Sunday, SEPTEMBER 4, 2016 BATTERY PARK, NYC Celebrate MOTHER TERESA…..Kliko obi poster
Meditime urbane 2016
“Kur të ndodh te kojshia prite te shtëpia”/
Proverb i vjetër popullore/
Shkruan: arch. Ylber Vokshi-Ylli/
I ngujuar në dhomën e punës, po analizoi se si po ballafaqohemi me pasojat e dukurive natyrore, të reshurave atmosferike,ato në të shumtën e rasteve janë normale, duke mos përjashtuar as rastet e rralla ekstreme të fatkeqësive natyrore,që shumë rrallë kanë ndodhur në hapësirën shqiptare,në shekullin e ri.Meditoi se ku është katandisur kjo shoqëri,deri kur do të lejohen këta keqbërës të hapësirës tonë të veprojnë,a kanë limite apo kufi veprimet e tyre. Me siguri jo nëse ende vazhdon kjo mos përgjegjësi,mos dhënie llogari për veprimet e tyre të bazuara vetëm në interesat e tyre personale, pa iu frikësuar sado pak anës ligjore të veprimeve të tyre. A e dinë këta se ku do të përfundon kjo mënyrë e punës, ku pasojat do të bien te të gjithë banorët e Kosovës,ata po janë viktimat e një grupi keqbërësish që shfrytëzuan situatën e krijuar pas luftës, me veprime që askush nuk ka mundur ti imagjinoi pas robërisë disa shekullore osmane dhe sllave.
Jemi dëshmitar të shtatëmbëdhjetë(17) viteve të pas luftës ku rroli i profesionistëve është margjinalizuar në ekstrem,gati në të gjitha fushat e jetës në Kosovë,posaçërisht në fushën e planifikimit hapësinor,urban dhe arkitektonik, gjegjësisht në ndërtimet që ndodhën në shekullin e ri XXI në Kosovë. Si rezultat i një politike urbane tërësisht të gabuar në këto vite, arritëm të kemi një degradim shqetësues të tërë hapësirë tonë që na rrethon.
Të jemi të qartë,në rastet e fatkeqësive natyrore,njeriu me organizim të mirë në të gjitha aspektet duhet të tentoi që pasojat të jenë sa ma të vogla,ku siguria dhe jeta e njerëzve duhet të jetë primare. Duke u nisu nga veprimet tona vandalistë ndaj natyrës, ekzistojnë dilemat e arsyeshme sa është fuqia e atyre dukurive natyrore,ku pasojat e një shiu ma të madh,bore,ere ma të fortë,rrëshqitje e dheut, po kanë pasoja të mëdha në paralizimin e jetës,të mirave materiale e në rastin e fundit si në rrethinën e Shkupit edhe me viktima në njerëz që nuk munden të kompensohen.
Vërshimet në periferi të Shkupit me 6 gusht 2016, ku pati edhe viktima në njerëz ( mbi 20 veta) treguan atë se nuk mundesh të ndërton ku të ju teket, por territorin duhet planifikuar,urbanizuar e pastaj ndërtuar, duke respektuar disa rregulla që i njeh deri me sot njerëzimi. Kështu gjithnjë do të jetë në rrezik banori i thjeshtë që lejohet të ndërtoi afër zonave të liqenit,zbrazja e të cilit shkaku i shirave të mëdha,pati pasoja të mëdha për jetën e atyre banorëve dhe dame materiale të mëdha nëpër shtëpitë,të mbjellat dhe në të mirat tjera materiale. Do të formohen grupe formale punuese për të gjetur shkaqet e kësaj katastrofe të shkaktuar edhe nga dora e njeriut. Do të ketë kompensime materiale por traumat dhe jeta e njerëzve që vdiqën nuk mundet të kthehet.
Ma dëshpëruese është informimi nga tereni se shkaktari kryesor i kësaj tragjedie ishte faktori njeri me mos mirëmbajtjen,mos pastrimin e rrjedhave ujore të lumenjve, proçkave,kanaleve ujitëse,lëshimi i pa kontrolluar dhe i pa paralajmëruar i ujit nga diga, me pasoja të mëdha me humbje jetësh të njerëzve. Tmerri dhe traumat e përjetuara atë natën e ferrit nuk munden të harrohen kurrë apo të fshihen nga memoria e atyre qe e përjetuan atë tmerr, të ndihmuar nga dora e njeriut dhe shtetit jofunksional.
Situata hapësinore dhe urbane aspak nuk është ma e mirë as tek ne në Kosovë, për fat të mirë pos dëmeve të mëdha materiale në prona private dhe shoqërore, numri i viktimave në Kosovë është minimal vetëm falë asaj se të reshurat e shiut nuk ishin të intenzitetit si në Maqedoni,e jo se ne i kemi kushtuar kujdes preventives apo kemi mirëmbajtur mjedisin që na rrethon.
