• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

80 VJET NË PRITJE…!

October 2, 2018 by dgreca

1 Protesta ne Qafe Prush

Protesta ne Qafe-Prush/…!

Nga Ramiz LUSHAJ/

Ishte viti 1938 atëherit kur italianët, për interesat e tyne, e ndërtuan “Rrugën e Kromit” nga Kami në Qafë Prushi e, përté, drejt Kosovës. Italianët e banë shumë mirë këtë auto-rrugë malore, me taban të fortë, shumë të fortë, aq sa specialistët e Tiranës, para disa vitesh, kur erdhën për studimin e saj për rikonstruksionim, thanë zyrtarisht se “urat qenkan më të mira se tonat”.

Sivjet bahen 80 vjet në pritje, në nji pritje tejet të gjatë për asfaltimin e saj…! Ndërkohë, shteti i ri i Kosovës e ka të asfaltueme ma së mirit rrugën e vet nga Gjakova deri në Qafë të Prushit. Po çka po bá Shqypnia Nanë që këtë rrugë brenda kufijve të vet e (para)sheh me “synin e njerkës”, e lenë në fatin e vet të keq, si të ishte rrugë e bombardueme nga Lufta I apo e II Botnore apo ngjashmërisht me ato rrugët në “provinca të ISSI-it” në Siri !

A thue moj Qeveria jonë e Tiranës zyrtare ende dhe në këtë Shekull të Ri po duhet me mbetë si në Kohën e Luftës së Ftohtë, të Perdes së Hekurt, me dy realitete të tilla infrastrukturore sikur të ishim ende “Dy Botë”(!) Sepse, Kosova, e ka (ri)asfaltue në standarde të mira Rrugën nga Gjakova në Qafë Prushi. Sepse, Shqipëria, rrugën nga Qafë Prushi në Kam e ka lanë si një “rrugë mesjetare”!
Gjithato fshatna nga Njësia Administrative e Bytyçit (Tropojës) e Njësia Administrative Golaj (Hasit) përgjatë kësaj Rruge Ndërkombëtare e Ndërkufitare kanë mbetun të izoluem keqas në/me komunikim rrugor normal (!). E kjo trevë ka mbetun sikur të ishite një “Oaz”. Po, po. Kjo zonë gjeo-administrative: me njerëz të fismë, e pasur me krom, mjaltë trumze, etj., ka mbetun si “Oaz”, sepse gjithkahit rrethatohet prej “Shkretëtirës” ndaj Saj. Prej “Shkretëtirës” edhe ANTI-SHTET (se Shteti Ynë duhet me mbrri edhe deri te kjo Rrugë, në këto Zona të këtyne dy Bashkive Shqiptare). Prej “Shkretëtirës” edhe ANTI-VERI (edhe kundër kësaj pjese gjeo-administrative të Veriut Shqiptar) !

Kjo rrugë prej Kamit në Qafë Prushi prejce nga koha e ndërtimit të saj ishte e mbetet nji RRUGË NDËRKOMBËTARE, edhe RRUGË NDËRKUFITARE. Si e tillë, në çdo shtet normal, në çdo komb atdhetar, duhej të merrte përparësi të madhe deri në prioritet absolut projekti real për asfaltimin e saj, çka nuk e ka bá astenji Qeveri në këtë një çerek shekulli të Demokracisë në Tranzicion, të Tranzicionit të tejzgjatur të kësaj Demokracie ende të vonuar!

Biles, kjo Rrugë malore nga Kami në Qafë Prushi duhet të mos jetë nji-kalimshe si deri më sot, po mund e duhet të bahet dhe dy kalimshme për të nesërmen e vet (me përjashtim të “urave italiane” të vogla të saj), në të cilën lëvizin shumë makina, pavarësisht se shpejtësinë e kanë disi të vogël, nja 30-40 km/orë.

E thanun botnisht, vërtetësisht, kjo Rrugë Ndërkombëtare e Ndërkufitare, me nji status të tillë, asht e vetmja rrugë e damtueme kësisoj dhe e pa asfaltueme astenjiherë, krahasimue dhe me te tana shtetet e BE-se e të NATO-s, biles dhe me ato shtete si Shqipëria që i përkasin botës euro-atlantike.

Ky rekord i çmendur, çmenduria e këtij rekordi, duhet me na ba jo vetëm bytyçasë e hasjanë, po kush i thotë vetes shqiptar i vërtetë për me u ankimue me peticione e me trokitë me delegacione nga Bytyçi e Hasi, nga Qarku i Kukësit, prej gjithkahit ka Shqiptari, si në përfaqësitë e BE-së e të NATO-s në Tiranë, po dhe dekteri drejtuesve të tyre superior në Bruksel e në Uashington.

