Flet regjizori dhe skenariati Ilir LENA /
Nga Raimonda MOISIU/
Toronto është kryeqyteti i Kanadasë dhe ndodhet jo shumë larg kufirit midis dy shteteve që ndajnë së bashku Amerikën e Veriut, -SHBA-së dhe vetë asaj. Vetë fjala Toronto –është një fjalë në gjuhën e fisit Huron dhe nënkupton “Vendi i Miqve”. Është pikërisht aty ku rrjedhin me vrull dhe gurgullon frymëzimi i kristaltë dhe njomin buzën muzat, – ujëvarat në lumin Niagara, një nga shtatë mrekullitë e botës. Mes gamës së gjerë të kulturave dhe komuniteteve të ndryshme në shoqërinë demokratike kanadeze bën pjesë edhe kultura shqiptare që vazhdon përpjekjet për të njehsuar identitetin kombëtar në formë e përmbajtje. Nevoja për zërat e kulturave të ndryshme si një domosdoshmëri dhe shprehi të humanizmit thelbësor, qytetar e intelektual, por edhe i motivuar me dashuri e mirësi, i pajisur me individualitet profesional, me krenarinë e modestinë kombëtare, regjizori dhe skenaristi Ilir LENA –emigruar në Kanada prej vitesh, arriti që të ngrejë televizionin shqiptaro-kanades me emrin simbolik “Pasqyra Shqiptare”, jo vetëm si një nga mediat televizive shqiptare të spikatura, por edhe MEDIA TOP-në Amerikën e Veriut.
Në këtë intervistë Drejtori i Emisionit televiziv për Shqiptarët e Kanadasë “Pasqyra Shqiptare” dhe “Albanian Ëaves”, z.Ilir Lena rrëfen se si i lindi ideja për ta ngritur TV shqiptaro-kanades, strukturën e emisioneve të tij që nga; mbulimi gjeografik, TVSH satelitore që përfshin në programet e saj emisionet e “Pasqyra Shqiptare”, larmi tematike nga jeta në komunitet, emisione me strukturë të qëndrueshme dhe bashkëpunimin me organizatat shqiptaro-kanadeze, cilësia e lartë e figurës dhe prodhimi i dokumentarëve si pjekuri profesionalizmi.
Të gjitha këto tregojnë forcën e progresit, integrimit dhe pjesëmarrjes në jetën social –ekonomike, kulturore-artistike dhe politike në shoqërinë demokratike kanadeze të komunitetit shqiptaro-kanades, por ajo c’ka është më e rëndësishme integrimin dhe ruajtjen e vlerave kombëtare dhe identitetit shqiptar. Ju lutem ndiqni intervistën për më shumë:
– Z. Lena, “Pasqyra Shqiptare” që ju drejtoni, është një nga mediat televizive shqiptare jo vetëm e spikatur, por edhe MEDIA TOP e Amerikës së Veriut, kryesisht në Toronto, Kanada. Cilat janë kontaktet tuaja të para me botën e medias televizive?
Faleminderit që e vlerësoni kaq shumë këtë emision. Nuk e di në se e meritojmë të cilësohemi si të tillë, por ndoshta fakti që “Pasqyra Shqiptare” shfaqet vetëm dy herë në javë, na bën të jemi shumë të vëmendshëm në përzgjedhjen e subjekteve si dhe ndaj detajit në montazh. Gjithashtu, formati i ngjeshur i jep emisionit ritëm dhe në fund, teleshikuesi nuk e kupton se si fluturoi koha. Kjo është vërtetë shenjë cilësie. Nga ana tjetër, do të kishim dashur të kishim më shumë minutazh, sepse komuniteti shqiptar në Kanada është rritur shumë, bashkë me të edhe struktura njerëzore dhe ajo e problematikës është bërë më e larmishme.
