(Rreth librit të Bacës Adem Demaçi “Burgjet e mia- fati im i madh”)
Nga: Bardhyl Adem Selimi
Unë jam nga fatlumët që e kam njohur nga afër, për gati 20 vjet, Bacën Adem Demaçi. Para viteve 90 vetëm mjegulltazi, aq sa lejonte shtypi enverist në Shqipëri, ndërsa pas 90 përmes kushëririt tim në Gllavicë të Lipjanit, profesorit Shemsi Reçica, ish i përndjekur politik, gjithashtu. Ai më tregonte që Baca Adem ka folur në takime ndërkombëtare me shumë mirënjohje dhe adhurim për nënën time Vezire, ish mësuesen e tij në fillore në Prishtinë në vitet 1942-1944. Por në vitin 1991, unë e takova vetë Bacën në shtëpinë e nënës sime, ku ai nisi të vinte rregullisht dhe te unë vetë, në Tiranë, po ashtu në Kosovë sa herë unë udhëtoja atje. Madje, ai ka marrë pjesë edhe në veprimtari të ndryshme në Kosovë kushtuar tim eti, Adem Gllavicës dhe nënës time Vezire, në promovim librash dhe në solemnitete të ngjashme. Baca Adem më dërgonte vazhdimisht artikujt dhe intervistat e tij dhënë shtypit dhe radiotelevizionit shqiptar në Kosovë, sikurse edhe tekstet e veprave të tij letrare. Fragmente të këtyre opinioneve dhe qëndrimeve politike të Bacës Adem unë i hodha në një libër që e titullova “Kosova në udhëkryq” botuar në Tiranë më 2004 dhe promovuar në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve aty. Dy romane të tij, ‘Gjarpijt e Gjakut” dhe “Nëna Shegë dhe pesë gocat” i përktheva në esperantisht. Romani i parë u botua në Britani në vitin 2019 dhe tjetri pritet të botohet, së shpejti, në Belgjikë.
E përmenda gjuhën Esperanto, pasi Baca Adem, si vizionar i madh, e ka vlerësuar atë shumë. Gjatë një promovimi të librit të shkrimtarit Eqrem Basha, “Bota është një pejsazh me ngjyra të ndritshme” (në esperantisht) në bibliotekën kombëtare të Prishtinës, në prani të një grupi esperantistësh polakë, ndër ta edhe përkthyesit Tomas Chmielik, Baca Adem u mrekullua nga leksiku dhe tingëllimi i kësaj gjuhe asnjanëse, që mëton t’i ndihmojë kombësit e ndryshëm të mirren vesh ndër vedi pa vështirësi dhe pa paragjykime.
Disa muaj më parë, falë zotit Shqiptar Demaçi, edhe unë u njoha me sprovën “Burgjet e mia-fati im i madh”. Ajo më la, sikurse shumëkujt, mbresa të fuqishme, pasi përcillte një ndjenjë e kumt madhështor: lufta për lirinë kombëtare është e shenjtë, për të ia vlen të flijosh, sepse shumë shpejt kësaj lufte i bashkohen qindra e mijëra atdhedashës, të frymëzuar nga rilindasit dhe njerëzit e mëdhënj të shqiptarisë.
Natyrisht, menjëherë më lindi dëshira që këtë sprovë tua bëja të njohur edhe të huajve, fillimisht përmes internetit, buletinit dymujor të Shoqatës Esperantiste Shqiptare e mandej, pse jo, përmes një libri shumëgjuhësh. U këshillova me zotin Selatin Novosella, ish bashkëvuejtës me Bacen dhe, prej vitesh, një mbledhës dhe përhapës i veprës së Adem Demaçit. Ai mori menjëherë pëlqimin e Shoqatës së Ish të Përndjekurve Politikë dhe kështu nisëm punën për të siguruar përkthimet në gjuhët më të përhapura të botës. Sërish na ndihmoi esperantoja, rrjeti i miqve të mij esperantistë nëpër botë. Një pjesë të tyre e kisha njohur dhe takuar vetë në Shqipëri dhe jashtë saj, një pjesë përmes internetit.
U bashkuan edhe të njohur tanë bashkëatdhëtarë, që jetojnë në Mërgatë ose në trojet shqiptare. Me këtë rast ndesha në një dukuri të tillë: shumë bashkatdhetarë, ndonëse kanë jetuar në Mërgatë prej shumë vitesh, nuk e zotërojnë gjuhën vendase, ose nuk guxojnë të shkruajnë në gjuhën vendase. Kështu ata nuk mund të ndihmojnë, sa duhet, në njohjen e atdheut tonë në botën e jashtme. Megjithatë kishte syresh që na dhanë përkthime të mira, si zoti Kopi Kycyku (rumanisht), Nufri Lekaj (norvegjisht), Ibrahim Xhemajli (danisht), Erjon Grori (bashkëpërkthyes i arabishtes nga Kuvajti), Poet Qeriqi (finlandisht).
Disa të huaj nuk ishin gati të ndihmonin pasi Kosova dhe çështja shqiptare u dukej tepër e largët. Më bëri përshtypje qendrimi i esperantistëve kinezë. Kur i kërkova Shoqatës së tyre qendrorë (që financohet padyshim nga qeveria) më thanë se “jemi shumë të zënë me përgatitjet e festimeve të 100-vjetorit të Partisë Komuniste Kineze”! Atëhere iu drejtova esperantistëve të Taivanit që, menjëherë, më sollën përkthimin në tre dialekte të kinezishtes. Paskëtaj, disa esperantistë pensionisë nga Pekini më sollën edhe ata përkthimin në kinezishten zyrtare të Kinës Popullore. Ҫuditërisht, përkthimet në serbisht, rusisht, hebraisht, flandrisht etj erdhën shumë shpejt, për të cilën miqve përkatës u jam mirënjohës. Tani libri ka dalë në 34 gjuhë (në 37 po të fusim edhe tri dialektet e kinezishtes të Taivanit, Hong-kongut dhe Mërgatës kineze), përfshi anglishten, frëngjishten, gjermanishten, arabishten, bengalishten, spanjishten, portugalishten, turqishten, që mbulojnë të gjitha kontinentet. Fatmirësisht kemi përkthimet edhe në gjuhët e popujve të vjetër por të vegjel si në greqisht, hungarisht, lituanisht, danisht, suedisht, norvegjisht, finlandisht.
Mendoj se dalja e këtij libri është një përvojë e re në llojin e vet dhe do ndihmojë gjithësesi në popullarizimin e Kosovës nëpër botë. Falënderoj Shoqatën e Ish të Përndjekurve Politikë të Kosovës dhe redaksinë e kryesuar nga z. Selatin Novosella.
Lavdi veprës së Bacës Adem Demaçi.