Trajtimi i hapësirës tonë pas luftës ishte dhe është skandaloz,edhe se e kemi në dispozicion tëre logjistikën teknike. Një proverb i vjetër popullor thotë “Kur të ndodh te kojshia prite te shtëpia”. Kjo çka ndodhi në Hasanbeg duhet ë jetë vërejtje alarmante për vendimmarrësit tonë që urgjent të marrin masa parandalimi për rreziqet eventuale që do të iu nënshtrohen banorët e Kosovës, pasi distanca ajrore në mes të atyre dy zonave është shumë e vogël.
Ma në fund Qeveria e Kosovës me Agjencinë për Menaxhim të Emergjencave (AME), duhet të fillon të merr hapa konkrete për të sanuar situatën e sigurisë të krijuar, me mos veprimin tonë në harmoni me dokumentet hapësinore dhe urbane. Kjo kërkon me nda mjete milionëshe nga buxheti i ster-ngarkuar i Kosovës, apo marrja e kredive komerciale pasi asnjë donator i huaj nuk do të na financon mos-punën tonë.
Se përpilimi i projekteve,revidimi,aprovimi,realizimi dhe shfrytëzimi i ndërtimeve është i një rëndësie të veçantë,po e tregon realiteti ynë i zymtë kosovar. Siguria e banorëve,zvogëlimi rreziqeve, evakuimi i tyre, është obligim i të gjithë atyre të cilët janë të kyçur në këto procese. Ata janë të obliguar të iu përmbahen normave,standardeve të projektimit,ndërtimit,zbatimit dhe shfrytëzimit të gjithë objekteve dhe hapësirave publike dhe private,çka në rastin e Kosovës nuk është duke ndodhur në shekullin e ri XXI.
Po jemi dëshmitar të asaj se çka po ndodh në Prishtinë kur po bien ndonjë shi ma i rrëmbyeshëm, si ndodhi dy herë kohët e fundit, dhe ajo mu në mes të verës në korrik dhe gusht. U përmbytën shumë zona banimi,komunikimi dhe biznesi dhe u shkaktuan shumë dëme materiale të cilat dikush duhet ti kompensoi,
Banorët e Prishtinës po punojnë dhe veprojnë me trauma permanente pasi kjo po iu ndodh sa herë që po bie shi. A duhet dikush të jep përgjegjësi nga ata që kanë kontribuar të kemi këtë situatë të krijuar. Ata që kanë lejuar ndërtime pa leje,edhe ato me leje, të ndërtuara me projekte të pa kontrolluara (reviduara),të pa mbikëqyrura,të pa pranuara teknikisht,me gabime teknike trashanike, që sot në eksploatim po na sjellin dame të mëdha e që po duhet ti paguajmë të gjithë ne e posaçërisht shfrytëzuesit aktual të atyre hapësirave. E mos të mendojmë për qasjen te objektet, në rastin e ndonjë fatkeqësie natyrore si janë tërmetet potenciale pasi Kosova konsiderohet si zonë tektonike,me rrezikshmëri të lartë.
Është dëshpëruese si “bulevardi i pavarësisë”po na kthehet në”lum”artificial i cili i mungon Prishtinës pasi “kokat e mençura” i kanë mbulua-mbyllur dy lumenj aktiv të kryeqyetit, pa i llogaritur pasojat që i ngërthen një veprim i tillë për gjeneratat e ardhshme. Përgjegjësi aktual i Komunës arsyetohet më shkaktarët që po e krijojnë këtë situatë të pa pranueshme,në numrin e madh të ndërtimeve pa leje,në “gypat problematik” të kanalizimit atmosferik të cilët nuk janë dimensionuar për të bartur prurjet e ujërave atmosferik nga pjesët tjera të qytetit,në domosdonë e pjertësisë natyrore për ujërat sipërfaqësor etj. Për krejt këto “marifete” ne si banorë të kryeqytetit ma së pakti jemi fajtor që po pësojmë,a duhet të filloi ma në fund të zbatohet përgjegjësia individuale apo kolektive për atë çka ka ndodhur,çka po ndodh dhe çka do të ndodh në Prishtinë dhe Kosovë në të ardhmen ?
Nën ato hapësira ekziston shtrati i lumit Vellusha i mbuluar dhunshëm, i cili akuzon dhe po na hakmerret,po vërtetohet ajo thënia e vjetër “natyra duron por dinë edhe të dënon” për veprime të gabuara. Qëndrimi im është se tërë kjo që tani po na ndodhë është rezultat i degradimit urban të kryeqytetit të cilin vet e kemi bërë. Do të duhen vite të tëra dhe miliona euro për të bërë rehabilitimet urbane, gati në tërë Prishtinës. Ato para ekstra do ti paguajmë vet ne, në anën tjetër kualiteti i jetës urbane me dekada do të jetë i varfër, duke paguar veprimet e pa përgjegjshme të vendimmarrësve tonë të fillim shekullit të ri.
