


Poetja Majlinda Pajaj, autore e katër vëllimeve me poezi, vargje magjike për dashurinë dhe të bukurën, i dhuron librat e saj bibliotekës së “Bijve të Shqipes”, në Filadelfia
Intervistoi: Eneida Jaçaj Lamçe
Fjala artistike e goditur, e stolisur bukur me gjerdanin e dashurisë, shpresës, pasionit, diellit që të ngroh, qiellit të kaltërt në pafundësinë e universit, mbretëreshës natyrë buzagaz, zgjon shpirtin në përpëlitje drejt gjallërimit. Poezia lirike i ka rezistuar të gjitha kohërave, që nga emrat më të mëdhenj të letërsisë botërore, si Esenin, Pushkini, Shekspir, Neruda, Nabokov, Gjergj Fishta, Pjetër Budi, De Rada, Ndre Mjeda, Çajupi, Asdreni, e deri te letërsia e sotme moderne, pasi përcjell te lexuesit ndjenjën më sublime, dashurinë, dhimbjen, mallin, pikëllimin; në të njëjtën kohë e vendos botën nëpërmjet syve të shpirtit, mbi poltronin e paqes, forcës, gëzimit dhe i këndon bukurive të natyrës. Poezia është magjike në të gjithë përmbajtjen e saj, pasi derdh vullkanin e shpirtit, në pak fjalë të vetme, duke të mbajtur të hipnotizuar në disa minuta të arta. Magjia e poezisë apo arma me të cilën ajo godet është pikërisht fjala artistike; ajo del si një plumb zemre, i cili dorovitet në hapësirën e mendimeve, duke të bërë të ndjesh magjinë e saj dhe të reflektosh. Ajo të ndihmon të njohësh veten dhe të çlirohesh nga çdo brengë që të ka kapluar shpirtin. Poezinë e bëjnë njerëzit me shpirt magjik, të ndjeshëm, të brishtë, por, njëkohësisht të fortë dhe luftarak, pasi është forca magjike e saj që i bën të patundur. E tillë është poetja Majlinda Pajaj, e cila është autore e katër vëllimeve me poezi, si “Melodia e natës”, “Pentagrami i shpirtit”, “Dallgët në stuhi” dhe “Muzgjet fluturojnë në muzg”. Majlinda është një grua me shpirt të bukur dhe të fortë, e cila, përpos familjes, gjithë jetën e saj ia ka kushtuar poezisë. Ajo ka emigruar në Filadelfia në vitin 2008, edhe pse emigrimi është i vështirë, nuk e ka penguar të krijojë vargje të bukura për shpirtin. Së shpejti, atë do ta njohim edhe në zhanrin e romanit. Majlinda katër vëllimet e saj me poezi ia dhuroi bibliotekës “Anastas Dodi”, e cila ndodhet në ambientet e Shoqatës “Bijtë e Shqipes”, në Filadelfia, në mënyrë që fëmijët të lexojnë në gjuhën shqipe dhe të mos harrojnë asnjëherë rrënjët e tyre. Komuniteti shqiptar në Filadelfia i jep më shumë yt Komuniteti shqiptar në Filadelfia i jep më shumë forcë për të forcë për të mos rreshtur kurrë së krijuari për lexuesin.
-Përgëzime për veprimtarinë tuaj krijuese, për kënaqësinë shpirtërore që i dhuroni lexuesit, në ato minuta të arta, pas një dite të ngarkuar pune. Ju jeni autore e katër vëllimeve me poezi, Si lindi brenda jush dëshira për krijimtari? Ku e gjeni motivin dhe shkëndijën magjike për të krijuar vargje kaq të bukura shpirtërore?
Vëllimi i parë, “Melodia e natës”, ka dalë në tetor të vitit 2019; vëllimi i dytë, “Pentagrami i shpirtit”, në 2020; vëllimi i tretë, “Dallgët në stuhi”, në 2021 dhe vëllimi i katërt sapo është botuar dhe titullohet “Muzgjet fluturojnë në muzg”. Do të doja shumë të thoja që motivohem nga poetët tanë të shquar, si Naim Frashëri, Lazgush Poradeci, Dritëro Agolli, Gjergj Fishta etj, poetë të huaj, si shkrimtari njohur anglez, Uilliam Shekspir , shkrimtari i famshëm rus, Vladimir Nabokov, etj. Kam dashur shumë të hyj në botën magjike të këtyre shkrimtarëve me famë botërore, por koha ka qenë kyç për mua. Motivohem me natyrën, me detin dhe qiellin, me diellin dhe hënën, me borën dhe shiun, sepse janë joshëse dhe ledhatues për vargun e poetit.
-Në cilin zhanër do ta vendosnit poezinë tuaj, dhe çfarë ju bën të veçantë për ata që ju lexojnë?
Do e vendosja në zhanrin lirik, ku autori duhet të shprehë ndjenja, ndjesi dhe emocione. Prandaj, ajo ka tendencë të jetë më poetike.
-Cila është ajo tematikë apo ngjarje, që ju bën të shpërtheni më së shumti pasionin tuaj për krijimtari?
Jam e sigurt se çdo poet do shpërthente të shkruante për dashurinë, sepse dashuria është ndjenjë që e pushton secilin prej nesh, në faza të ndryshme të jetës. Tematika ku unë jam më e fokusuar është dashuria.
-A keni një kohë të përshtatshme për të krijuar, apo frymëzimi është i pakohë për ju?
Frymëzimi im është natyror, më rrëmben si kupa e verës një pijedashës. Kohën nuk arrij ta kap dot të ulem e të shkruaj; sa herë më vijnë mendimet i hedh direkt në telefon dhe atëherë kur jam duke punuar, koha këtu për mua është shumë e çmuar dhe unë e shfytëzoj në maksimum.