Si mundet të rrijë në NATO e të hyjnë në BE një shtet si Shqipëria kur e ka në territorin e saj një rrugë të tillë Ndërkombëtare e Ndërkufitare të lanun e të mbetun në një gjendje të tillë si kjo Kam-Qafë Prushi?!!

Për këtë Rrugë Ndërkombëtare e Ndërkufitare Kam-Qafë Prushi po keq-duket se nuk ia ka ndie as të Djathtës dhe as të Majtës, as politikisht dhe as shpirtnisht. Kurrnjiherë. Kurrkush. Edhe kur e Djathta erdhi në Qeverisje me devizën elektorale: “Me Ne – fitojnë të Gjithë”, u keq pá se kjo Rruga Kam-Qafë Prushi nuk fitoi kurrgja! Asgja, prá ! Edhe të Majtës në qeverisje aktuale, duke ia perifrazuar devizen e saj elektorale në veprimtarim, duhet thanë realisht se kjo Rruga Kam-Qafë Prushi “nuk ashtShqipëria që duam”! Përkundrazi: mjerisht, asht Shqipnia që nuk e duam!

Tashti, me sa duket, ka mbetun për me thanë: Zoti e báftë ma mirë, se kësaj Rruge nga Kami në Qafë Prushi nuk po i del kurrkush Zot ! As Bashkia e Tropojës. As Bashkia e Hasit. As Prefektura e Qarku i Kukësit. As deputetët e djeshëm e të sotëm të Qarkut të Kukësit. Deri tashti: Askush.

Me të thanunat e tyne, me premtime prej tyre, kjo Rrugë Kam-Qafë Prushi do ishte krye kaherë, nji herë e mirë, përgjithmonë. Po fjalët iu kanë mbetë rrena. E rrenat janë të shumta e të mëdha. Të stërgjatuna janë. Edhe ma të mëdha se vet Rruga Kam-Qafë Prushi. Edhe se vet Rruga që të çon te Qeveria e Tiranës. Edhe te selia e PS-së dhe e PD-së në Tiranë (!)
E, së fundit, në Elektoriadën Parlamentare të Qershorit 2017, bash në Zogaj, bash te kjo Rruga Ndërkombëtare e Ndërkufitare Kam-Qafë Prushi, para banorëve të fismë të Bytyçit, Mimi Kodheli, deputete aktuale e Qarkut të Kukësit, fjala-tha, tekstualisht: “Në të gjitha takimet që kam bërë në fshatra të Qarkut të Kukësit këto ditë, nuk kam premtuar, por po ju premtoj se rruga do të asfaltohet nga Qeveria jonë brenda vitit 2018”. A thue edhe kjo asht Rrenë, një nga ato Rrenat e rradhës për këtë Rrugë të Veriut Shqiptar, të zhvillimit e komunikimit ndërshqiptar Shqipëri-Kosovë?! E, në koft Rrenë e Rrenave edhe kjo fjalëdhanie a ka me i ndryshue ndopak mimika deputetes tonë, Mimi, qëndrimi i saj ndaj fjalës së vet, ndaj zonës së vet elektorale?!

Shpesh herë në këtë çerek shekulli, kur ka pasë “zgjedhje të mëdha elektorale”, kur ka ardhë ndonji i madh si ministrja Kodheli e Mbrojtjes, (ka’i’herë edhe firma e banorë vendas) e kanë “rregullue e rrangullue këtë rrugë”(!) tue i hedhun diçka si çakull e gurnajë, edhe asish: ranore. Po ky asht kujdesi ma i vogël dhe, njëherash, “shashka elektorale” apo ndër “shakatë e shekullit shqiptar” (!)

Mue më vjen keq me thanë se asht dhe një nga “fyerjet ma të mëdha të shekujve shqiptarë” ndaj bytyçasve e hasjanëve të fismë, të sojshëm, të mirë.
Prandaj po më duhet me lëshue ofshamë pa të shamune: O rob të Zotit e të Shtetit, çka báni kështu, he ju marroftë Zoti e Populli…!

E çka po qitni kur të mundeni e si të mundeni guralecë e ranacoke përgjatë kësaj Rruge Ndërkombëtare e Ndërkufitare, ndërkohë që ju ia merrni kësaj treve veriore te tanë gurët e çmuar të nëntokës së tyne, gjitha kromet e saj, krejt “arin e saj”. për me i shitë përfitueshëm në miliona euro në tregje të Europës e të Azisë!

“Politika shkretëtirë” e Shtetit tonë Shqiptar ndaj saj, ndaj kësaj treve historike e ekonomike, si e thamë, e ka lanë si “Oaz”. E, tashti, Shteti po don dhe po e lenë për me u shkretanue kjo trevë, me u ba e shkretë…!