Deri kur ne shqiptarëve na duhet një imponim i detyrueshëm për tu “vetëdijesuar” dhe për të kuptuar se kështu nuk bënë ma,jemi duke jetuar në shekullin 21,mos respektimi i principeve hapësinore dhe urbanë po na hakmerret me humbjen e jetëve të njerëzve dhe të mirave materiale,e çka është ma tragjike me këto veprime-ndërtime gjithnjë do të jemi cak këtyre dukurive natyrore, që bota e civilizuar në suazat e të mundshmes po i lufton me sukses.
*arkitekt i pavarur- Autori është ish-Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK)
DIASPORA- “DITË SHQIPËTARE NË ITALI”
Mbresa nga “Ditët e kulturës shqiptare”,2016 në Mantova,një sofër e bashkuar e artit dhe zemrave shqiptare,në zemër të Italisë/
Nga Jaho MARGJEKA/
Jemi nisur nga Tirana një pasdite qershori drejt Italise,të ftuar nga Federata Nacionale e Shoqatave Shqiptare në”Ditët e kulturës shqiptare”në Mantova.Në bordin e autobusit nuk ka udhëtarë të rastit por artistë të Ansamblit të Këngëve e Valleve të Shqipërisë.Na pret një rrugë e gjatë prej njëmijë e sa kilometra deri në Mantova.Gerti,drejtori i Ansamblit sigurohet se gjithçka është gati,dhe nisemi.Udhetojmë gjithë natën.Udha përshkon brigjet e Malit të Zi e Kroacisë.Diku në autostradën e Kroacisë zbardh mëngjesi.Ngado gjelbërim.Ndalojmë herë pas here për pak pushim e për ndonjë kafe.Sapo kemi lënë prapa Rijekën dhe dikush na e kujton se aty ka luajtur njëri nga sulmuesit e kombëtares tonë të futbollit,Bekim Balaj, transferuar kohëve të fundit në Grozni dhe mesfushori po i kombëtares Odise Roshi.Edhe në autobusin tonë mbizotëron atmosferë “Europiani”.Mbërrijmë në Slloveni,në Kozina.Aty ndalojmë jo në auto Grill por në një Pizzeri,ku shohim se ka televizorë që japin sport.Është ora e kombëtares sonë në Finalet e Europianit,Francë 2016.Ka filluar ndeshja me Zvicrën.Emocionet janë të mëdha tek të gjithë.Qindra kilometra larg Shqipërisë dhe na duket sikur Shqipërinë tone e kemi aty,pak metra më larg,tek aparatet televizive.Krenari e ligjshme,edhe pse largohemi paksa të mërzitur.Kemi lënë prapa Slloveninë e nga sipër shohim Triesten.Midis Sllovenisë,cepi i fundmë i ish Jugosllavisë dhe Italisë,nuk ka më kufij,veçëse ca ish kabina kontrolli të braktisura,gjysëm të rrënuara,simbol i Europës së ndarë.
Mirëse të gjejmë Itali.Mirë se ju gjejmë motra e vëllezër shqiptarë.Për katër pesë orë jemi aty,në Mantova.
***
Buzëmbrëmje.Fushat e pamata të Lombardisë,që i gjarpëron mes për mes lumi Po,plot grurë e vreshta,sikur marrin pak frymë nga vapa e ditës.Mantova,qarkuar përreth nga tre liqene,dhe ajo,në mes si shtojzovalle.Kryeqyteti i kulturës italiane për vitin 2016,e këto ditë edhe i kulturës e artit shqiptarë.
“ABC”, quhet edhe hoteli ku akomodohemi, e neve për një çast na duket sikur organizatorët e kanë zgjedhur enkas.Edhe shqiptarët në vitet ‘90 gjithçka nga abc-ja e filluan në Itali.Tani është realitet tjetër.
