Gazetat dhe televizionet shqiptare lajme të tilla sporadike për krime e zënka të llojit “zënka grash për vezë pulash” nuk duhet ti publikojnë/
Nga Abdurahim Ashiku-Athinë /
U paralajmërua dhjetë sekonda më parë dhe u dha si lajm i parë, si ngjarje e padëgjuar ndonjëherë (ky është funksioni i krye lajmit). U dha i ilustruar me një “video celulari” përcjellë në internet…
Në Larisa të Greqisë u grindën njeri me tjetrin dy grupe taksixhijsh shqiptarë për konkurrencë pune. U grindën dhe nuk munguan të nxirren nga kroskotët e makinave armët e zjarrit. Si pasojë një taksixhi u plagos në këmbë. Ambulanca e çoi me të shpejtë në spitalin e Larisës…
Se kush ishin pjesëmarrësit në grindje dhe se kush nxori pistoletat nuk jepet asnjë asgjë. Nga Shqipëria telefonat e nënave në shqetësim për bijtë e tyre nuk pushojnë…
Media kombëtare shqiptare i bën jehonë një ngjarje në rrugë, e ve në krye të lajmeve kur nuk duhej të jepej fare.
Në Greqi jeton tash një çerek shekulli një komunitet i madh shqiptarësh që hamendësohet se janë diku tek një milionë, me leje qëndrimi apo ilegalë.
Për ta flitet në krye lajm në televizione e gazeta vetëm kur pushtetarët, qeveritarët e bojërave të ndryshme të “ylberit” shqetësohen për dërgimin e parave në Shqipëri, për “remitancat” fjalë kjo e futur nga fjalorë të huaj për t’i dhënë rëndësi lajmit…
Për ta flitet në krye lajm të gazetave dhe televizioneve satelitore shqiptare kur dikush, diku, bën një krim, bëhet pjesë e një zënke apo edhe e ndonjë vrasje. Bëhet lajm i kopjuar nga interneti apo nga ndonjë stacion grek kur ai thërret me të madhe se keqbërësi është shqiptar. Kjo mbetet e shkruar në lajmet shqiptare edhe në rastet (shumicë) kur policia dhe organet e drejtësisë greke njoftojnë se “krimineli” nuk ishte shqiptar.
Segmente të caktuara ksenofobe dhe neofashiste e duan shqiptarin kriminel, vjedhës, hajdut. Media në shërbim të tyre e shumon, e bën krye lajm.
Në Greqi ka një numër të madh shqiptarësh. Mundet edhe një milionë, me letra e pa letra. Në këtë numër që është sa një e treta e banorëve të Shqipërisë ka edhe kriminelë shqiptarë, vrasës me e pa pagesë, vjedhës bankash e shtëpish. Ashtu siç ka, madje edhe ma shumë, grekë që vjedhin përdhunojnë, trafikojnë fëmijë, shpërndajnë narkotikë etj., etj.
Në Greqi ka një numër shumë të madh shqiptarësh të ndershëm, shqiptarësh që me gjithë “krye lajmet”, nderohen e respektohen nga populli grek. Janë me mijëra gra shqiptare që kanë çelësat e shtëpive dhe të vilave greke, çelësa të dhëna me besim të plotë që ato të bëjnë qetësisht punët shtëpiake.
Në Greqi ka një numër të madh grash e vajzash që mbajnë me një përkushtim të habitshëm gra greke që mosha dhe sëmundjet i kanë shtrirë në shtrat. Urimet e tyre, tek i lajnë si fëmijë gratë shqiptare, shkojnë në “vesh të Zotit”.
Në Greqi ka një numër të madh grash shqiptare që mbajnë tërë ditën foshnja greke në duar, që i ushqejnë fëmijët grekë, i marrin përdore dhe i çojnë në shkollë e i shëtisin në parqe. Gratë greke u kanë lënë në dorë me një besim tepër të madh fëmijët e tyre, shpirtin e vogëlusheve të tyre. A ka besim më të madh se ky?
Në Greqi ka një numër goxha të madh biznesmenësh shqiptarë që jo vetëm kanë punësuar vetveten dhe familjen e tyre, por punësojnë me të gjitha detyrimet burra, gra, vajza greke.
