Nga Gjekë Gjonaj/
Puna e suksesshme e gazetarit, analistit dhe publicistit të njohur shqiptaro-amerikan, Frank Shkrelit, nga fsahti Amull i Komunës së Ulqinit, më ka ngjallur një respekt të jashtëzakoshëm shumë më heret se sa fillova lundrimet e mia të para në ujërat e gazetarisë. Dhe nuk më mbetet asgjë më shumë se sa fjala – Respekt! Këtë fjalë jam i bindur se e meriton nga të gjithë kolegët, nga të afërmit, nga miqtë, nga të njohurit dhe nga të panjohurit. Pa dashur t’i thurë lavdërata këtij njeriu të vlerësuar të shkrimit, respektivisht të penës (lapsit), i cili edukimin, pasionin, kohën, mundin me dekada ia kushtoi dhe po ia kushton punës profesionale në fushën e gazetarisë, e them sinqerisht se në detin e madh e të egër të konkurrencës, ka krijuar autoritetin, besueshmërinë, sigurinë dhe jetëgjatësinë e punës, duke u mbështetur e bazuar mbi të gjitha në të vërtetën, kodin e etikës dhe standardin e profesionit që e ushtron me profersionalizëm më së katër dekada. Përmes zotëri Frank Shkrelit njoha: Seksionin shqip të Radios “Zëri i Amerikës”, vlerat më të çmuara të njeriut publik dhe atij të thjeshtë.
Gjatë jetës dhe karrierës sime kam patur fatin e mirë që Frank Shkrelin ta takoj vetëm një herë dhe atë spontanisht në kremtimin e 15- vjetorit të themelimit të Fondit Humanitar” Malësia” në Nju-Jork. Edhe pse ky ishte një takim vëllazëror shumë i shkurtër në prani të miqve të tij me të cilët shoqërohej atë mbrëmje më la përshtypjen e një njeriu modest, serioz, të thjeshtë, të matur, të aftë e mjaft njerëzor.
Emrin e kolegut të nderuar Frank Shkrelit e kam të njohur qysh se ka qenë gazetar dhe redaktor në Zërin e Amerikës, seksioni shqip nga viti 1974 -1984. Por edhe më vonë gjatë viteve 1984- 1985 kur zotëri Shkreli, po tek kjo medie e fuqishme botërore ka qenë shef i seksionit shqip. Me interesim e kënaqësi herë pas here, e kam ndjekur nga larg punën e tij edhe në periudhën 1985-1990, kur ka shërbyer si këshilltar i lartë programacioni për Divizionin Evriopian të Zërit të Amerikës, pastaj nga vitet 1990-1994, kur ka qenë zëvendësdrejtor i Euroazisë në Zërin e Amerikës, për të vijuar më pas në vitet 1994 – 2003, kur ka qenë drejtor i Divizionit Europian i Zërit të Amerikës , deri në ditët e sotme , kur është ndër gazetarët më aktiv shqiptarë në shtypin e kohës. Analizat e tij lexohen dhe vlerësohen shumë nga lexuesit dhe ekspertët e çështjes kombëtare për faktin se mendoj se është një vëzhgues dhe një analist i regjur mirë dhe shumë i vëmendshëm i zhvillimeve politike dhe çështjeve shqiptare dhe ballkanike . Një arsye për lexueshmërinë e madhe të shkrimeve që Shkreli publikon mund të jetë edhe fakti se ai bazohet në informata të verifikueshme, të mbledhura nga burime të pavarura dhe të besueshme të mediave amerikane, të cilat u përmbahen standardeve më të larta të gazetarisë në botë.
Gjatë kryerjes së detyrave të larta në Zërin e Amerikës të besuara nga shteti amerikan, zotëri Shkreli u rreshtua në mesin e emrave më të shquar të fjalës së lirë dhe lirisë së shtypit nga radhët e komunitetit shqiptar në botë. Dhe jo vetëm kaq por falë veprimtarisë së tij të palodhur atdhetare për çështjen kombëtare, kontributit të tij të çmuar në fushën e të drejtave të njeriut si dhe forcimit të lidhjeve miqësore shqiptaro –amerikane, u bë një shembull i lartë për t’u ndjekur.
Zotëri Frank Shkreli, edhe pse në pension, ai ka shërbyer si drejtor i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, një organizatë jo-qeveritare që punon për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe për promovimin e paqes dhe zhvillimit ekonomik në trojet shqiptare në Ballkan, e vetmja organizatë shqiptare lobiste me prezencë në Uashington DC.
Për këto vlera, merita e arritje të tjera të pakontestueshme profesionale e morale, Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani e dekoroi para pak ditësh me plotë të drejtë, Frank Shkrelin me titullin “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”, me motivacionin: “Në vlerësim të veprimtarisë së shquar atdhetare dhe kontributit të vyer shumëvjeçar si gazetar, publicist e redaktor i Seksionit Shqip dhe drejtues i palodhur i Divizionit Euro-Aziatik të “Zërit të Amerikës”, duke përhapur, mbrojtur me paanshmëri dhe lartësuar vlerat e parimet e shenjta të lirisë dhe demokracisë”.
Ky nderim i lartë nga kreu i shtetit shqiptar e nderon në radhë të parë vetë laureatin, por edhe të gjithë komunitetin të cilit ai i takon. Andaj, ne shqiptarët me të drejtë duhet të mburremi dhe të krenohemi me personalitete të këtilla, të cilët gjithë jetën e tyre punojnë në heshtje, pa bujë, me përvujtëri, duke mos pretenduar për vlerësime e shpërblime për merita të veçanta si ky.
Gjekë Gjonaj