnë e ndalin shumë larg,
Pranvera po krihet e lan ata sy,
Dhe mua më la duke pritur mbi varg.
Kam njëmijë arsye oh sa shumë,
Ndërkohë dhe pemët po vishen me gjeth,
Ky diell krenar nuk po ka aq fuqi.
Ndaj kjo mungesë si dimer rrënqeth.
Kam njëmijë arsye qe ti ndoshta s’di,
Ndonjërën dhe s’mund ta besosh,
E di do te qeshësh siç qesh një fëmijë,
Kur ta them në vesh ta dëgjosh.
DJALIT TIM I DUKEN PËRRALLA
Kur vinte vera ajo e dashura,
Atëherë se çkish një tjetër magji,
Një herë në vit na blinin sandale,
E ne gëzonim si të ish “Vit I Ri”.
E linim çantat në ndonjë qoshe,
Shtatori na dukej shumë larg,
Ato ditë të veres i kishim,
Si qershi të shkuara në varg.
E lëshoheshim ca nëpër dete,
Ca i qëllonte te shkonin në fshat,
Të hipje në trenin që gjarpëronte,
Dhe kjo padyshim ishte “fat”.
Pa kemi hipur si majmunë në pemë,
Me mollë dhe një vakt e kalonim,
Gjithë ditën buçisnin oborrët,
Nga zërat tanë që ushtonin.
Ne kishim një tjetër lumturi,
Por ajo ish vetëm atëherë,
Djalit tim i duken përralla,
“Na ishte njëherë”
Se çkish ajo verë një tjetër magji,
Pa më pyet ku shkoi gjithçka,
U zhveshën kalendarët një e nga një,
Ajo botë me sy, më s’u pa.
O FLAMUR JE SHQIPËRI
O flamur të kam në gjak,
Je betimi që marr hak,
Për Atdhe turrem në flakë,
Je në gjoksin tim i dlirë,
Si një lule bukur mbirë,
Me ty jam Shqiptar i ilirë.
O flamur je Shqipëri,
Je Kosovë, je Çamëri,
Je Atdhe, je dashuri!
Je fuqia e një sharkie,
Je buzëqeshja e një fëmije,
Rritur në ninullë lirie,
Të valvitesh mot më mot,
N’tokë të babës të jem zot,
Të mos shoh të nënës lot.