Në Greqi 60 për qind e orkestrës simfonike shtetërore, deri në “violinën e parë” janë djem dhe vajza shqiptare, të barabartë dhe të respektuar nga kolegët dhe fjalëmirë nga drejtuesit e orkestrës dhe titullarët.
Në Greqi fëmijët e emigrantëve shqiptarë kanë vendin e nxënësve më të dalluar, nxënës që në festat kombëtare greke i prijnë kuadratit të shkollës me flamurin e vendit ku jetojnë si më të mirët e shkollës.
Në Greqi, që nga Kavalla e deri në Arta 60 mësues të përkushtuar që gjuhën shqipe e kanë në gjak kanë hapur kurse (shkolla i quaj unë sepse me të vërtetë të tilla janë në funksion dhe në përmbajtje) ku fëmijëve u mësojnë të shkruajnë, lexojnë e këndojnë gjuhën e bukur shqipe. Ata janë mësues vullnetarë që sakrifikojnë fundjavën për ta. Ata janë cilësuar si “Rilindës të kohës sonë”.
Mund të radhis shumë e shumë vlera të shqiptarëve në Greqi (Disa i kam përcjellë në shkrime e disa të tjera në 6 librat e mi të serisë ”Njerëz që i dua”.
Për ta gazetat dhe televizionet shqiptare nuk kanë as sy t’i shikojnë, as vesh t’i dëgjojnë, as laps t’i shkruajnë dhe as kamera t’i filmojnë.
Asnjë gazetë shqiptare nuk ka qoftë edhe një faqe të vetme hapësirë për të përcjellë vlerat e mëdha të shqiptarëve mërgimtarë në Greqi. ASNJË !!!
Lajmi që përcolli sot si “lajm të parë” televizioni kombëtar KLAN ishte një erë e ftohtë polare bri më bri në adresë të qindra mijëra shqiptarëve që jetojnë e punojnë anë e kënd Greqisë, një thikë në dorën e ksenofobëve dhe neofashistëve të kohës kundër shqiptarëve.
Për mua si gazetar ky nuk është lajm, ky është një përrua me ujë të zi që e çon ujin në mullirin e ndarjes dhe përçarjes, e denigrimit të shqiptarëve mërgimtarë që me një përkushtim të jashtëzakonshëm kanë mbajtur në këmbë jo vetëm jetën e tyre por edhe vendin e tyre, familjet dhe Shqipërinë.
Shqipëria, edhe brenda vendit edhe ndër shqiptarët në mërgim, nuk është vendi dhe njerëzit e krimit, është vendi i njerëzve të përkushtuar.
Gazetat dhe televizionet shqiptare lajme të tilla sporadike për krime e zënka të llojit “zënka grash për vezë pulash” nuk duhet ti publikojnë ose, e fundit, ti përmbledhin si lajme shkurt në kronikën e zezë në fund të lajmeve apo në faqen e fundit të gazetave.
Lajm i parë duhet të jetë vlera e mërgatës shqiptare jashtë Shqipërisë në Greqi, Itali, Gjermani, Angli, Kanada, SHBA, Australi. Është një Shqipëri e tërë jashtë që punon edhe për Shqipërinë, që jeton me mendje e shpirt tek trojet e lashta shqiptare.
Abdurahim Ashiku
Gazetar, Athinë 14 janar 2016
NDAL DORËS QË PO MBYT DIBRËN…
* Qeveritarët flasin për digën por askush nuk flet se si do t’i lëvizin varret e njerëzve tanë…/
(Nga fjala e një kryetari fisi në Namibi i cili për të mbrojt trojet, kulturën, varret e të parëve të tyre nga “diga” e ngriti zërin deri në Stokholm, Londër, Paris, Romë…)/
*Para se të ndërtohet një shtëpi e vetme në botën e qytetëruar në vendin ku hapen themelet zbresin të parët arkeologët të cilët mbajnë përgjegjësi për ato dhjetëra metra katrorë ndërtim…
Nga Abdurahim Ashiku-Athine/
Ndërsa Shqipëria notonte në ujërat e rrebeshit të 6 janarit, gazetat si në një kob njoftonin për skenarë të zinj për heqjen nga harta gjeografike e Shqipërisë të luginës së Drinit të Zi, mbytjen e Dibrës nga gjoli i Skavicës.