Në darkën e mirëseardhjes përshëndetemi me mikpritësit dhe të ftuarit e tjerë që kanë ardhur përpara nesh në Mantova.Na e urojnë mirëseardhjen Presidenti i Federatës Nacionale të Shoqatave Shqiptare në Itali z.Ndue Lazri,anëtari i Kryesisë Klodian Cami,kryetarja e Shoqatës shqiptare “Shqiponjat”në Mantova,njëra nga organizatoret e perkushtuara të kësaj veprimtarie Anila Kaja,dhe piktorja Alketa Delishaj,veprimtare e palodhur që kujdeset të mos na mungojë asgjë në tavolinën e bollshme të mikpritjes.Presidenti i Federatës Ndue Lazri më tregon se e shtuna kur ne akoma ishim në udhëtim,kishte qenë e mbushur plot me veprimtari:-“Në shtëpinë e Rigoletos,bufonit tragjik të operas së Verdit një ndërtesë e viteve 1400 në hyrje të sheshit të madh e të bukur “Sordello”, përballë pallatit të famshëm e të madh dukal,ishte hapur ekspozita me fotografitë artistike të fotografit të talentuar Llesh Prendi,emigrant nga Lezha dhe me punimet në pikturë të Alketa Delishaj e Xhimi Hotit nga Shkodra.Ishte ekspozuar edhe një fotopeisazh i fotografes së re shqiptare nga Athina,Vivian Horieti.
Ndërsa në ceremoninë e hapjes kishin qenë të pranishëm të gjitha autoritetet lokale, që nga Kryetari i bashkisë, Mattia Palazzi, prefekti Carla Cincarilli, zëvendëspresidentja e provincës së Mantovës Francesca Zaltieri, përfaqësuesi i Rajonit të Lombardisë Marco Carra, komisari i armës së karabinierëve dr. La Gana, artisti Carlo Micheli që ishte marrë personalisht me organizimin e ekspozitës,etj.
Skulptori i punimeve në dru, regjisori, aktori dhe fotografi Llesh Biba,i ardhur posaçërisht me punimet e tij nga Tirana, i cilësuar si Salvador Dalì i artit shqiptar,i kishte dhuruar Kryetarit të bashkisë një skulpturë, nga njëra anë e së cilës është gdhendur stema e qytetit të Mantovës dhe nga ana tjetër portreti i Heroit tonë kombëtar,Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.Pastaj në skenën e teatrit Bibiena,në pianon mbi të cilën ka luajtur Mozarti, në moshën 6 vjeçare, ishte ulur një vajzë e re shqiptare,Barbara Veleshnja Milova.Ndërkohë i riu shkodran Klodian Kojashi, një djalë i talentuar që jeton në Piemonte të Italisë,kishte sjellë historinë e një emigranti politik italian, nga Piacenza,famëmadhit Pietro Marubi,i cili aty nga vitet 1850 u vendos në Shkodër dhe që do ndërtonte dinastinë artistike të fotografisë“Marubi”, duke i lënë një trashëgimi e pasuri kulturore të pashembullt Shkodrës dhe Shqipërisë.
Ndërsa në sallën e bibliotekës “Nautilus”, vënë edhe ajo në shërbim të krijuesve shqiptarë,ishte promovuar vepra e poetit Tonin Nikolli, kryetar i Shoqatës të Shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë me qendër në Verona,ku mbi vlerat e krijimtarisë së Toninit kishte folur shkrimtarja Valbona Jakova që jeton e krijon në Breshia”.Më vjen keq që nuk ishit edhe ju,përfundon rrefimin Ndueja.
Mes bisedave të ditës e “planeve”për të nesërmen,tashmë darka ka mbaruar.E kemi tepruar pak me”Vino Rosso”.
Kthehemi vonë në hotel.Nata është e qetë.Qëndroj për pak çaste në verandë dhe imagjinoj surprizat që mund të na i sjellë e nesërmja.Me vehte kam ca kopje të një prej librave të mi me poezi.Rrugës në autobus dikush më ka thënë se në Mantova gjendet shtatorja e Virgjilit.
***
Mëngjesi i parë në Mantova.Në hollin e Hotel ABC-s,përshëndetem me Nduen dhe zëvëndësministrin e Kulturës z.Zef Çuni.Përveç kontributit të Ministrisë së tij me vënien në dispozicion të autobusit për Ansamblin e Këngëve e Valleve, ka ardhur edhe ai vet për ta ndjekur nga afër këtë eveniment të kulturës shqiptare në Itali.Në barin e hotelit tek pi kafen e mëngjesit shfletoj gazetat e ditës.”la VOCE di MANTOVA”shkruan për “Ditët e kulturës shqiptare”,me fjalë lavdëruese për komunitetin shqiptarë në Mantova dhe Itali,duke i ilustriar shkrimet me disa foto nga veprimtaritë e ditës.Ndërsa e përditshmja më e madhe sportive ne Itali “La Gazzetta dello Sport”,shkruan me simpati për lojën e kombëtares sonë ndaj Zvicrës,edhe pse me dhjetë lojtarë e një humjeje minimale.Ndërkohë më zgjat dorën dikush që më ngjan si i njohur,dhe nuk isha gabuar.Ishte gazetari e veprimtari i Komunitetit shqiptar në Itali Dilaver Baxhaku.Me Dilaverin njihesha që kur unë isha student dhe ai sekretar Kolegjumi te”Zëri i Rinisë”.Tani Dilaveri jeton midis Italisë e Shqipërisë.Shkon e vjen.Ka ardhur në Itali në vitin 1990.Ditët e para të mbërritjes këtu-thotë Dilaveri,kam bartur pllaka mermeri në kurriz,nga kati i parë i një ndërtese deri në katin e shtatë.
