Lëvizjet e avionit me numër fluturimi MH370, i zhdukur përpara një jave pasi është larguar papritur nga trajektorja e tij, janë shkaktuar nga një veprim i qëllimshëm, njoftoi sot kryeministri malajzian Najib Razak, i cili megjithatë, nuk konfirmoi rrëmbimin.
”Sistemet e transmetimit të të dhënave të Boeing 777 ishin çaktivizuar”, por kontaktet satelitore vazhduan për më tepër se gjashtë orë e gjysmë pas zhdukjes së avionit nga ekranet e radarëve civilë”, bëri të ditur ai gjatë një konference shtypi.
Në atë kohë, aeroplani ishte në mes të rrugës mes brigjeve të Malajzisë dhe Vietnamit, një orë pas nisjes nga Kuala Lumpur, me destinacion Pekinin, me 239 persona në bord. Ishte ora 01:30 e mëngjesit të së shtunës, më 8 mars.
Më tej, avioni ndryshoi drejtim, duke u drejtuar për nga perëndimi, kaloi përsëri mbi gadishullin malajzian, në drejtim të Oqeanit Indian. “Këto lëvizje përputhen me një veprim të qëllimshëm të dikujt brenda avionit”, deklaroi kryetari i qeverisë malajziane.
”Por, pavarësisht informacioneve të shtypit që flasin për një rrëmbim, dëshiroj të jem shumë i qartë: jemi duke vazhduar hetimin për të gjitha rastet e mundshme që do të shkaktonin ndryshimin e drejtimit të avionit MH370″, theksoi ai.
Ai njoftoi gjithashtu ndalimin e kërkimeve në detin e Kinës Jugore, për shkak të këtyre informacioneve që tregojnë se avioni kishte devijuar nga rruga duke shkuar në drejtim të perëndimit të gadishullit malajzian