Nuk do të zbres në “rrënjë” të projektit të ndërtimit të Skavicës këtu e më se tre dekada më parë. Qeveria e asaj kohe nuk e bëri edhe pse ishte në gjendje (si në rastin e Ulzës, Fierzës, Banjës…) të krijonte një “Dibër të Re” në ultësirat bregdetare, nga Velipoja në Ksamil.
Nuk e bëri as Nano që deshi të sillte për ndërtim një firmë italiane, as Berisha që si dr. Ing. bëri ndryshime në projekt për të shpëtuar disa bërraka në fshatrat shqiptare nën Maqedoni…
Po bën zë për ndërtimRama me miratimin (pa zë e figurë) të deputetëve të Dibrës dhe ministrit të financave të cilëve dibranët ia dhanë votën për premtimin se do të ndërtonin Rrugën e Arbërit dhe do ta mbronin Dibrën.
Skavica, alias mbytja e Dibrës, ka dalë kohët e fundit në “qiell të hapur”edhe pse dyert e blinduara të shtetit mbahen për të sigurta.
Kohë më parë, kur gjysma e qeverisë ishte në Pekin “krye marrëveshje” ishte ndërtimi nga ana e një konsorciumi kinez i hidrocentralit tepër të përfolur të Skavicës. …Një ditë pas nënshkrimit të “Memorandumit të Bashkëpunimit” midis Ministrisë së Energjitikës dhe kompanisë Power China, ministri Damian Gjiknuri deklaroi se ka pasur një diskutim shumë intensiv për hidrocentralin e Skavicës…por që nuk u konkretizua me marrëveshje…
Ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri do ta harronte shpejt këtë duke thënë se ndërtimi i kësaj vepre; “nuk u konkretizuan në marrëveshje…”
Më 27 dhjetor 2015ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj deklaroi se do të jetë kompania turke Suzer&NurolGroup, ajo që ka marrë përsipër ndërtimin e veprës në fjalë.
Pas kësaj vjen një lajm tjetër, me emër e mbiemër tjetër “Katundi i Ri”
…Qeveria shqiptare i ka akorduar më 23 dhjetor 2015 një bashkimi kompanish turke, “SuzerGroup” dhe “NurolHolding”, një bonus në masën 8 pikë për ndërtimin e një koncesioni të quajtur Katundi i Ri. (Për këtë do të shkruajmë më vonë)
Një konglomerat vendimesh e njoftimesh që dibrani i thjeshtë që do t’i mbytet toka, varret e të parëve, historia, kultura, gjithçka, hap sytë dhe tund kokën pa kuptuar asgjë.
Shteti i diktaturës ia merrte tokën shqiptarit pa e pyetur sepse tokën, me kushtetutë e kishte shpallur “pronë shtetërore”. Shteti i demokracisë ndonëse e ka shpallur pronën “të shenjtë” hesht.
Në Nenin 23 të Kushtetutës shkruhet…
“E drejta e informimit është e garantuar”.
Në Nenin 41 shkruhet…
“Ligji mund të parashikojë shpronësime ose kufizime në ushtrimin e së drejtës së pronës vetëm për interesa publikë”.
“Shpronësimet ose ato kufizime të së drejtës së pronës që barazohen me shpronësimin, lejohen vetëm përkundrejt një shpërblimi të drejtë”.
Në zbatim të Kushtetutës, përpara se Qeveria të merrte vendimin ( Fletore Zyrtare 7 janar 2015) duhet të bisedonte me popullin e Dibrës, me pronarët e Luginës së Drinit të Zi deri në hollësi.
Por për çfarë duhet të bisedohet në Dibër, me pronarë të ligjshëm të tokës por edhe me “pronarë” të historisë, kulturës vlerash të mëdha arkeologjike, gjeologjike, religjioze e të tjera që lidhen me hidrocentralin e Skavicës. Shtetarët e shohin vetëm tek drita që “sjell” duke lënë mënjanë “errësirën që mbjell”.
I kemi shtruar (një grup intelektualësh) problemet për “errësirën që mbjell” Skavica në një sërë shkrimesh një pjesë e madhe përmbledhur në librin “PO DIBRËS! JO SKAVICËS!, botuar në vitin 2010. Kanë kaluar më se gjashtë vjet dhe askush nuk është ulur me popullin e Dibrës, me historianët, arkeologët, gjeologët, krijuesit etj. të diskutojë qoftë edhe një orë të vetme për problemet që lidhen me HEC-in e Skavicës. Nuk e kanë bërë dje, nuk po e bëjnë as sot. Luginën e Drinit të Zi e ka mbuluar mjegulla natyrore ashtu siç ka mbuluar errësira transparencën shtetërore.
