-Ministri Hoxhaj dënon sulmin ndaj ambasadores Çitaku: Akt i papranueshëm që dëmton Kosovën/
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha sot se sulmet si ai ndaj ambasadores së Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku, janë akte të shëmtuara dhe të dënueshme.
“Nxitësit dhe ekzekutuesit e veprimeve të tilla të shëmtuara, duhet të ndjehen të turpëruar”, tha Thaçi në një postim në Facebook.
Të mërkurën, ambasadorja Çitaku, pas një bashkëbisedimi në Koloardo, për situatën në Kosovë dhe Ballkan, u sulmua me vezë nga një aktiviste shqiptare.Kjo e fundit, siç tha Çitaku, e quajti atë kriminele dhe vrasëse, duke iu referuar vdekjes në burg të aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari.
“Fyerja dhe sulmi ndaj ambasadores Çitaku ishte edhe një tjetër përpjekje e ulët e radhës për të dëmtuar imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare”, tha presidenti Thaçi.
***
Ambasadorja e Kosovës në Washington, Vlora Çitaku, është sulmuar me vezë në “University of Denver”, në Kolorado. Ajo që e ka sulmuar është Vlerta Vdili.
Vdili, shprehet se këtë e bëri ngase vlerëson se “Çitaku është një nga aktoret më të mëdha që është e ngulitur në strukturën e dhunës në Kosovë”.
“Ajo ka marrë pjesë në fushata në mbështetje të komunitetit LGBT, por duke i përdorur ata e edhe duke përdorur edhe dobësinë e grave. Është një kriminele me taka të larta. E bëra atë sepse historia e plotë e Kosovës duhet të dëgjohet nga bota-tregimi i njerëzve tanë po shkon duke u mbytur nga politikanët tanë të korruptuar derisa ata mbesin të integruar në dhunën strukturore”, thotë ajo.
Ministri Hoxhaj dënon sulmin ndaj ambasadores Çitaku: Akt i papranueshëm që dëmton Kosovën/
-Sulmi ndaj një përfaqësuesit diplomatik i akredituar në një vend mik sikurse Shtetet e Bashkuara të Amerikës është i papranueshëm dhe i dënueshëm/
PRISHTINË, 18 Maj 2017-Gazeta DIELLI/ Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj ka dënuar ashpër sulmin ndaj Ambasadores së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, nga një aktiviste politike sikurse u prezantua e cila propagandonte në mënyrën më të turpshme kundër shtetit të Kosovës.
“Sulmi i tillë i ulët, përderisa Ambasadorja Çitaku po e përfaqësonte shtetin e Kosovës, në një bashkëbisedim me Ambasadorin Christopher Hill në një nga universitetet më prestigjioze amerikane, është sulm jo vetëm ndaj një përfaqësuesi të shtetit sikurse Ambasadorja Citaku por edhe ndaj institucioneve shtetërore dhe vetë imazhit të vendit tonë”, ka thënë Hoxhaj në deklaratën e dërguar.Ministria e Punëve të Jashtme fton të gjithë qytetarët kudo që janë jashtë Kosovës, të shprehin edhe pakënaqësitë e tyre në mënyrë të civilizuar por gjithnjë duke pasur parasysh interesat e shtetit të Kosovës.Sulmi ndaj një përfaqësuesit diplomatik i akredituar në një vend mik sikurse Shtetet e Bashkuara të Amerikës është i papranueshëm dhe i dënueshëm, përfundon deklarata./b.j/