-Çfarë merrni mbrapsht ju si poete që ju shtyn të mos ndaleni në veprimtarinë tuaj krijuese?
Jam e sigurt që shumë nga lexuesit gjejnë diçka nga vetja. Lirikat kanë simbol dashurinë dhe me gjithçka përfaqësoj tek ata. Kjo më jep kënaqësi dhe ma bën më të lehtë dhe më të fortë shprehjen dhe ndjenjat nën penën e shkrimit.
-Sa të lidhur janë me librin sot të rinjtë, konkretisht me poezinë?
Letërsia në Shqipëri nuk e ka më peshën që ka pasur, sepse lexuesi hutohet pas ofertave shumëngjyrëshe të tregut dhe vetë modeli i qarkullimit letrar ka ndryshuar. Shumë lexues të librave, konkretisht të poezisë, janë bërë miq të rrjeteve sociale në faqe të poetëve të ndryshëm për t’i qëndruar sa më pranë botës së librave.
-Çfarë ka ndryshuar në poezinë e ditëve të sotme, krahasuar me atë të një shekulli më parë?
Në fillim të shekullit XX shfaqen fuqishëm në letërsinë shqipe shkrimtarët Andon Zako Çajupi, Faik Konica, Asdreni dhe Gjergj Fishta. Konica nxori revistën “Albania” në vitet 1897-1909 dhe në faqen e saj botoi dhe komentoi autorët e brezit të tij. Fishta dhe Noli u shquan në paliedrizmin e tyre, që nga dramaturgjia, poezia, publicistika dhe përkthimet. Sot ka ndryshuar materiali ku ne shkruajmë, (nga papiri te pergamena, te letra e deri tek teknologjia), kanë ndryshuar shijet mbi zhanret letrare.
-Ju keni emigruar në ShBA, në Filadelfia, ku dihet që fillimi dhe vazhdimi do të thotë punë dhe sakrificë, por si ka ndikuar në krijimtarinë tuaj kjo lëvizje?
Kam emigruar në vitin 2008 këtu në Amerikë. Ashtu si gjithë emigrantët e tjerë, emigrimi ka qënë i mbushur me vështirësi, pengesa, debate, pabesi, intriga, por edhe sukses. Jo më kot e kam quajtur vëllimin tim të tretë, “Dallgë në stuhi”, ku si gjithmonë kam ëndërruar për një jetë më të bukur dhe me shumë punë mendoj se e kam arritur qëllimin tim. Ëndrrat e mia nuk kanë qënë thjesht fantazi, unë kam udhëtuar me to t’i mbaj zgjuar me qëllim një ditë ta shoh veten të realizuar në ëndrrat e mia. Unë jam një grua, nënë, dhe bijë ku qëllimi im i gjithanshëm ka qënë gjithmonë familja. Kam arritur të ruajtur kornizën e familjes me shumë kujdes, aq sa mos të gërvishet dhe portreti të duket me më shumë ngjyra. Familja ime ka qënë krah dhe mbështetje për arritjet që kam dashur gjithmonë dhe këtu ku jam sot, të buzëqesh në ëndrrat dhe sukseset e mia.
-A keni menduar të shkruani një roman apo do të mbeteni te shpirti juaj i brishtë dhe luftarak në të njëjtën kohë, te ndjenja hyjnore e të parit të botës me ngjyra dhe me pozitivitet?
Jo vetëm e kam menduar por dhe e kam filluar, pasi të shkruarit e një romani është një detyrë që përfshin një përpjekje të jashtëzakonshme me shumë këmbëngulje dhe mbi të gjitha një seri njohurish teknike. Poezia në katër strofa përmbledh një histori, ndërsa romanit i duhet një libër ta përshkruajë jetën e dikujt, një ngjarje, apo dhe një histori. Çdo gjë merr kohën e vet, shpresoj ta kemi së shpejti.
-Cila është marrëdhënia juaj si poete, me komunitetin shqiptar në Filadelfia? A janë të interesuar prindërit të kenë në bibliotekën e tyre libra me poezi, në mënyrë që fëmijët të lexojnë dhe të mos e harrojnë shqipen?
Të jesh poete në vend të huaj është shumë e vështirë. Falë komunitetit shqiptar që me mbështetjen në shkrimet e mia të publikuara në rrjetet sociale, unë nuk kam rreshtur së shkruari. Shoqata Atdhetare – Kulturore Shqiptaro – Amerikane “Bijtë e Shqipes” është mbështetje shumë e madhe për komunitetin shqiptar këtu në Filadelfia. Në vatrën e kësaj shoqate mësohet gjuha jonë. Emigracioni është një fenomen social me karakter ndërkombëtar. Është interesant fakti se gjuha jonë ka zhdërvjelltësi në të folur, është shumë burrërore dhe mjaft e bukur. Falë kësaj shoqate fëmijët marrin në mënyrë të organizuar mësime plotësuese në gjuhën amtare nga mësues patriotë e pasionantë të cilët, në të shumtën e rasteve e japin ndihmën e tyre vullnetarisht. Jo vetëm prindrit por dhe në sytë e fëmijëve lexova kënaqësin dhe dëshirën për të lexuar shqip, prandaj librat e mi janë bërë pjesë e librarisë në komunitetin shqiptar këtu në Filadelfia.
-Cili është mesazhi juaj për lexuesit shqiptarë?
Lexuesit shqiptarë duhet të dinë që ka shumë arsye pse të lexosh një libër, sepse libri është diçka tjetër, diçka më shumë. Leximi na ndihmon për të kuptuar më mirë vetveten dhe kohët – të djeshmen, të sotmen, edhe të ardhmen!