Në këto shënime do të merrem me ministrat e qeverisë Rama;DamianGjiknuri dhe Arben Ahmetaj me emër të plotë dhe me deputetët e Dibrës, të majtë e të djathtë, pa zë e pa figurë.
Nuk e di se çfarë profesioni qytetar kanë “Dy Ministrat” përndryshe do t’ju flisja më drejtpërdrejt. Nuk e di edhe nga janë dhe çfarë interesash i çojnë në Skavicë duke u rrëmbyer në mënyrën më të turpshme banorëve të Dibrës jo vetëm tokën por edhe historinë e kulturën.
E dini ju të nderuar ministra se sa tokë, nga toka më pjellore e Dibrës përmbytet dhe sa banorë do të enden si çifuti në shkretëtirë për një copë truall për jetën e tyre dhe të pasardhësve të tyre?
E dini ju se 18 beteja fituese (nga 24 gjithsej) të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut përfundojnë në fund të “liqenit të vogël“?
E dini ju se Kastrioti ku është vërtetuar tashmë historikisht se lindi dhe u rrit Gjergji i Gjon Dibranit-Kastriotit përfundon nën ujë?
E dini ju se beteja e parë historike e shqiptarëve të bashkuar kundër perandorisë otomane, Torviolli mbytet?
E dini ju se para se të ndërtohet një shtëpi e vetme në botën e qytetëruar në vendin ku hapen themelet zbresin të parët arkeologët të cilët mbajnë përgjegjësi për ato dhjetëra metra katrorë ndërtim?
Dibra zotërinj, me ndonjë përjashtim të rrallë si Kalaja e Grazhdanit, nuk e ka parë kazmën dhe furçën e arkeologut për shkaqe të asaj që qeveritë e djeshme dhe të sotme e kanë parë siç shihet lopa nga gjinjtë dhe jo nga goja?
E dini sa krom ka dalë nga nëntoka e Dibrës dhe ku kanë shkuar të ardhurat në flori nga eksportimi i tij, kur Dibra është treva më e sakatuar në rrugë kryesore e rurale ?
Në historinë e shekullit të kaluar njihen dy dyndje të mëdha të Dibranëve, dy shpërngulje do të thosha apoliptike të dhunshme nga trojet e tyre.
E para ishte ajo e vitit 1913 kur fuqitë e mëdha e prenë Shqipërinë si berr mes për mes kurrizit dhe ata u vendosën (qytetarët e Dibrës së Madhe) në Tiranë ku edhe sot ka një lagje nga më të mëdhatë që quhet “Mëhalla e dibranëve“
E dyta ishte ajo e viteve nëntëdhjetë kur dibranët si e gjithë Verilindja dhe Veriu, si pasojë shuarjes së të gjitha punëve dhe e mohimit (edhe sot e kësaj dite) të pyllit si pronë e tyre shekullore që i ka mbajtur me bukë dhe me strehë përballë asimilimeve historike, ikën pa e kthyer kokën pas, me nga një gjysmë IFA ngarkuar me anje dërrasash me të cilat ngritën barakat në rrethinat e Tiranës dhe të Durrësit…
Megjithatë Dibra ende mbijeton. Këtë mbijetesë të saj ju doni ta shuani.
Doni të mbytni varret e të parëve, varret e luftëtarëve që ranë në beteja heroike me serbin për ta pasur Luginën e Drinit të Zi shqiptare.
Doni të shuani historinë, kulturën, traditat gjithçka me vlerë të madhe kombëtare që ka krijuar kjo krahinë në “qendrën gjeografike të shqiptarëve“.