Më pyetët për kontaktet e mia me botën televizive. Unë në fakt nuk jam diplomuar në këtë fushë. Studimet e larta i kam përfunduar në Tiranë në vitin 1990 në fushën e Kontabilitetit dhe Financave. Për herë të parë rashë në kontakt me një trupë televizive dhe u bëra rastësisht pjesë e saj, në marsin e vitit 2000. Në atë kohë shoqëroja si bashkësponsor dhe këshilltar nëpër Kanada regjisorin e TVSH-së, z. Esat Telitin, i cili po xhironte dokumentarin “Na duhet një Niagarë”. Puna me të si dhe me bashkëpunëtorët e tij, Arben Tafili dhe Gavrosh Haxhihyseni, shërbyen si një lloj stazhi. Ky qe momenti kur mora ngacmimin e parë në fushën e prodhimeve televizive. Por, përfshirja e vërtetë në këtë fushë u bë realitet vetëm në vitin 2003, kur ish-drejtori i parë i emisionit (2002-2003), z. Fadil Maliqi me origjinë nga Ohri, u tërhoq nga prodhimi dhe më paraqiti te OMNI 1 TV këtu në Toronto si një kandidaturë të përshtatshme. Kjo ishte një përgjegjësi e madhe, të cilën gjatë 3-4 viteve të para e kam ndarë me mikun dhe bashkëpunëtorin, Arian Dheri, njohës i mirë i kameras dhe montazhit. Gjithashtu, bashkëpunimi 10 vjeçar (2003 e në vazhdim) me Esat Telitin dhe Arben Tafilin, dy profesionistë veteranë në Tiranë, ka qenë më se i dobishëm dhe u jam shumë mirënjohës.
-Si drejtor i emisionit, si e vlerësoni përparimin e tij në këto 11 vjet të transmetimit?
Emisioni ka bërë hapa të mëdhenj përpara. Kjo është rrjedhojë e rritjes profesionale të stafit tonë. Për këtë mund t’ju sjell një shembull domethënës. Që prej vitit 2005, pothuajse çdo vit, përveç emisioneve të rregullta javore, ne kemi arritur të prodhojmë edhe dokumentarë televizivë një-orësh. Tre prej tyre (“Marsel”, “Jani” dhe “1999”) janë prodhime edhe me përkthim në anglisht dhe janë transmetuar shumë herë nga rrjeti OMNI me mbulim të gjithë Kanadanë në oraret pik të fundjavave. Jemi krenarë për këtë arritje, sepse gjinia e dokumentarit është një nga më të vështirat.Vetë emisioni ka tani një strukturë të qëndrueshme; edhe kjo është një shenjë pjekurije. Gjithashtu, është rritur cilësia e intervistave, kronikave, reportazheve, lajmeve, madje edhe ana grafike, falë dy artistëve, Valdet Salihu dhe Arbër Malile. Bashkëpunimi me dy profesionistë të mirënjohur, Antigoni Papastathin, paraqitëse (prezantuese) dhe folëse si dhe Hyshi Kantarxhiun, kompozitor, i ka dhënë emisionit një tjetër përmasë profesionale.Në përparimin tonë ka një meritë edhe Artur Lena, im vëlla. Ai është një përkthyes shumë i mirë, por mbi të gjitha një redaktor i rreptë i shqipes. Së fundi, dua të nënvizoj që emisioni prodhohet dhe transmetohet me rezolucion të lartë (High Definition), shkalla më e lartë e cilësisë së figurës sot në televizion.
– Siç thatë vetë, ju vini nga një fushë tjetër profesionale, dhe eksperienca juaj ka qënë e pakët në median elektronike. Përveç pozicionit si drejtor i emisionit, çfarë detyrash të tjera mbuloni aty?
Unë përdor edhe kamerën si dhe njoh montazhin. Por, edhe të shkruarit e teksteve dhe skenareve, janë pjesë e punës sime të përditshme. Sidomos në gjinitë e gjata, siç janë reportazhi dhe dokumentari, çdo autor (regjisor) këshillohet të jetë edhe skenarist, sepse kështu puna ka më shumë rendiment dhe cilësi.
– Ç’dallim ka mes medias së shkruar dhe asaj televizive? Janë këto të lidhura me njëra –tjetrën?