Mëngjesi i së dielës është i vërenjtur e me ca riga shiu.Grupi ynë i drejtohet zonës turistike të qytetit.”Casa di Rigoletto”është ndalesa jonë e parë.Bëjmë ca foto në oborr me Rigoletton.Ambientet brënda janë impresionuese.Po ashtu edhe ekspozita e hapur në këto ambiente e piktores e fotografes Alketa Bercaj Delishaj dhe e kolegëve të saj.Kolegu im në Radio Tirana gazetari Anxhelo Xhaçka kur u nisa,më kishte thënë ta vizitoja edhe Katedralen e Mantovës ku në një vitrinë
është ekspozuar dheu ku ka pikuar gjaku i Krishtit.Përpara Katedrales një grumbull i madh turistësh prisnin për të hyrë brënda.Ne kohën e kemi paksa të limituar.Kështu janë të dielat këtu,thotë Dilaveri,shpesh duhet pritur gjatë për t’i vizituar këto monumente të trashëgimisë njerëzore.
Mbërrijmë në sheshin “Mantegna” ku pasdite do të jepet koncerti i Ansamblit tonë.Pasdite nuk ka shi,thotë dikush nga organizatorët dhe na lajmëron se dreka është gati në restorant “ Xhi xhi”,aty afër.Unë e Dilaveri jemi harruar në bukuritë e mrekullitë e ndërtesave hijerënda qindra vjeçare të zonës muzeale,dhe me hijeshinë e kalldremeve me gurë të rrumbullakët, të tejmbushur me vizitorë.Më në fund mbërrijmë te “Xhi xhi restorant”.Një vajzë e gjatë simpatike na drejton tek një tavolinë ku ka vend edhe për dy karrige.Aty prezantohemi me drejtuesen e shoqatës arbëreshe “Vorea”nga Frascineto,Lucia Martino,dhe bisedojmë gjatë me të herë në arbërishte e herë me përkthimin e Dilaverit në italisht.E kisha dëgjuar,por tani po e takoja gazetaren e Radio Kosovës Vera Pelaj.Po ashtu kolegen,gazetaren e Radio Athinës,programi në gjuhën shqipe,Bardha Mançen,ndërsa poeten shkodrane që prej shumë vitesh jeton në Itali,Lili Bimi,doli se e kisha frend edhe në facebook.Përshëndetemi edhe me durrësaken Angela që kishte ardhur nga Ankona.Orët kalojnë shpejt me trokitje gotash,biseda e foto të përbashkëta.Faleminderit”Xhi xhi”.Vera juaj ishte më e mira e italisë.
***
Sheshi “Mantegna” është mbushur plot shqiptarë,turistë të huaj e italianë.Shqiptarët dallohen lehtë,më thotë Dilaveri,pasi i mbajnë fëmijët mbi supe,”kaliqafë”.Një diell mantovan na përkëdhelet mbi fytyrë.Ka ardhur ora e koncertit të Ansamblit tonë të Këngëve e Valleve popullore.Kemi udhëtuar qindra kilometra që nga Tirana për këtë moment të vecantë.Në tribunën e improvizuar përshëndesin autoritetet lokale dhe organizatorët nga Komuniteti Shqiptarë. Zëvendëskryetari i Bashkisë Giovanni Buvoli, i dhuron zëvendësministrit tonë të Kulturës Zef Çuni simbolin e poetit Virgjili,shtatorja e të cilit lartësohet vetëm pak më tutje nga sheshi “Mantegna”.
Gjëmimi i një daulleje lajmëron ardhjen e artistëve.Për pak në skenë dhe sheshin përpara saj sikur mbijnë nga dheu dhjetëra buqeta të mëdha shumëngjyrëshe.Janë valltaret e Ansamblit me shamitë e kuqe e të verdha,që valëviten hijshëm në konstelacionin e veshjeve të pjesëtarëve të grupit ku mbizotëron e bardha,e kuqja dhe e zeza.
Kënga e vaji janë balsam për shpirtin.Këta njerëz këtu kanë gjithçka por nuk e kanë këtu atdheun.Një pikë lot në cepin e syrit është dashuria,brenga e malli i Shqipërisë.