E dini se ku është “qendra gjeografike shqiptare“, “Verduni shqiptar“ zotërinj ministra? Në qoftë se nuk e dini gjeni një hartë shqiptarësh autoktonë në trojet e tyre shekullore dhe bëni matjet. Matjet do të çojnë në Dibër…
Nuk e di zotërinj ministra në se e keni lexuar referatin “Shpërngulja e arnautëve“ të shovinistit të tërbuar serb VasoÇubriloviq, platformën e tij për t’i shkulur shqiptarët nga trojet e tyre shekullore. Lexoje zotëri, sidomos atë pjesën ku programohet dëbimi i 40 mijë familjeve shqiptare (dyqind mijë vetë), pjesë e cila më ngjan me shpërnguljen dibranëve sot nga trojet e tyre në Luginën e Drinit të Zi.
Dua të ju pyes zotërinj si do ta administronte shteti shqiptar shpërnguljen e 40 apo 60 mijë dibranëve që llogaritet tu përmbytet gjithçka?
Sa do tu paguhet atyre në odisenë e ikjes nga vendlindja?
Sa do të vlerësohet toka e tyre, shtëpitë dhe katanditë?
Po të vlerësohej me çmimin e tregut të tokës që në Dibër është 80 – 100 lekë për metër katror, paratë që ata do të merrnin nuk do të mjaftonin me mbush një kamion me anie e dërrasa e jo për të blerë tokë e ngritur shtëpi.
Të përmbyturit nga liqeni i Fierzës ka kohë që bërtasin dhe kush nuk i dëgjon.
Gërdeci ku ndodhi një krim i shëmtuar me përgjegjës shtetin është treguesi më i qartë se pushteti dhe shteti në Shqipëri janë në koma.
Dua të ju pyes zotërinj a do të pranonin banorët e ultësirës bregdetare shqiptare që nga Velipoja në Ksamil që në tokën që morën produkt i bonifikimit me djersën e gjakun e minatorëve të kromit të lëshonin nga një apo dy dynymë truall për vendosjen e familjeve dibrane?
Mund të vazhdoj gjatë të nderuar ministra me pyetje e argumente.
Në qoftë se i lexoni këto radhë të nderuar ministra shkoni një javë në Dibër ose më e pakta merrni kontakt me historianin dhe kryetarin e nderit të shoqatës “Për Mbrojtjen e Pellgut të Drinit të Zi“ zotin Ali Hoxha, me historianin Përnezha e Murra, me arkeologun dr. Adem Bunguri, me… dhe intelektualë të tjerë. Ata do t’ju japin argumente të gjëra që do tua ndryshojnë mendimin.
Në qoftë se jeni inxhinierë hidroelektrikë, atëherë do të ju rekomandoja të merrnit kontakt me ata specialistë që para tridhjetë vjetësh argumentuan se vetëm me ngritjen e hidrocentraleve të vegjël mbi kanalet ujitëse prodhimi vjetor i energjisë elektrike shkonte nga 16 milionë kilovat/orë në 220 milionë kilovat/orë energji elektrike në vit, aq sa e tërë Dibra të ngrohej e gatuante me energji elektrike.
Do të ju rekomandoja edhe një gjë tjetër. Merrni ata që studiuan Skavicën dhe i çoni në tërë degëzimet e Drinit të Zi: në Mallë, Veleshicë, Setë, Gramë, Murrë, Okshtun etj. Ngrini me ta “diga“ me mjete ndërtuese vendore, llogarisni sasinë e ujit dhe prodhimin e energjisë elektrike…Jam i sigurt se sasia e ujit dhe prodhimi i energjisë elektrike në hapësirën në fjalë do të ishte më e madhe nga sa argumentoni ju me ndërtimin e Skavicës…
Nga disa lajme zyrtare mësohet se vetëm në hapësirën ujëmbledhëse të zonës Klenjë, Ostren, Okshtun janë dhënë këto kohë leje ndërtimi për hidrocentrale të vegjël prodhimi i të cilëve bashkërisht llogaritet mbi 150 milionë kilovat/orë.
Po ju them edhe një gjë zotërinj. Po të ngrihet një digë hidrocentrali mbi Setë, pak më lart se hidrocentrali ekzistues, do të formohej një liqen pasqyra ujore e të cilit do të shkonte deri në Gurë Lurë. Do të lundrohej nëpër të me gondola për të vazhduar më tej me teleferik drejt Liqenit të Luleve dhe Fushës së Pelave…
Turistët do të lexonin, duke parë trasenë e kanalit të Setës nëpër shkëmbinjtë e Gjalicës, një fletë të shkruar nga ndërtuesit dibranë me një heroizëm të pashoq.