Televizioni është një fushë e zhvilluar e medias, që e sjell lajmin, informacionin apo edhe krijimin artistik kryesisht nëpërmjet figurës. Megjithatë, ai s’mund ta zëvendësojë kurrë median e shkruar, sepse mendimi nuk mund të shpaloset mjaftueshëm në televizion, si në gjerësi, ashtu edhe në thellësi, sa ç’mund të bëhet në median e shtypur. Nga ana tjetër, pa shkrimin nuk ka televizion. Çdo prodhim televiziv fillon me një skenar. Thuhet shpesh në këtë industri që një film i mirë (artistik, dokumentar, etj.) buron gjithmonë nga një histori e shkruar mirë. Në këtë kontekst mund të them që të shkruarit është një zanat shumë i vështirë. Ju si gazetare dhe poete, e dini më mirë se unë këtë gjë.
-Më tregoni diçka mbi përmbajtjen e emisionit. Ku jeni të fokusuar më së shumti?
Emisioni pasqyron kryesisht jetën e shqiptarëve në Kanada. Figura e shqiptarit vjen në ekranin tonë përmes portreteve televizive, bisedave, kronikave dhe reportazhve të festimeve dhe veprimtarive të shumta kulturore që mbahen mes shqiptarëve në Kanada. Temat dhe personazhet janë të larmishme, pasi rreth 35 mijë shqiptarët që jetojnë në Kanada përbëjnë një mozaik më vete krahinash, moshash, shkollimesh, prirjesh, interesash, besimesh, bindjesh, etj. Nga ana tjetër, bashkëpunëtorët tanë në Tiranë, Teliti dhe Tafili, na sjellin nga Shqipëria biseda dhe kronika të posaçme (ekskluzive) për “Pasqyrën Shqiptare”. Kryesisht na vijnë figura të shquara të kulturës si dhe ngjarje të rëndësishmë kulturore. Materialet e tyre pastaj ne i montojme dhe i përshtasim për formatin tonë këtu. Gjatë këtyre viteve ne kemi sjellë në ekranin e “Pasqyrës Shqiptare” mbi 1200 shqiptarë, duke filluar nga Ismaili Kadare dhe At Zef Pëllumbi, e deri te fëmijët e klasave shqipe në Kanada, apo drejtues shoqatash, shkrimtarë në Kanada, muzikantë, etj. Politikës i rrijmë larg, madje edhe kur sheh ndonjë figurë politike në emisionin tonë, ose është në pension, ose tema e bisedës është apolitike.
– Cilat janë marëdhëniet me stafin e bashkëpunëtorëve?
Marrëdhëniet janë të shkëlqyera dhe shpresoj të mbeten të tilla për shumë vite të tjera. Të gjithë bashkëpunëtorët që përmenda më lart janë profesionistë të figurës, tingullit, apo fjalës. Si artistë ata kanë një pasion të pashoq për punën e vet, por edhe një merak për produktin. Kjo mua më jep shumë qetësi dhe ma lehtëson shumë punën e drejtorit. Ndjehem koleg mes tyre.
-Si janë marëdhëniet tuaja me komunitetin shqiptar? A e ndihmoni njëri-tjetrin reciprokisht?
E kam thënë edhe në një media tjetër, por tani po e artikuloj në një kontekst të ri. Komuniteti në radhë të parë duhet parë si konsumator i produktit (në këtë rast, atij informacionit televiziv). Ka një nevojë për televizion shqiptar serioz në Kanada dhe kjo është premisa e parë mbi të cilën mund të nisësh një punë të suksesshme. Në televizion nuk mund të jesh i sukesshëm pa audiencë. Ne e kemi këtë audiencë dhe punojmë fort që ta mbajmë dhe ta rrisim. Kjo arrihet duke pasqyruar sa më gjerësisht dhe cilësisht jetën kulturore të shqiptarëve, por edhe problemet e tyre të integrimit. Njerëzit na ndjekin dhe këtë e vejnë re edhe sponsorët, të cilët na ofrohen pastaj duke vendosur reklamat e tyre gjatë minutave tona. Në se marëdhënia nuk ndërtohet mbi këtë bazë reciprociteti të ndershëm, nuk ka vazhdimësi. Në se do t’i binim gjoksit se po “sakrifikojmë” për komunitetin, nuk do të ishim 100% të sinqertë. Në radhë të parë, çdo njeri përpiqet për veten, familjen e tij dhe kur puna ka cilësi, i shërben komunitetit si dhe sjell një frymë qytetare dhe afrimi të shqiptarëve, kjo të bën krenar.
-Si e kuptoni në se ju ndjek apo jo teleshikuesi?
Prania afatgjatë e shumë sponsorëve në emision, pjesëmarrja masive në veprimtaritë artistike (koncerte, premiera, përvjetorë, etj.) që kemi organizuar në vite, emailet, letrat, telefonatat, kontaktet e drejtpërdrejta me njerëzit; këto janë disa nga format ku bazohemi se sa ndiqemi.
– Si drejtues i këtij institucioni por edhe si shqiptar, a e shihni rolin e tij efikas jo vetëm në anën komerciale të tij por edhe atë të integrimit të kulturës shqiptare në Kanada?
Po, patjetër. Mediat vizive duhet dhe mund ta luajnë këtë rol. Edhe ne japim ndihmesën tonë në këtë drejtim, qoftë nëpërmjet informacioneve në shqip që përcjellim te teleshikuesit, qoftë edhe duke shërbyer si urë komunikimi mesi komunitetit dhe pushteteve qendrore, lokale, apo edhe organizmave të tjera jo-qeveritare apo artistike.
– Mendoni se gjatë këtyre viteve të aktivitet televiziv keni justifikuar jo vetëm përkushtimin, por edhe mesazhin që dëshironi të transmetoni nga ekrani në familjet e bashkëkombasve tuaj?
Jam i bindur që po. Vetëm një gjë dua ta sqaroj. Mesazhet tona nuk janë të zhurmshme, se pastaj do të binim në sloganizëm, apo edhe propagandë. Mesazhet tona përcillen nga shembujt pozitivë që ne zgjedhim të sjellim në ekran, qofshin personazhe, apo edhe ngjarje. Shqiptarëve nuk u mungojnë shembujt pozitivë. Detyra jonë është të thërrasim në ekran pikërisht këta shembuj, se ata pastaj e bëjnë më mirë punën e përcjellësit të mesazheve.
– Mesazhi që dëshironi të jepni për audiencën shqiptare?
Kam edhe një mesazh tjetër, shumë të thjeshtë për të gjithë lexuesit tuaj nëpër botë: na vizitoni te faqja jonë ëëë.pasqyra.net ose ne Facebook, PASQYRA SHQIPTARE TV, dhe na shkruani se çfarë mendoni për ne.
Zonja Moisiu, ju falenderoj shumë për këtë mundësi të shkëlqyer për ta bërë të njohur
“Pasqyrën Shqiptare” edhe për lexuesit tuaj të shumtë.
Ju faleminderit.
Bisedoi: RaimondaMoisiu((Intervistë me z.Ilir Lena, regjisor/skenarist/drejtor i emisionit televiziv për shqiptarët e Kanadasë, “Pasqyra Shqiptare” (www.pasqyra.net)
[…] Toronto është kryeqyteti i Kanadasë dhe ndodhet jo shumë larg kufirit midis dy shteteve që ndajnë së bashku Amerikën e Veriut, -SHBA-së dhe vetë asaj. Vetë fjala Toronto –është një fjalë në gjuhën e fisit Huron dhe nënkupton “Vendi i Miqve”. Është pikërisht aty ku rrjedhin me vrull dhe gurgullon frymëzimi i kristaltë dhe njomin buzën muzat, – ujëvarat në lumin Niagara, një nga shtatë mrekullitë e botës. Mes gamës së gjerë të kulturave dhe komuniteteve të ndryshme në shoqërinë demokratike kanadeze bën pjesë edhe kultura shqiptare që vazhdon përpjekjet për të njehsuar identitetin kombëtar në formë e përmbajtje. Nevoja për zërat e kulturave të ndryshme si një domosdoshmëri dhe shprehi të humanizmit thelbësor, qytetar e intelektual, por edhe i motivuar me dashuri e mirësi, i pajisur me individualitet profesional, me krenarinë e modestinë kombëtare, regjizori dhe skenaristi Ilir LENA –emigruar në Kanada prej vitesh, arriti që të ngrejë televizionin shqiptaro-kanades me emrin simbolik “Pasqyra Shqiptare”, jo vetëm si një nga mediat televizive shqiptare të spikatura, por edhe MEDIA TOP-në Amerikën e Veriut. […]