Shkruan: Skender Blakaj/
Andon Zako Çajupi, në vjershën Punërat e Perëndisë, botuar me 1902 në përmbledhjen Baba-Tomori, me pezmin e të pushtuarit e të të shtypurit, e pyet Perëndinë-“Kur bëre derr’ dhe arinë/ ç’ deshe që bëre Turqinë”? Në fillim të shekullit XIX, kur Turqia po binte plotësisht, ishte Mustafa Qemal Ataturku (19.05.1881-10.11.1938), shqiptar i vogël e turk i madh, ai që e ngriti dhe e nisi udhës së qytetërimit. Disa të dhëna për këtë personalitet të shquar e të çuditshëm, i mora nga libri Ujku i murrmë i amerikanit H. C. Armstrong. Me përkthim të atypëratyshëm e kishte lexuar edhe vet Ataturku dhe kishte bërë vërejtje – Ka bërë gabim të madh qeveria që s’e ka lejuar librin e Armstrongut në Turqi. I shkreti, ka lanë mangut, nuk ka thënë shumë për qejfet e dehjet e mia. Jo tjetër. Kurse Armstrong shkruan se Mustafa Qemali kishte lindur në Selanik, nga i ati Ali Rizai, i cili kur ishte djalë i vogël kish ardhur nga malet e Shqipërisë aty dhe kishte gjetur punë në portin e Selanikut dhe nga e ama Zybideja.., babai i së cilës kishte ardhur nga malet e jugut të Shqipërisë… Edhe kur jetonte në Stamboll, ku fshehej edhe Mustafa Qemali nga sulltanistët, e ëma-e moshuar dhe krejt e verbuar, kishte dëshirë t’u fliste të burgosurëve grekë, të cilët i jepnin lajme nga fshati i saj në Shqipërinë jugore, ku kishte lindur. Kjo ishte koha e vërsuljeve të egra greke, por edhe momenti kur turqit e marrin veten dhe e mbrojnë, jo perandorinë, por atë që e quanin Turqi. Ky ishte koncepti i Mustafa Qemalit. Ai u rrit në një pjesë të Selanikut, me shumicë turqish e hebrenjësh. Kishte bërë shkolla ushtarake dhe ishte ngritur shpejt në profesion. Hove-hove çonte jetë tmerrësisht të shthurur, i dehur nga alkooli e nga gratë. Kishte pak miq. Në çaste të shpeshta të dëshpërimit, ia hapte zemrën vetëm së ëmës, që ishte grua shumë dinamike. U largohej e i largoheshin pothuaj të gjithë me mosbesim. Shumë autorë thonë se edhe për nga pamja ai ishte turk krejt jo i zakonshëm. Grindej edhe me ata që i lidhte njëfarë ideali. Ata ishin pak, madje tre prej tyre ishin shqiptarë që po përpiqeshin ta mbanin Turqinë në këmbë-Njaziu nga Resnja, Enveri nga Manastiri dhe vete Mustafa Qemali nga Selaniku. Njaziu, shqiptari i egër, si një Garibald i panënshtruar e nisi revolucionin xhonturk në Resnje e në Manastir. Nga malet në Maqedoni, Njaziu shkoi në Shqipëri dhe atje u vra. Enveri, me veprimet praktike, edhe me dredhitë ushtarake e politike, shumë gjatë e la në hije Mustafa Qemalin. Dhe grindeshin e urreheshin shumë. M. Qemali donte o të ishte i pari o s’ do të bënte asgjë. I pamëshirshëm, i përkushtuar, i pandalshëm drejt cakut, i fuqishëm në rrëmujat ushtarake, M. Qemali del e shkëlqen në skenën politike. I urrente të huajt që kishin vërshuar ta copëtojnë e ta dirigjojnë Turqinë. Në Ankara ishte pushteti provizor në fuqi. Në Stamboll ishte Sulltani, Kalifi me Vezirin e Madh dhe me ministrat, por ajo ishte një qeveri vetëm për emër…Idetë e tij ishin që bashkë me armiqtë e huaj duhet të largoheshin edhe Sulltanati, Kalifati dhe të gjitha vjetërsirat e Perandorisë Otomane, gjithë ai shkëlqim i rremë dhe ai budallallëk primitiv i trashëguar nga e kaluara. Ai do të shpallte Republikën dhe pastaj ai do të ishte sundues absolut. E mbas kësaj do ta reformonte Turqinë në çdo detaj. Herë butë e më shumë egër, por i realizoi. Qysh kur bashkohej e i shtrinte degët e Shoqatës “Vatani” ishin betuar se do ta mposhtnin tiraninë e sulltanit e ta zëvendësonin me një parlament popullor, dhe se do ta shpëtonin popullin nga hoxhallarët dhe gratë nga shamia e haremi. Mustafa