Skavicae vdes përgjithmonë turizmin dibran, atë që lidhet me malet dhe me luginën e bukur të saj …
Edhe një pyetje të “fundit“ të nderuar ministra. Sikur pellgu i lartë i lumit Devoll, prurjet mesatare të të cilit janë shumë pranë me ato të Drinit të Zi dhe lartësia mbi nivelin e detit dyfish me atë të Luginës së Drinit të Zi, të mendohej si një rezervuar i madh dhe hidrocentral (me të njëjtin funksion si të Skavicës), të përmbytej e tërë zona nga Maliqi deri në Bilisht me të tëra vlerat e veta parahistorike (Kultura e Maliqit) dhe historike dhe kjo do të bëhej “falas“ nga ndonjë kompani italiane, greke, turke, amerikane etj., etj. si do të reagonit? Do të bënit thirrje që të mos ndërtohet rezervuari dhe hidrocentralet që do të vinin njeri pas tjetrit në atë rënie prej rreth 800 metro mbi nivelin e detit? Unë nuk do ta pranoja një gjë të tillë edhe pse mua nuk më prek asnjë lloj interesi ashtu siç nuk më prek edhe ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës.
Ju thashë disa, pa folur për të tjerat, të cilat po ua lë ju t’i thoni.
Mos kërkoni ta mbysni Dibrën zotërinj ministranë interes të një firme turke e cila donë të ngulë thonjtë në tokën e një prej trevave më në zë në historinë e popullit shqiptar, duke e zhbë atë. Paraardhësit e tyre turqit osmanlinj nuk e mposhtën dot Dibrën edhe me tradhtarë të tipit Hamza Kastrioti e Ballaban Pasha. Mos u bëni bashkëpunëtorë dhe kobure të shkatërrimit…
Shkoni në Dibër, uluni në odën dibrane duke mos harruar të merrni me vete tre gjëra:
NJË METËR, NJË KUNJ THANE TË MPREHUR NGA TË DY ANËT DHE NJË KANDAR
PO DIBRES, JO SKAVICES
DIBRËN PO E MBYSIN: KUSH DO TI DALË ZOT?/
Atë që se bëri dot Berisha, po e bën Rama…
Atë që se bëri ministri Bode i financave të Berishës po e bën ministri Cani i financave i Ramës -deputet i Dibrës.
ATË QË SE BËNË DOT TURQIT OSMANLLINJ NË 18 BETEJA FITIMTARE TË GJERGJIT TË GJON DIBRANIT-SKËNDERBEUT, po e bëjnë turqit e kohës sonë me ndërmjetësinë e ballbanëve të rinj.
DIBRANËT O SOT O KURRË DUHET TI THONË PO DIBRËS! JO SKAVICËS!
Abdurahim Ashiku
Athinë, 6 janar 2016
TË TRETESH NË TRETËSIRË TË HUAJ
Skicë/
Konferencierja, një vajzë e re, me një fletë në dorë tha:“Ai është një djalë i ri që e do poezinë. E flet mirë shqipen por poezitë i shkruan greqisht…”
…Dhe, duke mbajtur në një dorë mikrofonin e në dorën tjetër letrën, nisi të recitojë…
Recitoi një vjershë…
Më pas një dytë,
Më tej një tretë…
I dëgjova mes zhurmës që mbushi sallën.
Nuk i ndjeva.
Nuk më bëri “tëk” në shpirt.
Të njëjtën gjë bëri edhe salla.
Ai ishte një djalë i ri që siç u tha, fliste “mirë shqip”…
Më erdhi keq…
Nuk akuzova djalin. Nuk kishte faj. Vetëm dy vjeç ishte kur shkeli në tokën greke…
Akuzova “zotin”.
Jo atë që rri e na sheh nga qielli…
Akuzova “zotat” që rrinë e shohin nga karrigia e presidentit, kryeministrit, kryetarit të kuvendit, karriget e të gjitha partive…
Migjeni, dikur thërriste:
“Ah sikur të kisha një grusht e t’i bija malit që s’bëzan”.
