Nga Ilir Levonja/
Sapo afrohet 30 dhjetori thuajse për çdo vit realitetin tonë e frustron një inat kulturor mbi mos meremetimin a restaurimin e shtëpisë së poetit Gjergj Fishta. Një vend që po të llogarisësh se ka mbi 100 të ashtuqujtuara shtëpi botuese, mban panaire libri, ka po mbi 100 gjoja shoqata kulturore etj., prapë degradon në një indinjatë se përse nuk e restaurojnë shtëpinë e poetit në fshatin Fishtë të Lezhës. Në fakt në Shqipëri realiteti më i manipuleshëm është ai kulturor kësisoj jo rastësisht pushteti i kulturës ka karriken e fundit në kabinetin qeveritar. Sidomos pas të gjitha këtyre qeverive pas viteve 90-të, kultura tek ne trajtohet me buxhetin e banjove publike. Dhe veçmas shtetit, njerëzve të veshur me kostum e papion, ligjëvënësve a ligjëzbatuesve, armikun më të madh ka ata që merren me kulturën. Rasti më flagrant është fakti që edhe pse kanë kaluar 30 vjet demokraci akoma nuk ka një botues që t’i thotë autorit se do ta blej dhe tregtoj unë krijimin tuaj. Të gjithë duan lekë, madje të jesh në tavolina e të dëgjosh se si trajtohet libri është të vësh duart në kokë, autori duket një qenie mjerane përballë një kapteri që ka një liçensë shtypshkronje. I kërkon para i imponohet dhe mbase e sorollat ca muaj i jep kopjet si mall për ta shpërndarë. Dhe kanë të drejtë pasi liçensimi si botues nuk ka asnjë kriter mbi botimin a suportimin e vlerave por thjesht të një fabrikanti shtypshkronje.
Nga ana tjetër emisionet televizive mungojnë totalisht por edhe ato që janë, janë të pushtuar nga njohja dhe bërja e qejfit mes shoqi-shoqit dhe subjektet debatohen pa lexuar librat. Madje momentalisht ka një rubrikë tek televizioni Vizionplus mbi botimet living, thuajse e përditshme ku autori shqiptar nuk bën pjesë fare. Aty publikohen me sqarime vetëm autorë dhe botimet e huaja, me pretekstin e prurjes së një letërsie bashkëkohore nga bota. Kjo është vrasja më madhe megjithëse e butë dhe me sfond muzikor dhe për më tepër me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Letërsia botërore ka vendin e saj, por nga ato mijëra subjekte të huaja të mos ketë subjekte shqiptare që prodhohen çdo vit, është me plot gojën një vetvrasje po shqiptare. Megjithëse kemi kaluar kohë të mëdha me thyerje ambasadash, si emigrimi, ikjet nga malet, me gomone. Kemi histori suksesi e dashurie plot në rrugët e Romës a Parisit, Bonit a Madritit, pa harruar Athinën New Yorkun e shqiptarëve, prapë subjektet tona vdesin diku. Në sytë tanë lodron bota, Amerika, Andlia, Franca etj. Kjo nga një mosbesim i shqiptarit karshi shqiptarit, pavarësisht se rrahim gjoksin etj. Ndaj nuk është e rastësishme që ekranet tona vetëm blejnë telenovela turke dhe identiteti shqiptar po degradon, nuk është e rastësishme që nuk prodhohet nga autorë shqiptarë. Madje autorët shqiptarë janë më të nëpërkëmburit dhe morra gjirizi që duhen shtypur. Në një të afërme jo të largët kultura jonë do jetë totalisht e asimiluar me dashuritë e detit të zi a ngushticës së Bosforit për rrjedhoj autori shqiptar do jetë plotësisht siç e përshkruan një poet nga Elbasani me vargje si këto, Shkruaj vjersha, kot që shkruaj/ Kur veç Fizes ia lexoj/ Tërheq muajt porsi buaj,/Tespi orësh numëroj. Quhet Nexhip Ejupi, mund të ketë me dhjetra dorëshkrime por ”botuesit” shqiptarë duan lekë. Pavarsisht kadencës së mrekullueshme, me gjuhë shqipe të stilizuar për tu patur zili, prapë botuesit shqiptarë janë të zënë me letërsinë e huaj. Dhe për më keq akoma, një vend që ndan çmime, i jep ato me kriterin e njoh unë atë, jo me kriterin e tregun. Për më tepër që sot e ka kthyer institucionin e çmimit një biznes të mirëfilltë. U zgjatëm jo pa qëllim por për arsyen e thjeshtë se, kur ja lëron nënën ai i kulturës krijuesit, autorit, çfarë pret nga shteti që akoma ka brenda vetes njerëz të diktaturës. Çfarë kujdesi pret nga ata për korifenjtë. Merrni këtë qeveri, është krye i biri, babai i të cilit vari poet në litar. I thoni dhe ligjit të shpifjes të më vërsulet se, nuk e besoni. Franca do e zbythte një rast të tillë, kurse ne që vdesim për Francën për Notre Damin, i bëjmë pjellat shefa qeverie. Rasti i shtëpisë së Fishtës është për të vënë duart në kokë, apo ajo që unë e përsëris shpesh e më shpesh, faqja jonë e zezë. Dhe vini re një gjë, megjithëse janë afruar donatorë, prapë nuk meremetohet. Nxjerrin si justifikim kriteret e komisioneve të restaurimit etj. Janë të qëllimshme, si mund ta restauroj shtëpinë e Fishtës ta zëm një qeveritar si Taku. Vjen e djathta në pushtet deputet, vjen e majta po aty. Taku dhe soji i tij ia prishën varrin poetit, ia hodhën eshtrat në lum. Mund t’i restaurojnë shtëpinë ndonjë proletari, por jo Fishtës. Megjithëse është rasti më unik, unanimisht i pranuar, prapë e kemi kthyer në modë ankimin. Hapni një llogari bankare, se nuk ka për të mbetur këmbë shqiptari pa dhënë diçka. E burra fisnikë ka plotë ajo anë që të merren me paratë, gëlqere po ashtu. Lasgushin e lamë të bridhte rrugëve, nuk e dinim që ishte gjallë, tani shesim mend me vargjet e tij. Shteti, shteti…, shteti i kujt? I komunistëve do meremetoj shtëpinë e poetit kombëtar? Asesi, veçse Fishta po të ishte një poet jugosllav, sovjetik a kinez, po. Por Fishta është i gjuhës shqipe, i shqiptarëve dhe ata kjo i tmerron.