Adelajda Matuka, zv.presidente e “Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Itali” dhe kërkuese shkencore në Universitetin e Macerata në Itali rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit, kulturës dhe traditës shqiptare në Itali. Me Adelajda Matukën bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.
LIDHJA E MËSUESVE SHQIPTARË NË ITALI
Angazhimi im me Lidhjen e Mësuesve fillon këtë vit. Lidhja e Mësuesve Shqiptarë në Itali është një shoqatë jo fitimprurëse që është krijuar në vitin 2018 dhe është ura lidhëse ndërmjet Ministrive të Arsimit në Shqipëri, Kosovë dhe mësuesve që japin mësim në shkollat shqipe në Itali. Lidhja e Mësuesve merret me shpërndarjen e librave të gjuhës shqipe, me organzimin e trajnimeve, seminareve të ndryshëm për mësuesit dhe konkurseve, aktiviteve kulturore për fëmijët e komunitetit. Në lidhje bëjnë pjesë 62 shkolla në të gjithë Italinë dhe më tepër se 160 mësues. Sinqerisht, mbrëmjen e votimeve kam qenë shumë e emocionuar. Fakti që isha shumë herë më e re se pjesa më e madhe e mësuesve dhe bashkëbisedimi me mësues që ndoshta dikur i kisha parë si heronj, si idhuj për kontributin e tyre në mësimdhënien e gjuhës së ëmbël shqipe në Itali, më bënte të ndihesha fatlume por edhe me shumë përgjegjësi që do të vihesha përballë syrit të tyre kritik. Votimet e fundit sollën ndryshime rrënjësore në organizimin e lidhjes, dhe atë natë është krijuar edhe Kryesia e Lidhjes, bord ky me anëtarë intelektualë në rajone të ndryshme të Italisë për të lehtësuar menaxhimin e saj. Së fundmi, pas një pune të frytshme kemi nisur drejt Komisionit Europian një letër zyrtare drejtuar Komisioneres së Lartë për barazinë me anën e të cilës synojmë njohjen e punës se mësuesve shqiptarë në Itali dhe institucionalizimin e Lidhjes së Mësuesve. Mësuesit shqiptarë po bëjnë punë vullnetare në ambiente të siguruara nga komuna në disa raste ndërsa pjesa më e madhe po punojnë në ambiente të marra me qera e të paguara nga prindërit. Veç kësaj, me situatën aktuale të COVID 19, mësimdhënia rrezikohet edhe më tepër, duke qenë se puna me kushte jo të përshtatshme mund të çojë në rritjen e infeksioneve. Shpresojmë dhe besojmë që gjuha shqipe të futet në shkollat dhe universitetet italiane si gjuhë zyrtare duke eleminuar të gjitha vështirësitë dhe mësuesit të kenë respektin e merituar.
STUDENTËT SHQIPTARË NË RAJONIN E MARCHE- ITALI
Që prej vitit 2018, në Itali drejtoj Shoqatën e Studentëve Shqiptarë në rajonin e Marche si zëvendës presidente dhe së fundmi kam patur nderin të zgjidhem edhe nën/kryetare e Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Itali. Kam qenë shumë e re kur jam larguar nga shtëpia, vetëm 19 vjeç dhe eksperienca ime në Varshavë, në një mjedis ndërkombëtar më ndihmoi të rritesha personalisht. Pas kthimit tim nga Varshava, fillova të angazhohesha me organizata të ndryshme jo fitimprurëse si pjesë e bordit drejtues dhe ndihesha vërtet e plotësuar që mund të jepja kontributin tim për vendin tim dhe moshatarët e mi. Ardhja në Itali ishte një biletë e artë për karrierën time por fillova të ndihesha sikur kisha humbur vetveten. E kisha shumë të vështirë të jetoja në një qytet ku flitej shumë pak anglisht (për të mos thënë fare) dhe të bëja dokumentat italiane me një ndihmë vetëm minimale nga Welcome Office në universitet. Nuk kisha informacion praktik për vendodhjen e pjesës më të madhe të institucioneve apo dokumenatve të nevojshme dhe nuk isha as në dijeni se kishte një komunitet të tërë shqiptar në Marche. Rastësisht, 2 javë pas ardhjes time në Macerata, në një seminar të organizuar nga universiteti me pjesëmarrjen e profesor Arben Malaj, u njoha me kolegen dhe miken time më të mirë, me të cilën po drejtojmë aktualisht shoqatën e studentëve dhe diskutuam për idenë e krijimit të shoqatës. Të dyja kishim patur vështirësi dhe bazuar mbi eksperiencën personale do të krijonim diçka që do të shërbente si strehë për studentët e rinj. Në 27 prill, 2018 shoqata u themelua zyrtarisht mbi bazën e kontributeve vullnetare. Pas krijimit të shoqatës, arritëm të themelonim shkollën shqipe në Macerata, “Shqiponjat” dhe fatmirësisht patëm mbështetjen e Universitetit të Maceratës për të dhënë mësim në ambientet e universitetit. Synimi ka qenë të ofrojmë jo vetëm ndihmë për studentët e ardhur në Itali por të jemi edhe urë lidhëse ndërmjet universiteteve shqiptare e atyre italiane, për shkëmbimin e personelit akademik, seminareve të përbashkëta etj. Me mbështetjen e komunitetit shqiptar, kemi themeluar edhe shkollën shqipe në Tolentino, në të cilën kemi përafërsisht 60 nxënës nga trevat shqiptare. Në dhjetor të vitit 2018, patëm një eksperiencë me një delegacion të Universitetit të Maceratës në Universitetin e Prishtinës, Durrësit, Vlorës, Gjirokastrës dhe Elbasanit. Vizita u pasua me vizitën e ish-Ministrit të Arsimit Z. Shyqyri Bytyqi në Itali dhe në një mbrëmje me komunitetin shqiptar, pas ftesës së rektorit të Universitetit të Camerino-s për të marrë pjesë dhe premtimin të tij për të ndenjur vetëm 5 minuta, në ekzaltim e sipër nga tingujt e çiftelisë, Prof. Pettinari mori mikrofonin dhe deklaroi se do të jepte 10 bursa falas për studentët e Kosovës për 2 vjet. Vitin e kaluar arritëm të rrisnim numrin e bursave në 14, ndërsa këtë vit kemi 11 studentë nga Shqipëria dhe 11 nga Kosova.
NJË SHQIPTARE QË STUDION POLITIKAT MONETARE EUROPIANE
Tema ime e doktoraturës lidhet me “Impaktin e politikave makroprudenciale të Bankës Qëndrore Europiane në shtetet Nordike” . Kjo është një temë e lidhur me bankat qëndrore, puna në bankë qëndrore nuk më tërheq, ndihem më rehat në mësimdhënie dhe në kërkim shkencor. Arsyeja që kam zgjedhur këtë temë është se pas krizës financiare globale të vitit 2007-2008, të gjitha bankat qendrore dhe agjentët e ekonomisë kufizuan ekspozimin e tyre dhe filluan të kuptonin se politikat monetare që kishin përdorur deri tani nuk ishin më efiçente. Kriza solli politika të reja, të cilat synonin të reduktonin tensionin në sistemin bankar, injektonin likuiditet dhe të trajtonin riskun e institucioneve jo më si njësi të vetme por si pjesë e një sistemi të tërë. Studimi im përbën risi për arsye se prek një temë që shumica e akademikëve tentojnë të fokusohen në pjesën makro-ekonomike të studimit ndërsa unë jam përqendruar në tregjet financiare. Për më tepër, është ndër të paktat kërkime që përdor të dhëna aktuale deri në vitin 2018, ndërkohë që shumica e punimeve përqendrohen deri në vitin 2014-2015. Jam shumë krenare për këtë pjesë dhe shpresoj që të jem shumë e vlerësuar në rrethin e akademikëve për arsye se vetëm mbledhja e të dhënave dhe krijimi i database më ka marrë rreth një vit kohë, të dhëna që nuk janë dhe nuk ekzistojnë në literaturën ekzistuese. Së fundmi, pjesa më e madhe e kërkimeve fokusohen në rajone apo shtete që kanë qenë shumë të ndikuara nga kriza financiare si Italia, Spanja apo Greqia ndërsa unë po punoj me shtetet Nordike. Mendoj se kam bërë një zgjedhje të zgjuar, për arsye se ky rajon është lënë shumë në hije, edhe pse shtetet Nordike janë ekonomi të vogla por të avancuara. Së dyti, duke punuar për këto shtete më krijon mundësi punësimi më të larta në një rajon ku kërkimi shkencor dhe puna akademike është shume herë më e vlerësuar se disa shtete Europiane.
KUSH ËSHTË ADELAJDA MATUKA
Adelajda Matuka ka lindur në Vlorë më 1993. Momentalisht po përfundon studimet e doktoraturës në Universitetin e Maceratës në Itali në Ekonomi të Aplikuar me anë të një burse të akorduar nga Ministria e Arsimit Italiane. Sapo është kthyer nga një periudhë kërkimore 8 mujore nga Spanja, në Barcelona Graduate School of Economics dhe ka qenë e rekrutuar në Qendrën Shkencore për Ekonomi Ndërkombëtare. Ka përfunduar studimet Bachelor në Kontabilitet dhe Master në Master i Shkencave në Financë pranë “Universitetit të Vlorës Ismail Qemali”, ndërsa gjatë përfundimit të vitit të parë të masterit ka kryer një exchange (shkëmbim) si përfituese burse nga programi Erasmus Mundus Sigma Agile 2 i financuar nga Bashkimi Europian në Universitetin e Varshavës. Ka patur edhe eksperienca në institucione të tjera të rëndësishme si Banka Qëndrore në Shqipëri, Levy Institute of Bard College (USA), University of South Wales (UK), Ministria e Jashtme (Gjermani), Parlamenti Gjerman dhe ai Europian si dhe zyrat e NATO-s në Gjermani, Hollandë e Belgjikë.