Unë, duke perifrazuar poetin e madh, do të doja të thosha:
“Ah sikur të kisha një grusht dhe tu bija “zotave” që na lanë të asimilohemi, na e vdiqën gjuhën e bukur shqipe në mërgim, t’i rrëzoja nga “Olimpi” dhe t’i shkelja me këmbë…”
Fort, fort…
Mjerisht nuk kam as grusht, as gjymtyrë…
M’i kanë prerë…
Cung…
Dhe jam i detyruar të tretem në tretësirën e një vendi tjetër…
Abdurahim Ashiku
NEXHMIJE MEHMETAJ NË NJË URIM NGA ZVICRA
Atë ditë të bukur me dritë e diell, njëzet e katër orë para se në mjediset e pallatit të kulturës “Haki Stërmilli” të qytetit tim të rritjes e pjekurisë intelektuale, në PESHKOPI, të paraqisja gjashtë nga librat e mi publicistikë të serisë NJERËZ QË I DUA dhe të filmit dokumentar VERA-MËSUESE NË DY ISHUJ TË EGJEUT, një urim nga larg më emocionoi, më bëri krenar që në jetën time kanë hyrë me tërë madhështinë e tyre njerëz si NEXHMIE (THAÇI) MEHMETAJ, mësuese e gjuhës shqipe për fëmijët e mërgimtarëve shqiptarë në Jura – Zvicër.
Miku im, botuesi i librave të mi që e njeh mësuesen kosovare në Zvicër nëpërmjet shkrimeve që janë botuar në RRUGA E ARBËRIT Bujar Karoshi, e lexoi me emocion duke marrë urime e duartrokitje të zjarrta për fjalët e ndjera thellë të mësueses nga Kosova…
Faleminderit mikja ime dhe e nxënësve të gjuhës shqipe jo vetëm në Zvicër por kudo që ata mblidhen dhe mësojnë të shkruajnë, lexojnë dhe këndojnë SHQIP…
Me respekt
Abdurahim Ashiku,
Gazetar, Athinë.
Përshëndetje Zotëri i nderuar Ashiku,
Me kënaqësi mora ftesën me rastin e përurimit të serisë publicistike, Ju faleminderit! Në pamundësi që të jem e pranishme ju përgëzoj!
Disa fjalë për librat tuaj:
Librat tuaj i kam lexuar me ëndje të madhe dhe mund të them se çdo libër, nga brenda kap një gamë të tërë problemesh, të trajtuara me ndjenjë e ngrohtësi e me një gjuhë të pasur për mërgimtarët shqiptarë në Greqi, aty ku jeton dhe autori.
Shumë prekëse janë ato faqe që flasin për jetën e përditshme. Ai që është njerëzor nuk mund t’i kalojë me indiferencë ato çaste të vuajtjeve të bashkatdhetarëve të vet, të cilët punojnë punë të rënda që të tjerët me qejf nuk i bëjnë, u detyruan për shkak të varfërisë të largohen nga vendi i tyre, nga vatrat e tyre amtare.
Të tërheq vëmendjen lidhja e këtij autori me shumë personalitete të fushave të ndryshme, tregon se shumica e shqiptarëve i kanë bërë vend vetes, kudo që janë shpërndarë nëpër Greqi dhe gëzojnë respektin e tyre. Me shumë dashuri e respekt autori flet për mësuesit e shqipes në Greqi, nuk ndahet nga ecuria e shkollës shqipe në vend të huaj, madje te ruajtja e gjuhës shqipe.
Autorin e shqetëson edhe qëndrimi që mbanë shteti shqiptar ndaj identitetit kombëtar. Ai merr si shembull Mësuesen Vera Shkurti e cila punon, me ngulmë për ta ruajtur identitetin kombëtar pa kurrfarë ligji. Jo! ashtu siç kanë popujt tjerë. Mjerisht kjo është një padrejtësi që u bëhet mësuesve shqiptarë jashtë atdheut.
Duke shfletuar këto libra, unë krijova një bindje të plotë se ato përçohen nga mbresat e çiltra jetësore, nga dashuria dhe malli për atdheun, nga synimi për t’i sjell lexuesve një mesazh human.
Pranoni, gjithë urimet e mia vëllazërore!
Nexhmije (Thaçi) Mehmetaj, mësuese në Jura – Zvicër, mikja e shqiptarëve.
30 tetor 2015
- « Previous Page
- 1
- …
- 5
- 6
- 7
- 8
- 9
- …
- 16
- Next Page »