
Dritan Mashi/
Na i qëndis disa fjalë për “Dielli”-n, ” – kështu më tha Sokoli….E mendova paksa, por thashë jo, se është më mirë t’ia filloj me atë çka na tha një nxënës në shqip: “A nuk do vijmë përsëri pas pushimeve, si në shkollën e detyrueshme?”
A ka më kënaqësi kur fëmija, i lindur dhe rritur në dhè të huaj komunikon shqip dhe mbi të gjitha kur ke kontribuar që t’ia shtosh të nxënit? Jo, më shumë, është mrekulli.
Kështu u ndjemë edhe ne, mësues e prindër, të shkollës së gjuhës shqipe “Gjergj Fishta” në Levico Terme (TN) Itali, ditën e djeshme në mbylljen e vitit shkollor 2022-2023. Me fytyra të qeshura, me muzikë shqip, duke hedhur valle dhe kënduar, na dukej vetja si në shtëpitë tona, atje ku edhe cicërima e zogut të duket shqip. Kjo është kënaqësia e jetës së prindit, kjo është kënaqësia e mësuesit dhe duhet të jetë edhe kënaqësia e komunitetit, që fëmijët tanë, kudo që të ndodhen, të komunikojnë në gjuhën e të parëve, gjuhën shqipe.
Në këtë ceremoni të vogël, ashtu siç jemi një shkollë e vogël, në një qytet të vogël, me komunitet shqiptar të vogël, por me zemër shqiptarie të madhe, na nderoi edhe kryetari i komunës, ku cilësoi integrimin e komunitetit tonë dhe ruajtjen e identitetit tonë kombëtar dhe na ndihmoi të shpërndanin certifikatat për çdo nxënës që frekuentoi mësimin e gjuhës shqipe!
“A nuk do vijmë përsëri pas pushimeve, si në shkollën e detyrueshme?”
Kjo është fjali që duhet qëndisur dhe me shkronja të mëdhà. Duhet qëndisur dhe të ruhet si suvenir në të gjitha shtëpitë tona, nëpër të gjitha shoqatat, në të gjitha dyqanet dhe selitë diplomatike ku hyn dhe del shqiptaria. Ta ruajmë, ta flasim dhe të na rrojë në jetë të jetëve gjuha jonë e bukur dhe hyjnore shqipe!