Kam fotografuar e kënduar edhe unë sa gati më është ngjirur zëri.Publiku e artistët tashmë janë bërë një.Vallëzojnë e këndojnë bashkë.Drejt nesh fytyrqeshur vjen një mesoburrë me ca mustaqe.-Mirëse keni ardhur pershendet,dhe tokim duart së bashku.Është poeti Skënder Lazaj,prezanton dikush.-Të kam kërkuar në “qiell” dhe u takuam në tokë i them Skënderit me të qeshur,pasi ditë më parë në Google në internet kisha hulumtuar për krijimtarinë e tij letrare,për rubrikën poetike të emisionit tim “Larg dhe Afër”në Radio Tirana.Skënderi jeton prej njëzet e ca vitesh në Breshia dhe ka botuar dy libra me poezi e ka në dorëshkrim edhe disa të tjerë.Ndërkohë në skenë është ngjitur Ansambli artistik i Shoqatës “Ana e Malit”,nga Ulqini,të cilët i ka përgatitur me kujdes e pasion të veçantë mësuesja dhe artistja e palodhur Luljeta Avdiu Cura.Kostumet e bukura shqiptare me ngjyrat e ndezura,xhamadanë të kuq e plisa të bardhë permbytin skenën e këtij sheshi.Një djalë i ri i afrohet mikrofonit.Jam Edis Luka nga Ulqini thotë ai,dhe me një zë burri nis e reciton ca vargje lirie.Kisha dëgjuar për artizanin shqiptar Petrit Kozeli, kavalier i republikës italiane, i njohur për këpucët dhuruar presidentit italian apo Papa Françeskos,por se do ta takoja këtu se mendoja.E urova me shpirt këtë shqiptar duarartë dhe më mbeti merak që për arësye të rrethanave të momentit nuk arrita të realizoja me të një intervistë.Një herë tjetër me siguri.
***
Nga sheshi”Mantegna”atmosfera është zhvendosur në darkën përmbyllëse të “Ditëve të kulturës shqiptare”në Mantova-2016.Këngët e vallet shqiptare s’kanë të mbaruar.Ansambli i Këngëve e valleve nga Tirana dhe Ansambli nga Ulqini kanë ngelur disi”prapa”.Fuqinë e kane marrë “vendasit”.Këgë e valle shkodrane e përmetare,çame e kosovare,nga të gjitha trevat shqiptare në Ballkan.Një sofër e bashkuar e artit dhe zemrave shqiptare,këtu në zemër të Italisë.Të ftuar në këtë darkë të përmbylljes së këtij aktiviteti ishin më se njëqind protagonist e pjesësëmarrës. Presidenti i Federatës Nacionale të Shoqatave Shqiptare në Itali gazetari e poeti Ndue Lazri me kolegen Anila Kaja dhe të palodhurin Klodian Cami, por edhe me zëvendësministrin e Kulturës të Shqipërisë z.Zef Çuni gjejnë ndonjë rast të falënderojnë e të bëjnë ndonjë foto me pjesemarrësit e protagonistët.Në një intervistë për Radio Tiranën z.Lazri na falenderoi përzemërsisht ne që udhetuan nga Atdheu për të marrë pjesë në këtë festë të artit e kulturës shqiptare në Mantova.Falenderoi në veçanti atë ekip të palodhur djemsh e vajzash shqiptare që jetojnë e punojnë në Mantova e që shumë ditë përpara aktivitetit dhe gjatë tri ditëve të tij kanë bërë pak orë gjumë me merakun që çdo gjë të shkojë mirë. Blerta Veleshnja e Massimiliano Artioli, Nesti Ballçiti e Adriana Ballçiti, Klaudia Gargjiola e Petrit Kozeli, Silvana Trumçi e Albina Lufi, Edvin Kaja e Kristina Cenolli,etj,etj. Mirupafshim vëllezër. Gëzuar dhe mirë se të takohemi përsëri.
***
Mesnata ka mbëshjellë anë e mbanë Mantovën.Fresku i natës përkëdhelet me shtatoren e Virgjilit që unë se pashë dot.Epo,t’i vish kaq afër e të ikësh pa e parë,..Ndoshta ndonjeherë tjetër.Edhe tri vjet bëhën plot njëmijë vjet që Virgjili poet fizikisht ka ikur nga fushat e gjera të Lombardisë e brigjet e lumit Po.E,megjithatë ngryset e gdhihet aty,në Piedestal,mes mantovanëve të vet.
Nesër në udhë për Atdhe.
Albanian Parade SATURDAY June 18,2016
Albanian Roots – Rrënjët Shqiptare Njofton Komunitetin per Paraden e 18 Qershorit 2016. Mos harroni. Vishuni kuq e zi. Te manifestojme se bashku dhe te shpalosim identitetin tone Kombetar ne zemer te Mnahattanit.
