Kryeministri Rama: Pesha politike e Shqipërisë, më e fuqishme se kurrë/
Tiranë 31 Mars /ATSH-B.Kastrati/-Në 5-vjetorin e antarësimit të Shqipërisë në NATO, Kryeministri Edi Rama, duke folur në ceremoninë e rastit, e vlerësoi këtë hap ndër më të rëndësishmit në historinë e shtetit shqiptar, ndërsa shprehu mirënjohje për popullin dhe politikën shqiptare, të gjitha ato kombe dhe në mënyrë të veçantë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që mbështetën vendin tonë të bëhet pjesë e aleancës më të fuqishme të njerëzimit.
Mirënjohjen ndaj NATO-s, Kryeministri Rama nuk e kufizoi vetëm me mbështetjen ndaj Shqipërisë për t’a bërë pjesë të saj, por sidomos me rolin që kjo organizatë ka luajtur për vendosjen e paqes në rajon.
“Mirënjohja ndaj NATO-s lidhet ngushtësisht edhe me rolin e asaj të madh në shuarjen e luftrave në Ballkan dhe posaçërisht në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Pushimi i luftës, në rajon dhe liria e Kosovës mbeten kontribute pashlyeshme të Aleancës më të fuqishme në botë”, theksoi Rama. Siç u shpreh ai, të bërit pjesë të Shqipërisë në Aleancën Euroatlantike, ka ndikuar shumë pozitivisht të gjithë parametrat e zhvillimit të vendit.
“Ne tashmë e kemi bashkuar të ardhmen tonë me të ardhmen e popujve të lirë e të mëdhenj të cilët, cmimim e lirisë e kanë paguar dhe e paguajnë si çmimin e mirëqenies dhe sigurisë për të sotmen dhe gjeneratat që vijnë. Gjithashtu duke u integruar në Aleancën e madhe, Shqipëria është bërë pjesë e pandashme vlerave të larta të demokracisë lirisë dhe të drejtave njerëzore, ekonomisë së lirë dhe shtetit ligjor. Anëtarësimi në NATO e ka rritur si kurrë më pare rëndësinë dhe fuqinë politike të Shqipërisë si shtet, që tashmë është pjesë aktive e vendimmarrjeve më të rëndësishme për sigurinë në rrafshin global ”, tha Rama.
Më tej, Kreu i Ekzekutivit tha se Shqipëria është e angazhuar ligjërisht për të kontribuar edhe për mbrojtjen e integritetit dhe pavarësisë së çdo vendi aleat, ashtu sikundër mbrojtjes së paqes, lirive dhe të drejtave ku kjo Aleancë e sheh të nevojshme”.
Duke cituar Presidentin e SHBA-së Obama, i cili referuar ngjarjeve të fundit në Ukrainë u kujtoi të gjithëve se liria nuk është falas, Kryeministri shqiptar tha se “të gjithë duhet të jemi të gatshëm të paguajmë çmimin e lirisë sonë në çdo përmasë. Lirinë nuk mund ta kemi falas” tha ai, teksa kujtoi edhe kontributin e dëshmorit, Kapiten Feti Vogli, i cili humbi jetën në frontin e luftës kundër terrorizmit.
Ndërsa foli për forcimin e rolit të Shqipërisë në botë, në aspketin politik, ekonomik, ligjor etj, Rama tha se “hartimi i dokumentit të strategjisë së sigurisë kombëtare, reforma e thellë e institucioneve të sigurisë modernizimi i vazhdueshëm i policisë së shtetit janë sot prioritetet e dorës së parë dhe janë në rendin e ditës të punës tonë, për një Shqipëri europiane”.
Për Kryeministrin bota duhet të ketë prioritet sigurinë. “Çështja e sigurisë është cdo ditë në rendin e ditës. Turbullirat e rrezikshme në një vend si Ukraina, shkëputja e gadishullit të Krimesë nga Rusia, ndryshimi arbitrar i kufijve shtetërorë, demonstrojnë domethënien e madhe të përpjekjeve për siguri dhe nga ana tjetër të mungesës së sigurisë nëpër botë. Siguria nuk mund dhe nuk duhet të zbresë kurrë nga kreu i prioriteteve të botës, të kësaj Aleance të madhe dhe padyshim i një shteti që është pjesë e kësaj aleance”, theksoi Kryeministri Edi Rama