Qemali vetë ishte kundër hoxhallarëve. Nuk e duronte sistemin ligjor të bazuar në Kuran, sipas tij ai zbatonte ligje irracionale. Në luftë ishte i durueshëm, frymëzues dhe nxiste krenarinë e rënë: Ju, thërriste ai, ju jeni turq! A do të zvarriteshit para këtyre grekëve që deri dje nuk ishin veçse vartësit dhe skllevërit tuaj? Këtë unë nuk mund ta besoj. Bashkohuni, përgatituni dhe fitorja është me ne. Grekët sistematikisht digjnin dhe shkatërronin çfarë t’u dilte përpara. Mirëpo, Ai fitonte dhe ishte “Gazi” (hero) për gjithë turqit. Bëri parti, i fitoi zgjedhjet, në parlament, në Ankara, fitoi kreun e vendit. Duhej të bënte reformat dhe i qëronte pamëshirshëm hesapet me kundërshtarët. Ai do ta shkulte fenë nga shteti. Edhe hoxhallarët fanatikë do t’i detyronte të punonin si gjithë të tjerët. Ai e kish përzënë Hoxhën më të lartë nga zyra dhe e kish gjuajtur me Kuran. I kish detyruar gratë të zbuloheshin. Gruaja e tij, Latifa, e shkolluar në Evropë, ecte nëpër rrugë e veshur si burrë. M.Qemali e donte Turqinë një vend të civilizuar, por e kuptoi se duhej t’i trajtonte turqit si mësuesi nxënësit e tij. Kur nuk bënte punë mësimi, e përdorte forcën. Ai i ishte vënë punës për të ndryshuar të gjithë mentalitetin e popullit, idetë e tyre të vjetra, zakonet, veshjet, sjelljet, doket, mënyrat e të folurit, të gjitha detajet e vogla të jetës së tyre, të cilat i lidhnin ata me të kaluarën dhe me formimin e tyre oriental. Vendosi që fesi duhej të zhdukej, si shenjë dalluese e otomanëve dhe e myslimanëve. Fesi është shenjë injorance, thoshte ai. Parlamenti miratoi ligjin për fesin. Rezistenca pushoi shpejtë. Nga rreziku i burgut dhe i trekëmbëshit çdo turk doli të blejë e te vejë kapele çfarëdo që ishte, madje edhe me pupla e me fjongo. Zbatoi kodin civil zviceran me të cilin e ndryshoi statusin e familjes dhe të drejtën mbi pronësinë, ndaloi poligaminë dhe haremin dhe rregulloi në mënyrë radikale pozitën e grave, të cilat fituan të drejtën e votës dhe u ngritën në profesione të larta. Zbatoi alfabetin latin dhe vetë me dërrasë të zezë vajti edhe katundeve t’ua shpjegojë lehtësinë e përdorimit. As të burgosurit nuk mund të liroheshin po të mos e mësonin alfabetin latin. Urdhëroi pastrimin e gjuhës, të këngëve… donte të jetonte si në perëndim. Ferma ishte gëzimi i jetës së tij. Kish blerë makineritë e fundit, demat dhe derrkucët më të shtrenjtë dhe atje kalëronte shpesh. I pëlqente të luaj rolin e fermerit zotëri. Nxiti zhvillimin e bujqësisë, industrisë, ekonomisë. Thonë se Turqia e sotme është vepër e Qemal Ataturkut. Ai është njeriu që respektohet më së shumti në Turqi. Edhe makinat në të gjithë Turqinë u bien burive dhe ndalojnë, e njerëzit madje dalin e qëndrojnë në heshtje pikërisht në çastet kur ka ndaluar zemra e tij dekada më parë. Edhe Çajupi dhe njerëzit tanë të ndritur e urrenin Turqinë, pikërisht atë që e urrente dhe që e reformoi Mustafa Qemal Ataturku. Megjithatë, a nuk na duhen edhe neve prijës e ligje që na i nxjerrin nga shpirti e nga shallvaret veset tona të këqija?!
kodrasadikit says
Lavdi vepres se Mustafa Qemajlit qe e reformoi dhe krijoi Turqine e re dhe moderne perafersishte si europa,se kuptoj se si ka mundesi qe ky shtet si falenderim ndaj ketij burri qe quhet baba i Turqise te lejoheshin se paku shkollat shqipe per popullsine shqiptare atje qe thuhet e besohet se jane te pakten6-8 mil shqiptare qe jetojne ne Turqi ,hapja e shkollave shqipe do te ishte shperblimi ma i madhe edhe pere kete burre por edhe per kontributin e pashembullte qe dhan shqiptaret per shtetin e Turqise,shpresoj se lutja ime do te behet realitet.