Albanian Parade SATURDAY June 18,2016
43rd Street Manhattan, New York
If you are an organization and would like to participate, email us at AlbanianRoots@gmail.com (Like & Share, help us spread the word)
Njoftohen vatranet e treshtetshit NY, NJ dhe CT, qe te bashkohen me Vatren e qendres dhe se bashku preznatojme Vatren e Nolit dhe Konices, me e vjetra, me simbolikja, me historikja e Kombit, qe lindi si bashkim shoqatash me 28 Prill 1912.
LIRIA E SHTYPIT, 2016
Nga Frank Shkreli/
Anë e mbanë botës, 3 Maji shënoi Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit e deklaruar si e tillë nga Asamblea e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, me qëllim për të nënvijuar rëndësinë e lirisë së shtypit anë e mbanë botës dhe njëkohësisht për t’u kujtuar qeverive anëtare të OKB-së, detyrën dhe përgjegjësinë e tyre për të respektuar lirinë e të shprehurit, ashtu siç përcakton neni 19 i Deklaratës Universale mbi të Drejtat e Njeriut të vitit 1948 dhe Deklarata Ndërkombëtare e Windhoek e vitit 1991, një deklaratë kjo parimesh sepicifike mbi lirinë e shtypit. Është interesant një fakt tjetër historik, ndoshta pak i njohur, se këtë vit Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, bie gjithashtu edhe në 250-vjetorin e Aktit të parë në botë në mbështetje të lirisë shtypit, miratuar më 1776, në Suedi.
Në këtë ditë të Lirisë së Shtypit në botë, gjendja e gazetarëve dhe e lirisë së tyre të veprimit dhe të kryerjes së detyrës së tyre që ata kanë ndaj shoqërisë dhe shteteve ku jetojnë, veçse vjen e keqësohet anë e mbanë botës. Sipas statistikave, nga viti 1992, anë e mbanë botës janë vrarë 1,189 gazetarë e gazetare. Ndërsa në raportin që botoi muajin e kaluar organizata jo qeveritare Freedom House — e cila raporton dhe mbështetë demokracinë, lirinë politike, lirinë e shtypit dhe të drejtat e njeriut anë e mbanë botës – thuhet se sipas matjes së saj sot vetëm 13 për qind e popullësisë botërore gëzon lirinë e shtypit, ndërsa pothuaj gjysma e popullësisë botërore (46 %), nuk e gëzon këtë liri në asnjë formë. Ente të ndryshme mediatike, me rastin e kësaj dite të lirisë botërore, i kanë bërë thirrje Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara që të caktojë një përfaqësues të posaçëm për t’u kujdesur për sigurinë e gazetarëve në kryerjen e detyrës së tyre, me qëllim që të ndihmojë dhe të mbështesë të gjithë gazetarët dhe korrespondentët e mediave tradicionale dhe të atyre elektronike, anë e mbanë botës, ashtuqë që të kenë mundësi të zhvillojnë veprimtarinë e tyre të lirë dhe pa frikë ndëshkimi për punën e tyre si gazetarë e gazetare.
Duke shënuar Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, Kryetari i Organizatës për Siguri dhe Bashkpunim në Europë, njëkohsisht edhe Ministër i Jashtëm i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier u shpreh se, “Sot ne kujtojmë me nderim gazetarët anë e mbanë botës, të cilët përballin rreziqet, dhunën, persekutimet dhe frikësimet, në përpjekjet e tyre të përditshme për të raportuar të vërtetën.” Kryediplomati gjerman dhe kryetari i OSBE-së shtoi se, “Media e lirë dhe e pavarur është një gur themel i pazëvendësueshëm për mbarëvajtjen e një shoqërie të lirë dhe demokratike”. Ai nënvijoi se në këtë fushë, OSBE-ja, “Luan një rol jetik duke përcaktuar dhe duke mbrojtur standardet e përbashkëta, në promovimin e këtij parimi për lirinë e medias”, shtoi Ministri i Jashtëm gjerman. Ndërsa përfaqsuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Dunja Mijatoviç tha me këtë rast se, “Kjo ditë na kujton rëndësinë që luan media e lirë si dhe rolin thelbësor që ajo luan në shoqërinë civile. Gazetarët anë e mbanë botës”, shtoi ajo, “përfshirë edhe ata që punojnë në rajonin e vendeve anëtare të OSBE-së, po veprojnë gjithnjë e më shumë nën kushte të vështira pune.”