Ndërkohë, banorët e kësaj treve të Veriut Shqiptar, si e kanë thanë dhe të huajt, “ecin me kambë mbi flori”, po me çka po shohim në ditë të sodit, po e kanë të vështirë të lëvizin edhe me makina malore Rrugës së tyre Ndërkombëtare e Ndërkufitare!
E, përndryshe: kjo trevë në dy anët e Rrugës Ndërkombëtare e Ndërkufitare prej Kami në Qafë Prushi, në dy Njësitë Administrative Bytyç e Golaj (e përskej tyne, si Rrogam, etj.) thonë se i jep dy të tretat (2/3) e prodhimit të të gjithë kromit të Shqipërisë tonë në Zhvillim pa kthim. E kthyeme në vlerë monetare, thonë gojët e letrat e zyrave e të shtypit, se ky Shteti Ynë i fitoka 40 milionë euro nga tregtia e kromit të kësaj treve veriore krombajtëse.

Epo, ky Shteti Ynë, ky Shteti i Tiranës, në koftë se asht Shtet edhe i bashkive të Tropojës e Hasit, i Qarkut të Kukësit, i këtyne dy Njësive Administrative të Kromit Shqiptar, në koftë se asht Shtet Shqiptar e Euro-Atlantik, le ta japin veç gjysen, këtë gjysmen e 40 milionshit në Euro, për këtë Rrugë. Çka i bie të jenë nja 20 milionë Euro për me i asfaltue 20 kilometrat e Rrugës Ndërkombëtare e Ndërkufitare nga Kami në Qafë Prushi.

E çka po them une, o miq: po me 20 milionë Euro kjo rrugë do të bahej nga Rrugët ma të mira të Globit. Po Shteti Shqiptar, Qeveria e Tiranës, le të japin fonde sa më e bá këtë Rrugë Kam-Qafë Prushi nji rrugë të mirë, nga ma të mirat. Po, veç ama, mos e bani si Rrugën Kombëtare nga Kami në Qafë të Luzhës. Se, n’u báftë sakate e çaraveshane si kjo Rrugë, atëherit ma mirë mos me u bá hiç, me e lanë qysh ásht, aty ku ásht, me e lanë në fatkeqësinë e vet, me mbet’ si fatkeqësi edhe e jona, si nji fatkeqësi lokale, ndërkufitare e (ndër)kombëtare.

E, në mos e bafshi këtë Rrugë, o qeveritarë të Tiranës: Zoti ju marroftë! Amin!

Letra zyrtare të Qeverisë së Tiranës, instanca të saj, e kanë të shenjueme këtë Rrugë, si nji “rrugë e keqe…”, prandaj, tashti, asht Koha e Buxhetit të Ri të Shtetit, i pritshmi i 2019-tës, për me e bá ma të mirë, mos me e lanë qysh asht, në këtë gjendje të jashtëzakonshme. Asht koha për me ia dhanë fondet e duhuna, të meritueme e të vonueme, për asfaltimin e saj me standarte bashkëkohore. Pasi, dhe banorët përrreth e përgjatë saj janë Shqiptarë, se edhe kjo trevë veriore asht Shqipëri. Se Shqipërinë duhet ta bajmë Shqipëri edhe në/me histori, në/me kulturë, me nji zhvillim ekonomik gjithëhapësinor të saj, edhe me Rrugën Kam-Qafë Prushi.

Filed Under: Histori Tagged With: 80 VJET NË PRITJE…!, Ramiz Lushaj

Artikujt e fundit

  • Neuroshkenca e Reziliencës së Stresit te Studentët: Rishikim literature (2020-2023)
  • Pse nuk jep Lajçaku dorëheqjen nga posti i ndërmjetësuesit?
  • Presidentja Osmani në pritjen e Presidentit Biden: Themelet e lirisë dhe shtetësisë së Kosovës janë në aleancën e përhershme me SHBA-të
  • Kryetari Glauk Konjufca: Gjuha e urrejtjes po sfidon secilin shtet të botës
  • KËRKESA E SINQERTË PËR FALJE SI URË DREJT CIVILIZIMIT PERËNDIMOR
  • Censura studimore dhe politika në një kontent historik
  • VATRA priti kryetarin e Komunës së Prishtinës z.Përparim Rama
  • Presidentja Vjosa Osmani dekoron me Urdhrin e Lirisë, ish-kongresistin, Joe DioGuardi dhe aktivisten Shirley Cloyes DioGuardi
  • SOT NË ORËN 12.30 PM, ISH-PRESIDENTI I REPUBLIKËS SË KOSOVËS Z.BEHGJET PACOLLI VIZITON VATRËN
  • Shqipëria në krye të Këshillit të Sigurimit të OKB-së
  • NJË VEPËR ESESH DINAMIKE
  • Në 25 vjetorin e rënies, përkujtojmë heroin Fehmi Lladrovci, ideologun dhe strategun e UÇK-së
  • Atje ku viti i ri  që po vjen nuk do të jetë 2024
  • SHËNIME NGA LUFTA E KOPLIKUT 1920
  • Narcisi i shekullit të 21-të

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT