
Dr. Afrim Shabani/
Libri i Virgjil Kules, Kryqtari i Fundit, nuk ndjek trajektoren klasike të rrëfimeve patriotike. Ai nuk përqendrohet vetëm në lavdinë e betejave, por hulumton rrënjët e projektit të Skënderbeut për çlirim. Autori e paraqet Skënderbeun si një figurë që, që në kohën kur ishte pjesë e administratës osmane, kishte filluar të ndërtonte një rrjet të mendimit dhe të veprimit politik në favor të një mbretërie arbërore të krishterë (Kule 2018, faqe 24, 25).
Risia metodologjike që sjell Kule është ndërtimi i një “ditari diplomatik” të veprimtarisë politike dhe ushtarake të Skënderbeut, duke renditur ngjarjet dhe dokumentet sipas rendit kronologjik të viteve dhe muajve, në mënyrë që të shmangen interpretimet jashtë kontekstit historik (Kule 2018, faqe 7–8). Kjo strukturë i jep lexuesit ndjesinë e zhvillimit të një mendimi të qëndrueshëm dhe të qëllimshëm që zgjat mbi dy dekada, e jo të një reagimi të çastit apo instinktiv.
Metoda hronotopike që përmend autori – lidhja e dokumenteve me kohën dhe hapësirën konkrete – është qasje që krijon një narrativë logjike ku çdo ngjarje merr kuptim në funksion të projektit madhor të Skënderbeut (faqe 8–9).
Kapitujt kushtuar periudhës osmane të Skënderbeut janë të thelluar në këtë libër. Kule analizon në detaje se si funksiononte sistemi i devshirmesë dhe shkolla Enderun, ku përgatiteshin kuadrot më të lartë të Perandorisë, dhe ku Skënderbeu u trajnua si iç-oglan (faqe 14–18). Ai u përfshi në elitën e sistemit, kaloi filtrat e meritokracisë, zotëroi gjuhët osmane, persiane, arabe e më vonë edhe ato perëndimore si greqishtja, italishtja e sllavishtja (faqe 17–18).
Por më pas, ai përdori këtë formim jo për të forcuar Perandorinë, por për të ndërtuar strategjinë e shkëputjes prej saj. Kjo e bën figurën e tij më komplekse, por edhe më të lavdishme – një lider që e njihte sistemin nga brenda dhe vendosi t’i dalë përballë me instrumentet e dijes.
Autori dokumenton qartë përpjekjet e Skënderbeut për të krijuar lidhje me fuqitë kryesore të krishtera të kohës. Ai përshkruan me hollësi kontaktet e fshehta me Huniadin, me Papën Eugjeni IV, me Venedikun dhe me mbretin Alfons të Napolit (faqe 27, 29, 30, 31). Mesazhet e dërguara prej tij në këto qarqe nuk janë thjesht kërkesa për ndihmë, por oferta konkrete për ndërtimin e një fronti të dytë antiosman në Ballkanin jugperëndimor, paralel me frontin hungarez (faqe 23–24, 31).
Në këtë kontekst, Skënderbeu shfaqet jo si një prijës i izoluar lokal, por si një aktor që ndodhej në qendër të gjeopolitikës së shekullit XV. Ai kishte kuptuar se Shqipëria ishte nyja që mund të lidhte Adriatikun me rezistencën kontinentale, dhe e përdori këtë pozitë për të ndërtuar aleanca të qëndrueshme.
Kryqtari i Fundit është një kontribut me vlerë për të kuptuar më thellë figurën e Skënderbeut. Ai nuk e sheh heroin si simbol abstrakt, por si mendje realiste që punoi sistematikisht për një qëllim të madh kombëtar. Kule e vendos Skënderbeun aty ku e meriton: jo vetëm në historinë e betejave, por në historinë e ideve politike dhe të diplomacisë shqiptare.
Në një kohë kur ne shpesh harrojmë se historia jonë ka pasur edhe vizion përtej qëndresës, kjo vepër na rikujton se Skënderbeu ishte edhe strateg, edhe arkitekt i një projekti europian për Shqipërinë. Dhe kjo është arsyeja pse ai mbetet i fundit ndër kryqtarët dhe i pari ndër ne.
Reference:
Kule, V. (2018) Gjergj Kastrioti Skenderbeu – Kryqtari I Fundit. Fast Track Albania