Ndërsa në emër të Bashkimit Europian (BE), Përfaqsuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, në deklaratën e saj me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, nënvijoi se, “E drejta e lirisë së opinionit dhe e të shprehurit përfshinë edhe lirinë për të kërkuar, për të marrë dhe për të shpërndarë informacionin.” Ky, tha Përfaqsuesja e Lartë e BE-së, “Është çelsi kryesor i qeverisjes dhe zhvillimit demokratik në përgjithësi. Njerzit kanë nevojë të informohen plotësisht dhe objektivisht me qëllim që të bazuar në informacionin e marrë, të kenë mundësi të formojnë opinionin e vet dhe të marrin pjesë në proceset vendim-marrëse që afektojnë jetën e tyre të përditshme.” Federica Mogherini theksoi gjithashtu se, “Liria e informacionit ndihmon për një qeverisje më të mirë, ndërkohë që mbështetë dhe përforcon transparencën në jetën publike dhe mund të përdoret për të mbajtur përgjegjëse qeveritë dhe përfaqsuesit e klasës politikë për veprimet e tyre, sidomos në fushën e shkeljes së të drejtave të njeriut dhe të korrupsionit.” Në deklaratën e saj me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Përfaqsuesja e BE-së dënoi gjithashtu frikësimet dhe dhunën që po përdoret në rritje e sipër ndaj gazetarëve anë e mbanë botës ndërsa shprehu vendosmërinë e entit që ajo përfaqëson, “Për të promovuar dhe për të mbështetur lirinë e të menduarit dhe të të shprehurit, për të gjithë dhe kudo, bazuar në parimet e barazisë, mos diskriminimit dhe universalitetit – nepërmjet cilësdo media që ata dëshirojnë dhe pa pengesa kufijsh. Kjo është e drejta juaj”, përfundoi deklaratën e saj Federica Mogherini.
Sipas organizatave të ndryshme botërore që merren me të drejtat e njeriut dhe veçanërisht me lirinë e medias në përgjithësi edhe këtë vit, Dita Botërore e Lirisë së shtypit e gjenë median, në pjesën më të madhe të botës, në një atmosferë frikësimi, dhune, vet-censure dhe tensionesh publike dhe private. Ndërkohë që qeveritë e ndryshme anë e mbanë botës, kanë shtuar masat e tyre shtypëse në këtë fushë — me legjislacion dhe pa legjislacion – për të kontrolluar dhe për të shtypur lirinë e medias, jo vetëm nga qeveritë por edhe nga interesa të ndryshme private të korruptuara, që mund të jenë të lidhura direkt ose indirekt me qeverinë ose përfaqsues të saj. Arkitekti i fjalës së lirë, Thomas Xhefersoni ka thënë se shtypi, që me të vërtetë është i lirë të hetojë dhe të kritikojë qeverinë, është absolutisht i doemosdoshëm për demokracinë e një vendi që praktikon vetqeverisjen. Si rrjedhim, mbarëvajtja politike dhe ekonomike e një vendi, varet nga qytetarët e edukuar dhe të mirë-informuar. Ai ka thënë gjithashtu se “ndonëse qeveritë tona duhet të bazohen dhe të veprojnë sipas opinionit të shprehur dhe të lirë të popullit, atëherë si rrjedhim, objektivi i parë duhet të jetë që kjo e drejtë, pra e drejta e lirisë së shtypit, duhet të ruhet dhe të kultivohet”. Ndryshe nga shumica e udhëheqsve të sotëm botërorë, Xhefersoni besonte në triumfin përfundimtar të së vërtetës si dhe në lirinë e fjalës dhe të përhapjes së lire të ideve dhe besonte njëkohsisht në shtypin e lirë si një mjet për të arritur tek e vërteta përfundimtare.Por sot, sipas Drejtorit të Përgjithshëm të Organizatës së Korrespondetëve pa Kufijë, Christophe Deloire, “Për fat të keqë, është tepër e qartë se shumë prej udhëheqsve aktual botërorë janë duke zhvilluar një formë paranoje në lidhje me gazetarinë legjitime.” Frikësimet dhe dhuna ndaj gazetarëve, thekson ai, përfundon në anashkalimin e debatit mbi pluralizmin dhe çon në shtypjen, në rritje e sipër të lirisë së medias dhe përfaqsuesve të saj, nga qeveritë autoritare shtypëse. Z. Deloire shtoi se gazetaria e vërtetë, e cila meriton të konsiderohet si e tillë, duhet patjetër të mbrohet kundër propagandës së qeverive, në rritje e sipër, ndaj lirisë së shtypit anë e mbanë botës. “Garancia e të drejtës së publikut për të pasur në dispozicion lajme dhe informacione të pavarura dhe të besueshme është jetike nëqoftse kemi në mend të zgjidhim problemet e njerëzimit — qoftë në nivelin vendas, qoftë në nivelin botëror”, tha me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës së Korrespondentëve pa Kufijë, Christophe Deloire.